14/10/2024

Zgjedhjet historike të 22 Marsit 1992

0

– Pas 48 vjetësh dominim të Partisë së Punës, PD-ja arriti të kryesonte në zgjedhjet e parakohshme

Nga Albert Z. ZHOLI

-Në këto zgjedhje një parti politike fitoi një mandat qeverisës me më shumë se 1 milionë vota ku bashkë me aleatët që iu bashkuan qeverisjes, mbështetja elektorale i kalonte 1.2 milionë vota.

Në mars të 1991-it u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste. Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH) nuk arriti të fitonte shumicën në parlament. Këto zgjedhje parlamentare u dekretuan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Pas zgjedhjeve, u krijua qeveria afatshkurtër Nano. Vrasja e katër demonstruesve në Shkodër dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve, pasoi në greva të përgjithshme të Sindikatave të Pavarura (BSPSH), që filluan më 15 maj 1991 dhe shkuan deri në grevë urie. Mbledhja e 3 qershorit të 1991-it do të shënjonte ardhjen në pushtet të një qeverie koalicioni. Pas ditësh bisedime, partitë politike vendosën që qeveria të jepte dorëheqjen, duke i kërkuar Presidentit të Republikës emërimin e një kryeministri të ri nga Partia e Punës. Ndërsa zgjedhjet e reja do të kryheshin në periudhën maj–qershor 1992, anëtarët e qeverisë duhej të shkëputeshin nga partitë e tyre dhe të mos formonin parti të reja politike.

Çfarë rezervuan zgjedhjet e parakohshme?

22 marsi i 1992-it do të mbahet mend gjatë në radhët e Partisë Demokratike (PD). Pas 48 vjetësh dominim të Partisë së Punës, PD-ja arriti të kryesonte në zgjedhjet e parakohshme. Ajo fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament. Në këto zgjedhje, Partia Demokratike nuk garoi e vetme, por duke krijuar një koalicion me Partinë Republikane dhe Partinë Social Demokrate. Zgjedhjet u fituan bindshëm nga Partia Demokratike me 62.08% të votave (92 vende). Partia Socialiste arriti vetëm 25.70% (38 vende), Partia Social Demokrate 4.30% (7 vende). Ky moment ishte historik për Shqipërinë. Partia e Punës nuk do të ishte më në krye të qeverisjes së vendit. Partia Demokratike, si forcë e parë, ndryshoi kursin e politikës. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së në atë kohë, Partia Demokratike mori 1,046,193 vota, ose 57%, e përkthyer kjo në 92 mandate deputetësh. Nga ana tjetër Partia Socialiste edhe pse ishte organizatorja dhe kishte në dorë të gjithë instrumentet e pushtetit, veçanërisht policinë dhe strukturat aktive të ish-Sigurimit të Shtetit që kanë bërë presion të jashtëzakonshëm mbi votuesit, mori më pak se gjysmën e votave të PD-së; 433,602, ose 23.7% të votave në total të përkthyera këto, në 38 deputetë.

Vetëm për dy vota PD-ja nuk arriti të kontrollojë dy të tretat e parlamentit, prag ky që i duhej domosdoshmërisht për të ndërmarrë reformat jetike kushtetuese dhe institucionale, që do ta fusnin vendin në rrugën e demokracive europiane. Pikërisht për këtë Partia Demokratike u detyrua të lidhë marrëveshje koalicioni me Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit, të cilit i dha Ministrinë e Kulturës dhe disa poste të niveleve të dyta në administratë. Por vetëm pas dy vitesh, në 1994, PSD që kishte 7 deputetë do të kthehej në shtratin e saj të ish-partisë së Punës, duke braktisur koalicionin me rastin e miratimit të kushtetutës së re. Pas votimeve të 22 marsit 1992, themeluesi dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u zgjodh President i Republikës, kurse kryeministër Aleksandër Meksi. Po ky parlament zgjodhi në krye të tij një ikonë të përndjekjes komuniste, Pjetër Arbnorin. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 22 qershorit të vitit 1992, nuk kishte të bënte vetëm me fitoren e një partie, që kishte dalë nga protestat e studentëve. Protagonistë të kësaj fitoreje historike që ngriti siparin për historinë e re demokratike të vendit ishin të gjithë qytetarët, të etur për rrugëtimin drejt Europës, madje edhe ish-anëtarët e Partisë së Punës.

Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje historike, ashtu si edhe sot kishte 140 deputetë, 100 u zgjodhën direkt nga populli, ndërsa 40 të tjerët nga lista e proporcionalit kombëtar të korrektuar.

Entuziazëm në “shtëpinë e PD-së”

Në mëngjesin e 23 marsit 1992, situata në selinë e PD-së ishte tejet entuziaste. Mbështetësit e kësaj partie u drejtuan në sheshin “Skënderbej” në një miting spontan. Në mbrëmje, Ambasada Amerikane organizoi një koktej, ku për herë të parë kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë shtypi prezantoi programin e tij. Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 22 qershorit të vitit 1992, nuk kishte të bënte vetëm me fitoren e një partie që kishte dalë nga protestat e studentëve. Protagonistë të kësaj fitoreje historike që ngriti siparin për historinë e re demokratike të vendit ishin të gjithë qytetarët, të etur për rrugëtimin drejt Europës, madje edhe ish-anëtarët e Partisë së Punës. Parlamenti i dalë nga këto zgjedhje historike, ashtu si edhe sot kishte 140 deputetë, 100 u zgjodhën direkt nga populli, ndërsa 40 të tjerët nga lista e proporcionalit kombëtar të korrektuar.

Por..

E habitur nga dalja në opozitë pas 47 vitesh, PS si trashëgimtarja e PPSH, e pranoi disfatën dhe përmes organit të saj zyrtar “Zëri i Popullit” e uroi PD për fitoren:“Populli verdiktin e dha, PD përballë provës historike për të përmbushur ato shpresa dhe ato premtime, që i dhanë fitoren e bujshme. Do të qëndrojmë në opozitë dhe do të luftojmë për një përfaqësim dinjitoz në Kuvendin Popullor”,– deklaronte kryesia e PS nëpërmjet faqeve të gazetës. Rotacioni paqësor nuk u respektua, pavarësisht disa ankesave nga PS, për presione dhe manipulime nga ana e PD në disa zona zgjedhore. Por shqiptarët ishin të traumatizuar nga kriza e rëndë ekonomiko-sociale nga ku kishin dalë, dhe kishim pak durim për reformat e dhimbshme që kërkonte tranzicioni drejt ekonomisë së tregut. Liberalizimi i çmimit të disa produkteve ushqimore, ngriti në stratosferë çmimet brenda disa javësh, përfshirë dhe atë të bukës, dhe kjo u reflektua vetëm 4 muaj më vonë, kur PD humbi thellë në zgjedhjet lokale të 26 korrikut. Pikërisht këtu nis edhe degradimi i PD si forcë politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok