25/11/2024

NJË HIMN PËR ANTIKONFORMISTËT

0

Nga Ndue Dedaj

Koha rrjedh herë e qetë e herë e trazuar dhe në kujtesën e kombit vijnë e ngulen fort disa emra që nuk i “shtruan” dot regjimet autokratike, diktaturat etj., duke e paguar shtrenjt qëndrimin e tyre kundër, ndaj i përmendim me nderim antikonformistët e shquar politikë të shekullit XX, nga Luigj Gurakuqi, Sejfi Vllamasi, At Ambroz Marlaskaj te Sejfulla Maleshova, Musine Kokalari, Adem Demaçi, Osman Kazazi, Dom Simon Jubani etj. Filozofi i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, ende sot, pas njëzet vitesh nga zhdukja e tij misterioze, gjatë luftës së Kosovës më 1999, udhëton si një mit i kohës moderne, mes gjalljes dhe vdekjes. Ka pasur dhe antikonformistë si profesor Skënder Luarasi që i mbijetuan burgut, por jo menjanimit politik. Është kjo përballja historike e elitave të iluminuara me pushtetet me natyrë sunduese, pavarësisht nga forma dhe “padishahët” në krye të tyre.

Antikonformistët e këtij rrafshi nuk duhet t’i kërkojmë vetëm në emra të njohur publikë. Sa më shumë ta ndriçojmë të shkuarën, pa u penguar nga “hijet” brenda nesh, aq më shumë do të njihemi me profilet mahnitëse të disa njerëzve të “padukshëm”, duke thënë si ka mundësi që nuk e kishim ditur se ky apo ai individ kishte qenë i tillë?! Në Mirditë, pak kohë më parë, u promovua një libër kushtuar inxhinierit të pyjeve Nikollë Skana, ndarë nga jeta para pak vitesh, i dënuar politikisht me njëzet vite burg, në vitin 1981, përmes një gjyqi të bujshëm, që zgjati disa ditë, me akuzën e agjitacionit e propagandës kundër regjimit dhe si kreu i një grupi “sabotues”, që gjoja kishte vepruar në sektorin e largët të shfrytëzimit pyjor të Kunorë-Valmorit në Selitë. Edhe pse i spikatur në specialistët e brezit të vet, njohës i dy-tre gjuhëve të huaja, nuk kishte përdorur asnjë marifet për të qëndruar së paku në Rrëshen, por kishte shkuar mes sharrëtarëve. Historia e tij është e dhimbshme dhe nuk kemi për qëllim ta sjellim përmes këtij shkrimi, por të nënvizojmë tiparin thelbësor të karakterit të tij, që ishte antikonformizmi, guximi dhe trimëria intelektuale për t’u përballur me diktaturën. Nuk u ruajt as nga fakti që ishte me biografi jo të mirë, një premisë më shumë për të qenë i dyshuar në çdo kohë. Pasardhës i monsinjor Zef Skanës, doktoruar për filozofi në Romë, prift i Abacisë së Mirditës, gjithashtu një antikonformist i regjimit mbretëror të Zogut. Inxhinier Skana nuk u përkul dhe kur akuza (e paprovuar) e sabotimit mund ta çonte në plumb, por deklaroi hapur, publikisht, në sallën e gjyqit, se ishte kundër atij sistemi politik dhe se ky ishte mendimi i tij i lirë. Gjyqi jepej me altoparlantë, që të dëgjohej dhe jashtë sallës, me qëllim që të vinin mend ata që ishin kundër vijës së Partisë, por falë ligjërimit të tij prej disidenti, akuza u kthye në të kundërtën e vet. Ata njerëz nuk kishin parë ndokënd tjetër me aq shumë kurajo, që të kundërshtonte sy në sy regjimin, pa dashur aspak të ishte hero. Pikërisht për këtë ai mbetet një model për sot e gjithmonë. Nikolla, për të cilin ka shkruar dhe At Zef Pllumi në “Rrno vetëm për me tregue”, është vetëm njëri nga kundërshtuesit parimorë të regjimit të kaluar, me apo pa platformë politike, në vazhdën e emrave të dëgjuar të gjysmëshekullit (anti)komunist shqiptar.

Kur analizon atë kohë, nuk mund të mos vëresh se antikonformistët ishin njerëz pa pushtet dhe larg hijes eklipsuese të pushtetit. Konferenca e Partisë e Tiranës, 1956, mund të konsiderohet si akti i fundit i qëndrimit antikonformist të një grupi komunistësh idealistë, pa qenë “grup”, që guxuan të kritikonin borgjezimin e udhëheqjes së Partisë dhe vetë Enver Hoxhën për krijimin e Bllokut si “ishull” i privilegjeve të kastës politike. Ka pasur dhe ndonjë figurë të lartë shtetërore të asaj kohe, si ish-ministri i Drejtësisë Manol Konomi, që kur pa se regjimi që ai mëtonte t’i jepte drejtësi po shtyhej thellë e më thellë në krime kundër njerëzimit, dha dorëheqjen në vitin 1951, duke mos pranuar dënimin e të akuzuarve për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike, të cilët as nuk njiheshin me njëri – tjetrin, lë pastaj të komplotonin në mënyrë të organizuar si grup kundër Bashkimit Sovjetik. Po bëhen 70 vite nga ai akt i lavdërueshëm dhe nuk dimë të tjerë ministra të jenë dorëhequr për arsye parimore, jo vetëm në qeveritë moniste para 90-s, por as të tranzicionit, paçka se këto të fundit i përkasin shoqërisë demokratike. Përkundrazi, kemi një shërbesë militante të antarëve të qeverisë ndaj kryeministrave, që, duam apo nuk duam, kanë bërë ligjin si kanë dashur. Në të vërtetë, qeveritë demokratike janë ndryshe. Një vit më parë, pas një mbledhje maratonë të qeverisë angleze për daljen nga BE, dhanë dorëheqjen katër ministra të kabinetit të kryeministres Theresa May dhe asgjë nuk e gjeti Anglinë nga kjo.

Sot nuk është më fjala për qendrime disidente, por për kulturën e “rebelimit” ndaj cilitdo shef të pushtetshëm, çka te ne shihet si herezi; përkundrazi, konformizmi është kthyet në stil jetese për mjaft njerëz, pavarësisht pozitës së tyre zyrtare të lartë apo të mesme, që nuk duan ta prishin me të mëdhenjtë, për të përfituar favore individualisht e familjarisht. Kështu, askush nuk e kundërshton, qorton, këshillon kreun e qeverisë nga të vetët, edhe kur ai vetëvendos të shkarkojë të gjithë drejtorët e një linje, si ata të hipotekave, apo të një qarku, atij të Shkodrës!? Askush nuk ia prish as kryetarit të opozitës, përndryshe disa nga nismat e tij politike do të kishin qenë më të suksesshme. Udhëheqësit nuk kundërshtohen për shkak të konformizmit tonë endemik, që është i vjetër sa vetë shteti shqiptar. Dikur ata të bënin gjëmën, të çonin një burg e internim, kurse sot kryetari i Partisë ka në dorë të të shkruajë emrin në listën për deputet, të të bëjë ministër, zëvendësministër, drejtor në rangje të larta, ambasador, ai vendos nëse do të jesh ti kandidati për kryetar bashkie, e kështu me radhë, që burojnë prej anomalive të sistemit zgjedhor etj.

Antikonformistët janë një specie në zhdukje dhe kjo prej trysnisë së pushtetit dhe monopolit të tij të përqëndruar në duart e dy-tre vetëve, të cilët përpiqen të imitojnë udhëheqësit perëndimorë, por që në thelb janë autokratë të moderuar të tipit lindor. Prandaj njerëzit ngurrojnë të shprehen me kurajo në favor të kauzave të publikut. Aq më tepër që disa zëra të fortë kritikë në media, drejtues emisionesh, u larguan me gjasë me porosi nga lart. Megjithatë, është krijuar elita indipendente. Në sytë e publikut kanë fituar admirim një dorë analistësh, pedagogësh, veprimtarësh të shoqërisë civile, që përballen në shtyp, studio televizive, portale me kurajo duke demaskuar korrupsionin dhe keq-qeverisjen, ani se të papërfillur nga pushtetarët e djeshëm e të sotëm. U desh tërmeti i 26 nantorit që ta bënte publike figurën e profesoreshës së ndërtimeve, Luljeta Bozo, po sa specialistë të tjerë të zot, të fushave të ndryshme, presin “tërmetet” të thirrën në forumet e shtetit dhe në media? Kemi nevojë ekzistenciale si shoqëri që antikonformistët, nga një dorë individësh rebelë, të shndërrohen në një klasë njerëzish, që nuk shiten e blihen nga politika, pushtetarët e korruptuar, oligargët etj. E vërteta është që gjithnjë ka pasur zëra kritikë ndaj qeverisjeve, të shkuara e të sotme, nga Gramoz Pashko te Arben Malaj, por ne më shumë kemi mbajtur anën e të gjithëpushtetshmëve se të kritikëve të tyre.

Tipat e papajtueshëm me mbrapshtitë e pushteteve janë aq të preferuar në letërsi, teatër, kinematografi, sa bota e artit nuk do të kishte kuptim pa sojin e tyre, ndërkohë që në jetë intelektualët antikonformistë janë sa gishtat e dorës. Ndihesh keq nga zelli me të cilin disa ministra, deputetë, partiakë, por dhe njerëz të mediave marrin në mbrojtje për çdo gjë kryeministrin, presidentin etj., edhe pse duhet ta kenë dëgjuar qysh në vogëli shprehjen “mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët”. Publikut i janë tëhuajsuar jo pak shërbetorë të zotërinjve, majtas e djathtas apo të “pavarur”. Janë ata, antikonformistët e mëdhenj, që e nxjerrin më shumë në pah këtë tipologji individësh të sferës publike të lëkundur andej-këndej nga “tërmeti” i tranzicionit. Ata mund t’i kenë të gjitha përfitimet nga pushteti, pronat, vilat, postet, tenderat, disa dhe librat lustrafin me kapakë të fortë, por jo dhe integritetin moral.

Epilogth. Në procesin kundër Nikollë Skanës, eksperti i shfrytëzimit pyjor, inxhinieri Gjergj Preka kishte shqiptuar me shkrim dhe me gojë vetëm një frazë të shkurtër: “Këtu nuk ka sabotim”. Ishte si të rrëzojë një bunker të stermadh, sepse akuza mbahej me sabotimin dhe të akuzuarit rëndë mund t’i fluturonte koka!… Preka, nëse do të ishte njeri pa integritet moral e konformist, nuk do ta kishte shqiptuar atë frazë të rrezikshme për të dhe lehtësuese për njeriun në pranga, duke iu hapur dyert e karrieres së pamerituar. Si intelektual antikonformist, ai e dinte çmimin që mund të paguante, që do të ishte shumë më i vogël se “çmimi” i pakthyeshëm i një ndërgjegje të shkallmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok