22/12/2024

Një anketim testimi i opinionit në Kosovë që zhvleftëson kërcënimet e Miroslav Lajçak!

0
Enver-Bytyci1

NGA ENVER BYTYÇI
Në një anketim të Institutit Republikan të SHBA-ve në Kosovë del se 79 përqind e të anketuarve janë kundër një kompromisi me Serbinë. Ndërkaq 85 përqind e qytetarëve të Kosovës shprehen se Serbia është kërcënimi më i madh për vendin, pasuar me 84 përqind në adresë të Rusisë. Ky sondazh është zhvilluar në një moment të rëndësishëm të procesit të dialogut me Beogradin, kur në diskutim është formimi i Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë.
Rezultatet e këtij anketimi dëshmojnë se opinion publik është i kompaktësuar dhe i qartë në përceptimin e tij si duhet të jetë sjellja e qeverisë dhe institucioneve të vendit në dialog me Serbinë. Të dhënat që përftohen dëshmojnë se mbështesin kursin e qeverisë Kurti, që kompromisi të bazohet në principet e pakos së Ahtisaarit, e cila parasheh një Kosovë multietnike e qytetare. Pra një shtet unitar, sovran, me integritet e sovranitet të plotë territorial, por që ka në përmbajtjen e tij qytetarinë dhe jo etninë. Megjithatë Kosova pranoi me atë pako që pakica serbe të kishte të drejtën e bllokimit të vendimmarrjes në ndryshimet kushtetuese, që gjuha serbe të ishte gjuhë zyrtare e të tjera të drejta extra-etnike për 5 përqind të serbëve në Kosovë. Bazuar në këto parime të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të Kosovës do të duhej që të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, të kishin këtë lloj qasje në raportet etnike e qytetare.
Ndërkaq, projekti i asosacionit që Vuçiç ia paraqiti Aleksandrit në Bruksel në samitin e 2 majit e largon Kosovën nga tipari i shtetit qytetar. E bën atë një lloj federate, ku serbët vetëvendosin pavarësisht kushtetutës së Kosovës. Lajçak dhe Borrell deshën ta marrin si bazë këtë projekt-asosacioni për të diskutuar formimin e tij. Që do të thotë se ishin dakord me projektin e Aleksandrit që ia vendosi në tavolinën e Brukselit Vuçiçit. Do të thotë gjithashtu që kompromisi i Kosovës të shkojë përtej kushtetutës dhe të cënojë tiparet e shte-formimit në këtë vend.
Anketimi i Istitutit Repubikan është një ndihmë e madhe për qeverinë dhe institucionet e Kosovës. Vjen në një kohë vendimtare në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Opinioni publik shprehet qartë, bindshëm dhe me kurajo se kompromisi i tillë, çka e kërkon Serbia dhe avokatët e saj në Bruksel, nuk mund të pranohet. Qytetarët e Kosovës duan që ky vend të zhvillohet në harmoni qytetare dhe jo në vija etnike. Ata që ndërtojnë mure midis qytetarëve të Kosovës nuk gjenden në Kosovë, por në Beograd e në Bruksel. Dhe dihet që muret i ndajnë shoqëritë, kombet, shtetet, familjet dhe madje edhe vëllazëritë. Kosova nuk pranon kompromise për të ndërtuar mure. Kosova dëshiron që të ndërtohen ura bashkëjetese në paqe e në harmoni. Kosova kërkon ekuilibër qytetar në marrëdhëniet e shoqërisë me shtetin.
Të gjitha këto qytetaria kosovare i sheh si përpjekje dhe përparim në forcimin e paqes e të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perendimor. Ndërkaq muret dhe mbylljen e urave midis qytetarëve të Kosovës për shkak të etnisë e kërkojnë liderët politikë të Beogradit, fatkeqësisht edhe Miroslav Lajçak. Madje ky i fundit me lojëra presioni ndaj institucioneve kosovare, duke u shfaqur si i trishtuar “me ato që ai paska dëgjuar në veri të Kosovës”! Deklarata e tij se në takimet e tij me sërbët në veri të Kosovës paska dëgjuar zërat e skizmës ballkanike, është një përpjekje djallëzore, së paku e serbëve, për të bërë presion për krijimin e një asosacioni njëetnik të modelit të Republikës Srpska. Nuk e di se sa djallëzor është në këtë shfaqje turpi edhe vetë Lajçak. Por e di fare mirë se serbët e bëjnë zhurmën në fuqi të dhjetë në krahasim me aftësitë dhe mundësitë që ata kanë për ta destabilizuar Kosovën.
Ndaj dhe shpreh mendimin e formësuar tashmë se anketimi dhe rezultati spektakolar, kur 79 përqind e qytetarëve të Kosovës bëjnë thirrje për të mos bërë kompromis është gjithashtu produkt i faktit se këta qytetarë e njohin shumë mirë distancën midis presioneve dhe mundësive të serbëve në veri të vendit për destabilzim. Serbët mund të militarizohen nga pikëpamja nacionaliste dhe të ngrenë barrikada. Mund të “vrasin” fëmijët e tyre për të akuzuar shqiptarët për këtë vepër terroriste. Mund të vazhdojnë të djegin makinat në pronësi të qytetarëve serbë që pranojnë targat e Kosovës. Mund t’u bëjnë presion pjesës së qytetarëve etnikë serbë, nëse këta nuk pranojnë të shkojnë bie fjala në mitingjet e Aleksandër Vuçiç për të ndezur urrejtjen etnike. Por serbët në veri të vendit e kanë kuptuar që nuk ia vlen të shkatërrohen për interesat e pushtetit të presidentit të Serbisë.
Fatkeqësisht, pikërisht këtë gjë nuk e ka kuptuar ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak, i cili shkon në veri dhe takohet e bisedon me çetat kriminale serbe në funksion të konfliktit dhe luftës në Kosovë! Përmes këtyre bisedave Lajçak përpiqet të sensibilizojë Europën e të kërcënojë Kosovën, por anketimi i Institutit Republikan e përgënjeshtron atë. Kosovarët i japin mbështetje qeverisë dhe institucioneve të vendit, jo opinionit kriminal të Lajçakut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok