21/12/2024

NJË POEZI MODERNE NË SHTRAT BALADE

0
Timo-Merkuri

SPROVË

Nga Timo Mërkuri

Afër mesnatës së ditës së djeshme (23.02.2023) poeti Sabit Rrustemi publikoi një poezi të poetit dhe kritikut Sherafedin Kadriu me titull “Çafkat[1]”.

Që poetët të publikojnë dhe shpërndajnë poezitë poetëve të tjerë unë këtë e quaj vlerë qytetarie të poetëve që shpërndajnë dhe vlerë poetike të krijimtarisë të të dyve.

Kjo poezi e publikuar nga Sabit Rrustemi kishte një veçanti, nëntitulli i  saj venë nga autori “E shkruar në messhkurtin e këtij viti në Spitalin e Gjilanit” shoqërohej me pas me shënimin e Sabit Rrustemit ku shkruhej: “Duke e lexuar disa here këtë poezi, të cilën do ta rilexoj përsëri, të poetit, kritikut letrar dhe mikut të çmuar Sherafedin Kadriut, i cili ka një vit thuaja që po përballet  me njërën nga sëmundjet më të rënda të kohës sonë, them zëshëm: ia vlen kjo përballje i dashuri mik i hershëm imi dhe uroj të dalësh triumfues, në mënyrë që t’i shpërfaqet publikut dhe letërsisë sonë, gjithë ai thesar poetik e intelektual që e ruan thellë shtresave të shpirtit, qenia jote. Këto perla poetike të bëjnë të pavdekshëm, Shero… prandaj mos u jep. Jeto për të krijuar e për t’na dhuruar vargje të këtilla”.

I-Qysh në vargun e parë poeti të trondit me sa thotë: “Që kur di për  ju, të zeza ju kam pare”dhe menjëherë të shkon ndërmend se poeti ndoshta ka parë ndonjë ëndërr të keqe. Do na duhet të shohim fotografinë e tij shoqëruese dhe të lexoj më vargjet e më poshtme për t’u bindur se poeti është sugjestionuar nga prania e një tufe sorrash (çafkash, korbash) dhe ka nisur t’u flasë atyre.

Nuk e di pse ky varg më kujtoi baladën e nizamit shqiptar të vrarë shkretëtirave të Arabisë, i cili (ndonëse i vdekur) sheh një tufë korbash që i vërtiten mbi krye, gati për ta sulmuar, dhe i ndërgjegjshëm për pasojat e sulmit të tyre dhe pafuqinë e tij iu drejtohet me vargjet: “O ju korba që më hani/ Sytë e zezë të mos m’i ngani/ Sytë e zezë mos m’i ngacmoni/Se jam djalë e më shëmtoni”.

Sigurisht që meraku i djaloshit nizam, shprehur në vargjet e mësipërme nuk është thjeshtë bukuria e tij fizike, por ekziston një ritual shqiptar: luftëtari duhet të vdesë i bukur, i veshur bukur, i larë dhe i krehur, duhet të hyjë në portën e parajsës i bukur, pasi aty do takojë prindërit, shokët, bashkëfshatarët dhe ata nuk duhet ta shikojnë në asnjë mënyrë të “shëmtuar”. Ndoshta trupin mund t’ia çojnë nënës së tij në fshat (një variant e ka edhe një varg të tillë) dhe sigurisht që nëna, bashkë me të dhe motra e mikja e tij duhet ta shohin ashtu siç qe, i ri dhe i bukur dhe jo i shëmtuar nga korbat. Duke e parë ashtu të bukur (plagët e luftës nuk quhen shëmtim, sido që të jetë) nëna, motra dhe mikja do e vajtojnë me ligjërime plot  finesë poetike, si qëndismat me penj ari nëpër paja nusesh. Ashtu i bukur do t’i mbetet nënës në kujtesë, madje dhe në për ligjërime nuk do mungojë vargu “i bukuri i nënës, i ëmbli i motrës”.

I ndërgjegjshëm poeti “fotografon” hordhinë e sorrave, si rapsodi popullore fotografon hordhinë armike , e cila vinte: “Me maqina të mëdha”:

Sonte

Në këtë muzg që sapo ka nisur

Ç’ju keni turrë drurëve të pakët të pyllit

Të Spitalit tim

Në këtë shkurt pa borë si vetë dimri i këtij viti” duke na prezantuar shpendin konkretisht, pasi ai tashmë e di zakonin e tyre që sulmojnë në tufë, ndaj me një tis ironie iu drejtohet:

“Hej, ngadalë se do t’ma thyeni edhe xhamin e dritares

Mijëra jeni, jo më pak

Kurrë kaq shumë nuk ju kam parë

dhe me një tis ironie shton:“Edhe e zeza e paska një të bardhë”.

Sigurisht që ky varg të befason, ç’të bardhë paskan këtë zezonë ngjyrash e situate? Me siguri që ndonjë lexues do mendojë se ndoshta poeti ka temperaturë të lartë e flet në jerm, madje këtë përshtypje ta përforcojnë edhe vargjet vijuese mbi stilin e tyre të ecjes (fluturimit) ku thotë:

“Çfarë flatrash paskëshit

Sa drejtimesh merrni

Përballë-kaloni, anashkaloni, parakaloni

Sa shpejt ktheheni, e se kur ndaleni

Niseni sërish

………………

Çfarë shoferë”!

Veçse një varg befasues të ndalon leximin më tej, vargu i para-fundit i strofës së porsa cituar ku thotë:“Si nuk ndesheni asnjëherë”. Pra këto çafka, sorra apo korba, çfarëdo qofshin nuk janë të tipit luftarak që të ndeshën, dhe pikërisht këtu qenka e bardha e të zezës së tyre, sepse vetë poeti nuk është tip që jepet kollaj. Poeti nga natyra e tij është luftarak, sfidues jo vetëm në vargje. “Sonte /Do të ha nga mishi i juaj i thartë” deklaron ai dhe mua m’u kujtua një këngë e hershme popullore ku luftëtari, pasi i ishte thyer shpata u hodh: ”ta shqyej hasmin me dhëmbë” dhe me thikë “të vrasë bushtrën mortje (vdekje)”.

II-Përgjithësisht në popujt evropianë vdekja pritet me përulësi, ulet koka nën kosën e saj dhe trupi lihet në mëshirën e shpendëve të zinj, bija të mortjes. Vetëm në një popull ballkanas[2] lufton kundër vdekjes, madje edhe në “mbretërinë“ e saj” Kështu, sfidohen ligjet e vdekjes për një fjalë të dhënë (Kostandini) si dhe për një pasion rinie që ngre një vajzë nga varri për një puthje, (balada arbëreshe “U stis vashëza nga varri[3]”). Janë me shumicë përrallat dhe këngët ku trimat e popullit luftojnë me vdekjen, madje ka raste që fitojnë dhe ndonjë betejë sepse lufta dihet që është e humbur në një të ardhme.

Sherafedin Kadriu është poet luftarak, madje kjo poezi e tij dëshmon më së miri për shpirtin e tij, për sfidën e tij : “Sonte /Do të ha nga mishi i juaj i thartë” , pra do ta luftojë dhe këtë betejë edhe sikur: “Ndoshta e ndalë të bardhën time /Bashkë me frymëmarrjen e zënë në kraharor” dhe ironizon: “Atë ditë do të mërzitem edhe për bojën tuaj katran”.

III-Sabit Rrustemi e quajti këtë poezi “një perlë” dhe nuk është gabim, por kjo poezi është shumë më shumë se një perlë. Ajo është identitet dhe dëshmi e unitetit të identitetit tonë të shpërndarë në pesë shtete, ajo është forcë karakteri dhe thellësi dashurie për jetën, është sfidë për “mortjen” dhe fluturaket e saj të zeza, por mbi të gjitha ajo është poezi. Ajo është një poezi moderne, sepse Sherafedin Kadriu është së pari një poet i rrafshit të epërm poetik shqiptar dhe çdo poet është një univers më vete shpresash, dashurie, drite, bukurie dhe arti. Këtij universi mund ti shuhet ndonjë yll, por drita e tij do vazhdojë të vijë drejt nesh bashkë me dritën e yjeve të tjerë. A e ndjen se çfarë je për ne o Sherafedin Kadriu.

Ti je një poet dhe poetët, si speleologët hyjnë në skutat dhe

rrënojat e shpirtit njerëzor, ku mes pluhurit, baltës e gurëve gjejnë “thërrime” dhe copëza ari identiteti dhe si alkimistët këtë ar të pakët e shtojnë dhe e shndrijnë në vargje. Ti Sherafedin Kadriu ke në shpirtin tënd identitetin arbëror, ku gërshetohen si kromozome forca dhe dashuria (jo vetëm) për jetën dhe ca më tepër, ke talentin që ti shndërrosh ato në art poetik. Vetë kjo poezi është dëshmi e padiskutueshme e kësaj force.

Me siguri ti ke shumë për të na dhënë. Prandaj, shërohu sa më shpejt miku dhe vëllai ynë, na duhet fjala dhe vargu yt për ta bërë më të bukur e më të bardhë jetën. Parajsa le të presë dhe ca mote dhe ti mos ki dert se nuk e zen vendin tënd aty askush tjetër.

Jemi me ty, lutemi për ty.

Të presim të ngrihesh e të vish!

Sarandë, më 24.02.2023

[1] Autori e titullon poezinë “Çafkat” dhe me këtë emër në klasën e shpendëve njihet një lloj shpendi që rritet pranë ujërave (si lejleku) dhe pangjyra të ndezura, ku dominon e bardha, por fotografia shoqëruese e poetit tregon një tufë sorrash (kështu i quajmë ne në Jug të vendit) të vogla, të zeza, madje në vargun e parë ai vetë e cilëson: “Qëkur di për ju, të zeza ju kam pare”. Qëndrojnë nëpër pemë kur u kanë rënë gjethet ose dhe nëpër tela në tufa, zakonisht nëpër vendgrumbullime të qyteteve. Janë të ngjashme me korbat, veç më të vogla, ndaj dhe ne paralelizmin e bëjmë me korbat sepse dhe prania e tyre këto njësojë si korbat ndjell zi.

[2] Orfeu dhe Odiseja hyjnë në botën e nëndheshme me një marrëveshje me perënditë.

[3] Shih “Rapsodi të një poeme arbëreshe”, botimi MILOSAO Sarandë 2014  fq 53

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok