15/11/2024

NJË JETË E EKSPOZUAR SAKRIFICËS DHE QËNDRESËS SË PAPARË

0

Vështrim libri:  Pengesat fizike dhe përballja e ashpër me dhimbjen, dashurinë dhe forcën për ekzistencën.

Fjolla Muhaxheri-Agusholli:

”Mbretëresha e natës,” poezi 2022 ,“Lena Grafik” Prishtinë.

Nga Tahir Bezhani

“Me lot në vend të verës e mbusha plot këtë gotë

Çdo lot shkakton dhimbje,

këtë të gjithë e kanë provuar

Por loti i zemrës kur bie

Aty përjetësisht është vend i lënduar”

Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, me kryetarin e saj, poetin e krijuesin e mirëfilltë, z. Muharrem Kurti, edhe këto ditë me vapë qershori, nuk po e ndalon aktivitetin letrar në zemrën e Gjakovës poetike. Me dhjetë qershor, salla  “Teki Dervishi,” pjesë e bibliotekës së qytetit, ishte e mbushur përplot  qytetarë, dashamirë të fjalës së shkruar, me rastin e përurimit të librit me poezi,” Mbretëresha e natës” të autores Fjolla Muhaxhiri-Agusholli.

Fjolla Muhaxhiri-Agusholli paraqitet për herë të parë para publikut me këtë libër poetik, i cili me vlerat dhe cilësitë letrare që përmban, të bën të kuptosh se autorja është një poete e pjekur dhe se  ka një stil të veçantë, i cili spikat menjëherë sapo fillon leximin e librit.

Në të vërtetë, kush është Fjolla  Muhaxhiri-Agusholli për lexuesit e ri?! Në fakt, ajo është një vajzë e verbër, e cila ka humbur shikimin në rininë e saj të hershme. Si e tillë, ajo përpëlitet me jetën, me kontrastet jetësore dhe sfidat e saj, duke ia dhënë ngjyrën e duhur përmes vargut poetik e emocional, plot tharm jete,duke i rezistuar përplasjeve jo të lehta në moshë të re dhe kohë të vështira.

Duke lexuar vargjet e poetes Muhaxhiri nga libri “Mbretëresha e natës,” kisha emocione deri në lotim,  me gjithë përvojën time.Më erdhi në ndihmë një thënie e Volterit :

”Njeriu para mençurisë përulet, ndërsa para dhembshurisë e shpirtit gjunjëzohet”.

Kur lexuesi ndeshet me peshën e vargut që skalit dhimbjen shpirtërore, dashurinë rinore e njerëzore, si ekzistencë jete, ushqim shpirti, kur shikon një “mbretëreshë nate” që rrezon  ditën si diell me fuqinë e vet shpirtërore, atëherë pyesim veten, kah ta ndajmë mendjen me vargun kaq brilant të një autorje mjaft të re e me plot sfida jete…

Si çdo krijues në fillim të karrierës dhe moshës së re, vargjet e para dalin nga shpirti plot dashuri, duke dashuruar natyrën, jetën, veten dhe të tjerët rreth vetës. Autorja e librit “Mbretëreshë e natës, akoma pa e pësuar fatkeqësinë e humbjes së shikimit, ka dashuruar dhe atë dashuri e ka menduar si “pronë” të veten për ta kaluar gjithë jetën.

Por fatet diktojnë(shpesh) të kundërtën dhe ajo dashuri ia kthen shpinën, ndërsa poetja fillon vuajtjen, e cila shquhet përmes vargjeve te mrekullueshme. Zjarri i një dashurie të sinqertë e vullkanik, lexohet në poezinë “Sonte dua,” ku pos tjerash poetja pëlcet ne varg:

” E sonte ndjej dhe dua që afër ty të kem

Edhe pse e di që kjo veç ëndërr do jetë.

Po kërkoj që koka jote të flejë në kraharorin tim e qetë

Me buzë të deh me puthje, të them se të dua vërtet”

Jo vetëm në vargjet e sipër cekura,ku vërehet një dashuri platonike, përmes së cilës dedikohet sinqeriteti dhe synimi jetësor,por tek kjo poete lexuesi vëren atë energjinë e pashtershme të qëndresës edhe atëherë kur jetës i zvogëlohet shpresa për të përjetuar (normalisht) kënaqësinë e saj. E ku më bukur do e kuptojmë këtë porosi, se sa në vargjet sentencë tek poezia “Jetoj:

“Jetoj dhe atëherë kur skam për çarë të frymoj

Buzëqesh edhe pse në  shpirt kam brenga plot ,ose

“Më lerë të jem buza jote

Që të deh me puthjen e etur”

Është e natyrshme se vargjet poetike të natyrës erotike janë burim shpirti te çdo moshe, e veçanërisht në fillim të poezive fillestare. Por te autorja në fjalë, për fatin saj dhe shpresës së lëmekur, poezia e kësaj natyre është akoma më prekëse, e ndjeshme, suptile dhe mjaft pëlcitëse.

Për lexuesin e rëndomtë, vargjet e tilla krijojnë ndjesinë e mallëngjimit si rrjedhojë e gjymtësise së fatit dhe natyrës. Dashuria e parë, së cilës i dedikohet autorja, padyshim se ishte një dashuri e vrarë, një plagë jete, ku poetes i “kullon” ajo plagë si nemitje:

” ti s’më zgjodhe mua, ti zgjodhe flirtin, do marrësh dënimin e kësaj bote….”

Vargje të tilla sublime dalin vetëm atëherë kur krijuesi, si në këtë rast poetja Fjolla, kanë çiltërinë e kalitur në shpirt e zemër.

Jeta në fakt ka sfidat e veta,por nuk është përherë “bukëpërmbysur”, e as në rastin e poetes së re, Fjolla Muhaxhiri-Agusholli. Ajo tani fatet e jetës i ka të lidhura akoma më bukur për rrënjët e një lisi të pathyeshëm, të cilit nuk ia rrënuan jetën as shpresën as betejat e përgjakshme, as ajo e  Koshares.

Me dashurinë dhe fatet e reja të autores,kuptojmë një etapë tjetër të pjekurisë për  jetën,përvojën dhe çiltërinë akoma më bindëse për të sfiduar turbulencat jetësore. Në fakt tani ajo jo vetëm sa i vargëzon një dashurie të re, por vendos në qendër të vëmendjes trimërinë,  sakrificën për lirinë e Kosovës .

Në poezinë “Nuk thyhen lisat,” poetja Muhaxhiri-Agusholli, që në fillim të strofës së parë thekson rrënjët e reja të një jete ndryshe. Lexojmë:

“Aty diçka filloj,filloj shumë frikshëm,

Filloj një pikë tjetër e kthesës

Një lis i fuqishëm e me shëndet të plotë

Ai ishte betuar për të shtrenjtën tokë”

Në këtë poezi shumë emocionale, autorja ka derdhur gjithë talentin e saj, fuqinë krijuese shpirtërore, duke u solidarizuar jo vetëm me një luftëtar si bashkëshortë, por duke u ndjerë shpirtërisht  si bashkëluftëtare, bashkëvuajtëse me plagët e tij, me dhimbjen e të amës së tij e jo vetëm. Këto vargje skalitëse e bëjnë këtë krijuese të pranueshme në mesin e krijuesve të tjerë në letrat tona shqipe.

Në disa prej poezive të saj, natyrshëm rrjedhin vargje me dozë pesimizmi,zhgënjimi,si tek poezitë”Kështu do dua,”Më larguan o miku im,” I flas shiut, ”e tjera, por autorja e librit “Mbretëresha e natës,” me talentin e saj të spikatur, angazhohet fuqishëm në përballjen me jetën dhe sfidat e saj, ku porosia e saj në vargje është koherencë njerëzore mbi vështirësitë e kohës që ajo jeton dhe ndjen.

Këtë qëndresë e rezistencë karshi vështirësive të panumërta e vërejmë tek poezia “Aromë pranvere,” ku poetja na shkruan:

”Agu i mëngjesit veç se filloj,

Çdo gjë tani do kthehet në jetë

Dhe dielli me zili e mbron qiellin e tij

S’do ketë errësirë,do pushoj ai shi

Qesh ai  shpirt njeriu, nuk zë vend trishtimi”

Secili nga ne, lexuesit e rëndomtë e të rregullt të artit poetik, kur lexojmë këto mesazhe (porosi) nga vargjet e kësaj poete te re, në vete do bënim krahasime të ndryshme intuinitive dhe do pyesnim se nga kjo fuqi evolutive e kësaj krijuese te re, duke i ditur pengesat e cekura ne fillim të këtij shkrimi..Mendoj se të gjithë në, këtë imagjinatë inteligjente dota përkrahim pa rezervë dhe të ndihemi të gëzuar për guximin e saj krijues.

Të njëjtin kuptim analog e ndjemë edhe tek poezia”Jeta,dhuratë apo dënim,”ku autorja pos tjerash, sqaron vet botën e brendshme si qëndresë dhe koekzistencë e jetës dhe dëshirën për të jetuar. Mendoj  pa e tepruar se këto vargje dhe ky dedikim, sa pedagogjik, aq edhe psikologjik, është një preferencë didaktike për kohën.. Lexojmë:

“Kur të më pyesin se çfarë është jeta

Unë them se është dhuratë e çmuar

Për vdekjen kur t’më pyesin çfarë mendoj

Unë them se nuk kam kohë të mendoj për te

Se unë dua të jetoj

E vdekja është veç çast pa zë”

 

Mendoj se këto vargje arsyetojnë logjikshëm atë që u cek më lartë.

Padyshim, pos shumë poezive tjera  të këtij libri, që prekin çdo lexues, është edhe poezia më e spikatur  ku dashuria e dhimbja e nënës, mundi dhe sakrificat e saj  e pafundme për të bijën, të nxjerrin lotin e gozhduar në palcë ashti.

Në këtë poezi dhimbja kalon përtej dhimbjes, nga se amë e bij, vuajnë bashkërisht deri në pafundësi. Nëna vuan dhe përpëlitet që bijën e saj ta shërojë, mos të humbë shikimin, ndërsa bija vuan shpirtërisht se nuk e shijon fytyrën e nënës që e  lindi dhe  rriti.

Janë këto dy pole të një force të veçantë magnetike që njeriun e përplasin gjithë jetën…. Të gjitha lexoni tek poezia “Nënë”.  Ja disa vargje :

“Asaj që mua më fali jetën

Asaj që për mua harroj dhe vetën

Ajo që natën e bëri dritë

Priste me ditë, veçse unë ti hapja sytë”

X

“Më dhemb kur e kujton atë ditë ti o nënë

Ato ditë të trishta për të dyja ne

Po ti nuk le vend asnjëherë anë e mbanë

Kërkoje  shërim që vajza jote të mos mbetet e mjerë

Ti je xhevahir për mua

E shtrenjtë sa më nuk ka,

Do mjaftoi fjala të dua

Faleminderit  të them pa nda”.

Për librin me poezi “Mbretëresha e natës”bazuar në vlerat e poezive brenda faqeve të këtij libri, lexuesi i mirëfilltë, do gjente motive të shumta për të shkruaj akoma më shumë. Këtë shkrim timin do e mbylli me konstatimin nxjerrë nga libri, se me gjithë moshën e re të autores, përmes poezive të saj mësojmë për dashurinë, fatet njerëzore, sfidat dhe vështirësitë që sjellë jeta,  qëndresën e paepur   për ta jetuar jetën, motivi i pakalueshëm amnorë që përmban shtyllën kryesore të këtij libri me poezi.Ky libër vjen si dhuratë e mirëfilltë për bibliotekat tona shkollore ,universitare e personale.

Gjakovë, 15 qershor, 2022

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok