Një paragraf dhimbjeje dhe disa poezi
Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj – Vivra
Të dashur lexues, Ju që jeni kritikë e analistë të paanshëm, Ju Uroj mbarësi përVitin 2026! Vivra
Të përshkruash dhembjen, do të thotë shumë…
“Arti që lë gjurmë buron katërcipërisht nga dhembja…” Vivra
Për librin e parë të saj, autorja me modesti thotë : “Jo, jo…kjo nuk është poezi. Është zëri i një shpirti të lënduar për 52 vjet, i një goje të kyçur për të mos shprehur mendimet që gëlojnë në një mendje të lodhur prej peshës së kohës…Eh, koha…koha…Sa ashpër më ka fshikulluar mua, të gjorën! Pamëshirshëm më mori zvarrë dhe unë tani eci nëpër brazdat e gjurmëve të saj me shpinën e krrusur sikur pesha e saj rëndon mbi këto supe të drobitur… E tronditur, kthej shikimin pas dhe shoh ngjarje, data, persona që i desha dhe më deshën, të cilët mjerisht s’janë më…Shoh atje tej…në një kënd të errët ata që më mohuan të jem “njeri”. Vetëm kur je i tillë je në gjendje të bësh diçka…Kurse mua më quajtën ndryshe.
Oh, sa epitete kam dëgjuar të më ngjisnin: “Reaksionare, kulake, e deklasuar, e damkosur, ish pasanike e ndyrë, e qelbur…armike e populli, ti, ti… që i ke lyer duart me gjak…nuk ke të drejtë të jeshë si ne. Dhe brenda meje shkërrmoqej ëndrra, vritej shpresa për një të nesërme…Eh…, ç’poezi mund të japë një grua e moshës sime?! E sotmja tronitëse, s’më lë të harrojë të djeshmen e hidhur dhe të presë të nesërmen dilemë…Më dhembset qyteti im, më i bukuri në botë, i pakrahasueshmi, qyteti i diellit, i cili e përkëdhel atë butë me shumë dashuri dhe admirim mëngjeseve të praruara në brigjet “Perlë”të Adriatikut të kaltër dhe të Jonit blu. Ndërsa muzgjeve të argjendëta, të papërsëritshme, të cilat ndryshojnë nga një mbrëmje në tjetrën, duke i bërë perëndimet më magjepsëse, syri i botës, Dielli, kapërcen horizontin, duke i uruar natën e mirë jo pa lotë e dhembje tokës së bekuar, qytetit të diellit, Parajsës, ku kanë foletë dhe prehen Perënditë!
Pamja madhështore, ku tri ngjyrat blu ( qiell, tokë dhe det) nuk njohin kufi ndarës, ndoshta do më bëjnë ta shoh realisht botën dhe të jap vlerat e mia.”- Janë fjalë tronditëse që dalin nga një shpirt që zjen si vullkan i heshtur që pret të shpërthejë magmën e akumuluar për gjysmë shekulli.
“Çudi, por, edhe sot pas 32 vitesh ndryshim perëndimet kanë ngelur po ato…!Perëndim apo…?! VIVRA
Në kërkim të së vërtetës
Mes ndjenjash drithëruese dhe
mendime emocionesh pasigurie…
lotët rrëshqasin ngadalë, të lodhur
si fjalët e qiririt kur shkrin…
Drit’ e tij e dobët u kthye pas në shekuj…
pa dije e pa syninm tej në kohë e ndali hapin
harlisur në skutat e errësirës…e në rrugën
e panjohur,eci nëpër brazda epokash.
Aty zhbiroi ankthin e së vërtetës së mohuar,
në data historike të tjetërsuara,të cunguara e
e të mohuara nga “pseudohistorianët”
aty gjeti të pafetë që varrosën të vërtetën.
Mes shkëlqimit të fasadës së ekranit…
petku farsë i jetës verboi njerëzimin,
gënjeu, mashtroi, talli,vodhi, përbuzi,
burgosi dhe vrau të “vdekurit e gjallë”
Zhvillimi shpiku fuqinë e mbijetesës.
Të urtin e zhyti në mjerim e varfëri mendore,
mes shikimit të lëbyrtë atij që hiqej zvarrë
si pa të keq i injektoi helmin e dhembjes.
Por shpirti s’vdes dhe kurrë nuk harron…
brenda xhepave të tij të errët frymojnë,
virtytet njerëzoe, vuajtja e mohimi, guximi,
fama e krenaria, dashuria dhe dhembja…
dhurata viryti apo vuajtje të mbijetesës.
Bastardët hajnë dhe xhelatë të kohës,
të pangopurit fitojnë para dhe famë ,
duke tregtuar motrën dhe vëllanë,.
verbuar nga trafiku dhe paraja
nxorën atdheun në ankand…
Ti në kërkim të së vërtetës, thua
dhe këlthet sa të të dëgjojë Zoti:
“-Botës i erdhi fundi…qysh kur
humbi rrugën arsyeja dhe gjykimi,
kurse i lajthituri i ekzaltuar, këlthet:
“-Shikoni! Kjo është drejtësia?!
* Në këtë qytet
Në zemër të qytetit
kam lindur…
Në këtë qytet bregdetar
u lodha duke pritur…
Këtu melodia xanxare
shndërrohet në këngë e valle.
Këtu jeta vlen më tepër
se çdo ëndërr djaloshare.
Në këtë qytet,
ku deti s’fle kurrë,
këtu dua të prehem,
mëngjezeve të zgjohem këtu.
Dua …që rrezja e diellit
të më përkëdhel,
ëndërra të më përkund,
dhe flladi ëmbël të më puth. Vivra
Vorbullat e Jetës
Eh…,
jetë, moj jetë!
Rrugëtimin tënd të gjatë
e nis e qetë.
Me hapin e lehtë mbi tokë,
si një perde mëndafshi natyral,
pa u menduar rrëshqet.
Papritur të del një pengesë
e me mundim ti ngjitesh …
në atë të përpjetë.
Vorbulla e jetës si një laknyjeje
të ngriti sipër në majë,
vështron rretherrotull dhe…
prej ngërçit e pafuqishme nuk di
nga t’ia mbash.
E revoltuar kryet i ngre e shikon…
në një valë zemërimi shpërthen,
pa u thelluar…
të ecësh me vrap mendon.
Tundohesh dhe rrugën pa rrugë kërkon,
e lodhur…, shikon zbritjen qafëthyese
gjithë trishtim,
për fat rruga jote kurrë nuk njeh
kthim.
Për të pamundurën more vrull e guxim,
e vullnetshme, me dhëmbë zgjidhe nyjen
dhe të tatëpjetën e more me nxitim .
Në fundrrugëtim të doli tuneli i errët
si ferri.
Duke ecur verbërisht mes errësirës,
tu shfaq drita jeshile, drita e mirësisë,
ajo dritë që cilitdo për të nesërmen…
dilemë, i jep shpresë e besim …
dhe i çel rrugën
për një jetë më të mirë!
Vetëm Lule ….
Për ty Bianka ime!
Në gjithë kopshtet e Universit
lulet më të bukura zgjodha,
Por më e hijshmja ndër to, ishit ju!
Me aromat më të këndshme
10 vjetorin e lindjes ta rrethova
Por asnjëra s’ka aromën që ke ti
Gjithë ngjyrat e natyrës pikturova
Por cila prej tyre ka aq jetë, sa ke ti,
O drita e dritës së shpirtit tim?!
Këtë ditë 100 vite lumturi të urova
Nga larg të dërgova puthje pambarim
Të rritesh me mamën, babën e vëllanë
Për vete dhe për ata të bëhesh e mirë!
Gëzuar Ditëlindjen e ëmbla Bianka !
Nëna Vili, gjysh Fite, Rezi e Dadi…
Bashkë me bebin që presim të lind!
Të duam sa universi
Të bekojmë si dritën
Si ujin dhe si ajrin! Nëna Vili
E drejta s’është me ty
Ti,
që lot dhembjeje nuk ke derdhur,
atë si mund ta besosh?
Ti,
që asnjëherë vuajtjen s’e pranove,
nuk mund ta vlerësosh.
Ti,
që ëndrrat realizove,
të pafatët s’mund t’i imagjinosh.
Ti,
që talent nuk kishe,
ndoshta e mban mend:
idhull…gjeni të bënë.
Ti,
nuk di se ç’janë
shpresat e vrara të moshatarit tënd,
se nën stres nuk ke jetuar.
Ti,
pa turp mund të mohosh,
vdekjen makabër
të një poeti të pagjykuar.
Jo, kurrë…
nuk mund të kuptosh, të vlerësosh,
të besosh,
se e drejta ishte me ty.
Nëse…dhe tani …
vazhdon në këtë mënyrë,
nënshkruaj falimentin!
Do, apo s’do ti,
e drejta është me ne,me ata…
që rrebeshit të kohës i rezistuan.
Për ta vdekjen kishin nënshkruar.
Ti…, bëj apel!
E drejta s’është më me ty!
Sa do të doja, Në antologjinë “Premio internazionale, e vetmja autore shqiptare fituese mes 205 autorëve nga çdo kënd i botës.Firence-Itali-2010-2012.
Do të doja një botë
në paqe dhe harmoni.
Pa mllefe,
pa hakmarrje,
pa urrejtje,
pa cinizëm,
pa luftra dhe robëri
Dëshiroja …
që botën
ta kisha në dorë,
t’ia shtrydhja
gjithë ligësitë
që shpirtrat helmojnë,
të shpëtoja jetët
që ajo shkatërron!
Do të pëlqeja…
një botë plot mirësi,
që të mbjellë
mirëkuptim,
tolerancë,
begati, vëllazërim
dhe dashuri!
Doja të ishte
një botë
pa mashtrim,
pa tragjedi dhe mjerim,
ku njerëzimi
të mos njohë intriga,
as vuajtje,
as zhgënjim.
Doja të shihja
një botë të mbarë.
Pa dhunë,
pa krime,
pa prostitucion
dhe trafik.
Tej e ndanë globit
të mos enden më jetimë.
E dua botën pa tradhti,
të jetë e bukur dhe e dëlirë!
Pa ty nuk ndërtohet bota
Manushaqe pragpranvere,
del në borë e në të ftohtë,
eja, të bëj tufë të bukur,
për gratë…
anembanë… kudo në botë.
Ngjyrë vjolë me gjethe bari,
që fal…
oh, ç’ bukuri të ngrohtë.
Përherë të shoh kryevarur
si zemra e nënës,
e lodhur…,
plot brenga, dhembje dhe lotë,
por det dashurie di e dhuron
Mos harro për çdo 8 mars,
lotët e vesës gjithë aromë
shpërndaji globit anekënd,
e tregoi botës mashkullore,
pa qelizat e jetës mbi tokë,
jo…,
nuk ndërtohet kurrë kjo botë!”
***
Pafundësisht (Fituese e çmimit “Pena e Kristaltë”-Suedi-2014
Ëndërroj
fushat me aromë bari,
ku këmba…
e askujt …
nuk shkeli mbi gjelbërim.
Ëndërroj…
lëndinat plot trëndelinë,
ku, aromat…
ajrin dehin prej dashurisë.
Ëndërroj…
një majë e një qafë mali,
ku rrezja e pafajshme
i përkëdhel çdo agim,
Ëndërroj…
bulëzat si gur margaritari,
të vesës që kërkon
ta ruajë përjetësisht magjinë.
Ëndërroj… ujërat e kristalta
që zbresin shpatit
me këngë…
a gjithë zemërim.
Ëndërroj vajzën si lastar
që baritet brigjeve
të Adriatikut e Jonit…
të dashurin pret me përmallim.
Ëndërroj gjithçka…
gjithçka të bukur e të dëlirë.
Ndoshta edhe ato,
që…e di mirë…
se kurrë nuk do t’i arrij..
Prapë…
ëndërroj…
e do të ëndërroj… pafundësisht!
Eja nesër
Nesër eja,
të pres të më vish.
E djeshmja iku…
u largua me galop,
tejet e ftohtë…
e mardhur…
e trishtuar…
e hidhur si vreri…
Dielli harroi rrugën
hëna braktisi galaktikën
koha ecën e trembur
në të sotmen e trazuar
me hapin e lodhur
mbi tokën gungaçe
përgjatë rrugës me pisha.
Me shpresën e pritjes,
çapëloj unë.
Ecën ti, ai , ata…
Drejt së ardhmes
vrapon edhe koha…
Të nesërmen
kërkon të arrijë.
Nesër të pres…
te rruga me pisha.
Mos harro,
të më sjellësh diellin.
Kujtohu edhe për hënën
dëshmitaren e dashurisë.
Eja nesër …
të pres të më vish.
Te rruga me pisha,
simbol i përjetësisë.
Fëmijët
Ç’janë fëmijët vallë ?
– pyeti dikush.
-Fëmijët janë:
“Të brishtë si lastarët…,
të pafajshëm si rrezet e diellit,
të dëlirë si vesa e mëngjesit.
Janë të ëmbël si nektari,
përkëdhelës si flladi
Janë mjalti…
i gjithë bletëve të botës,
janë zërat…
aromat…
dhe ngjyrat e gjithë tokës
pafajësi e engjëjve,
ngrohtësi e rrezeve të diellit,
pafundësia e kaltërsisë së qiellit.
Thesaret e pafund…
të mbi dhe nëntokës,
Janë dashuria e pavdekshme…
e universit…
dhe e gjithë kohës…
Fëmijët janë…
Uji…
Drita…
dhe oksigjeni i botës!
Janë të hajthëm…
por kujdes…
ruajini,
që të mos i shpërbëjnë
tufanet e kohës!
***
I kujt është faji ?!
Nuk di…
i kujt është faji vallë?!
Lindëm
në një tokë të lashtë.
U rritëm në një vend
me emrin “Parajsë”,
ku mali i blertë,
mbi kokë…
kaltërsinë e qiellit mban,
këmbët…
në blunë e deteve…
thellë zhytur ai ka.
Tri ngjyra blu,
bija të një nëne janë
Më thoni:
kush i dallon dot vallë?
Vetëm syri i piktorit
arrin t’i ndajë.
Si një trup i vetëm
përjetësisht ato janë.
Tokë, qiell…dhe det
për jetë në harmoni.
Bregu dhe dallga
dashuruar në përjetësi
si në shtrëngatë
dhe kur asgjë s’pipëtinë.
Me lajka shkëmbi,
detin e mban në gji.
Mbitoka dhe nëntoka
plot pasuri.
Përse o Zot!
na dhurova vuajtje dhe varfëri?
Jam evropian dhe
në Evropë vend nuk kam. !
I kujt është faji,
nëse s’ jemi të barabartë?
A nuk kam të drejtë,
për vendin tim të jem krenar?
***
*E djeshmja
Iku…
si iku kështu?!
Mbeti diku…
në rrugët e drobitura,
nën peshën e kohës.
La pas të qeshurat,
gëzimin,
dhembjen…
dhe zhgënjimin që lë mohimi.
Harroi përleshjet mes epokave.
Shpërfilli
ngërdheshjet demoniane,
hakërrima zagarësh…
lajkat servile…
buzëqeshjet hipokrite…
dhe me pluhurin e shekujve i mbuloi…
Ajo që iku dje,
vazhdon të çapëlojë
këmbëzbathur …
e përbaltur…
e lodhur…
e sfilitur…
Në shinat e jetës
bashkëudhëton me të sotmen,
rrugën e Nirvanës i tregon…
E sotmja …kapur për dore,
të dyja i ngërthen…
dilemën që nesër pritet të vijë
me gungaçen e zymtë që shkoi…
Buzëqeshjen…
shpresën…
të bukurën e rilindur…
mes dallgëve zulmëmëdha të jetës…
në një pikëkohë e tashmja i bashkon!
*Të pres…
Të pres
mëngjeseve të dlira të më vish,
se lotët kristal
në vesë më janë kthyer.
Mallin shuan
freski e vendit, prej vese mbuluar.
Të pres
ditëve me diell,
kur zhegu i vapës
mallin ka zhuritur.
Zemërpërvëluar,
krahëhapur
të pres…
bija ime!
Të pres
muzgjeve argjendore,
kur puhiza ëmbël ledhaton.
Lauresha lozonjare së largu vjen
e dallgën tërë gas
puth ngadalë,
veç mallin tënd më përciell.
Të pres
netëve me hënë,
me mendje të ndjek
në skena dhe ekrane,
kur në TiVu
shoh portretin tënd,
një lot malli në faqe.
Kush mund ta besonte?!
Në skenat e botës
bija ime, shqiptare!
Të pres
qepallarënduar,
mosha …
mallin nuk e përball,
zilja e telefonit më ka zgjuar
dhe zëri yt melodioz nga larg:
-Të shtrenjtët e mi,
ashtu si dhe unë,
e di…që keni mall.
Të pres
muaj dhe vite…
Si dallëndyshe
papritur një ditë do të vish,
sa të çmallesh
dhe prapë do të fluturosh
si flutur… drejt botës së lirë.
Dhe unë përsëri
do të të pres,
me mall do të të pres …
o bija ime!
***
Mërgimi
Mërgimi…
ah, mërgimi,
kjo plagë e rëndë,
e shkaktuar jo nga plumbi,
por nga malli i zhuritur,
për një gurë e për një dru,
për gurgullimën e përroit me zhurmë
për një shkrep a një shpat mali,
për flladin detar
a për murlanin,
për diellin që ngroh shpirtin e atdhetarit,
për një serenatë korçare …
a një polifoni labe,
për çiftelinë a cylën dyjare,
për prushin në vatër e tymin në oxhaqe,
për brumin që vjen në magje,
për drynët e ndryshkur…
që mbyllën sa e sa pragje,
për vajzat dhe djemtë lastarë ,
që ta bëjnë shpirtin behar.
Eh, kurbeti….
I rëndë si vreri!
I huaj në dhe’ të huaj mbeti.
Atje…atje larg,
në vetmi mallin e treti.
Në kurbet për çfarë s’ ke mall?!
Për nënë…edhe për babë…
Për të shtrenjtën tokën time,
për një fjalë të ëmbël shqipe.
I mallkuar qoftë…
ai që shpiku kurbetin…
pa atdhe…i huaj mbeti,
kohëgjëmat që sjell tërmeti!
Të falem , o Vlorë
Të falem …
ty Vlorë!
O qytet i Diellit,
ty…Parajsa,
ku kanë folenë Perënditë…
Adriatiku i kaltër…
të dhuroi mirësinë…
Joni blu i thellë…
me të tepërt të fali bujarinë…
Kodrat me agrume e ullinj…
dhuratë e vyer për begati.
Të pyes moj fatmadhe:
-a gjendet ndokund..
një tjetër Perlë margaritare… si ti ?!
Ndaj Zoti…
me bujari të përkëdheli…
sepse të ka pasur …
dhe përjetësisht të ka
“Të Përzgjedhurën e tij…”
Unë…
bijë gjaku, prej gjakut tënd…
përgjërohem
sot e në përjetësi,
se kurrë nuk do të të ndërroj
me asnjë thesar
të gjithësisë…
Të lutem,
më thuaj,
o qytet ëndërr…
a mund ta gjej vallë …
tjetërkund…
si ti, një tjetër mrekulli ?!
Në këtë qytet
Në zemër të qytetit
kam lindur…
Në këtë qytet bregdetar
u lodha duke pritur…
Këtu melodia xanxare
shndërrohet në këngë e valle.
Këtu jeta vlen më tepër
se çdo ëndërr djaloshare.
Në këtë qytet,
ku deti s’fle kurrë,
këtu dua të prehem,
mëngjezeve të zgjohem këtu.
Dua …që rrezja e diellit
të më përkëdhel,
ëndërra të më përkund,
dhe flladi ëmbël të më puth. Vivra
Kalaja e Kaninës, Legjendë
Kanina,
legjendë mbi shkëmb,
vigjëlon ditë dhe natë,
tokë, qiell dhe det i zotëron,
me Vlorën nën këmbë,
e pagjumtë pyet e menduar:
-Çika e bardhë
ndrit si smerald,
pse ende rri zgjuar vallë?
Kur supet shkund Llogarai
Shushica…
s’ka më utërima,
me zëzërima ligjëron e qetë
Ziliqar…
vështron deti me tallaz.
Papritur…
një zë prej ujit këlthet,
me britma sa tronditen retë,
Zoti dëgjoi…
dhe pyeti me tërbim:
Kodrës…, si karakollë,
vallë çfarë i mungon?
Menjëherë urdhrin e dha:
-Mbi shkëmb ndërtoni kalanë,
folenë, ku prehen perënditë.
Arkitektët e qiellit e ndërtuan.
Kalaja me mure të lartë,
drejt qiellit u ngrit atë mëngjes,
diellin nën qerpikë e mbanë,
gjithë kohën briza detare e flladit,
kumbulla, bajamja e miklojnë,
vallëzojnë lulet e bardha e rozë,
tok me çatitë që kuqëlojnë…
dhe mbi kristalet e vesës…
që shndrisin mbi ullinjë e
bar të njomë,
Kaninës me kalanë legjendë,
përjetësi i urojnë!
Hapma zemrën, o nënë! Fituese e çmimit të parë- Suedi-2015
Me krenari ty të falem,
Kosovë!
Para teje në gjunjë
përulem o nënë!
Nderim…
mirënjohje…
përkushtim…
për shekuj të tërë!
Mbështetur kokën ,
në prehërin tënd,
hapma zemrën,
më bëj pak vënd.
Kosovë!
O bijë martirësh…
Lejomë,
që mallin të ta shuaj
Për djemtë e vajzat lastarë,
që as jetën s’e kursyen
po për ty, o nënë, e dhanë.
Kosovë!
O bijë e Shqipes krenare,
përse shekujt të drobitën
Luftrat…hallet…
dhe dertet të rritën,
Kosovë!
Më fut në gjirin tënd
ti, o mëmë.
Me ledha…
ngrohtësi
e dhembshuri…
të t’i shëroj plagët
e shpirtit tënd!
Ndaj, hapma zemrën
e më bëj pak vend,
qetësinë ta gjej
në kraharorin tënd!
Autorja,Vivra
Fundrrugëtim
– Respekt për thinjat e bardha!-
Jeta njihet si rrugëtim pa fund
gjithsesi
çdo rrugë e nismë ka një cakfat
atë kufi të shenjtë….
të cilin nuk e tejkapton asnjeri
dhe kur…
nuhat se mbërriti fundrrugëtimi i tij
thërret ndërgjegjen
Vetëqenies t’i japë llogari e me të…,
të lajë hesap,
por…dilema që s’fal…,
fjalëzvargur e mendueshëm pyet,
se cila prej tyre ka faj vallë…
ndërgjegjja e atrofizuar apo qenia e ngratë?!
Papritur Nevetja e ndal…
e detyron ta kthejë kokën nga ka ardhë
që të shohë se ç’ka lënë pas…
Në kohëgjëmën që shkoi pa e ç’nuk pa
kryqëzim rrugësh… një konglomeratë.
sheh veten
ndër ecje në eter në rrugë e parrugë të gjatë…
çuditet…, se si nuk paska marrë flakë?
ngërthyer në udhëkryqe pambarim,
Nëpër labirinte koklavitur e pakthim,
ndesh sa e sa fëmijë pa fëmijëri…
i dhemb për të rinj…, pa rini dhe pa dashuri,
breza të tërë shpresavrarë e ëndrratretur,
në qeliftohtat… të ligur e të dergjur
etër e bijë… zemërtharë e kockatretur, pyet:
Janë të gjallë, apo mos… të vdekur?!
Në hone shpirtrash për liri të etur,
sa jetimë me lotë në faqe ende pa terur.
Dilema e të nesëmes pyet përsëri:
-Ti Qenie që mbërrite në fundrrugëtim…
s’pe asgjë të bukur apo s’bëre diçka të mirë?
-Me shpirt ndër dhëmb jetova ferrin,
i përdëllyer prita lindjen e agimeve të dlirë
ngrohtësinë e varfër e të mekur të diellit
në dhembje gjeta e jetova aromën e dashurisë
dhe tani që mbërrita këtë fundrrugëtim
e di se ç’bëra keq e në këtë botë ç’bëra mirë,
por …për ndryshim është vonë e s’ka kthim
edhe këtë e kam të qartë dhe e di mirë!
Veç është bukur…
që brezat do ta vazhdojnë këtë rrugëtim!
Vivra, më, 11-7-2016
Zëri i poezisë
Poezia me zërin e zemrës flet ëmbël,ëndërron apo mediton ,
kur vargu i saj dhuron gëzim dhe lumturi,qesh e këndon.
Poezia e bukur të bën të ndjesh joshjen e luleve erëmira,
Freskinë e brizës detare që përkëdhel me përmallim,
ledhat e flladit pranveror që përqafon gjithësinë,
hapin e lehtë, tundues e lozonjar të vashëzës së brisht,
shijon kristalet e vesës plot ngjyra…çdo agim,
prek bukurinë e natyrës së paputhur nga rrezja e diellit,
secila vlen si copëz jete me zërin sekret të shpirtit poetik ,
Poezia është bekim, fisnikëri që lumturon, se …
i jep krenari bukurisë delikate,së cilës i dedikohet,
poezia e dëlirë, si buzëqeshja e foshnjës së pafaj…
Dikush që s’e kupton,nuk ka si e dëgjon zërin mjaltë,
adhurues, zemërak apo sarkastik të vargut poetik,
pasi pa ndjenja, nuk ke si ta ndjesh muzikën e shpirtit…
se ti je i ngurtë si guri dhe i thatë si druri në shkretëtirë,
a e kupton muzikalitetin e vargut poetik, një i tillë ?!
Për cilindo që e ndjen poezinë deri në dehje,
papritur si një fllad i ëmbël, i qetë e ashtu lehtë-lehtë,
e qeshur ulet dashuria në prehrin e shpresës dhe mirësisë,
plot lajka e pritmëri të ngjit drejt reve enigmatike…,
të çon në qiellin e shtatë dhe ti…!
Ti kujton se ke prekur ëndrrën e pritur, një jetë të tërë…
në veshë gumëzhijnë ledha, lajka premtuese, përgjërime
dhe…oh, sa përbetime të një ndjenje përjetësie pa fund,
por…
kur zbret nga ëndrra me këmbë mbi tokë ti…,
prek realitetin dhe ëndrrat zbehen deri në shuarje.
E bukura shndërrohet në shëmtim, premtimi në mallkim,
dashuria në vuajtje, lëngatë, dhembje dhe trishtim, edhe pse…
Poezia drithëruese e shpirtit lindi nga hyjnitë,
dhe enkas u bë një dhuratë po për Hyjnitë!
Ajo sapo të ngre një përmendore, por papritur të fshikullon
ashpër dhe të përplasë zhgënjimin pa mëshirë!-Vivra
E mira Nënë…
Ç’ke kështu zonjë e argjendtë?
Rëndë, rëndë,
këmba mbi këmbë,
me vështrimin teeej…
larg, larg…, tretur,
më thuaj Zonjë:
ç’merak t’ ka mbetur?
-Për vajzat e djemtë lastar
rrugët e botës kanë marrë…
Mall, o mall…
paske shumë derte,
pa gjumë…
me sy vagëlluar mbi dete,
me lot në sy, përgjon netëve…
Mirëmëngjes, Kaninë!
Mirë se të gjej,
e mira…, NËNË!
Sot… urime nga larg të vijnë,
bijë e bija këtu janë mbledhur
Qesh, moj nusja vellohedhur!
Tek ti,
në çdo gur e ulli flet historia,
Andrea Vrana me brezat kuvendon…
Davidi, Rugjina, Donikë bukuria
Gjergj Arianit “Madhështori”
i pagjumë e shpatëzhveshur,
mbi hordhitë i paepur lufton…
Kaninë, Moj Zonja me Kurorë,
Zotëron…
qiell, tokë, det dhe Vlorë
historindritura ndër shekuj
Oborreve të Evropës famëtretur.
Sot erdha …
të të them dy fjalë
për ty, moj zonja hijerëndë,
Kanina me famë, plot halle e derte,
për Perënditë, folè “Parajse”,
begatinë ta japin ullinjtë.
Kanina e fisnikërisë,
je bekim i Perëndisë,
me kalanë si diell mbi det,
përherë përqafon retë,
bukuria dhe ajri yt shtojnë jetë.
Moj Kryezonja plot nure,
po të pyes, -përse u shthure?!
-Kaninë, ç’e bëre lavdinë,
Ditëzinjtë…
ta nëpërkëmbën historinë,
rikthe traditën e krenarinë,
identitetin…
kulturën dhe lashtësinë.
“Kanina “Kala” kurorë,
tokë, qiell e det i ke në dorë,
Çikë e Shashicë përmbi kokë,
nën këmbë liman e Vlorë.
Kanina ka mjaltë të mirë,
vajza të bukura xhevahir,
kodrat mbushur me ullinj”
Lum kush lindi në Kaninë… Vivra
