21/12/2024

Ngërç hakmarrës (IV)

0
Vilhelme-Vranari

-Novelë

Pjesa – 4-

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj- Vivra

Isha i lumtur që nuk pata probleme lidhur me emërimin. Po ku ta dija unë i gjori se problemet dhe problematikët më ishin qepur pas si rrodhe. Në katedrën e inxhinierisë ku jepja njohuritë e mia shkencore si pedagog, një profesoreshë smirëzezë ishte kutia e zezë që po të hapej, dilte e  keqja prej saj dhe sillte fatkeqësi ose deklaronte dënimin me vdekje për kolegët që nuk i bindeshin. Kolegen shpirtkatran të cilën e quajta, ajo  “Tjetra”, ishte motra e një personi me detyrë tejet të rëndësishme në sferat e larta të partisë. Ndërkohë ajo  “Tjetra” kishte edhe burrin në organet e Sigurimit të shtetit. Ndaj vriste dhe priste koka, sikur ishte ajo që i drejtonte këto organe që merrnin vendime ekstreme.

Ajo “Tjetra”nuk njihte norma, rregulla apo mirësjellje. Cilitdo që nuk ka shpirt, i mungon toleranca, nuk e njeh ndjesën, ndaj dhe nuk di as të falë. Të kërkuarit ndjesë dhe falja për të këqijat që ka bërë dikush është gjest fisnikërie. Kurse ajo “Tjetra” e urrente fisnikërinë, e mohonte këtë shtresë, me të cilën ajo dhe soji i saj ishin në armiqësi dhe ndaheshin nga një hendek i thellë dhe i pakapërcyeshëm. Ajo “Tjetra” me ata “ Të Tjerët” që hiqnin të njëjtën valle, edhe pse e dinin, se ajo shtresë ka qenë palca që ka mbajtur kombin në këmbë dhe inteklektualët e arsimur në universitetet më në zë të perëndimit ishin truri i tij, për fat të keq i zhdukën nga rrënjët. E tillë “si zëdhënëse e partisë”,    ajo “Tjetra” ishte nepërkë helmuese që kërkonte rastin të hakmerrej ndaj të pabindurve, duke u injektuar çdo ditë e nga pak helmin vdekjeprurës. “Ai’, ajo “Tjetra”, ata “Të Tjerët”, ishin nga ai soj e sorollop që kanë dashur t’i manipulojnë njerëzit apo kolegët e pafajshëm që kryenin detyrën e tyre me nder dhe me profesionalizëm. Veçse kolegët rigoroz e      sedërli në çdo kohë kërkojnë të jetojnë lirisht, jashtë ndikimit të sferave të larta politike. Madje nuk u pëlqen influenca e politikanëve, pasi duan të ecin me këmbët  e veta, të jetojnë me punë të ndershme dhe të jenë vetëvetja. Kurse njerëzit me synime negative që janë në shërbim të politikës, u ngjasin narcistëve që kërkojnë t’u binden ideve të tyre verbërisht dhe të mendojnë si ata. “Ai”, “Ajo”, ata “Të Tjerët” meqë i kanë pasur krahët e ngrohta nga mëma parti, deklaronin hapur se e drejta ishte dhe është me ta, pasi ata vetë nuk njihnin norma, rregulla, as mirëkuptim dhe as harmoni. Kundërshtarin edhe po ta shihnin duke u djegur dhe zhuritur në mes të flakëve të ferrit, fërkonin barkun. Vetëm vdekja e të pafajshmit e kënaqte deri në dehje të sëmurin prej narcizmit, sepse në këtë mënyrë arrinte kënaqësinë nga kotësia ose admirimi egoist i cilësive  veçanta të vetvetes, atëherë triumfonte. Njerëz të tillë e quajnë veten të paarritshëm, ndaj mund të bëjnë gjithçka që u thotë truri i tyre i sëmurë prej narcisti.

Deri sa erdhi e emëruar ajo “Tjetra” në katedrën e inxhinierisë, kisha punuar në qetësi. Ndërkohë merresha me përkthime teknike nga anglishtja, frëngjishtja dhe nga italishtja. Më pëlqente jashtë mase të bëja kalkulime matematikore. Por më duheshin më tepër njohuri për matematikën kuantike. Mes një dajos tim që ishte i besuar i partisë dhe kishte një detyrë të tillë që dilte përherë jashtë shtetit, krijova një lidhje komunikimi shkencor me katedrën e Inxhinierisë mekanike të universitetit ‘Kembrixh”. Doja të realizoja vetveten, vetëm përmes studimit. Me një grup studentësh shkoja për t’i shoqëruar gjatë praktikës teknike në disa uzina mekanike. Ajo që më bëri përshtypje pothuajse në të gjitha uzinat dhe fonderitë që vizituam, ishin mbetjet e metaleve, të cilat mund të viheshin në përdorim. Ndaj iu vura studimit të numrave, fillova matematikën kuantike ose më mirë atë lineare vetëm me një synim. Tipit tim nuk i pëlqenin titujt e dhuruar si rezultat i shërbimit partiak. Kurrë nuk kam dashur të merrem me politikë. Por politika kërkonte të merrej me mua që udhëhiqesha nga shqiptarizmi. Madje, ishte e drejta e saj të hynte dhe në jetën intime apo personale të individit, i cili shikonte punën e tij.

Aty në auditoret e universitetit, kontaktoja me shumë studentë të tipave të ndryshëm. Kishte djemë dhe vajza nga e gjithë Shqipëria. Nuk e mohoj se ato ishin të bukura, të dëlira e të çlirta kur më drejtoheshin mua me respekt dhe pa droje, si pedagogun e tyre. Porse unë si Agron, nuk i pëlqej tipat e vajzave që kërkojnë të tërheqin vëmendjen, ato që duan të duken, sidomos ato që pozojnë dhe bëjnë maniera vetëm për interes, i urrej. I thërrisja mendjes:-Agron, kujdes nga ato që të hanë për llape të syrit! Porse vitet e para pas kthimit nga Praga, unë ende shpresoja se ndoshta një ditë të bukur do të takoja Florën, me të cilën thurëm ëndrrat e para të rinisë. Eh, përvoja e jetës së shumë çifteve na ka mësuar, se ndjenjat janë më të forta, madje konsolidohen dhe bëhen më të fuqishme apo të qëndrueshme, kur je në moshë të pjekur dhe i ke të qarta synimet për jetën, familjen, si dhe për të ardhmen. Atë kohë isha jo vetëm i ndërgjegjshëm, po edhe i përgjegjshëm për të ardhmen time.

***

Kishin kaluar vite që nuk kisha asnjë lajm nga Flora. Nuk kisha ç’prisja më. Vitet fluturojnë, mosha ikën dhe më pas është e vështirë të vendosësh për të krijuar familje. Kur papritur një shoku im i gjimnazit më tha se ajo ishte martuar, madje kishte dhe një djalë 3-4 vjeç. Megjithëse arsyet i dinte vetëm ajo, por heshtja e saj më dukej shumë e çuditshme për mos të thënë misterioze. “Ndoshta rastësia do t’na takojë një ditë”, -mendova dhe dilemën  ia lashë kohës. Siç u shpreha pak më sipër në auditore, nëpër korridoret e gjata apo nëpër shkallët e fakultetit ndeshja vajza të mira e të sjellshme, por nuk më mbushej mendja. Ndoshta kujtimi i rinisë e mbante peng jetën time dhe nuk e lejonte që të ecte përpara bashkë me kohën, moshën dhe vitet.

Gjatë leksioneve apo kur kërkonte ndonjë shpjegim, mes shumë studenteve vija re në vajzë të sjellshme që skuqej kur fliste.

Kjo ishte njëra prej studenteve të fakultetit ekonomik, dega Financë, ku jepja matematikë, një vajzë serioze nga jugu i vendit. Ishte me trup mbi mesataren, me shtatin si selvi, e drejtë, me trup të rregullt, brune e theksuar, me tipare që spikatnin mbi lëkurën e bardhë e të lëmuar si farfuri, e cila më pëlqente. Më kishte trazuar shpirtin dhe mendjen me sjelljen e saj korrekte. Ajo e dinte mirë se përse kishte shkuar në universitet. Gjatë këtyre kontakteve e pyesja për gjëra të ndryshme dhe ajo përgjigjej shkurt, me shumë mirësjellje dhe ulte sytë e turpëruar. Ishte e drejta e një vajze me norma morale, e cila ka dalë, është rritur dhe edukuar në një familje të mirë. Natyrisht ishim në pozita disi të vështira, një lidhje mes pedagogut dhe studentes.

Ajo quhej Margarita, të cilën shkurt e thërrisnin Rita. Emri i saj më kujtoi sopranon Maria Kalas në rolin e Violetës tek opera Traviata e Xhuzepe Verdit që është realizuar sipas romanit “Zonja me Kamelie”, me autor   Aleksandër Dyma -i biri. Është historia e një romance dashurie, e një kurtizaneje të varfër me emrin Margarita Gotje që nuk më shqitet nga kujtesa.Pavarësisht se e kam parë në kinema shumë herët, qysh në rininë time, ende i kam të gjalla të gjitha skenat.

Një pasdite e takova Ritën rastësisht dhe e ftova për kafe. Gradualisht filluam të njiheshim. Gjatë semestrit të dytë të vitit të fundit të zonjushës Rita, i thashë, se nëse edhe ajo ishte e bindur për ndjenjat tona të pastra, të thoshte në familje që ta finalizonim dashurinë tonë. Pasi familja e saj u interesua, menjëherë pas diplomimit të saj, ne të dy shpallëm fejesën. Isha i lumtur që u njoha me vajzën e duhur, me norma që i përshtatej tipit tim  për të kaluar jetën. U dashurova marrëzisht pas saj. Ne të dy gjatë gjysmë shekulli martesë kemi plotësuar njëri-tjetrin

Kur ajo “Tjetra”u transferua në katedrën e inxhinierisë, atëherë filloi Odisea e vuajtjeve të mia. Seriozitetin e marrëdhënies time dashurore me studenten, ajo e shfrytëzoi si shkelje të rregullave morale të pedagogut me  një studente. Nga natyra ajo ishte cinike, intrigante, e zonja për të ngritur kurthe, që besonte pa ekuivoke (pa dykuptimësi) dhe i shpërndante idetë marksiste si kalë karroce, që nuk e kthen kokën as majtas dhe as djathtas. Ajo “Tjetra” për shkak të pozitave të larta partiake të të vëllait dhe bashkëshortit, si komuniste e bindur verbërisht dhe e përbetuar, ishte shndërruar në mashë zjarri në duart e Partisë së Punës. Ideali marksist-leninist ishte aq bindës për syvagëlluarit apo të lëbyrtit, sa që vetpërdoreshin si masha të partisë, të cilët ishin me shumicë, të çdo kallëpi dhe të çdo ngjyre laramane. Ndaj bëheshin urë e vigë, shërbyes të përulur, madje mund të hidheshin në zjarrë vetëm për të mos i përzhëlitur duart idhujt e tyre për të cilët ishin gati të flijoheshin.

Një e tillë ishte dhe ajo “Tjetra”. Pasi më njohu se nga isha dhe i kujt isha, mësoi se babanë tim e kishin dekoruar si veteran i Luftës së Vlorës, me medaljen “Për veprimtari patriotike”, filloi të më  bezdiste që të bëja dokumentet për të hyrë në parti. Kërkesa e saj nuk kishte të bënte se ajo kishte simpati apo më vlerësonte mua për atë që isha. Ajo si ambicioze që kërkonte të dukej, donte të më kishte në organizatën e partisë në anën e klanit të saj. Kjo vetëm për të forcuar pozitat e saj partiake. Ndaj ngulte këmbë që unë të bëhesha masha e mashës së partisë. E ashtuquajtura organizatë partie, ishte e ndarë në klane dhe unë, një njeri me prestigj, i formuar si individualitet, i kualifikuar profesionalisht dhe të bëhesha levë e saj?  Jo, në asnjë mënyrë. Ishte gjë që s’bëhej. Unë qysh fëmijë isha brumosur me një karakter të fortë dhe të palëkundur. Ndaj nuk e pranova propozimin e saj, pasi urrejtjen për komunizmin ma kishte futur në gjak Babai im, i cili, megjithëse ishte veteran lufte, i dekoruar,  si dhe familje dëshmori si nga vlëllai dhe nga dajua im që kishte rënë brenda kufirit jugosllav.

Më kujtohet si tani. Në verë kur kisha mbaruar vitin e parë të gjimnazit “Ali Demi”, shkova për pushime në familje, në fshatin tim atje mes maleve. Një ditë, teksa ishim ulur për drekë, Babai im i mirë dhe i mençur, më thotë: “More bir, këta komunistët qenkan të bijtë e djallit. Po këta duan të na marrin pronat, tokën dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit. Biri im, e di që ka filluar fushata për kolektivizimin e bujqësisë edhe këtu?”

Këtë bashkëbisedim me babanë e kujtoja shpesh herë dhe tashmë isha i bindur se ai kishte të drejtë. Më tepër m’u mbush mendja kur u njoha me jetën mjerane të kolkozeve të tipit rus në Çeki.

Kurse tani që ajo “Tjetra” nuk më linte të qetë, duke kërkuar me çdo kusht që të bëhesha anëtar partie, kujtime të tilla që lënë vragë në jetë ishin të pranishme çdo ditë. Presioni i saj vazhdoi për dy vjet rresht. Pas këtij presioni këmbëngulës të saj prej një kohe të gjatë, u vura në pozitë të vështirë. Mendova më të keqen. I ruhesha ndonjë mase të rreptë me pasoja të rënda për jetën dhe profesionin, të cilin e adhuroja. Për një provokim, mund të më hidhnin prangat dhe të përfundoja në qyngje, nga ku nuk del dot.Atëherë pa dëshirë vendosa të plotësoja anketën e pranimit në parti dhe ia dorëzova sekretarit të organizatës së universitetit. Kur e kujtoj, më vjen turp nga vetja, se unë përherë kam dashur të mos jem nën urdhërat e askujt. Aq më tepër të isha nën huqet e një partie kriminale. Veja dhe vija vërdallë nëpër shtëpi si kali në lëmë pa gjetur qetësi. Madje as gjumë nuk vura në sy për dy netë me radhë. Sipas rregullit të brendshëm të asaj partie, anketa nuk mund të më kthehej, madje as nuk duhej të dilte nga kasaforta. Pa e vënë në dijeni Ritën, bashkëshorten time, pas dy ditësh i penduar, kam rendur si i sëmuri nga amoku apo nga çmenduria e etheve tropikale që nga shtëpia e deri në fakultet. Shkova te sekretari i organizatës dhe iu luta të ma kthente se doja t’ia jepja edhe motrës sime për ta pasur si model për plotësimin e anketës së saj për në parti. Turp është që e mashtrova, por ishte e vetmja zgjidhje  Megjithëse ishte e ndaluar, Ai u zu ngushtë dhe pas një ngurimi ma dorëzoi anketën. E mora atë kërkesë të shpifur, të cilën e formulova kundër vullnetit tim dhe sa shkova në shtëpi e dogja në sobë. Sa e mësoi veprimin tim, ajo “Tjetra” u bë bishë dhe nuk iu durua pa më spiunuar. Një mbrëmje shkoi tek i vëllai i saj dhe i thotë: “Në universitet kemi pedagogë që nuk duan të hyjnë në parti”.

Unë me të dashurën time Rita, kishim pak kohë martuar. Në vend që ta shijonim martesën, filllimet e familjes sonë të re, “ithtarët e komunizmit” na dolën përpara me idetë e tyre të huajtura nga sllavët, duke na e prishur gëzimin e jetës të saponisur. Na vranë ëndrrat. T’i ndalosh një çifti të ri gëzimin e jetës, t’i prishësh qetësinë shpirtërore, ta lësh pa gjumë, është vrasje morale shpirtërore dhe jetike. Ta dëmtosh tjetrin psikologjikisht pa asnjë arsye objektive, veç të realizosh egoizmin tënd pasionant për një parti të pathemeltë, e lindur nga ide utopiste që ngrenë kala në ajër, nga çmenduria e idealistëve të sëmurë psikik, është krim. Çdo njeri nga ne e di mirë se krim nuk quhet vetëm ai që kryhet nga plumbi që del nga gryka e pushkës, nga shpata, jatagani apo gijotina.  Po kaq kriminale dhe vrastare sa këto vrasje makabër, është edhe gjuha, organi i fjalës së mirë dhe fjalës së keqe, fjalës së bukur, të mençur e të matur

dhe fjalës së hidhur që vjellë veç vrer. Nuk thonë kot, se gjuha tule është, por kocka thyen.

Pyesja veten: “Përse na i vranë ëndrrat dhe dëshirat për të krijuar çerdhen tonë familjare të qetë, të gëzuar dhe të lumtur?”

Filloi fushata për zgjedhjet në organizatat dhe  komitetet e partisë. I vëllai i saj, erdhi i deleguar në komitetin e partisë të universitetit. Pas përfundimit të zgjedhjeve, ai mori fjalën e ndër të tjera, tha:

“Kemi të dhëna se në universitet paska pedagogë që s’duan të hyjnë në parti. A e meritojnë këta pedagogë të punojnë si edukatorë në universitetin shtetëror që e ka çelur Partia jonë e lavdishme?!”

***

 

Mjaftonte vjellja e helmit të transmetuar nga e motra e tij dhe ngjarjet morën rrjedhë tjetër. Unë tashmë bëja pjesë në listën e zezë të kundërshtarëve të partisë.

Në fakultet, sekretar i organizatës u zgjodh një pedagog i paaftë, një derr me zile, që i servilosej asaj “Tjetrës”si një dallkauk me njëqind fytyra, i cili u bënte hosana atyre që kanë në dorë fatet e çdo njeriu. Këtë sekretar mund ta hiqte prej hunde apo prej kapistre kushdo.

Ndërkohë ne të dy, unë dhe Rita, ishim bërë prindër me një djalë. Në shtatorin e vitit tjetër akademik, kur zhvilloheshin mbledhjet e hapura të organizatave të partisë, gjatë diskutimit shpreha pakënaqësinë time ndaj të ashtuquajturit sekretar partie. Unë si Agron, isha larg rrengave, intrigave dhe kurtheve, sepse nuk isha ushqyer me një edukatë të tillë. Nuk ma merrte mendja se ata, më kishin përgatitur një kurth për t’ ma ngulur thikën pas shpine. Sekretari i partisë, në fakultetin ku punoja unë, ishte mik i afërt me zëvendësrektoren e universitetit, një ish-pedagogen time të gjuhës angleze.  Qëdrimi i tyre si grup i organizuar u duk në një mbledhje kolektivi. Ishin përgatitur të flisnin egërsisht, dokrra me okë kundër meje.Thëniet e tyre të shpifura e të sajuara, ishin pa bazë, si të ndonjë kalamani që nuk ua di kuptimin atyre që flet. Dukej hapur se ajo mbledhje ishte organizuar vetëm për të analizuar negativitetin tim dhe për të më injoruar si një person pa pikë vlere, keqbërës dhe kundërshtar i parimve të partisë. Ishte një sulm i paparë, njëlloj sikur isha druri i shtrembër i turrës, ose i kisha vënë kazmën godinës së universitetit për ta rrëzuar nga themelet.

Më habiti një kolege e katedrës, me të cilën nuk kisha pasur kurrë fërkime. Ajo me paturpësi u shpreh, se unë Agroni, me synimet e mia negative, rrezikoja të shembja Institutin e Inxhinierisë. Ajo që më tronditi më tepër dhe më dhà të kuptoja se ishte një inskenim i mirëpërgatitur kundër meje, ishte synimi i tyre si grup i organizuar. Nuk kisha gabuar në hamendësim, pasi një veprim i pamatur i grupit, nxori në shesh të vërtetën, qëllimin e tyre dashakeq. Në mbledhje, në kundërshtim me rregulloren dhe të drejtat e stafit pedagogjik, kishin ftuar dhe një studentin tim, i cili më kritikoi se isha i rreptë me studentët dhe i ngarkoja me shumë detyra. Unë gojën nuk e kisha vetëm për bukë. Në diskutimin tim thashë:

“Po, është e vërtetë, me studentët jam i rreptë dhe u jap mjaft detyra mësimore, sepse dua që ata t’i ngre në nivelin tim. Se po të jem liberal, atëherë do të zbres unë në nivelin e tyre”.

Pas dy viteve pune të suksesshme mes një lufte të egër e të pandërprerë psikologjike dhe morale nga ajo “Tjetra” në grup bashkë me ata “Të Tjerët”, finalizuan dhe vulosën largimin tim nga katedra e inxhinierisë. Disa ditë para se të fillonte viti i ri akademik, më thirri në zyrë shefja e kuadrit të universitetit. Gjithmonë e prisja një masë dënimi, pasi nga lufta që më ishte bërë, isha mëse i bindur dhe i vetdijshëm që nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Me sulmin, urrejtjen dhe hakmarrjen e tyre pa shkak, nuk ishte e mundur që ata të binin në gjumë letargjik dhe të harronin synimin ogurzi. Ata ishin vigjilentë në çdo kohë që të merrnin hak ndaj meje, një personi që kishte refuzuar thirrjen e partisë për t’më futur në “gjirin e saj”.

-Shoqja sekretare më kishit thirrur apo…?

-Po është e vërtetë. Shoku Agron, ju nuk e keni bërë stazhin në bazë, pas studimeve universitare. Nuk di si keni filluar punë si pedagog direkt nga auditori dhe u ngjitët në katedrën, ku u diplomuat. Duke u bazuar në parimet e Partisë së Punës, organizata e partisë në universitet ka reflektuar dhe të kemi transferuar në Kombinatin e Konservave “Ernest Telman” në Vlorë. I kemi dhënë të gjitha udhëzimet dhe do të punosh në fonderinë e kombinatit.

Në të vërtetë, ajo “Tjetra”, katile e lindur, sekretari i partisë bashkë me zëvendësrektoren e universitetit, të tre e kishin qëndisur mirë relacionin për hakmarrje kundër “të padëshiruatrit” për të më hequr qafe me shumë lezet. Më kishin gjetur një “njollë në biografi”, si kundërshtar politik i tyre, ndaj duhej shmangur “armiku i klasës” që dëmtonte vijën e partisë. Për të vetmen arsye pse nuk pranova që të jem anëtar partie, më leqendisën e më degdisën nga katedra akademike, në një ndërmarrje prodhimi. Gjithsesi, mua dhe çdo njeriu të aftë “s’ ia ha qeni shkopin,” –mendova atë çast.

Papritur një nënzërimë, e cila më ka ndjekur qysh në rini, në hapat e parë të jetës, duke luajtur rolin e një mësueseje të ditur, m’u përgjigj:

-Agron, zotësia nuk duket kur e nis një udhëtim të vështirë, por në të dalë të rrugës, kur e përfundon atë. Atëherë do të shohësh, se dhembja prej vuajtjes nuk të zvordh dhe as të rrëzon përtokë që të përgjunjesh, por të mëson që të ringrihesh më i fortë, më i vendosur dhe më i kthjelltë për realizimin e vetvetes.

-Cila je ti që më jep kaq shpresë?

-Ti më njeh. Unë jam bashkudhëtarja jote në të mirë e në të keq.

-Ah po… ti je ndërgjegjja ime që më udhëheq drejt mirësisë. Të faleminderit, që nuk më ke lënë kurrë vetëm dhe më ke ndaluar që të futem në ndonjë qorrsokak…!”

***

Vazhdon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok