21/11/2024

Në vitin e Gjergj Kastriotit – asnjë film për luftën e Arbrit!

0

Nga Gani Mehmetaj

Filmi “Skënderbeu”, nën regji të ukrainasit Sergei Jutkeviç, bashkëprodhim sovjetik-shqiptar, është filmi i parë dhe i vetëm që i kushtohet heroit tonë Gjergj Kastrioti. Ishte filmi më i shikuar nga shqiptarët, i vetmi ose ndër të paktët që shfaqej në çdo përvjetor të Pavarësisë e Ditës së Flamurit. Nuk e di të jetë bërë ndonjë përpjekje që të distribuohet në Evropë e në botë, pos në ish-bllokun socialist. Është i vetmi film, bashkëprodhim shqiptar, që u shfaq në Festivalin e Kanës e të Venedikut. Është i vetmi film spektakël i përmasave të Hollivudit me kostumografi, skenografi, mijëra figurantë, me galerinë e personazheve, me aktorët e ekipin e madh të kineastëve. Film të këtyre përmasave kinematografia shqiptare e ka vështirë të bëjë edhe sikur të mblidhen kineastët e Shqipërisë, Dardanisë e Iliridës, ashtu sikurse e ka vështirë të bëjë para për shpenzimet që duhen për një spektakël historik. Por nuk është e pamundur.

Me gjithë vërejtjet që mund t’i bëjmë nga këndi i sotëm, “Skënderbeu” është film që ta ka ëndja ta shohësh, është film mobilizues e frymëzues, është film që të ngjallë respekt për veten e për kombin që i takon. Nga atëherë kanë kaluara mbi 65 vjet. “Skënderbeu” mbeti filmi i parë dhe i vetëm për periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare.

Në vitin e Gjergj Kastriotit, që e shpallën të dyja shtetet shqiptare, vitin 2018, nuk u bë asnjë përpjekje për të realizuar një film artistik për luftën e mbretit të shqiptarëve kundër pushtimit osman. Madje, nuk u shtrua as si debat publik. Nuk e di të jetë bërë ndonjë përpjekje nga kinostudioja shqiptare as në kohën e diktaturës, apo nga ndonjë producent shqiptar në kohën e sotme për një projekt kinematografik që do ta rigjallëronte në ekran të madh figurën e këtij heroi. Në kohën e diktaturës më të egër në Evropë, nuk pritej t’i kushtohej ndonjë film tjetër heroit tonë kombëtar, madje as kur u festua me pompozitet 500 vjetori, sepse ishin tepër të zënë me kultin e Enver Hoxhës dhe kultin e “luftës nacionalçlirimtare ” që e vërshuan ekranin e kinemasë e të televizionit, sikur ta kishin bërë namin partizanët me katër- pesë pushkë që i shkrepën në majë të malit. Por është e habitshme dhe e çuditshme që askujt nuk iu kujtua as pas 26 vjetësh të rënies së diktaturës.

Për ta ngushëlluar veten për këtë dështim në nivel të dy shteteve dhe të përmasave kombëtare (themi se jemi shtatë milionë shqiptarë, kur duam të lavdërohemi), sepse mosbërja e filmit për Gjergj Kastriotin është dështim i kombit, edhe pse kishte përpjekje në nivel mediesh e individësh me zemër të mirë që filmi për Gjergj Kastriotin të bëhej në Hollivud, duke imagjinuar që të dilte i përmasave të filmit “Troja”, “Gladiatori”, “Aleksandri i Madh” etj. Por edhe për t’i lëvizur ingranazhet e Hollivudit duhet këllqe. Filmi i Hollivudit nuk e përjashton obligimin tonë.

Ku qëndron arsyeja e mosbërjes së spektaklit historik për luftën e shtetit të Arbrit kundër turqve? Janë të pazotët kineastët, skenaristët e producentët t’i qaseshin një teme të tillë? Nuk donin të ballafaqoheshin me kundërshtime? Nuk gjetën atmosferë mbështetjeje e inkurajimi? Apo ishte një qëndrim i heshtur që për shkak të rrethanave politike , të mos acarohej aleati i tyre “strategjik”, sikurse e quajnë analfabetët tanë politikë kreun e shtetit të Turqisë. Mungesa e parave është një nga arsyet, por paraja nuk është e pakapërcyeshme. Cilido producent që do të merrte peshën mbi shpatulla për të bërë filmin për Gjergj Kastriotin, do të kërkonte mbështetjen financiare së pari nga shteti, sepse jo vetëm në Shqipëri e Dardani, po në tërë Evropën është shteti mbështetësi kryesor i kinematografisë kombëtare. Shteti shqiptar duhej ta mbështeste, sidomos në vitin e Gjergj Kastriotit. Mirëpo, shteti nuk e shpalli asnjë konkurs kombëtar, madje nuk u mor fare me këtë punë.

Sikur ta kishin kombet tjera një kolos të tillë do t’i bënin dhjetëra filma, ashtu sikurse i kanë bërë për heronjtë e tyre.

Ndonjëherë kam përshtypjen sikur nuk e ndiejnë dhe nuk e përjetojnë këtë temë, jemi tëhuajësuar e depersonalizuar në shkallë të tillë, saqë nuk na bëhet vonë për asgjë, as për vepra artistike të kësaj natyre.

A kemi ne kronika, romane, drama e tregime për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun? Kemi, megjithëse shqiptarët kanë shkruar më pak se të huajt për heroin tonë. Dihet aq shumë për atë periudhë, e kohëve të fundit janë ndriçuar detaje të panjohura më parë, saqë nuk do të ishte vështirë të bëhet skenari a skenarët origjinalë, ose të adaptuar nga kronika e Marin Barletit, vepra e Naim Frashërit, Fan Nolit, Aurel Plasarit, Kristo Frashërit etj. M’u kujtua romani “Kështjella” i Ismail Kadaresë, i cili me përshtatje, mund të shndërrohet në skenar filmi dhe pastaj në film. Është vizaualisht i kapshëm, filmikisht jo i vështirë për realizim. Pastaj “Skënderbeu” i Sabri Godos është material i mirë letrar për adaptim. Pra mungesa e romanit, por as e tekstit bazë nuk është arsye.

Shkoi edhe viti i Gjergj Kastriotit, ndërsa ne nuk e bëmë asnjë film për luftën e Arbrit kundër pushtuesit, po çka është më e keqja nuk bëmë as përpjekje. Filmat me temë nga e kaluara janë thembra e Akilit për kinematografinë shqiptare, i kanë bërë dhe i bëjnë me pikatore, ndërsa na kanë vërshuar temat e kota, me marrëzira e banalitete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok