NË PËRVIJIMET E TANISHME BULLGARE-MAQEDONASE SHQIPTARËT DUHET TË KËRKOJNË BARAZI KUSHTETUESE!

0

– Në vend se të implikohet në çështjet identitare që u përkasin maqedonasve dhe bullgarëve, faktori politik shqiptar në Maqedoni, që deri me tash i ka anashkaluar apo manipulur kërkesat e drejta të shqiptarëve për barazi kushtetuese, duhet t’i rikthehet kodit të barazisë. Pra, të kërkohet barazi kushtetuese dhe assesi ligjore. Ndërsa, Shqipëria zyrtare, duhet të ketë kujdes, që me deklarime jodiplomatike, siç ishin ato të fundit të kryeministrit shqiptar në Bruksel, të mos bëhet e anshme në “kazanin ballkanik” në dobi të polit “serbo-rus”!

Nga Jusuf BUXHOVI

Kohëve të fundit, raportet midis Maqedonis së Veriut dhe Bullgarisë, nga ato të natyrës ndershtetërore, kanë zënë të kthehen në aso identitare, pak a shumë, mbi modelin e matricës politike të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur e ashtuquajtura “krizë e Maqedonisë”, e inskenuar qëllimisht nga Bullgaria, Serbia dhe Greqia për qëllime hegjemoniste të përvetësimit e tri vilajeteve në hapësirën europiane të Perandorisë Osmane (Kosovës, Manastirit dhe të Janinës, të shumtën të banuara me popullate shqiptare) në kuadër të shteteve të tyre nacionale.

Ndonëse realitetet e tanishme politike në këtë hapësirë, me krijimin e shteteve nacionale: Serbisë, Greqisë, Bullgarisë qysh në shekullin XIX dhe të Shqipërisë në shekullin XX dhe të Kosovës në shekullin XXI, përjashtojnë stereotipet e një krize për territore të vilajeteve osmane në formën e pushtimeve që do të vendoste raporti i forcave, siç ishte ai i krijuar gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitin 1912, megjithatë, spostimi i saj në çështje “identitare” të mbështetura mbi gjuhën dhe “historinë e përbashkët” të një etnie sllavofone të degëzuar mbi shtrirjen gjeografike (njëra pjesë në Bullgari dhe tjetra në Maqedoninë e Veriut), e përkufizuar në dy realitete shtetërore: atë të Bullgarisë nga vitit 1908 si dhe të Maqedonisë, si republikë në kuadër të Jugosllavisë së Titos (nga viti 1945-1991) kur me shpërbërjen e saj ajo do të shpallë pavarësinë, fillimisht si ish republika federale e Maqedonisë në Jugosllavi, mandej si Maqedoni, që më marrëveshjen e Prespës do të emërtohet Maqedoni e Veriut, prej nga ajo edhe do të zhvishet “nga identiteti i përvetësuar antik” rreth njëzetvjeçar për t’iu kthyer atij sllavofon, megjithatë lë për të kuptuar se çështjet e së kaluarës jo vetëm që nuk janë mbyllur, por ato, në forma të ndryshme, qoftë edhe te ndonjë “ridefinimi kulturor” e të ngjashme, mund të kthehen në tektonizma politike, që shpërndahen tutje “qendrës”, siç shfaqet ajo e sotmja midis Shkupit zyrtar dhe Sofjes rreth “identietit të përbashkët gjuhësor” e me këtë edhe “të historisë”, që doemos prek edhe faktorët tjerë rajonalë deri te përmasat gjeostrategjike.

Pa hy te çështjet e hapura identitare midis etnisë sllavofone të këtij rajoni (asaj bullgare dhe maqedonase) mbi emërtimin gjeografik dhe ndjesisë së tyre në rrethanat e ndryshme politike që përcaktuan edhe konfikgurime e tanishme shtetetërore qoftë edhe mbi platformën komb-shtet (në rastin e parë) dhe të asaj shtet-komb (në rastin e dytë) dhe të jurididikcionit të tyre ndërkombëtar, çështje këto që u takojnë atyre që t’i zgjidhin në përputhje me realitet e reja, megjithatë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si shtetas të saj, konfliktet “identitare” midis shtetit bullgar dhe atij të Maqedonisë së Veriut, pa u implikuar me asgjë në dimensionin e saj të brendshëm se çfarë përgjigje do t’i japin çështjes së gjuhës, të kulturës së përbashkët dhe dimensioni historik, pra që t’u iket çështjeve që implikojnë gjeopolitikën kur faktori shqiptar në rajon është bukur shumë i margjinalizuar dhe me anatemat që atë e lidhin me krimin e organizuar dhe islamin politik, duhet të shikohen vetëm nga prizmi shtetëror, që të mos prekën shtylla e tij të brendshme, meqë vetëm ashtu, duke u përjashtuar faktorët e jashtëm (serb dhe grek), ata dhe interesat e tyre mbesin në lojën që shtetit maqedonas ia kushtëzon ekzistencën.

Ky qëndrim konsekuent i faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pra që e gjithë çështja të vendoset në planimetrinë shtetërore, duhetë të sherbejë si shkas që në raportet midis Shkupit dhe Sofjes, por edhe ato ndërkombëtare (në kuadër të NATO-s dhe anëtarësimit në BE), të ngritët çështja e statusit të tyre në kuadër të Maqedonisë së Veriut si popull shtetformues, çështje kjo së cilës nuk i ka dhënë përgjigje as marrëveshja e Ohrit, për ç’gjë edhe shpërtheu edhe konflikti i armatosur i vitit 2001, e as ajo e Prespës. Përkundrazi, edhe në aktet e Ohrit, si dhe në ato të Prespës, përkundër përfaqësimit politik të shqiptarëve në jetën parlamentare dhe atë të strukturave qeverisëse deri në nivelet më të larta dhe të rritës së shkallës së tyre në institucionet shtetërore, nuk është arritur që shqiptarët, në përputhje me konceptin e qytetarisë të jenë qytetarë të barabartë të shtetit Maqedoni e Veriut. Sepse, krahas inercionit të kombit-shtet të politikës maqedonase, që në njëfarë mënyre është pranuar heshtas edhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe pasojave diskriminuese për shqiptarët etnik, klasa politike e dalë nga lufta e vitit 2001, përqendrimin tek arritja e barazisë, e ka zëvendësuar me ambiciet për përvetësime personale, gjithnjë duke u bërë pjesë shërbyese e shemave të strukturave maqedonase – zotëruese të krimit ekonomik. Akomodimi i shpejtë i politikanëve shqiptarë brenda për brenda strukturave kriminale me të zhytura në korrupcion, nepotizëm dhe kapje të resurseve ekonomike në nivelet vendore, ka ndikuar që interesat kombëtare, që e motivuan edhe kryengritjen e armatosur të vitit 2001, jo vetëm të anashkalohen, por edhe të shtrembërohen me anën e mashtrimeve të hapura, siç është ai i manipulimit të barazisë kushtetuese të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, jashtë formulimeve kushtetutë, me të ashtuquajturën bazi ligjore të gjuhës shqipe, si kategori e të drejtave elementare njerëzore (për çfarë nuk nevojiten as formulime të veçanta meqë ato nënkuptohen) tek “barazia ligjore”. Ky “standard”, shqiptarët si etni e vetme kulturore dhe historike nga antikiteti në këtë hapësirë, i kthen në pakicë nacionale, në minoritet, të drejtat e të cilit kushtëzohen me logjikën e numrave! Pra, aty ku ka mbi 20% të popullatës, mund të kërkohet “barazia ligjore”, në administratë, shkollim dhe jetë institucionale (mbishkrime lokale e të tjera). Dhe, aty ku kjo përqindje bie (siç ndodh tashmë me disa qytete shqiptare që gjithnjë e më shumë rrudhen nga faktori demografik po edhe nga dokuria e konvertimit të identitetit kombëtar në atë fetar), atëherë ata privohen nga “barazia ligjore” gjë që i pret asimilimi! Ky diskriminim kushtetues sot është fakt i pranuar nga përfaqësuesit politik të shqiptarëve kryesisht i atyre me “oreolin e luftës”!

Në këto, rrethana pra, hapja e çështjeve identitare apo çfarëdo midis Shkupit dhe Bullgarisë, që sipas propozimit francez nënkuptojnë edhe ndryshime kushtetuese, atëhetë ky rast i përshtatshëm, duhet shfrytëzuar, që doemos të përcillet edhe me vendosmërinë që në kushtetutën e shtetit shqiptarët të përcaktohen si popull i barabartë shtetformues, ndërsa gjuha e tyre si gjuhë kushtetuese. Të tjerat janë mashtrime dhe veprime që historia dihet se çfarë gjykimi u jep!

Realiteti i pabarazisë së shqiparëve në Maqedoninë e Veriut, gjithësesi duhet të brengos Shqipërinë zyrtare si dhe Kosovën. Por, jo në formën e deritanishme, të bllanko përkrahjes së shtetit maqedonas si faktor “stabilizues paqeje në rajon” edhe në rrethanat e kthimit të tyre në “dekor parlamentar” dhe “farsë demokratike” dhe as përkrahjes strukturave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, përgjegjëset kryesore të gjendjes diskriminuese të shqiptarëve në Maqedoni me statusin e pakicës dhe tendencat e asimilimit të hapur nga logjika e “barazisë së numrave”!

Kundruall këtyre realiteve, kur në nivelet ndërshetërore midis Shkupit dhe Sofjes ngritën çështje të tilla që prekin edhe raportet politike në BE (statusin e kandidatëve për anëtarësim), të cilin Bullgaria po mundohet ta shfrytëzojë si kartë për interesat e veta (siç ishte vetoja e paradoditshme në Këshillin e Europës, që pas pak edhe e tërhoq), politika zyrtare e Shqipërisë, nuk guxon të teregojë naivitet e as anshmëri të dëmshme, siç ndodhi me rastin e prononcimit të kryeministrit shqiptarë kur Bullgaria vuri veto ndaj hapjes së procesit të anëtarësimit të Maqedonisë. Ndonëse kjo nuk prekte statusin e Shqipërisë në këtë proces, kryeminsitri shqiptar, pa takt politik dhe diplomatik, hudhi breshëri ndaj Sofjes zyrtare, gjë që u bë i anshëm në gjithë këtë përvijim.

Qendrimet e tilla, në “kazanin ballkanik” doemos së përcillen me pasoja, veçmas kur dihet se, në këtë rast, ato kanë dy pole: atë serbo-rus në njërën anë dhe bullgaro-europian, në anën tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok