26/12/2024

NË PËRKUJTIM TË MEDLIN OLBRAJT

0
Madeleine-Albright

Medlin, Ti e dije se shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësi të posaçme, ngase ndaj tyre s’ishte bërë dot, kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. Ti luftove, për liri dhe drejtësi njerëzore. Prehu në shkëlqimin e dritës së amshueshme, në parajsën qiellore, aty pranë Beatriçes. Për kombin shqiptar Medlin, Ti je e pavdekshme.

Nga Xhelal Zejneli

Medlin Olbrajt (Madeleine Jana Korbel Albright, Pragë, 15 maj 1937 – 23 mars 2022) ishte politikane dhe diplomate amerikane. Lindi në një familje hebraike të Çekosllovakisë. E ëma Mandula (Anna Korbel, e lindur Spieglova, 1910-1989) dhe babai Jozef Korbel (Josef Korbel, 1909-1977), gazetar dhe nëpunës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekosllovakisë, ia dhënë emrin Madlenka Jana (Mari Jana Kerbelova). Për t’u shpëtuar përndjekjeve të nazistëve, familja e saj kaloi në katolicizëm. Madlenka u edukua si katolike. Në fillim të qershorit të vitit 1937 familja u vendos në Beograd, ku Jozef Korbel ishte caktuar zëdhënës në ambasadën e Çekosllovakisë. Në vitin 1937, Madlenka Jana Kerbelova, si foshnjë tremuajshe, bashkë me prindërit erdhi për pushime në Jelsi të ishullit Hvar në Kroaci.

Familja qëndroi në Beograd vetëm një vit, deri atëherë kur trupat e Hitlerit (Adolf Hitler, 1889-1945) hynë në Çekosllovaki. Vermahti gjerman invadoi Pragën. Për këtë arsye  Jozef Korbeli u shpërngul në Londër ku mori strehim politik. Aty qëndruan gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore. Pas kapitullimit të nazizmit, familja u kthye në Pragë.

Ndërkohë, Jozef Korbeli caktohet ambasador i Çekosllovakisë në Beograd, ku vendoset e tërë familja. Në shkurt të viti 1948, me rënien e kryetarit të Çekosllovakisë Eduard Benesh (Edward Benesh, 1884-1948), karriera e Jozef Korbelit si ambasador – përfundon. Pas kësaj, si përfaqësues i Çekosllovakisë, ai dërgohet në misionin paqësor të OKB-së, në Indi. Pas konfliktit midis Josip Broz Titos (1892-1980) dhe Josip Stalinit (1879-1924), Mandula Korbel me të dyja vajzat – Madlenkën dhe Katarinën, prej Beogradi shkojnë në Nju-Delhi, te babai. Përvojat e veta si ambasador në Beograd, Jozef Korbeli i paraqet në libër. Në vitin 1951 libri botohet edhe në Beograd.

Kur pushtetin në Çekosllovaki e morën komunistët, familja e saj përsëri u largua nga vendi. Tani vajtën në ShBA dhe u vendosën në Denver të shtetit federal të Kolorados (Colorado).

Në vitin 1955, Madlenka kryen në Denver shkollën e mesme. Në vitin 1959, diplomoi në Wellesley Collegeu. Studimet e doktoratës i kreu në vitin 1975 në Universitetin Columbia. Punoi si asistente e senatorit Edmund Buskie (1914-1996). Ndjek studimet ndërkombëtare në  Johns Hopkins University në Baltimor. Magjistron në Boston. Specializohet në temën e çështjeve politike të Evropës Lindore dhe bëhet profesoreshë e marrëdhënieve ndërkombëtare në shkollën diplomatike të Universitetit në Xhoxhtaun (Georgetown). Doktoron në lëmin e të drejtës shtetërore dhe të administratës në Universitetin Kolumbia (Columbia).

Në vitin 1959 Madlenka martohet me të dashurin e ditëve studentore Jozef Olbrajt (Joseph Medill Patterson Albright, 1937-). Tani e tutje ajo do të quhet Medlin Olbrajt (Madeline Albright). Burri i saj ishte një prej bashkëpronarëve të gazetës Washington Post.

Nga kjo martesë lindën tri vajza: Alice Patterson Albright, Katherine Medill Albright dhe Anne Korbel Albright. Martesa e tyre zgjati 23 vjet. U ndanë në vitin 1982. Pas ndarjes nga Medlin Olbrajti, Jozef Olbrajti (Joseph Albright) u martua me autoren Marcia Kunstel (1947).

Karriera politike – Në vitet 1976-1981 Olbrajti bëhet këshilltare apo asistente e profesorit të vet të Universitetit Kolumbia, dijetarit politik dhe gjeostrategut polak-amerikan Zbignjev Bzhezhinski (Zbigniew Brzezinski, 1928-2017), i cili në atë kohë ushtronte detyrën e shefit të Këshillit për Siguri Kombëtare të ShBA-së. Bzhezhinski ishte strateg i gjeopolitikës. Në vitet 1977-1981 ishte këshilltar për Siguri kombëtare i ShBA-së, në administratën e presidentit Xhimi Karter (James Earl “Jimmi” Carter, 1924-).

Pasi e la Këshillin e Sigurisë, Olbrajt u angazhua në Universitetin e Xhorxhtaunit (Georgetown), ku i këshillonte anëtarët e Partisë Demokratike për çështjet e punëve të jashtme.

Në vitin 1980 presidenti Xhimi Karter (Jimmy Carter) i humbi zgjedhjet presidenciale nga Ronald Regani (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004). Olbrajti mbeti pa punë. Pas dy vjetëve, më 1982, u nda nga burri. Duke qenë vetë në Uashington, i përkushtohet Partisë Demokratike. Në vitin 1992, gjatë presidencës së Xhorxh H. Bushit, plakut (George Herbert Walker Bush, 1924-2018), u mbajt mbrëmja vjetore guvernatore e demokratëve. Këtu Olbrajt takohet me guvernatorin Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1964 -), i cili po atë mbrëmje i ofron vend në shtabin zgjedhor të vet.

Pas fitores së Klintonit në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992, Olbrajt ndihmoi në formimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të tij. Në vitin 1993, Klintoni e emëroi ambasadore të ShBA-së në Kombet e Bashkuara. Në atë kohë, mbështeti ndërhyrjen ushtarake të ShBA-së në Somali.

Në vitet 1997-2001, pas fitores së dytë të Klintonit, emërohet sekretare e Departamentit të Shtetit (State Department). Në këtë detyrë e trashëgoi sekretarin e deriatëhershëm të Shtetit, Uorën Kristofer (Warren Christopher, 1925-2011). Ishte e para femër në ShBA në këtë detyrë. Me këtë rast, gazeta Time shkruan: “Emërimi i saj sekretare Shteti, rrënon bastionin mashkullor shekullor në State Department”.

Me t’u zgjedhur sekretare e Shtetit në vitin 1997, nga Çekosllovakia vërshuan komente  që u përhapën në publik. Vetëm tani Olbrajti mësoi se ka prejardhje hebraike. Një gjë të tillë prindërit nuk ia kishin bërë me dije. Historinë e familjes së vet Olbrajti e ka shkruar në librin “Dimri në Pragë”.

*   *   *

Në politikën e jashtme iu përkushtua procesit të paqes në Lindje të Afërt, zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me Kinën dhe me Rusinë. U angazhua për shtrirjen e NATO-s në lindje, për mospërhapjen e armëve bërthamore, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për zhvillimin e demokracisë në shkallë globale.

Mori qëndrim të fortë ndaj Sadam Huseinit (Saddam Hussein, 1937-2006) në Irak dhe ndaj Sllobodan Millosheviqit (Slobodan Milošević, 1941-2006) në Serbi.

Gjatë luftës në Kroaci kundër pushtuesve serbë, Medlin Olbrajt mbrojti tërësinë e tokave apo integritetin territorial të saj. U angazhua për heqjen e embargos për importin e  armëve, por në vitin 1994, gjatë luftës midis kroatëve dhe boshnjakëve (myslimanëve) në Bosnjë dhe Hercegovinë, Olbrajti shkoi në Zagreb dhe kryetarit të Kroacisë, Franjo Tugjman (Franjo Tuđman, 1922-1999) iu kanos me sanksione.

Në një takim me kryetarin e Rusisë, Vladimir Putin (1952-), midis tjerash Olbrajti kritikoi politikën ruse në Çeçeni. Më 7 tetor 1998, u takua me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu (Benjamin Netanyahu, 1949-) dhe me liderin apo kryetarin palestinez Jaser Arafat (1929-2004).

Për ta parandaluar dhe për t’i dhënë fund masakrës dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve,   në vitin 1999 Medlin Olbrajt u angazhua për operacionin e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Në vitin 2001, ministri gjerman i Punëve të Jashtme Joshka Fisher (Joschka Fischer, 1948-), për Olbrajtin thotë: “Medlin Olbrajt është një personalitet politik fascinues (ngashënjyes)”

Olbrajti kritikoi Luftën në Irak (2003-2011) duke e cilësuar si: “katastrofë më e madhe e politikës së jashtme të ShBA-së, më e madhe se ajo në Vietnam”. Torturat ndaj ushtarëve irakianë në burgun Abu Graib, thotë Olbarjti, e kanë rrënuar në mënyrë serioze reputacionin dhe demokracinë e ShBA-së.

Medlin Olbrajt ua çeli rrugën femrave në funksionet politike. Me një rast deklaroi: “Në ferr ka vend për ato femra të cilat nuk u ndihmojnë femrave të tjera”. Përkundër dallimeve politike, Medlin Olbrajt kishte raporte të mira me sekretaren e ardhshme të Shtetit Kondoliza Rajs (Condoleezza Rice, 1954).

Në fushatën presidenciale të vitit 2006, Medlin Olbrajti mbështeti Hilari Klintonin (Hillary Diane Rodham Clinton, 1947-). Pas humbjes së zonjës Klinotn, Olbrajti nuk i kurseu kritikat ndaj presidentit Donald Tramp (Donald John Trupm, 1946-). Në prill të vitit 2020 ajo tha se Trampi është i paparashikueshëm. Fitoren e Xho Bajdenit (Joseph Robinette Biden, Jr., 1942-) e priti me kënaqësi.

Për amerikanët, Olbrajt krijoi termin “komb i pazëvendësueshëm”.

Përpos anglishtes dhe çekishtes, Olbrajt fliste edhe frëngjisht, rusisht dhe polonisht. Manipulohet se paskësh ditur edhe serbisht. Si sekretare e Shtetit, udhëtoi në shumë shtete të botës. Emërimi i saj si sekretare Shteti, në Evropë u prit pozitivisht ngase ngjalli shpresa se do të tregojë një interesim të posaçëm për Evropën qendrore dhe Lindore si dhe për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Medlin Olbrajt u shpall Doctor honoris causa i Universitetit të Uashingtonit dhe i Universitetit Uinipeg (University of Winnipeg).

Pas pensionimit, e mbështeti presidentin amerikan Barak Obamën (Barack Obama, 1961-). Në ekipin e tij këshillimor për politikë të jashtme, themeloi firmën këshillimore globale “Albright Stonebridge Group” dhe ligjëroi në Universitetin e Xhorxhtaunit (Georgetown University). Më 29 maj 2012, Obama e dekoroi me “Medaljen e lirisë”.

Vdiq nga kanceri, më 23 mars 2022, në moshën 84-vjeçare, e rrethuar prej familjarëve dhe miqve. Lajmin e bëri të ditur CNN-i.

*   *   *

Shqiptarët dhe Olbrajti – Në cilësinë e sekretares së Shtetit, Olbrajt u zotua për ta parandaluar dhunën serbe në Kosovë. Me përpjekjet e saj të jashtëzakonshme u organizua  Konferenca e Rambujesë (Rambouillet) që u mbajt në afërsi të Parisit, më datë 6 deri 23 shkurt 1999. Më 14 shkurt 1999, zonja Olbrajt u takua me delegacionin shqiptar, të kryesuar nga Hashim Thaçi (1968-).

Për ta parandaluar krizën humanitare të shqiptarëve, eksodin e përmasave biblike, vrasjet e fëmijëve, përdhunimet dhe gjenocidin serb mbi shqiptarët, Olbrajt u angazhua për operacionin e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe në Serbi. Në saje të luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe falë angazhimit të saj, përkatësisht të Uashingtonit, më 12 qershor 1999, Kosova u çlirua nga kolonializmi serbomadh.

Në luftën e Kosovës, u dëbuan forcërisht prej shtëpive të veta 848.000 shqiptarë, u vranë 10.794 shqiptarë, prej tyre 1.133 fëmijë, prej rreth 5.000 shqiptarëve të zhdukur, 1.227 shqiptarë ende figurojnë si të pagjetur, 529 varreza masive, përfshi edhe varrezat masive në Serbi, rreth 20.000 femra të përdhunuara, përkatësisht viktima të dhunës seksuale, 1200 prej tyre figurojnë me emra e mbiemra. Për dëmet materiale të mos bëjmë fjalë. Kryerës të krimeve të sipërthëna janë: ushtria serbe, policia serbe dhe paramilitarët serbë, përfshi edhe mercenarët që luftuan në radhët e paramilitarëve serbë.

*   *   *

Më 12 qershor 2004, në 5-vjetorin e Ditës së Lirisë, Kosova e nderoi  Olbrajtin me “Medaljen e Artë të Lirisë”. Dekoratën ia dorëzoi kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova (1944-2006). Shumë vajza në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare, për dashurinë ndaj saj, e mbajnë emrin e Medlin. Më 11 shtator 2018, një prej shesheve kryesore të Prishtinës u emërtua me emrin e saj. Më 12 qershor 2019, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës u përurua në Prishtinë busti i Olbrajtit. Në disa nga këto manifestime ishte e pranishme edhe vetë Olbrajti bashkë me presidentin, përkatësisht ish-presidentin Bill Klinton.

*   *   *

Medlin, Ti e dije se shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësi të posaçme, ngase ndaj tyre s’ishte bërë dot, kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. Ti luftove, për liri dhe drejtësi historike. Prehu në shkëlqimin e dritës së amshueshme, në parajsën qiellore, aty pranë Beatriçes. Për kombin shqiptar Medlin, Ti je e pavdekshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok