Në Qendrën Kulturore “Bogdanipolis” në Prishtinë u promovuan librat “Në Dritën e Njohjes I dhe II” të Vilson Culajt

Shkruan: Lekë Mrijaj
Gjatë 15 viteve të fundit, kam pasur fatin dhe privilegjin ta ndjek nga afër rrugëtimin letrar të mikut tim të çmuar e shkrimtarit Vilson Culaj, pra, duke qenë dëshmitar i ndikimit të tij në kulturën shqiptare. Promovimet e librave të tij nuk janë thjesht takime letrare, por ngjarje monumentale, ku fjala e shkruar merr jetë, ku lexuesi dhe autori ndajnë një përjetim të përbashkët, duke krijuar një dialog të vazhdueshëm mes mendimit, ndjenjës dhe historisë.
Në çdo promovim të tij, nga Kosova në Shqipëri, kemi parë sesi letërsia e Vilson Culajt ka depërtuar në mendjet dhe zemrat e lexuesve, duke frymëzuar, reflektuar dhe pasuruar kulturën tonë kombëtare. Me veprat e tij, ai ka dëshmuar se letërsia shqiptare nuk është vetëm një formë shprehjeje, por një mision-një detyrim ndaj së vërtetës, një eksplorim i shpirtit njerëzor dhe një kujtesë e gjallë e historisë sonë.
Në krijimtarinë e tij të pasur, që përfshin romane, ese, poezi, monografi, kritikë e analiza, Culaj nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e ngjarjeve apo ndërtimin e personazheve, por e kthen çdo vepër në një reflektim të thellë mbi jetën, sakrificat, bukurinë dhe tragjedinë e ekzistencës sonë. E kam parë nga afër sesi fjala e tij prek çdo zemër të pranishme, sesi çdo analizë zgjon reflektime dhe nxit biseda të thelluara mbi artin dhe kulturën. Fjala e tij nuk mbetet vetëm në faqet e librit, por bëhet pjesë e përditshmërisë sonë—një dritë që na ndihmon të kuptojmë më mirë veten dhe botën përreth.
Duke reflektuar mbi këtë rrugëtim, ndiej se nuk kam qenë vetëm një vëzhgues, por edhe pjesë e këtij procesi, ku letërsia bëhet një urë që lidh brezat dhe një thirrje për të mos harruar rrënjët tona kulturore. Fjalët e shkrimtarit Culaj janë të jetuara dhe për këtë arsye do të mbeten pjesë e pandashme e kujtesës sonë letrare dhe shpirtërore.
Andaj, sot, më 22 shkurt 2025, në Qendrën Kulturore të Kishës Katolike “Bogdanipolis” të Prishtinës, në një atmosferë të ngrohtë letrare dhe intelektuale, u mbajt promovimi i dy librave më të fundit të shkrimtarit dhe studiuesit Vilson Culaj, “NË DRITËN E NJOHJES I dhe II”.
Kjo ngjarje kulturore mblodhi personalitete të shquara të letrave shqipe, studiues, profesorë, dashamirës të letërsisë dhe lexues të pasionuar, të cilët ndanë mendime dhe reflektime mbi veprat e autorit. Njësoj interpretimin e promovimit e bëri “Radio Maria” nga Kosova qe drejtohet nga d. Shtjefën Dodes. Në hapje të promovimit, moderatorja Alketa Gashi-Fazliu (moderatore e lajmeve të RTK-së) theksoi rëndësinë e këtyre veprave, të cilat, përmes analizave të thella dhe qasjes filozofike e historike, sjellin një pasqyrim të qartë të mendimit dhe hulumtimit letrar të autorit.
Fjalën e rastit e mbajtën studiues të njohur, të cilët vlerësuan kontributin e Vilson Culajt në pasurimin e kulturës dhe mendimit shqiptar. Panelistët pjesëmarrës dhe referues ishin imzot dr. Lush Gjergji, dr. Anton Gjuravçaj, prof. Maxhun Osmanaj, prof. Hajdin Morina, prof. Migena Atllati, prof. Bekim Kelmendi dhe prof. Alfred Beka. Ata e vlerësuan krijimtarinë e autorit si një thesar të rëndësishëm për studiuesit dhe lexuesit, duke theksuar analizën e thellë me të cilën autori trajton temat teologjike, filozofike dhe historike.
Interpretimin poetik të disa vargjeve poetike e bëri prof. Bekim Kelmendi, duke i dhënë një dimension të veçantë artistik këtij eventi letrar.
Në përfundim, autori i librave, Vilson Culaj, i falënderoi të gjithë të pranishmit, duke theksuar se letërsia dhe mendimi kritik janë shtylla të rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie të vetëdijshme dhe të avancuar.
Promovimi u përcoll edhe me disa pika artistike muzikore nga prof. Naser Dula dhe sopranoja Arta Jashari.