30/12/2024

NËNA PARTI DJE NA LINDI FËMIJË, SOT NJË POPULL SHKRIMTAR

0
Kalosh-Celiku

Reagim i LSHSHM-së, Shkup

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni, njëzeteshtatë vjet (27) me radhë e organizon dhe e mbanë Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP XXVII 2022, në Shkup dhe Kërçovë. E kaloi Koronavirusin, “armikun e padukshëm” (2020), Pandeminë politike (2021), por jo edhe Virusin politik partiak (2023). Prandaj, këtë vit për shkak të situatës politike dhe ekonomike, përveç organizimit të Manifestmit Kulturor Tradicional Ndërkombëtar TAKIME NËN RRAP XXVII 2022, në Kërçovë, e publikoi si libër dhe online: TAKIME NËN RRAP (Antologji e poetëve pjesmarrës (1997 – 2021). Njëkohësisht, duke shënuar edhe tridhjetëvjetorin e themelimit të saj si institucion kulturor (1992 – 2022). Përcjelljen e Vitit Plak me Pandemi, dhe pritjen e Vitit Ri 2023 me poezi erotike dhe këngë burimore kërçovare të interpretuara me çifteli nga kantautori Dervish Dervishi.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni, është themeluar në vitin 1992, në fillim përshkak të rrethanave politike të asaj kohe, si Klub i Shkrimtarëve Shqiptar me kryetar shkrimtarin e mirënjohur shqiptar nga Tetova Murat Isaku, dhe nënkryetar Kalosh Ҫeliku. Kohë, kur katër vite me radhë për shkaqe politike, ende i pa regjistruar si Klub i Shkrimtarëve. E, as pas themelimit si Shoqatë e Shkrimtarëve Shqiptar në IRJ të Maqedonisë, e cila me shumë vështirësi mezi arriti të regjistrohet në Regjistrin Qëndror në vitin 1997. Vit, edhe kur u botua numri parë i revistës letrare STILI ’97 me portretin e Naim Frashërit, si Organ i Shoqatës të Shkrimtarëve Shqiptar në Maqdoni, krah për krahu me pesë libra të anëtarëve të Shoqatës me mjetet e veta materiale. Revistë letrare STILI ’97, dhe pesë libra në poezi e prozë, të cilët edhe u përuruan gjatë programit të manifestimit kulturor në vitin 1997 gjatë “Ditëve të Naimit”, në Tetovë.

Vit, kur filloi edhe fushata e paparë policore – partiake për dhënjen e dorëheqjes, shkarkimin e Kryetarit Kalosh Ҫeliku nga posti i kryetarit me direktiva policore partiake me Trusakatin, dhe rrufjanë të njohur komunistë e neokomunistë. Betejë e ashpër policore – partiake me shërbetorët e tyre besnik, që u zhvillua në Shkollën fillore “LIRIA” gjatë Kuvendit të jashtëzakonshëm i thirrur nga kryetari Kalosh Ҫeliku, në Shkup (1997) me disa viktima të ndërsyera politike – partiake – letrare “artistike”. Përfitimi, i asaj fushate dihet: lindi libri me drama “Kopeja me zgjebe ndjek Autorin” (2000). Trung Lisi, edhe Sot në sytë e kulturofagëve.

Lufta e ashpër mes Kalosh Ҫelikut me Policinë Letrare partiake vazhdon edhe Sotekësajdite. Këlyshët me zgjebe të partive politike, buba xhirizi në mjetet e informacionit me një asht në gojë. Ose, një torbë taxhi përqafe. Përderisa, Policia Letrare nuk do ta ndryshojë strategjinë e luftës “kulturore” – politike. Kërkesën për dorëheqje. Heqi dorë nga shkarkimi i kryetarit. Organizojë “Ditët e Naimit” paralele me në krye Trusakatin e saj me një krah kashtë në grazhd të Qeverisë. Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni, në një mbëledhje të Kryesisë, edhe do ta shkarkojë Trusakatin e Nënës Parti nga posti i drejtorit të “Ditëve të Naimit”. Po, e donte Partia Politike Shqiptare në pushtet, dhe “vëllezërit” e Njerkës.

Kokë më vete, me direktiva policore partiake dhe Doktorziun në ballë të Luftës, krah për krahu me Hojdodolen Pashterkëkuqe të “Bit – Pazarit”: Trusakati i Katundit Madh do ta regjistrojë dhe përvetsojë si Manifestim Kulturor Tradicional “Ditët e Naimit” në Regjistrin Qëndror, që me ardhjen e shkrimtarit Kalosh Ҫeliku në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar, mori edhe karakter mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar.

Gjatë Luftës së Kosovës (1998 – 1999), egzodit masiv të shqiptarëve dhe pushtimin e Kosovës nga Serbia, në Kampin me refugjatë nga Kosova në fshatin Ҫegran të Gostivarit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar organizoi “Ditët e Naimit” me poetë refugjatë nga Kosova, Shqipëria, dhe IRJM -së, arratisur nëpër fshatrat e Maqedonisë.

Vite më vonë, kur “Ditët e Naimit” u politizuan nga partitë politike shqiptare në pushtet, dhe Kalosh Ҫeliku përpiqej asaj kohe që, politika t‘i mbajë duart sa më larg nga arsimi dhe kultura, me moton: Shkrimtarët do të bëjnë arsim dhe kulturë, e politikanët do të merren me politikë, filloi organizimi i “Ditëve të Niamit” paralele disa vite me radhë me përkrahje dhe mbështetje partiake për reklama propaganduese politike, duke e plaçkitur me mjete materiale Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptar të cilat i fitonte nga djersa vetanake, dhe nga konkurset qesharake me vite të Ministrisë së Kulturës, që i rrëmbenin vetë partizanët e partisë politike në pushtet. Vite, kur Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar, i organizonte me plotë vështirësi ato takime kulturore – poetike edhe me mjetet e veta materiale. Herë pas here, edhe të kryetarit Kalosh Ҫeliku. Raste kishte, kur ai i ndihmonte këto Takime Poetike edhe me pasurinë e Babait. E shiste nga një arë. Ose, Pyll me lisa. Livadhin e Babait për kulturë dhe libra.

Kohë, kur pa asnjë paralajmërim, dhunshëm do ta fshinë nga Regjistri Qëndror edhe SHGB “ASDRENI” (2015), duke e plaçkiur në bankë me dhjetëra mijëra euro, e cila me mjetet e veta materiale i mbante gjallë manifestimet kulturore poetike të Lidhjes Shkrimtarëve Shqiptar, në IRJ të Maqedonisë, në Shkup.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptar me në krye Kalosh Ҫelikun si kryetar, pas fushatës të paparë deri më Sot në gazetën partiake komuniste të “vëllazërim – bashkimit” në IRJM -së, solli me vendimin e Kryesisë dhe hoqi dorë nga organizimi i “Ditëve Naimit”, në Tetovë. Nuk deshi të bëhet mollë sherri i përçarjes për një Manifestim Kulturor Tradicional, duke ua lënë organizatorëve atë vit edhe mjetet e përfituara materiale në emër të Shoqatës për “Ditët e Naimit”, në Tetovë. Vit Historik (2003), edhe kur u regjistrua Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë në Regjistrin Qëndror, duke vazhduar veprimtarinë e saj kulturore me revistën letrare STILI ’97, botimin e librave dhe themelimin e dy Manifestimeve Kulturore Tradicionale Ndërkombëtare: “TAKIME NËN RRAP” (poezisë erotike, 1997) në Shkup, dhe Ditët e Humorti e Satirës “XHA DERALLA”, në Kërçovë. Manifestime Kulturore Tradicionale Poetike Ndërkombëtare, që nuk i kishte asaj kohe, po edhe sot e kësaj dite as vetë pala maqedonase. Edhe, pse: ende e kishte Shtetin dhe pushtetin Neokomunist, krah për krahu me partitë politike shqiptare në Qeveri, në rolin e argatit dhe lypsit për të drejta të “barabarta” kombëtare te Ura e Gurit, në Shkup. Vite, kur: edhe Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar në Shkup, ndodhej mes Dy zjarreve politike: maqedonase dhe shqiptare me partizanët e tyre trusakatë partiak të strukur me pagesa mujore e pa vende pune në institucionet e shtetit të “përbashkët”.

Partizanët e tyre besnik në çdo hap, duke e luftuar me të gjitha “armët” policore – partiake dhe materiale, hap pas hapi, pas shpine. I përçanë dhe i dalldisën pas honorareve nëpër parti politike krijuesit shqiptar, duke themeluar nëpër qytete dhe katunde me dhjetëra shoqata e klube të shkrimtarëve dhe shoqata kulturo – artistike partiake, e bërë zhurma të dalldisura kulturore para syve të popullit shqiptar me nga dy – tre artistë partiak. Edhe, atë: gjithmonë, në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare për vjedhjen e votave të popullit për poste politike, në Qeveri. Shumica e këtyre “kryetarëve” të shoqatave partiake, ishin partizanë besnik gjysmëanalfabetë, ose familajrë, qorra pa asnjë bagazh kulturor mbi shpinë. Qëllimi, vetëm e vetëm për ta cenzuruar dhe cunguar letërsinë shqipe me kufinj politik. E cila, nuk krijohet vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Mal të Zi, Kosovë, Shqipëri dhe Diasporë.

Jo rastësisht, edhe emërojnë partizanë partiak në Ministrinë e Kulturës: ministra, zv/ ministra, sekretar shtetëror, anëtarë komisioni të botimeve, pa bagazh kulturor mbi shpinë, që nuk e kanë shkruar një rreshtë përsëgjalli, nuk kanë edhe libër në shtëpi. Aspak, nuk kanë njohuri elementare për kulturën dhe të arriturat artistike në letërsinë shqiptare. Shkak, që programet e tyre kulturore dhe artistike, mbushen me “shkrimtarë” partiak të lindur pa talent dhe me vlera të dyshimta letrare. Pavetëdije, ose me qëllime partiake stimulohen kulturofagët për t’i cenzuruar dhe mbajtur nën kontrollë shkrimtarët e padëgjueshëm me vlera të arrira artistike. Shkrimtarët, që veç më e kanë kaluar kufirin politik me veprat e tyre edhe nëpër botë. Parashikues të Ditës Nesërme. Gjenitë, nuk i kanë lindur partitë politike, po gjiri i popullit. Zanat e Malit, duke u dhanë gji nën Dardhat Gorrice. Fuqi, për luftë kreshnike.

Fatkeqësisht, partizanët e partive politike janë mbeturina të përkohshme partiake politike pa bagazh arsimor dhe kulturor në shpinë mbi samarë. Shumica, vetëm në rolin e cenzurkuqëve për ta përndjekur dhe sakatuar kulturën dhe letërsinë shqiptare. Shkrimtarët e lindur, janë të përjetshëm. Kulturofagët, e shkatërruan arsimin dhe kulturën shqiptare, edhe më zi se sistemi komunist. Themelet e një populli, shoqërie, Shteti. Mjerë ai popull, që arsimin, kulturën, letërsinë dhe artin e krijon nën kthetrat e partive politike.

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë pa e kthyer kokën mbrapa, kush e ndjek pas shpine, vazhdoi flakë më flakë Luftën kulturore – artistike edhe me “armikun e padukshëm” Koronavirusin partiak. Organizimin e manifestimeve kulturore, revistën letrare STILI ’97 (61 numra 2021), botimin e librave dhe Tri Antologjive, krah për krahu me mbi 300 poetë pjesmarrës nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare, dhe bota. TAKIMET NËN RRAP XXVII, që në vitin 1997 të parët e futën vargun shqip në “Bit-Pazar”, në Shkup. Dhe, në vitin 2001, kohë lufte edhe me një autobus me targa TR me poetë nga Shqipëria, të cilët lexuan poezi erotike mes tankeve, në “Saraj” të Shkupit.

Ngjarje kulturore poetike historike, të cilën poeti pjesmarrës në këto Takime Poetike Visar Zhiti, pasi të kthehet në Tiranë, do ta përjetësojë në gazetën DITA (03 nëntor, 2001) me një reportazh emocional nga Shkupi: TË LEXOSH POEZI PRANË TANKEVE.

Vërtetë, vite të mbrapshtë me masa Qeveritare: burg shtëpiak, mos dil në rrugë pa maskë, laj duart me sapun, dy metra rri larg Gruas besnike! Koronavirus, Pandemi dhe Vaksinë politike. Na izoluan nga familja. Miqtë. Gratë besnike. Shkak, që: Vitin e Ri 2023, e prita në Kërçovë: mes familjes, miqëve poetë, poezive, dhe këngëve burimore kërçovare. Vendlindje, ku pasmesnate shpërthyen edhe fishekëzjrret në qiell, rrëzë Kalasë Kërçovës. Babadimiri, doli pa frikë nëpër Qytet, se: do ta grushtojnë si në Shkup. Nata e Madhe e priti Agimin, Vitin e Ri 2023 me këngë, dhe poezi erotike mes maleve.

Edhe, një goditje “kulturore” partiake me shpalljen e rezultateve të konkursit nga Ministria e Kulturës në Republikën e Maqedonisë Veriut. Partizanët politik, argatë me Koronavirus partiak, dhe Pandemi politike, e lanë dy vite me radhë (2022 dhe 2023) Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptar pa asnjë projekt kulturor?!

Përderisa, vite më parë gjatë një fushate parazgjedhore parlamentare në një fshat të Kërçovës, kryetari i partisë politike shpaloste “fitoret” e arritura, dhe premtimet partiake: ndërtimet e rrugëve, ujësjellësit, fabrikave, dhe ndërtimin e shkollave të reja, papritmas një fshatar nga fundi i sallës reagoi: Zoti Kryetar, po ne nuk kemi fëmijë?! Kryetari, aty për aty iu përgjigjë plumbë: Partia do t’u lindë edhe fëmijë në fshat.

Dhe, vërtetë erdhi dita: Sot, partia u lindi edhe fëmijë për shkolla. I përzuri gati të gjithë nga vendlindja rrugëve të botës. Shkollat, që ua ndërtoi sistemi Komunist, ky i sotmi Neokomunist ua mbylli me dry, duke i lënë në Malësi si monumente historike. Ministrinë e Kulturës, e mbushi me partizanë partiak. Në vend të librave dhe diplomave universitare, kanë libreza antarësimi të partive politike. Lulëzoi krimi dhe korrupsioni. Nëna Parti, Sot nuk merret me lindjen e fëmijëve, as me politikë “madhore”, por me kulturë dhe letërsi të katundeve: Shqiptarët, i bëri popull shkrimtarë, partizanë të Partive Politike…

Shkup, 13 shkurt 2023

Albanian Writers League
President: Kalosh Cheliku

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok