23/12/2024

NEZIR DEVA KOXHAJ (1868-1946)

0
Bajram-Celiku

GJURMË TË KAÇAKËVE KËRÇOVËS

NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI

Nezir Deva Koxhaj lindi në vitin 1868, në fshatin Zajaz të Kërçovës, dhe rrjedh nga një familje bujare e shumë trime. Trimëritë e familjes Koxhaj u përshkruajtën nga ana e shumë historianëve të vendit, por edhe u rrëfyen edhe nëpër konakë të burrave, por u thurën e u kënduan edhe këngë nga rapsodë popullorë me kavalla dhe çifteli.

Babai i tij Deva, thuhet se nuk ka pasur vëlla, që d.m.th. ai ka qenë bir i vetëm në familje, ndërsa, Neziri djali i vetëm i tij, kishte pesë djem dhe dy vajza. Djemtë e tij Nezir Deva-Koxhaj, i pagëzoi me emrat, Kalosh, Fazli, Sefadin, Rrahman, dhe më të voglin Muadin. Nezir Deva- Koxhaj, kishte edhe dy vajza, Zenën dhe Gjylsimen. Zena është martuar në fshatin Garanë te familja Hete, ndërsa Gjylsimja ka qenë e martuar në fshatin Sërbinovë të Gostivarit.

Vajza e madhe Zena ka pasur tre djem dhe dy vajza. Ndërsa, vajza e dytë Gjylsimja ka pasur vetëm një djalë me emrin Abaz dhe vajzën Nakie. Djali më i madh i Nezir Deva – Koxhaj, me emrin Kalosh, ka pasur tre djem: Arifin, Sefadinin dhe Xhemalin. Djali i dytë Fazliu ka pasur dy djem: Xhemën dhe Shezaun. Djali i tretë Sefadini, nuk ka lënë trashëgimtarë pas vetes në familje. Djali i katërt Rrahmani ka pasur vetëm një djal me emrin Sefadin, si dhe tre vajza. Djali i fundit Muadini, nuk ka lënë pas trashëgimtarë.

E, tani na vjen radha që të merremi pak edhe me jetën dhe veprimtarinë e trimit sypatrembur nga Zajazi, Nezir Deva – Koxhaj. Patjetër, duhet sqaruar lexuesve se, populli e pagëzoi si Nezir Koxhaj, nga arsyeja se mëhalla ku jetonte ai thirrej ,,Koxhaj”. Prandaj, të gjithë e njihnin si Neziri i Koxhajve, nga fshati Zajaz.

Sipas rrëfimeve të gjyshit tim Emin Çeliku, mësova se Nezir Koxha, si që e përmendëte ai, na paska qenë një trim mbi trima, të cilit nuk i është trembur syri kurrë. Trim, i cili luftoi turkun, serbin, bullgarin e së fundmi edhe partizanët e Titos, të cilët vinin nga Mali i Zi, Serbia, por edhe partizanë shqiptarë nga vendi e nga Shqipëria të cilën edhe sot e kësaj dite e thërrasim ,,Nënë”. Që, në moshë të re ky trim më rrëfente gjyshi kishte treguar burrërinë e tij, duke u shprehur ballë për ballë ndaj çdo pushtuesi, pa dallim sesi ishte emri i tij. E, në veqanti e urrente turkun, i cili shpesh nuk tregohej besnik ndaj shqiptarëve, kudo që jetonin në Trojet e tyre Etnike.

Kundër turqëve, shpeshëherë hudhej si dragua, për deri sa ata mblidhnin tagrat në Zajazin e tij, por edhe nëpër fshatrat për rreth, dhe u bë tmerr panik për zaptitë turke. Një rast i tillë, më rrëfente gjyshi na paska qenë në një fshat malor të Malësisë Sharrit, me emrin Sallarevë të Tetovës. Për këtë rast rapsodi popullorë thuri edhe këngë, e cila u këndua edhe nëpër shumë konakë të dasmave, jo vetëm në Kërçovë, por edhe vende të tjera jashtë Kërçovës. Kjo këngë u titëllua si ,,Kënga e Nezir Koxhës”. Po e paraqesim edhe tekstin e kësaj kënge popullore:

KËNGA E NEZIR KOXHËS

O, more Nezir Koxha, ku po ven more kështou?

More kah Sallareva, besa more kam një punë(2):

Du ta çojë Musën, ore me u nërrou (2).

More, se: tënë Tetova, more në këmbë janë çou,

Hej po Kajmekëm -o, të rejë nuk munden me vou!

 

Hej, po ky Nezir Koxha more, thotë prejtnim mou,

Se, unë 300, Zajazli more i kamë tërmou.

Se, Musën e Vogël, unë vetë kam me e nërrou.

Ej po, Kajmekëm -o, të rejë unë vetë kam me vou,

O, lutet Yzbashi -o, Nezir more mos më nga mou! (2)

O, se të dy udhët, Nezir more unë t’i kamë lirou (2).

O, motra e Musës -o, po bojnë vajë medet,

O, Nezir Koxha vëlla more, sot e ka bo nijet, tej me vdek?

O, po thotë Musa, oj motër tej mos ki dert!…

O, se me Nezir Koxhën, dal e merrem vesht vetë.

 

Atin dhe manxerren, Musa, Nezirit ia ka dorëzou,

Yzëm, Nezirit i jep, kajmekëm të rejë me vou.

E pyesin Musën, more çysh ke punou?

U kthehet Musa, vllazën more, nuk ishin për mou,

Por janë për Nezir Koxhën, more që është mësou…

Pasi që vërehet edhe në tekstin e kësajë kënge, nga e cila mund të mësojmë se, trimi i Zajazit Nezir Koxha, nuk respektonte asnjë rexhim pushtues, e në këte rast, veprimet e pushtetit turk, për të mbajtur kajmekamin e vjetër, Musën e Vogël, e jo një Kajmekam të ri të cilin e deshte populli shqiptarë në Tetovë. Pas shkarkimit të Musës së vogël dhe emrimit të një Kajmekami të ri që e emëroi Nezir Koxha, reagon Porta e lartë e Stambollit, dhe dërgon një taborr turk, çaushi i këtij taborri rrëmben Musën e Vogël, duke e burgosur në burgun e Manastirit. Ndëgjon Nezir Koxha se e kanë burgosur Musën e Vogël, dhe thurë planin se si të ndihmojë atë, e ta nxjerrë nga burgu. Mbledh do trima nga Zajazi, dhe i vënë pusi një taborri turk, i udhëhequr nga një yzbash, duke vrarë disa ushtarë turq, e duke zënë rob, yzbashin turk, me disa ushtarë. Disa nga ushtarët i lëshon të lirë, me porosinë që t’i tregojnë, pashait të Manastirit, që të shkëmbejë Musën e Vogël për kokën e yzbashit, se: përndryshe, do t’ia shkurtojë kokën yzbashit, e do t’ia vari në litarë. Pashai duke njohur mirë mentalitetin e shqiptarëve, bën këmbimin. Nezir Koxha duke mos i besuar pashait, Musën e Vogël e strehon në Zajaz, në familjen e tij mes maleve. Sepse, ai nuk kishte besim te asnjë tjetër përveç vetes, më rrëfente gjyshi…

Pas kësaj ngjarje Nezir Koxha më rrëfente gjyshi, morri pjesë edhe nëpër shumë beteja tjera, kundër turkut, e më vonë edhe kundër hordhive serbe e bullgare. Me pushkë në dorë, luftoi në taborrin e udhëhequr nga Sefer Zajazi, në luftë kundër komitave bullgarë në vitin 1903, në fushën e Gjurgjejcës afër Karbunicës, në jug-lindje të Kërçovës. Si luftëtarë i dalluar luftoi në Luftën e Bukojçanit, në vitin 1922, krah për krahë me trimat e Zajazit, Kalosh e Lazam Danit. Gjyshi më rrëfente se, Nezir Koxha gjatë vitit 1913, së bashku me vëllezërit Kalosh e Lazam Dani ndihmuan Elez Isuf Ndreun, në luftërat kundër ushtrisë serbe në Dibër, duke i shkaktuar humbje të mëdha ushtrisë serbe, ku shtypi i atëhershëm europjan shkruante se, forcat e bashkuara shqiptare nën udhëheqjen e Elez Isuf Ndreut i shkaktuan serbit humbje në njerëz e material luftarak që se ka pësuar kurrë ndonjë herë në historinë e vrt…

Nezir Koxha, rrëfente gjyshi së bashku me vëllezërit Kalosh e Lazam Dani, si dhe trimave të Rekës së Epërme, Strugës, Gostivarit, luftuan kundër ushtrisë serbe edhe këtu te ne në Maqedoni rrëfente gjyshi, duke shtyrë ato deri në malet e Manastirit. Pushteti serb duke parë rrezikun thuhet se përdori dredhitë, duke u munduar që të gjente mercenarë ndër shqiptarë, por ata ishin të paktë më rrëfente gjyshi, duke përmendur në mes tyre një Abidin Vojvoda i cili ndihmoi vrasjen e kaçakut Sadin Selmani në rrëzë të malit Çelvjollcë, të Makedonski Brodit, por pastaj ate e vrau Kalosh Dani në luftën e Bukojçanit një vit më vonë me një plumb në ballë gjatë vitit 1922. Si mercenarë tjetër gjyshi përmendëte një Rexhë Rushit Zajazi, i cili është vra gjatë luftës së dytë botërore nga vetë trimat e Ballit Kombëtarë.

Së fundëmi mund të them se Nezir Koxha, ka merita të mëdha në luftë kundër shumë okupuesve, duke luftuar si lua nëpër male e fusha, e duke i dalur zot vatanit sa herë që ishte nevoja. Lavdi veprës së tij atdhetare për Shqipëri! Sepse, ai meritoi më shumë, e ne shumë pak kemi shkruajtur për të si kaçak mali. Ndoshta, ky shkrim historik do të motivojë dikend, e të na japi pak më tepër informata për veprën e tij atdhetare…

(E përcolli për publikim: Kalosh Çeliku, shkrimtar).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok