22/12/2024

NGA NDERIMI PATOLOGJIK PËR TË FORTIN E DERI TE VLERAT E MIQËSISË ME SHBA

0
Prend-Buzhala1

Psikologët flasin edhe për nderimin patologjik ndaj të famshmëve apo ndaj të fortëve. Kësisoj, kur psikologët ligjërojnë për njerëzit e fiksuar pas yjeve të filmit, televizionit, sportit dhe muzikës së rrymave moderne, si figura të adhurimit; lirisht ndër to mund ta fusim edhe figurën e adhurimit që i bëhet një ambasadori apo një ambasadoreje që vjen nga “shteti i fortë” për hir të miqësisë proverbiale ndaj të fortit

Nga Prend BUZHALA

1.

Nuk është e habitshme përse ndonjë politikan, në shenjë të mungesës së identitetit të tij politik, çdo të dytën fjalë e ka te autoriteti i ambasadorit të “shtetit të fortë”… Njerëzit e tillë me çrregullim psikik, shkojnë deri aty, sa secilin shqiptar e sheh të vdekur, për hir të këtij nderimi patologjik ndaj kultit të miqësisë me “të fortin” (pra, jo me vlerat demokratike, qytetëruese a politike, të drejtësisë apo të partneritetit, por të obsesionit që e shpie te antivlerat…). Psikologët do të thoshin për karakterin e tillë: “”Unë e konsideroj personazhin tim të preferuar si shpirtin tim binjak… Të tjerët janë ferr.” E njëjta gjë vlen edhe për njeriun që vihet në piedestalin e adhurimit; kur niset nga premisat e gabuara të “fuqisë autoritariste”…

Adhurimi i miqësisë që shqiptarët ushqejnë ndaj SHBA-ve,  bëhet në shenjë të solidaritetit të treguar historikisht, shpfaqin falënderimin përr këtë miqësi e solidarësi, vlera, këto, që ngrihen në thesare popujsh, sikundër është miqësia. Te e fundit, të mos harrohet: në Epokën Moderne, sidomos gjatë shekullit XX, nuk ka ngjarje a kthesa ndryshimesh historike, në përmasa planetare, të cilave të mos u ketë dhënë vulë SHBA-ja. Pse të mos e themi: SHBA-ja janë amë e mami e historisë më të re, tek iu ka dhënë pamje kaheve historike, rrjedhave shoqërore, avancimit të lirisë së popujve, rendit demokratik, revolucionit modern të lirive dhe të drejtave njerëzore e kapitujve të tjerë të civilizimit bashkëkohor. I ka dhënë pamjen e refleksit të ndryshimeve Politikës, Ekonomisë, Progresit, Dijes, Shtetit, Aleancave, Tregut, Zhvillimit etj etj. Nëse është thënë që moti se miqësia është nënë e të gjitha virtyteve, atëherë nuk është e rastit pse te ky virtyt edhe shqiptarët e Kosovës duan të sintetizojnë gjithçka që është e mirë. E pra, SHBA-të ndërhynë gjatë luftës, duke e tërhequr më vete Qerren Njerëzore të Lirisë e Demokracisë: e dëbuan Serbinë nga Kosova, kurse tani, pas tërbimit antishqiptar rus, edhe njëherë na gjenden pranë për të na dhënë shpresë se ata, miqtë tanë, janë këtu.

2.

Mirëpo, kur politikanët e profileve dhe partive të ndryshme manipulojnë me adhurimin ndaj kësaj miqësie (me moton: unë kam mbështetjen e Amerikës e ti nuk e ke), atëherë manipulimi i tillë kalon në antivlvera jo vetëm politike, por edhe në degjenerim të vlerave qytetare e demokratike.

Më parë kam theksuar: është propagandë e zbrazët që nuk i beson askush asaj për antiamerikanizmin e të tjerëve. Dikur, nën ish-Jugosllavinë, ai që paraqitej si projugosllav, fitonte privilegje (projugosllavi i zjarrtë i djeshëm, sot merr flamurin e pro-amerikanit të madh dhe kësaj mendësie, fatkeqësisht, iu bashkëngjitën të tjerët, kur kishte njëmijë rrugë të tjera për bashkëveprim… por ky solidaritet për bashkëveprim, u shkatërrua me një mocion tejet irracional)… një neveri e pafund kjo, mendësi e trashëguar nga mendësitë komuniste për ta bërë DIFERENCIMIN IDEOPOLITIK të të tjerëve, të cilët, dikur, duhej dënuar e burgosur pse kërkonin Republikë dhe vetë fitonin privilegje pushteti… e tash, ky DIFERENCIM ANTINJERËZOR po shprehet në etiketimet e hekurta: proamerikan, anti-amerikan… një etiketim thellësisht antikombëtar)…

Fatkeqësisht, këso fenomenesh po shfaqen edhe në Shqipërinë postkomuniste (rusofili e stalinisti i djeshëm e merr flamurin e proamerikanzimit të zjarrtë). Për të qenë NJERI I AMERIKËS duhet të kesh LEGJIMIMITET brenda kombit tënd. Ky legjitimitet nuk është një llastik që tkurret e zgjatet sipas interesave të të pushtetshmëve. Ndryshe, deformohet keqas miqësia e tillë, kur kërkohet të shkelet gjithçka me vlerë dhe gjithçka e mirë. Miqësia e tillë barbrazizohet.

Miqësia e tillë për Amerikën, keqpërdoret e fetishizohet. Këtë ndjesi e përcaktim tonin, po e shndërrojnë mediat dhe politika në mall konsumi për publikun. Kjo do të thotë që i tërë ky prodhim idesh, të vlerësohet si kategori epistemologjike, këta kërkojnë që ta zhvendosin në botën e fetishizmit, adhurimit syverbër, pa shikuar, se, në ecje, ti merr në thue. Edhe ANTIAMERKIANIZMI i shpifur po kalon në anatemë politike.

Amerika nuk e do këtë fetish, se nuk jemi në shoqërinë primitive afrikane. Edhe atë e zënë epidemitë, furtunat, tërmetet… Janë njerëz prej mishi e gjaku, si gjithë të tjerët…Nëse dikush mendon që PROAMERIKANIZMI qenka një përulje skllavëruese, shërbimin më të keq ia bën pikërisht këtyre vlerave amerikane, për t’i arsyetuar hajninë, korrupsionin, keqbërjet…

Është mendësi tragjike po ashtu edhe një fakt tjetër (që flet për shpirtin e robit e jo për shpirtin e njeriut të lirë): Amerikën e marrin si një gogol, si një fantazmë, ndaj të cilës duhet nënshtruar: “Mos gabo ta kundërshtosh Amerikën, se të zë belaja”! HJithnjë me moton: “sa më servil ndaj Amerikës dhe sa më i egër e më jotolerant ndaj tëndit…”. Thua se vlera civilizuese amerikane qenkan servilizmi, shpirti i robit, nënshtrimi total…

A thua, kështu, ky proamerikanziëm, a është ajo miqësia servile, miqësi prej frikës dhe miqësi e jo e sinqertë?!

Miqësi dyfytrëshe!?

Miqësi prej frikës?!

Mirë, dikush na thotë se me njerëzit e profilit të tillë politik, që nuk kanë miqësi të sinqertë, por djallëzore, duhet t’i ndjekim pas, sepse, ashtu e do politika, ashtu e do Amerika!?

Ashtu e do politika! Sa shumë na ka kushtuar kjo mendësi! Duke mos qenë vetvetja, duke hequr dorë prej vlerave të pavarësisë, lirisë dhe demokracisë, nuk përbën as proamerikanizëm as politikë e as demokraci.

3.

Me këso djallëzish dhelpërish tona, Amerika nuk e ka ndërtuar sistemin e vet të vlerave. Nuk themi që të gjithë në Amerikë janë engjëj apo djaj, por janë NJERËZ, të përbërë nga shumë kombe të botës. Vetë Amerika ka kaluar nëpër sfidat e panumërta të kundërshtive, luftërave civile, çlirimit të vetvetes ndaj skllevërve zezakë… deri te Martin Luter Kingu i Ri apo Kenedi… Dhe te ta shenjtëri mbi të gjitha shenjtëritë është LIRIA. Dhe vlerat demokratike…

Pikërisht mendësitë e tilla vetëskllavëruese, jo të sinqerta, e kanë kapluar pjesën më të madhe të popullit, prej frikës e qyqarisë së vet, prej keqbërjeve të politikanëve kundër popullit të tyre. Prandaj ndodhin këso fenomenesh negative… dhe Amerika nuk t’i ka fajet për to!

Rusët thonë: “Ju kuptojmë, e doni Amerikën prej zorit, se përndryshe në demokraci të vërtetë, ju nuk do ta kishit dashur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok