26/12/2024

NËNA TEREZE – KUJTESË E GJALLË MREKULLIE

0
Berisha-Tereza2

Anton Nikë Berisha “Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit”, Shkup 2020. Botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe botimi i Radio Marisë, Tiranë 2022

Nga Ajete Zogaj

Në përkujdesjen e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në vitin 2020 me rastin e 110- vjetorit të lindjes dhe 4- vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, u botua doracaku i shkurtër “ Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Tereze : ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’ të Anton Nikë Berishës.

Botimi tre-gjuhësorë i këtij doracaku, shqip, anglisht dhe maqedonisht, është një kontribut i çmuar i profesor Anton Nikë Berishës, si dhe i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për t’i sjellë lexuesit në mënyrë sa më të plotë figurën e Nënës Tereze, dhe në shenjë nderimi e homazhi të përjetshëm për Gonxhe Bojaxhiun – Nënën e Botës.

Në fjalën paraprake të Skënder Asanit, drejtor i Institutit, vlerësohet puna e jashtëzakonshme e studiuesit të dëshmuar, Anton Nikë Berishës, autor i shumë librave kushtuar Nënës Tereze, të botuara jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën italiane.

Të dhënat e jetës e të veprimtarisë së Nënës Tereze, në pjesën hyrëse të Doracakut, janë një ‘udhërrëfyes’ i qëlluar nga autori për ta drejtuar lexuesin dhe të gjithë ata që duan ta njohin qenësisht flijimin e jashtëzakonshëm dhe rrugëtimin jetësor të veprimit të saj.

Janë tri shtylla të rëndësishme të cilat i trajton me shumë dije dhe argumente profesor Anton Nikë Berisha në këtë Doracak, tri shtylla jetësore të cilave iu përkushtua gjatë gjithë jetës Nëna Tereze: Përkushtimi ndaj Hyjit, përkushtimi ndaj të varfërve, të braktisurve, të gërbulurve, duke u bërë pjesë e vuajtjeve të tyre, si dhe Lutjet drejtuar Hyjit, të cilit ajo i besonte dhe i qe përkushtuar krejtësisht; dashurinë ndaj tij e kishte moto të vetme jetësore.

Profesor Anton Nikë Berisha vlerëson se “Të vështrosh qenësinë e veprimit, të flijimit dhe të dashurisë së Nënës Tereze për të varfrit e më të varfërve në Kalkutë të Indisë e në qytete të tjera të këtij shteti, po dhe në shumë vende të tjera të botës, dhe besimin e saj të palëkundur për Hyjin, domethënë ta njohësh shpirtin dhe fatin e njeriut në përgjithësi, mundësitë e pakufishme të veprimit e të mbarësisë së jetës njerëzore, sidomos nevojën për t’u flijuar për tjetrin, që në thelb nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur dhe më i mirë, më i dobishëm për njerëzit me të cilët jeton dhe për botën që i përket.”(f. 18).

Në këtë Doracak, janë sjellë mendime të vlefshme të Nënës Tereze, të cilat shquhen për thellësinë dhe porosinë që ajo i përcolli tek tjetri: ”Shenjtëria nuk është diçka e jashtëzakonshme, nuk është për të zgjedhurit e pakët, të pajisur me intelekt të madh, që dinë të gjykojnë, të shqyrtojnë, të bëjnë biseda të gjata e të lexojnë libra të mrekullueshëm. Shenjtëria është për secilin prej nesh një detyrë e thjeshtë. Pranimi i Zotit me buzëqeshje, përherë, kudo dhe në çdo vend” (f. 27).

Në pjesën e dytë të Doracakut, autori trajton përmasën hyjnore të Nënës Tereze, që nga momenti kur ajo përjetoi thirrjen e parë më 15 gusht 1922 në Kishën e Letnicës në Kosovë e deri në kalimin e saj në amshim.

Autori thekson bindjen e tij se “Në çdo njeri, pa marrë parasysh besimin, racën dhe përkatësinë, Nëna Tereze shihte Hyjin dhe gjithë dashurinë që ndiente për Të ia kushtonte njeriut për të cilin kujdesej” dhe se sipas Nënës Tereze “Veprat e mira janë unaza, që formojnë një zinxhir të dashurisë rreth e përqark botës” (f. 38).

Mendimet dhe vlerësimet e personaliteteve të famshme botërore: gazetarë, shkrimtarë, klerikë fetarë, motra e misionare të rendeve të ndryshme, si dhe kujtime nga njohja me Nënën Tereze, janë një pjesë tjetër mjaft interesante e këtij Doracaku, ku shpaloset veçantia e humanizmit dhe e përshpirtërisë së saj. Në këtë rrjedhë po përmend atë që thotë gazetari dhe shkrimtari i shquar anglez, Malcolm Muggeridge, i cili e vlerësonte kështu Nënën Tereze “ Është e vërtetë: personat e përkushtuar tërësisht si Nëna Tereze s’kanë biografi. Duke folur në mënyrë bibliografike, atyre nuk u ngjet asgjë. Të jetosh për të tjerët, siç bën ajo dhe motrat e saj Misionaret e Dashurisë, domethënë t’i shmangësh të gjitha rrethanat në të cilat hyjnë Uni dhe vullnesa vetjake” (f. 39).

Për përmasën hyjnore të Nënës Tereze, Anton Nikë Berisha i sjell fjalët e atit Joseph Langford, sa të rëndësishme, po aq të rralla: ”Ishte bërë një ikonë e gjallë, një simbol i gjërave më të mira dhe më të larta, një shembull si mund të jemi ne dhe bota jonë. Nëpërmjet veprimit të saj, të kryer përherë me përvujtëri të skajshme për të varfrit, mirësia e pakufi e Zotit përhapej në gjithë ne. Bëhej reflektim i adhurimit të Zotit në miniaturë, si ndriçim i gjallë i diellit që rrezaton verbueshëm nga një pjesë e vogël e xhamit…” (f. 41).

Përmasën hyjnore të Nënës Tereze e dëshmojnë edhe fjalët e motrës, misionare e Dashurisë, Mary Nirmala Joshi, e cila e zëvendësoi Nënën në udhëheqjen e Misionareve të Dashurisë: “Më kujtohet se sytë e Nënës Tereze shikonin përtej kësaj bote. Nëna Tereze i qe dorëzuar në mënyrë të thellë, absolute, vullnesës së Zotit e, Zoti, e përdori si vegël për dashurinë e tij…” (f. 42)

Është shumë domethënës konstatimi i profesor Anton Nikë Berishës për ndriçimin e përmasës hyjnore të Shën Terezes sonë: “Nëna Tereze ua solli ngrohtësinë dhe hirin hyjnor shumë njerëzve që i takoi dhe bashkëpunoi me ta për arsye se takimi me të përjetohej si një takim me dritën e Hyjit” (f. 44).

Duke u mbështetur në botimet në gjuhën italiane që e ndriçojnë nga shumë aspekte figurën e Nënës Tereze (disa nga mendimet e të cilave në gjuhën shqipe në këtë doracak i sjell profesor Anton Nikë Berisha) e thellon lexuesin në thelbin e veprimit dhe të flijimit të Nënës Tereze që ta bëjë më të pasur shpirtërisht, duke i ngjallur një katarsë shpirtërore e mendore, i motivuar nga misioni i saj i shenjtë, që në jetë të na udhëheqë mirësia, dashuria e sinqertë ndaj tjetrit, ta duam tjetrin me dashurinë e Hyjit, siç thoshte Nëna Tereze: “Personat që duhen në mënyrë të plotë e të sinqertë janë më të lumturit në botë. Mbase zotërojnë pak, ndoshta s’kanë asgjë, po janë persona të lumtur. Gjithçka varet nga mënyra se si e duam (tjetrin)”. (f. 45).

Ndër vlerësimet dhe mendimet e rëndësishëm për ndriçimin e përmasës hyjnore të Nënës Tereze , profesor Anton Nikë Berisha, sjell atë të shkrimtarit tonë, Visar Zhiti: “Siç duket, Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi Tokë dhe zgjodhi një grua për barazi. Caktoi një shqiptare, s’dihet për ç’shpërblim ndaj kombit tonë të martirizuar […], ndoshta në shekullin apokaliptik të njerëzimit…” (f. 50).

Një vështrim sa të veçantë aq edhe argumentues, profesor Anton Nikë Berisha i bën edhe Lutjes, që është e lidhur ngushtë me jetën dhe me çdo veprim të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze: “Lutja ishte limfa e jetës, ishte frymëzimi, të menduarit, ishte frymëmarrja dhe forca e veprimit të Nënës Tereze; lutja ishte formë e njësimit të saj me Hyjin, e gëzimit dhe e vuajtjes, e përballimit të vështirësive dhe e përmbushjes së gjithë asaj që ajo bëri. Për Nënën Tereze lutja ishte akt konkret, po dhe “[…] akt fundamental i vetëdijes njerëzore […], ishte “çelës i vitalitetit të jetës […] që e bashkon njeriun me Dritën dhe Dashurinë e Hyjit; është forca jote dhe mbrojtja jote […] si gjaku për trupin. ” (f. 51).

Lutjet dhe disa nga letrat e Nënës Tereze të cilat flasin për errësirën e saj shpirtërore, janë dëshmi për dashurinë e saj të thellë ndaj Hyjit, që sa përshkohen me përmasën hyjnore, po aq janë edhe njerëzore.

Doracaku tre gjuhësorë i profesor Anton Nikë Berishës, botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, botimi i vitit 2022 nga Radio Maria në Tiranë, si dhe “Doracak për Nënën Tereze” botim i vitit 2014 (botim i Tiranës dhe Prishtinës me 320 faqe tekst), dëshmojnë punën përkushtuese të profesor Anton Nikë Berishës për njohjen sa më thellësore dhe të argumentuar të veprës së Nënës Tereze, kësaj ‘gruaje shtat vogël’ siç do të shprehej Papa Gjon Pali II: “Ta lavdërojmë këtë grua të vogël të dashuruar në Hyjin, kumtuese e përvuajtur e Ungjillit dhe mirëbërëse e palodhshme e njerëzimit […] T’ia pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj” ( f. 62) dhe “Nuk mund të mos e përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga vjen, cili është atdheu i saj […] Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është e nderuar gjithmonë” (f. 63). Këto fjalë Papa Gjon Pali II (tashmë i shpallur i shenjtë nga Vatikani) i tha në Katedralen e Shkodrës në vizitën historike që i bëri Shqipërisë, më 23 prill 1993.

Në pjesën Shtojcë të librit, janë dhënë dy letra, të cilat janë sa përmbajtësore, po aq janë të rëndësishme. Ato dëshmojnë se Nëna Tereze, kudo dhe kurdo e ndjeu veten krenare për origjinën e saj shqiptare. U lut dhe ia dëshiroi më të mirën popullit dhe kombit të saj. Këtë më së miri e dëshmojnë Letra drejtuar Vatikanit (7 shkurt 1948), ku ndër të tjera Nëna shkruan: “Jam e lindur shqiptare…” dhe në letrën “Letra popullit tim të Shqipërisë” thekson: “ Nëna po lutet shumë për gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dashurojë deri në dhembje në mënyrë që t’i sjellë paqe vendit dhe zemrave të gjithsecilit. Le të lutemi. Zoti ju bekoftë! Nëna Tereze” (f. 73).

Ky Doracak sjell të dhëna dhe argumente të shumtë, ku përligjet se Nëna Tereze i deshi njerëzit pa dallim feje, ngjyre dhe identiteti, sepse puna dhe vepra e saj si misionare e Dashurisë, përkushtimi i saj ndaj Hyjit, ishin udhërrëfyes se njerëzit janë të barabartë para Krijuesit dhe si të tillë duhej dashur dhe flijuar për ta.

Për ta dëshmuar këtë, po sjell nga Doracaku një vlerësim të Indira Gandit, atëherë kryetare e Indisë: “Ja […] Nëna Tereze, e cila nuk bën më të voglin diskriminim rreth ngjyrës, gjuhës dhe besimit. Ajo e bën jetësore të vërtetën se lutja është përkushtim (devotshmëri), është shërbim. Shërbimi është detyra e saj, është feja e saj, është shpëtimi i saj. Ta njohësh Nënën Tereze domethënë ta kuptosh përvujtërinë absolute dhe forcën e dashurisë” (f. 63).

Botimi i këtij Doracaku shpreh, natyrisht, vetëm një pjesë të jetës dhe të bëmave të Nënës Tereze, që dëshmojnë mirëfilli se Ajo është një KUJTESË E GJALLË MREKULLIE, që Hyji i dhuroi kombit tonë dhe botës, duke na bërë të ndihemi krenar me bijën tonë.

Prishtinë, tetor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok