Nina Muho, sopranoja shqiptare e ftuar në operën sllovene
Nëse do të pyeteshin qytetarët në Shqipëri se cilat janë disa nga veprat e repertorit operistik botëror që njohin, me siguri një ndër përgjigjet e marra do të ishte “La Traviata”. Mbase edhe një ndër veprat më të dashura. Ajo që e afron publikun me këtë operë madhështore të Xhuzepe Verdit është padyshim muzika që të çon zemrën peshë, janë skenat e bukura dhe plot shkëlqim, heroina që të mbërthen me pasionin e saj, vuajtjen dhe sakrificën për dashurinë. Violeta Valeri dhe Alfredoja i saj kudo ku interpretohen mirëpriten nga publiku që përqafon nga salla historinë e tyre të dashurisë. Kur sapo kishte mbyllur në Tiranë rolin e Mikaelës në operën “Karmen” të Bizesë, sopranoja e njohur Nina Muho udhëtoi drejt Mariborit ku e priste trupa e Teatrit Kombëtar të Sllovenisë. Orkestra drejtohet nga dirigjenti Roberto Gianola i njohur për bashkëpunime të rëndësishme në drejtimin e disa prej orkestrave më të mira në Evropë, SHBA dhe Azi, nga Rusia në Kinë e Japoni, në Amerikën e Jugut e deri në Emiratet Arabe. “La Traviata” po shfaqet për publikun slloven në dy mbrëmje dhjetori. Një kast i vetëm, nën regjinë e njërit prej emrave të njohur si argjentinasi Hugo de Ana. Pjesëmarrës i rregullt në festivalin e Arenës së Veronës, ai shquhet për vendosjen ne skenë të veprave në Operën e Romës, Teatrin San Karlo të Napolit, Operën gjermane në Berlin, Operën Mbretërore në Londër, Teatrin Mbretëror në Madrid, Operën e Uashingtonit, Skalën e Milanos etj. Partneri në skenë i sopranos Nina Muho, e cila është e ftuara e veçantë në këto dy shfaqje është tenori slloven Martin Sušnik- që interpreton rolin e Alfredo Germontit. “Muzika, që i bën jehonë dritës së salloneve dhe sallave të ballos, që portretizon betejat e brendshme tek njeriu, përshkon historinë intime dhe mjedisin në të cilin zhvillohet drama e një kurtizaneje të re të pakënaqur parisiene. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Traviata fatmirësisht është e hapur ndaj shumë llojeve të interpretimeve regjisoriale, të cilat prekin thellë njerëzit modernë gjithashtu”, thuhet në njoftimin që faqja zyrtare e Operës së Mariborit ka bërë për këtë shfaqje. Ndërkohë sopranoja vlonjate Nina Muho është dita-ditës duke u shndërruar në një emër të përveçëm e të spikatur të kantos lirike jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare. Si publiku i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, ashtu edhe ai italian në Teatrin “Verdi” të Triestes, apo edhe i Operës Kombëtare të Zagrebit kanë pasur mundësinë të shohin Violeta Valerinë nën interpretimin e Nina Muhos. Dy vjet më parë sopranoja shqiptare e ndau natën e ndërrimit të viteve në skenë, ndërsa interpretonte me trupën e Teatrit “Verdi” të Triestes “La traviatën”. Këtë shfaqje pati mundësinë ta ndiqte një publik i gjerë falë transmetimit televiziv drejtëpërdrejt përmes ekranit. Nga një shfaqje tek tjetra derimë sot Nina ka interpretuar para publikut italian në teatrot e Triestes, Kaljarit, Katanias, Trevizos, ku jo vetëm ka debutuar, por edhe është rikthyer. Nga Shqipëria në Kroaci, Itali e Tajvan, sot ajo po interpreton në Slloveni. Të dielën në mbrëmjen e 17 dhjetorit 2023 bashkë me trupën sllovene, dirigjentin Italian, nën drejtimin regjizorial të artistit argjentinas, sopranoja nga Shqipëria do të ngjitet sërish në skenë për t´i dhuruar publikut Violetën e saj.