21/12/2024

Një çast shkujdesje, sa njëmijë tundime

0
Albert-Vataj

PERSIATJE

Nga Albert Vataj

Ti grua që je vetë shëmbëllimi i hirit të hyjnisë që zbret nga qielli në trajtën e brishtë të shkujdesjes në një çast, dhe… ngas përmes joshjes, butësisë dhe dehjes.

Çdo shkas në ty është një akt sublim krijimi prej shkumëzimit të hënave që flaken valëve në breg, është zgjimi i thellë i joshjes përmes tundimit, është poleni i gjithë luleve që pikon e deh, mëkon e dalldis.

Ti grua që shkel me këmbët e tua mbi ëndrrat e mia, troket trak-truk me taka duke thyer qiellin e paqes ku kllapitur jam pritjeve, më zgjon në padurime e andje.

Ja, një çast që ti shkujdesesh pafajshëm e padrojshëm, më zgjon nga përhumbja e me flak në zjarrin që ti ndez. Digjemi, flakëve ngjyej dëshirimet e andjeve, i përpëlitim kurmet dhe në hi kërkojmë të rilindim si sfinks.

Ja, një çast shkujdesje që më mahnit, më josh e tundon, më kërkon të jepem si një procesioni të shenjtë blatimi, duke më treguar se sikurse gjithësia lindi ekzistencën në një çast, ashtu dhe dëshirimi më deh e më djeg me një shkëndi shkujdesjeje.

Grua, me këmbët e tua shkel ëndrrat e mia, më prush e përpush në një çast si në njëmijë tundime. U djegsh e shkrumbofsh në gjithçka të kurmit tënd prej drite e reflektimi, ti që me një shkëndi të vetme hutimi e pafajësie, zjarrin i vure trojave të shpirtit tim.

Ti grua që tundon e ngas me një shkujdesje, lejom të të adhuroj e të të dua, një çast sa për gjithë kohrat që ti mëkon e robëron me dehje e epsh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok