Një pasurim i kujtesës sonë kolektive
Nga Driton Gashi
„Njerëzit në Kosovë janë shumë të dashur, mikpritës dhe kanë shumë aftësi komunikimi. Më vjen keq kur lajmet nga Kosova në të shumtën e rasteve kanë një konotacion negativ“- pohon me mirësjellje Mechthild Henneke, gazetare dhe autore gjermane. Vitin e kaluar ajo botoi romanin e parë me titull „Ach, mein Kosovo“ (Ah, Kosova ime) në Gjermani, i cili tematizon luftën në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999.
Bazuar në ngjarje të vërteta, por edhe me elemente letrare trillimi, autorja ka zgjedhur si personazh kryesor një shqiptar nga Kosova, i cili në fillim të viteve nëntëdhjetë emigron në Gjermani dhe me gjithë sfidat dhe vështirësitë që ndeshet, ia del mbanë të integrohet mirë dhe të fillojë studimet e mjekësisë. Duke e përcjellur me shumë mall nga larg situatën e rëndë në atdheun e tij Kosovën, duke u brengosur për fatin e familjes dhe kombit të tij, duke mos e duruar më dhunën, varfërinë, përjashtimin nga jeta sociale, kulturore, arsimore, diskriminimin dhe padrejtësitë nga pushtuesi serb, ai vendos që me disa shokë t’i bashkangjitet forcave luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
– Çfarë i nxit njerëzit të lënë rehatinë dhe mirëqenien në një vend shumë të sigurtë e të pasur si Gjermania, për t’ju bashkangjitur një lufte çlirimtare në një vend tjetër?
– Cilat janë sfidat, me të cilat ata do të ballafaqohen gjatë luftës?
– Sa është e fortë ndjenja e atdhedashurisë, sidomos kur nuk je në vendin tënd dhe ai është në rrezik?
– Sa ka ndikuar jeta në Gjermani në zhvillimin e personalitetit të personazhit kryesor në roman?
– Çfarë do të thotë të jetosh me dy kultura, me çfarë privilegjesh e keqkuptimesh ndeshesh çdo ditë në raport me të tjerët?
Këto e shumë pyetje të tjera autorja Henneke i shtjellon dhe i analizon me një sy shumë të çiltër dhe studjues, me shembuj konkretë e me një gjuhë të pasur dhe të kuptueshme. Duke shkruar me një qasje dashamirëse ndaj veçorive dhe fatit të shqiptarëve të Kosovës, autorja i sqaron edhe ndodhitë dhe rrethanat historike, të cilat si rrjedhojë kishin luftën e hapur në Kosovë.
Personazhi kryesor vjen në Kosovë për të luftuar, por duke e parë nevojën dhe mangësinë e furnizimit mjekësor dhe me përvojën e tij si infermier dhe student i mjekësisë në Gjermani, ai fillon t’i trajtojë të plagosurit në luftë. Me ndihmën e dy infermiereve ai kujdeset për raste edhe më të komplikuara mjekësore, të gjitha këto në kushte shumë të rënda dhe të papërshtatshme lufte dhe me mëdyshjen dhe pasigurinë e vazhdueshme, se a do mjaftojnë njohuritë dhe aftësitë e tija për të marrë aq shumë përgjegjësi për shumë jetë njerëzish.
Vrasja e shumë bashkëluftëtarëve dhe civilëve nga ushtarët dhe paramilitarët serbë, ballafaqimi me njerëz të masakruar në shtëpi të tyre, vdekja e të plagosurve nga pamundësia për trajtim më të mirë, mangësia e ushqimit, rreziku permanent për t’u vrarë e shumë sfida tjera, protagonistin e romanit tonë e mundojnë shumë emocionalisht e fizikisht. Edhe pas ndërhyrjes së trupave ajrore të NATO-s dhe pas përfundimit të luftës, ai akoma nuk mund të shpreh gëzimin e tij, duke i kujtuar viktimat e shumta, njerëzit e zhdukur, shkatërrimet e papara si dhe pasigurinë politike, me të cilën Kosova do ballafaqohet edhe në vitet në vijim.
„Ah, Kosova ime“ hyn padyshim në radhën e atyre librave, të cilat që nga faqja e parë të bëjnë për vete, të prekin aq shumë në emocion, sa që nuk ke më gjasa ta lësh mënjanë e mos ta lexosh gjer në fund. Të rikthen në një periudhë kohore jo aq të largët, e cila për ne shqiptarët është e mbushur me aq shumë dhimbje, mall, frikë, por në anën tjetër edhe krenari për sakrificën e luftëtarëve tanë, për atdhedashurinë si motiv kryesor, për lirinë si dhe për dashurinë dhe solidaritetin ndaj njëri-tjetrit.
Autorja Henneke ka jetuar dhe punuar në Kosovën e pasluftës, e ka mësuar gjuhën shqipe dhe ka gjetur shumë miq atje, me të cilët edhe sot i ruan kontaktet. Librin e saj e ka shumë për zemër, ashtu si edhe Kosovën. Kjo dashuri bie në sy që në faqet e para, ku nga përshkrimet dhe hulumtimet shumë të detajuara për Kosovën, kulturën e jetën shoqërore atje, vërehet se autorja me këtë libër ka për qëllim informimin e drejtë të lexuesit gjerman për atë se çka ka ndodhur në Kosovë. Për sensibilizimin e tij për këtë çështje, duke pasur parasysh disa fushata mediale propagandistike, të cilat e shtrembërojnë të vërtetën dhe shqiptarët e Kosovës i paraqesin si agresorë.
Librin ju rekomandoj natyrisht lexuesve gjermanë, edhe atyre që shumë pak kanë informata për Kosovën. Të gjitha do i gjejnë aty dhe të përmbledhura mjeshtërisht. Edhe bashkatdhetarëve tanë në vendet gjermanishtfolëse do ju sugjeroja ta lexojnë këtë rrëfim më ndryshe për luftën në Kosovë ose t’ju dhurojnë atë fëmijëve të tyre dhe miqve gjermanë. Lexuesit shqiptarë, të cilët nuk e zotërojnë gjermanishten, nuk do lihen në harresë dhe atyre do u jepet mundësia ta lexojnë librin e përkthyer në gjuhën shqipe. Ai do botohet në Kosovë në fillim të vitit 2023.
Për të gjithë leximi i këtij libri do ishte një përjetim i veçantë, një pasurim i kujtesës sonë kolektive, për të na rikthyer në mend se ku ishim, ku jemi e cilat janë synimet tona për të ardhmen. Por edhe një apel për paqë, për më shumë dashuri ndaj njëri-tjetrit, për më shumë ndjeshmëri ndaj virtyteve tona si komb liridashës.
Autores Mechthild Henneke i uroj nga zemra shëndet dhe shumë suksese me romanin si dhe me veprat tjera, që padyshim do vijnë së shpejti!
Mechthild Henneke
„Ach, mein Kosovo“
PalmArtPress
Berlin, 2021
380 faqe
ISBN-13: 978-3962580964
Çmimi: 25.00 euro