09/11/2024

Nesër kur të votoni, mos harroni të kujtoni…

0

Nga Nikoleta Kovaçi

…Samuelin, djalin 10 vjeç, që e mori ambulanca zvarrë në rrugë, teksa priste me ditë mes shpresës për nji jetë ma t`mirë e ikjes nga nji vend që rrënohej çdo sekond!

Samueli asht djali që mbaj unë foto profili!

E vranë, e përqeshën e mrapa i shkuen edhe n`shpi t`atit! Pos të gjithave, thanë: E blemë… Samueli u ba fajtor për atë aksident; su mjaftoi jeta e tij, i deshën edhe fajësinë! Ashtu siç fajësohen gjithmonë të pamundunit, po jo engjëjt; Samueli ishte Engjëll!

Na e pamë ç`a ndodhi!

…Klodin, djalin çapkën! Vetëm 25 vjeç! Që e mori plumbi i policit pse theu orën e karantinës për një paketë cigare! Masanej vajtje-ardhjet e shtetit në shpinë e tij bashkë me kamera e live, pension e emen rruge, peme me emnin e tij e famë po me shtirjen e frikshme të mëshirës e të keqardhjes ndaj babës së tij!

 Na e dimë ç’a ndodhi!

….Arjanin që u braktis nantokë për së gjalli, u la vetëm dhe i vetëm për orë e orë e orë…Masanej e banë hero, masanej i shkuan në shpi me kamera live, po ende s`ia kanë nxjerr ekspertizën se sa kohë priti shpirti i tij ndihmë nga mbitoka, sa priti mendja e tij zjarrfikëset pa tuba uji, pa efektivë, pa shpirt; sa priti polici e prokurori; ku e para kishte hall maskash-zhele që mbulojnë mllefin mjeran të pasanikëve kriminalë të globit që kanë marrë peng njerëzimin, ndërsa të dytët kishin frikë se iu tymosej kostumi dopiopetë!

Na e kuptojmë ç`a ndodhi!

…Arditin, djalin 17 vjeç që mbeti në plehrat e Sharrës! Që ishte punësu i padeklaruem, që askush se pa teksa makineria monstër e futi brenda vetes, ndërsa nana e vet e priste në shpi! Që edhe mas dekës tij, prapë uzurpuesit e jetës në këtë vend, refuzuan ta pranojnë e aq ma pak ta deklarojnë! Arditi ishte djali i një polici! Punonte se i ati s`ia blinte dot librat për maturë, as rrobat, as çantën e shpinës. Sepse i ati-polic nuk ishte trafikant droge, as pazarexhi hashashi, as ruajtës i parcelave të hashashit, as ngarkues i gomoneve, skafeve dhe avioneve, ndaj Arditi doli të punonte vetë…

Na e besojmë atë që ndodhi…!

…Indritin, djalin që e vranë killerat për një fjalë goje, e vranë parellinjtë se kondicioneri nuk ishte montu si duhet! Te parellinjtë killera dhe anasjelltas, punëtorët janë skllevër, e nëse munden me folë edhe vriten… Policia, prokuroria dhe gjykata qëndruan në anën e vrasësit… sepse Indriti ishte vetëm se një djalë që punonte për njën rrogë qesharake dhe me ato lekë mbante edhe familjen!

Na jena shumica si Indriti…

…Marion, djalin që u vra për gjak në mes të Tiranës! Që u vra nga hasmi i babës së tij, ndonëse Mario kishte qenë fare i mitur kur i ati kishte vra! Madje ishte rrit larg babës, se nana e Marios ishte nda prej tij, e prapë Mario u vra, u vra sepse u ba viktimë jo vetëm e mendësisë burracake të atyne që e deshën hakmarrjen e paligjshme e t`pabazueme kërrkund, po edhe të mashtrimit të përbotshëm të kryeministrit që në Shqipni jeta asht e sigurt. Mario, nëse kryeministri i tij nuk do të rrente Suedinë sot ishte gjallë dhe në jetën e tij të thjeshtë e qytetare…

Na e kena provu edhe k`të…

…Marvin, djalin ekselent, atë që baba e nana e tij por edhe Shqipnia e priste me padurim të diplomonte, po nuk e lanë gansterrët; e vranë pse tentoi të shuante një sherr. Gangsterrët ishin parellinj, me ta s`kishte dhe s`ka lojë; duhet të vrasin këdo që iu del përpara! Sepse baballarët e tyne e blejnë policinë, prokurorinë, gjykatën, shtetin, dreqin e t`birin e tij!

Na jena dëshmitarë të qindra rasteve Marv…

…Jak Prengën, djalin që u rrëmbye, u vra dhe u zhduk nga banda mafioze! Të gjithë e pamë, të gjithë e dimë, askush nuk flet! Sepse vrasësit janë si shteti, sepse vrasësit e tij janë me shtetin, sepse vrasësit e tij janë shteti! Jaku nuk u gjend sod e asaj dite, po as vrasësit dhe zhdukësit e tij, sepse kta të fundit janë garanti reciprok i pushtetit, sepse autorët nuk mund t`i gjurmojë policia e hashashit, as e gjobave për rrip, as dordolecët që rrahin gra e fëmijë rrugëve, as policët hajna e shërbëtorë; ata i kapin vetëm policët trima, që shumë prej tyne u çuen për ndjekje penale se s`pranuan të bashkëpunojnë me bandat e hashashit! Fëmijët e Jakut s`kanë varr për babën e tyne, ndërsa vrasësit kanë miliona e milarda dollarë, kanë resorte dhe vila e llogari kudo nëpër botë!

Na jena kronikanë të kësaj masakre…

…Vlonjatët e zhdukun pa gjurmë, edhe ata që i nxori bregu, edhe ata që u quajtën peshkatarë, edhe ata që u quajntën me probleme depresioni dhe u mbytën… Kujtoni dhjetëra djem nanash që janë vra për hashash, për pazare, për tradhëti grupesh e dorëzime tek rivalët… Janë djemtë e dikujt, burrat dhe vëllezërit e dikujt!

Na do dëshmojmë një ditë

…Të pamundunit, ata që s`i blejnë dot ilaçet e monstrës covid, që iu vdesin njerëzit spitaleve pa e ditë se ç`a iu ndodhi, që nga psikopatia e menaxhimit të situatës nëpër pavione njerëzit hidheshin nga lartësitë, që varroseshin të braktisun e nën armët e policisë, që s`paguajnë dot infermierin apo mjekun e familjes me 3 mijë lekë për një serum, edhe kur duhen 2-3 në ditë…etj…

Na e dimë si ndodhi…

…Fëmijët, ata që nuk e kanë mundësinë të ngjiten podiumesh, të marrin mikrofonin, të ekzaltojnë turma e simpatizanë partish, por presin me padurim të kenë një çokollatë, një palë atlete të reja, e një telefon si të atij fëmijës që e ka babën me post… Votoni nesër për ta… sepse edhe Zoti asht vetëm me ta….

Na dimë dhe duhet të besojmë; vota asht vendim, vendimi asht dinjitet, dinjiteti asht liri e liria asht Frymë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok