NJË KUJTIM PËR 24 MARSIN E GLLOGJANIT

Nga Prof. Blerim Latifi
Duhet të ketë qenë data 18 ose 19 mars i vitit 1998 kur u pata kthyer në Prishtinë nga Prekazi. Bëra dhjetëra kilometra në këmbë, përmes fshatrave të Çiçavicës, për të dalë në Sllatinë të Fushë Kosovës, ku pastaj mora autobusin që çonte në Prishtinë. Krejt kjo rrugë për të shmangur post-blloqet e policisë në Komoran dhe të “Kroi i Mbretit”.
Këto post-blloqe ishin pjesë e një sistemi post-blloqesh, të cilat qysh nga nëntori i vitit 1997 e kishin vënë Drenicën në shtetrrethim. Shumë njerëz kanë pësuar ndalime e tortura të tmerrshme në to, gjatë asaj kohe. Shumë të tjerë ishin arrestuar dhe zhdukur përgjithmonë.
Në shtëpinë e madhe tre katëshe në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, ku mbante ligjëratat Fakulteti Filozofik, pyetjet e profesorëve e të studentëve ishin të pafundme. Ishin pyetje për ato që kishin ndodhur në datat 5, 6, e 7 mars në Prekaz. E njëjta gjë më priste edhe në shtëpinë me qera ku banoja bashkë më vëllaun dhe disa studentë të tjerë. Bisedat vërtiteshin rreth asaj se çfarë mund të ndodhte tash e tutje. Një opinion i përgjithshëm ishte se luftë nuk do të kishte. Ajo që kishte ndodhur në Drenicë do të kufizohej vetëm atje. Bota do të bënte më shumë presion që të fillonin bisedimet me Serbinë, zgjedhjet e paralajmëruara për atë që quhej “Parlamenti i Republikës së Kosovës” do të mbaheshin së shpejti dhe çdo gjë, pak a shumë, do të vazhdonte si më parë.
Ndërkohë, mua më brenin nga brenda shumë pyetje: Si mund të ktheheshim në gjendjen e para 5 marsit? Për çfarë ishte bërë gjithë ajo sakrificë njerëzore? Që të vazhdonim si më parë, duke vegjetuar në pritjen e një shpëtimtari që vjen për të na çliruar pa lëvizur ne nga vendi?
Krejt kjo më shkaktonte një ndjenjë të thellë trishtimi. Më silleshin nëpër mend sa e sa kryengritje lokale shqiptarësh, të cilat ishin shuar pa arritur qëllimin për të cilin kishin shpërthyer, duke lënë prapa vetëm vuajtjet e çuara dëm. Më dukej si një mallkim i fatit historik.
Një natë në banesë ishim mbledhur të gjithë cimerët dhe po bisedonim për temën e përditshme: politikën. Derisa unë e riktheja vazhdimisht bisedën tek ato që kishin ndodhur në Drenicë, cimeri im nga Deçani, Haki Vishaj, më pa në sy dhe më tha: – Nuk kemi me lanë vetëm Drenicën! Shpejt ke me ja ni krismën andej prej neve. Në ato moment fjalët e tij më tingëlluan thjesht si një deklaratë e mbështetjes morale, pa ndonjë bazë reale se do të ndodhte ajo që premtonin ato. Por doli se e kisha gabim. Katër ditë më vonë erdhi lajmi: Në Gllogjan të Deçanit po zhvilloheshin luftime mes UÇK-së dhe policisë serbe. Atëherë u morr vesh përfundimisht se kthim prapa më nuk do të kishte. Pjesa tjetër është histori. Historia më e lavdishme e kësaj toke.