NGA BUJANI NË KAÇANIK: RRUGA HISTORIKE E KOSOVËS DREJT LIRISË DHE SHTETËSISË

0
Fejzulla-Berisha1

Tetë dekada të rrugëtimit politik, juridik dhe ndërkombëtar të Kosovës – nga aspirata për vetëvendosje te sfida e konsolidimit të shtetësisë

Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Bujani – aty ku historia politike e Kosovës artikuloi kërkesën për të drejtën e vetëvendosjes

Ka momente në historinë e një populli që nuk mund të maten vetëm me kohën në të cilën kanë ndodhur. Ato mbeten pjesë e kujtesës politike dhe kombëtare, sepse përfaqësojnë ide dhe aspirata që vazhdojnë të kërkojnë realizimin e tyre edhe atëherë kur rrethanat historike i ndërpresin përkohësisht.

Për Kosovën, Konferenca e Bujanit e viteve 1943–1944 është një nga këto momente themelore.

Në fund të vitit 1943 dhe në fillim të vitit 1944, kur Lufta e Dytë Botërore po hynte në fazën vendimtare, çështja e Kosovës u artikulua në një dokument politik që lidhej me të drejtën e popullit për të përcaktuar të ardhmen e vet.

Bujani nuk ishte thjesht një mbledhje politike. Ai përfaqësonte një përpjekje për t’i dhënë çështjes së Kosovës një dimension politik të lidhur me parimin e vetëvendosjes dhe me të drejtën e popullit për të shprehur vullnetin e tij mbi të ardhmen politike.

Por historia nuk ecën gjithmonë sipas vullnetit të atyre që e shkruajnë atë.

Pas përfundimit të luftës, realiteti politik i krijuar në Jugosllavi nuk e zbatoi aspiratën e artikuluar në Bujan. Kosova mbeti brenda strukturës jugosllave dhe, në kuadrin kushtetues të kohës, brenda Republikës së Serbisë.

Këtu fillon një nga paradokset më të mëdha të historisë politike të Kosovës: një aspiratë politike mund të shtypet përkohësisht, por nuk mund të zhduket vetëm duke mos u zbatuar.

Ajo mund të kalojë nga një brez në tjetrin, të marrë forma të ndryshme dhe të rikthehet në rrethana të reja historike.

Kjo ishte pikërisht ajo që ndodhi me Kosovën.

Nga Bujani te Kushtetuta e vitit 1974 – autonomia si etapë, jo si fund i historisë

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova kaloi nëpër një proces të gjatë të transformimit kushtetues dhe politik brenda Jugosllavisë.

Në këtë proces, pozita e saj politike nuk mbeti statike. Ajo evoluoi në mënyrë të vazhdueshme, duke kaluar nga një status me kompetenca të kufizuara drejt një autonomie gjithnjë e më të gjerë.

Kushtetuta e vitit 1974 i dha Kosovës një autonomi shumë të gjerë në kuadrin jugosllav. Kosova fitoi institucione politike, arsimore, gjyqësore dhe administrative, si dhe një shkallë të rëndësishme të vetëqeverisjes.

Kjo periudhë krijoi edhe një përvojë të rëndësishme institucionale.

U formua një brez intelektualësh, juristësh, profesorësh, administratorësh dhe politikanësh që do të luanin rol të rëndësishëm në zhvillimet e mëvonshme politike, juridike dhe shoqërore të Kosovës.

Por autonomia e vitit 1974, sado e avancuar për kohën, nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e statusit politik të Kosovës.Kjo u bë veçanërisht e qartë pas vitit 1981.1981 – kur kërkesa sociale u shndërrua në kërkesë politike.

Demonstratat e vitit 1981 shënuan një pikë kthese në historinë politike të Kosovës.Ato nisën me kërkesa sociale dhe ekonomike, por shumë shpejt morën një dimension të fuqishëm politik.

Kërkesa për Republikën e Kosovës tregoi se një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare të Kosovës nuk e shihte më autonominë si zgjidhje përfundimtare të statusit politik.

Në këtë mënyrë, viti 1981 e bëri të dukshme atë që më vonë do të bëhej bosht i zhvillimeve politike: çështja nuk ishte më vetëm se sa autonomi duhej të kishte Kosova, por cili duhej të ishte statusi i saj politik.

Reagimi i pushtetit jugosllav ishte i ashpër.

Por presioni politik dhe represioni nuk e zhdukën kërkesën…Përkundrazi, ajo u thellua dhe u shndërrua gradualisht në një kërkesë më të gjerë për subjektivitet politik, institucional dhe juridik.

1989 – kthesa dramatike dhe fundi i autonomisë

Në vitin 1989, politika e Beogradit ndërmori goditjen vendimtare ndaj autonomisë së Kosovës.Kjo periudhë shënoi jo vetëm një ndryshim kushtetues, por edhe një ndryshim të tërë të realitetit politik në Kosovë.

Kosova humbi një pjesë të madhe të kompetencave institucionale dhe u vendos nën një kontroll gjithnjë e më të drejtpërdrejtë të pushtetit serb.Por këtu ndodhi një tjetër paradoks historik.

Suprimimi i autonomisë nuk e riktheu Kosovën në gjendjen politike të mëparshme.

Përkundrazi, ai krijoi kushtet që kërkesa politike të kalonte nga autonomia drejt një forme tjetër të subjektivitetit politik dhe juridik.

Nëse më parë debati ishte: Sa autonomi duhet të ketë Kosova?, pas vitit 1989 pyetja u bë shumë më e madhe:A mund të garantohet e ardhmja politike e Kosovës pa një subjektivitet të veçantë politik dhe juridik?

Përgjigjja e një pjese gjithnjë e më të madhe të elitës politike, intelektuale dhe juridike të Kosovës ishte e qartë.

2 Korriku dhe 7 Shtatori 1990 – Kaçaniku si akt i vullnetit kushtetues

Në vitin 1990, historia politike e Kosovës hyri në një fazë të re.

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese, e cila shprehte vullnetin për një status të ri politik të Kosovës.

Pak muaj më vonë, më 7 shtator 1990, në Kaçanik u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Këtu qëndron rëndësia historike e Kaçanikut.

Në Bujan ishte artikuluar një aspiratë politike.

Në vitin 1974 Kosova kishte fituar një autonomi të gjerë.

Në vitin 1981 kërkesa për republikë ishte bërë shprehje e fuqishme e vullnetit politik.

Në vitin 1989 autonomia ishte suprimuar.

Në Kaçanik, vullneti politik u shndërrua në projekt kushtetues.

Prandaj, Kaçaniku nuk duhet parë vetëm si një ngjarje e vitit 1990.

Ai është simbol i një transformimi të thellë historik:nga kërkesa për autonomi te koncepti i Republikës.

Kushtetuta e Kaçanikut ishte një deklarim i fuqishëm se shqiptarët e Kosovës nuk pranonin që statusi i tyre politik të përcaktohej vetëm nga vullneti i njëanshëm i pushtetit të Beogradit.

Në rrethanat e kohës, ajo përfaqësonte një akt të rëndësishëm të vetëorganizimit politik dhe juridik të Kosovës.

Rezistenca – shtetformimi edhe atëherë kur shteti nuk ekzistonte

Vitet e nëntëdhjeta dëshmuan një fenomen të veçantë në historinë moderne politike të Kosovës.

Në kushtet kur institucionet zyrtare ishin nën kontrollin e pushtetit serb, shoqëria kosovare ndërtoi struktura paralele të organizimit politik dhe shoqëror.

U krijuan dhe u mbajtën funksionale sisteme të arsimit, shëndetësisë dhe organizimit politik.

Kjo rezistencë përfaqësonte një formë të veçantë të ruajtjes së kapacitetit shoqëror për vetëqeverisje.

Kosova nuk kishte një shtet të njohur ndërkombëtarisht, por po ndërtonte elemente të një organizimi politik e institucional që më vonë do të shndërroheshin në bazë të institucioneve shtetërore.

Megjithatë, rezistenca paqësore nuk arriti të prodhonte zgjidhjen politike të kërkuar.

Në fund të viteve ’90, situata kaloi në fazën e konfliktit të armatosur.

Lufta e Kosovës – momenti kur çështja u bë ndërkombëtare

Lufta e viteve 1998–1999 e ndryshoi rrënjësisht pozitën e Kosovës.

Ajo që për vite ishte trajtuar kryesisht si çështje e brendshme e Jugosllavisë dhe Serbisë u shndërrua në një çështje madhore të politikës ndërkombëtare.

Kriza humanitare, dhuna e gjerë dhe pasojat e rënda mbi popullsinë civile krijuan një situatë që nuk mund të injorohej më nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërhyrja e NATO-s shënoi një kthesë historike.

Pas përfundimit të luftës, forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe filloi një periudhë e re nën administrimin ndërkombëtar.

Kosova hyri kështu në një fazë të re, në të cilën e ardhmja e saj nuk përcaktohej më vetëm në Beograd apo Prishtinë, por edhe në Uashington, Bruksel, Londër, Paris, Berlin, Moskë, Nju Jork dhe në institucionet e rendit ndërkombëtar.

Çështja e Kosovës ishte bërë tashmë pjesë e agjendës së politikës dhe sigurisë ndërkombëtare.

Rezoluta 1244 – një status i përkohshëm dhe një realitet i ri

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara krijoi kornizën ndërkombëtare të pasluftës në Kosovë.

Ajo vendosi një administrim ndërkombëtar dhe krijoi bazën për një periudhë tranzitore.

Por vitet që pasuan treguan se statusi përfundimtar i Kosovës nuk mund të mbetej pafundësisht i pazgjidhur.

Kosova po ndërtonte institucione.

Po krijonte një sistem politik.

Po zhvillonte zgjedhje.

Po ndërtonte administratë.

Po krijonte një rend juridik.

Në thelb, po krijohej një realitet i ri politik dhe institucional.

Dhe ky realitet kërkonte një zgjidhje përfundimtare.

17 Shkurti 2008 – shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Kjo ishte një nga ditët më të rëndësishme në historinë politike të shqiptarëve të Kosovës.

Por rëndësia e saj duhet kuptuar në kontekstin e gjithë rrugëtimit historik.

17 Shkurti nuk lindi në vakuum.

Ai erdhi pas Bujanit.

Pas vitit 1974.

Pas vitit 1981.

Pas vitit 1989.

Pas 2 Korrikut.

Pas Kaçanikut.

Pas një dekade rezistence.

Pas luftës.

Pas ndërhyrjes së NATO-s.

Pas administrimit ndërkombëtar.

Dhe pas negociatave të gjata për statusin.

Prandaj, pavarësia e vitit 2008 duhet parë si kulm i një procesi të gjatë historik, jo si fillimi i tij.

17 Shkurti ishte momenti kur një aspiratë e gjatë politike u shndërrua në një realitet të ri shtetëror.

Por shpallja e pavarësisë nuk shënoi fundin e historisë.

Ajo hapi një kapitull të ri: kapitullin e konsolidimit të shtetit.

GJND-ja, 2010 – kur çështja e pavarësisë mori një dimension të fuqishëm juridik ndërkombëtar

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha Opinionin e saj Këshillimor mbi përputhshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare.

Konkluzioni i Gjykatës ishte se miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.

Ky ishte një moment me rëndësi të veçantë për Kosovën.

Por këtu duhet të bëhet një dallim i rëndësishëm:legjitimiteti juridik dhe konsolidimi diplomatik janë dy procese të ndryshme.

Kosova kishte fituar një argument të fuqishëm juridik, por përpara saj mbetej një betejë e gjatë diplomatike për njohje të mëtejshme, anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e pozitës së saj në rendin ndërkombëtar.

Dhe pikërisht këtu fillon një nga sfidat kryesore të shtetit të Kosovës.

Nga shtetësia e shpallur te shtetësia e konsoliduar

Një shtet nuk bëhet plotësisht i fuqishëm vetëm sepse shpall pavarësinë.

Shteti duhet të ketë institucione të qëndrueshme.

Duhet të ketë ekonomi funksionale.

Duhet të ketë sundim të ligjit.

Duhet të ketë diplomaci profesionale.

Duhet të ketë aleatë.

Duhet të ketë strategji.

Dhe mbi të gjitha, duhet të dijë t’i mbrojë interesat e veta në arenën ndërkombëtare.

Në këtë pikë, Kosova ende ka shumë punë përpara.

Në veçanti, diplomacia e Kosovës duhet të kalojë nga një diplomaci kryesisht reaktive dhe deklarative në një diplomaci aktive, profesionale, të koordinuar dhe strategjike.

Një shtet i ri nuk mund të mbështetet vetëm në bindjen se miqtë e tij historikë do të vazhdojnë ta mbrojnë atë në çdo rrethanë.

Miqësia ndërkombëtare duhet të ruhet dhe të ushqehet përmes politikës së jashtme aktive, partneriteteve strategjike dhe diplomacisë së vazhdueshme.

Kosova duhet të jetë në gjendje jo vetëm të reagojë ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, por edhe të ndikojë në to.

Nga Bujani te Kaçaniku – dhe nga Kaçaniku te diplomacia e shekullit XXI

Këtu qëndron edhe një nga mësimet më të mëdha të gjithë këtij rrugëtimi.

Bujani i përkiste epokës së luftës dhe riformatimit të rendit politik evropian.

Kaçaniku i përkiste epokës së shpërbërjes së Jugosllavisë dhe transformimit të rendit politik në Evropë.

Lufta i përkiste epokës së ndërhyrjes ndërkombëtare.

Pavarësia i përkiste epokës së shtetformimit.

Ndërsa sot, Kosova ndodhet në epokën e konsolidimit shtetëror dhe ndërkombëtar.

Prandaj, strategjia e saj nuk mund të jetë e njëjtë me atë të viteve ’90.

Kosova sot nuk duhet vetëm të kërkojë njohje.

Duhet të krijojë partneritete strategjike.

Nuk duhet vetëm të reagojë ndaj diplomacisë së Serbisë.

Duhet të ketë diplomaci të vetën.

Nuk duhet vetëm të presë deklarata mbështetëse nga aleatët.

Duhet të ndërtojë argumente, interesa dhe koalicione.

Nuk duhet vetëm të flasë për historinë.

Duhet ta shndërrojë historinë në kapital diplomatik dhe strategjik.

Kjo është sfida e shtetësisë së pjekur.

Kosova dhe Shqipëria – dy shtete, një hapësirë strategjike bashkëpunimi

Një kapitull i veçantë i kësaj strategjie është marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Dy shtetet shqiptare janë një realitet politik i shekullit XXI.

Ky realitet duhet të kuptohet jo si mohim i sovranitetit të Kosovës apo Shqipërisë, por pikërisht si mundësi për fuqizimin e dy shteteve sovrane përmes bashkëpunimit strategjik.

Kosova duhet të jetë e fortë si shtet.

Shqipëria duhet të jetë e fortë si shtet.

Dhe pikërisht sepse janë dy shtete sovrane, ato mund të ndërtojnë një hapësirë shumë më të fuqishme ekonomike, kulturore, arsimore, infrastrukturore dhe diplomatike.

Një Kosovë e fuqishme nuk e dobëson Shqipërinë.

Një Shqipëri e fuqishme nuk e dobëson Kosovën.

Përkundrazi, fuqizimi i njërës duhet të jetë faktor fuqizimi edhe për tjetrën.

Kjo është mënyra moderne për ta konceptuar interesin kombëtar shqiptar në Evropën e shekullit XXI: përmes dy shteteve sovrane, por me një vizion strategjik të bashkërenduar.

2026 – fundi i një epoke dhe fillimi i një etape të re

Në vitin 2026, Kosova nuk është më Kosova e vitit 1943.

Nuk është Kosova e vitit 1974.

Nuk është Kosova e vitit 1989.

Nuk është Kosova e vitit 1990.

Nuk është as Kosova e vitit 1999.

Dhe nuk është më as Kosova e ditës së shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Ajo është një Republikë që duhet të konsolidojë fuqinë e saj shtetërore, institucionale dhe ndërkombëtare.

Prandaj, pyetja e kohës sonë nuk është më vetëm:

Si e fituam Kosovën si shtet?

Pyetja themelore është:Si ta bëjmë Republikën e Kosovës një shtet të fuqishëm, funksional, demokratik, të respektuar dhe me peshë reale në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Kjo kërkon një paradigmë të re.

Nga kujtesa historike te vizioni shtetëror

Nga Bujani në Kaçanik dhe nga Kaçaniku te Republika e Kosovës shtrihet një nga rrugët më të gjata dhe më të vështira të një populli drejt shtetësisë në Evropën moderne.

Bujani ishte artikulimi i një aspirate politike.

Viti 1974 ishte një etapë e rëndësishme e autonomisë institucionale.

Viti 1981 ishte shpërthimi i kërkesës politike për republikë.

Viti 1989 ishte goditja që i dha fund autonomisë.

2 Korriku 1990 ishte deklarimi i vullnetit politik.

Kaçaniku ishte shndërrimi i këtij vullneti në akt kushtetues.

Rezistenca e viteve ’90 ruajti kapacitetin politik, shoqëror dhe institucional të Kosovës.

Lufta e viteve 1998–1999 e ndërkombëtarizoi përfundimisht çështjen e Kosovës.

NATO ndryshoi realitetin në terren.

Rezoluta 1244 krijoi kornizën ndërkombëtare të pasluftës.

17 Shkurti 2008 shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Opinioni i GJND-së i vitit 2010 krijoi një pikë të rëndësishme reference në argumentimin juridik ndërkombëtar të Kosovës.

Ndërsa viti 2026 e vendos Kosovën përballë një detyre të re historike:ta shndërrojë shtetësinë nga një arritje historike në një fuqi të qëndrueshme shtetërore dhe ndërkombëtare.

Kjo nuk arrihet vetëm me deklarata.

Nuk arrihet vetëm me ceremoni.

Nuk arrihet vetëm me kujtimin e historisë.

Kërkon institucione të forta, ekonomi të zhvilluar, arsim cilësor, drejtësi funksionale, kulturë politike, përgjegjësi institucionale dhe një diplomaci të aftë për të menduar disa hapa përpara.

Kosova duhet të mësojë nga rruga e saj historike.

Bujani na mëson se aspirata duhet të ruhet.

Kaçaniku na mëson se aspirata duhet të institucionalizohet.

Lufta na mëson se liria ka kosto.

Pavarësia na mëson se shteti duhet të ndërtohet.

GJND-ja na mëson se argumenti juridik ka peshë.

Ndërsa diplomacia na mëson se asnjë shtet nuk mund të mbështetet vetëm në pritjen që të tjerët ta mbrojnë.

Prandaj, etapa e re e Kosovës duhet të jetë etapa e sovranizimit të kapaciteteve të saj shtetërore, e fuqizimit të institucioneve, e zhvillimit ekonomik, e forcimit të demokracisë dhe e ndërtimit të një diplomacie aktive e strategjike.

Sepse historia e Kosovës nuk përfundoi më 17 shkurt 2008.Aty filloi një kapitull i ri.

Dhe nëse Bujani dhe Kaçaniku përfaqësojnë dy pika të rëndësishme të rrugës drejt shtetësisë, atëherë detyra e brezit të sotëm është që këtë shtetësi ta bëjë të pakthyeshme përmes fuqisë së institucioneve, zhvillimit ekonomik, demokracisë, sundimit të ligjit dhe pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Nga Bujani te Kaçaniku.

Nga Kaçaniku te Pavarësia.

Nga Pavarësia te konsolidimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok