23/12/2024

Në mbështetje të refleksionit “Papërgjegjshmëri Politike” të Uran Butkës

0
u6_Vilhelme-Vrana-Haxhiraj

“Uran Butka do të bënte mirë të “peshkonte” historianë nacionalistë dhe duke e vënë Institutin e tij në shërbim të tyre, t’i hynte punës për hartimin e Historisë së vërtetë të Shqipërisë” Prof. dr. Eshref Ymeri

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Falënderoj dhe përgëzoj z.Uran Butka për këtë ballafaqim të së vërtetës historike dhe jam plotësisht në një mendje me të. Z.Uran kërkon drejtësi në shkrimin e botimit të ri të Historisë, por Drejtësia e një kombi nuk blihet me para dhe as dhurohet nga politikanët”.Drejtësia është e barasvlertë me lirinë e shpirtit të cilën e vendos vetëm i virtytshmi(Vivra*). Këto dy citate vlejnë më shumë se kudo, në përpilimin e një historie reale të kombit.

Deri tani nuk isha prononcuar përsa i përket përgatitjes që po bëhet për  Rishkrimin dhe botimin e një Historie të re të Shqipërisë.  nuk më pëlqeu ekipi që do të hartojë historinë, pasi disa prej tyre mbajnë përgjegjësi morale dhe politike ndaj historisë së Shqipërisë dhe mbrojtjes së identitetit  kombëtar. Madje punën “studimore” të cunguar dhe të tjetërsuar në hartimin e historisë, do ta quaja krim dhe tradhti ndaj kombit. Sot kur lexova refleksionin  e z.Uran Butka, mësova të vërtetën e tekstit të historisë, në hartimin e të cilit historishkruesit nuk heqin dorë nga Realizmi Socialist, nga Lufta e Klasave që ende po u bëjnë shqiptarëve, duke i ndarë me një hendek të thellë në dy grupime, pro parti dhe kundër saj, ose në armiq dhe atdhetarë. Po çfarë atdhetarësh e quajnë veten këta “historianë” që i përçajnë shqiptarët, duke u injektuar urrejtjen dhe hakmarrjen ndaj njëri-tjetrit?  Lufta brenda llojit është më e keqe se ndaj armikut, të cilit di si t’i ruhesh. Po si të ruhesh kur të shkon ujin nën rrogooz vëllai i një race, i një gjaku, i të njëjtave gjene, me të njëjtat tradita dhe që flet të njëjtën gjuhë?!

Sot ky ekip që duhet të ishte i paanshëm, pa ndikime politike,  po nëpërkëmb  Personalitetin “Mit’hat Frashëri, një Elitë e Mohuar, të birin e atdhetarit të madh, “Abdyl Frashëri” dhe pinjoll i familjes së madhe atdhetare “Frashëri” që  nxori vetëm elita kombëtare, Rilindasit, të cilët udhëhoqën Rilindjen Kombëtare.  A nuk e kuptojnë këta dritëshkurtër dhe mendjeshterpë se, me Historinë  e Shqipërisë apo Historinë e letërsisë shqiptare po bëjnë të njëjtat gabime të para viteve ’90,?! A nuk i vret sadopak ndërgjegja për brezat që do të mësojnë një histori kombëtare të gënjeshtërt, të cunguar, të tjetërsuar dhe të politizuar, mbushur me mllefe dhe urrejtje klasore?

Historinë e bëjnë njerëzit, ndaj nuk është ideale, por mbështetet në të vërtetat historike. Që të shkruhet një histori reale, duhet të mbështetemi në katër element, faktet ose ndodhitë (ngjarjet), vendngjarjet, koha e zhvillimit të ngjarjeve dhe personat që kanë marrë pjesë në to.

Përsa i përket Rishkrimit dhe Rishikimit të Historisë së Shqipërisë kam shkruar artikullin me temë, “Rishkrimi i historisë është identitet kombëtar“(Standard, 11-9-2007), madje  e kam vënë theksin për rishkrimin e një historie të plotë dhe reale. Asnjë tekst historie nuk është i pranueshëm, nëse nuk mbështeten në fakte dhe dokumente reale historiko shkencore.

“… Pa analizuar të shkuarën, pa ndërtuar të sotmen mbi gabimet e saj, e ardhmja kombëtare mbetet dilemë…  Ndaj Historia duhet të shkruhet me paanshmëri dhe pa ndikime politike… pa lënë pas dore asnjë epokë të saj,”

Sot në letërkëmbimet me miqt e mi të letrave, lidhur me shkrimin e z. Butka, më erdhi dhe një mesazh nga Prof.Dr.Eshref Imeri, personalitet i kulturës gjuhësore, frazeolog i shquar dhe analist i politikave të sotme ndërballkanike, i cili shkruan:

“…nuk ka si ndodh ndryshe se, në dhjetor1990, komunizmi nuk u përmbys, thjesht u zëvendësua me neokomunizëm, prandaj do të vazhdojnë të na serviren xhevahiret e demoshëmtisë dhjetoriste. Sepse kryekrimineli Hoxha punoi me një perspektivë afatgjatë për rrënjosjen e thellë të psikologjisë komuniste, çka solli si pasojë që në dhjetor, 1990, të mos ekzistonte një shtresë-përfaqësuese e së djathtës së vërtetë nacionaliste, pinjollët e së cilës ishin dergjur burgjeve, kampeve të internimit apo qenë pushkatuar. Më tej prof.Eshrefi vazhdon: “Uran Butka do të bënte mirë të “peshkonte” historianë nacionalistë dhe duke e vënë Institutin e tij në shërbim të tyre, t’i hynte punës për hartimin e Historisë së vërtetë të Shqipërisë.”

Jam plotësisht dakord me Prof.dr.Eshref Ymerin.

Paska qenë e shkruar që siç na kanë ndarë në dy grupime të kundërta, kështu do të shkruhen dhe dy histori, njëra do të përshkohet nga filli i kuq marksist -leninist, kurse tjetra, e të padëshiruarve,  do të jetë reale, e cila do të mbart të mirat dhe të këqijat e kombit.

Zotërinj studiues, kush punon, edhe gabon.  I detyruar apo me dashje, këtë e di ndërgjegja e secilit historian.  Një komb, gjatë historisë së tij nuk ka vetëm suksese, por njeh mossuksese dhe gabime. zotërinj, historianë dhe studiues, faktet historike janë të dokumentuara, ndaj ejani  ta ndreqim pa anashkalime, pa përjashtime apo dallime klasore, vetëm të ribëhet një histori reale e kombit.

Me një histori të vërtetë faktike e shkencore, ne do të  jemi në gjendje të ballafaqohemi me fqinjët që na kanë rrëmbyer identitein kombëtar, autoktoninë dhe lashtësinë e gjuhës shqipe.

Histotria e kombit shqiptar, më të lashtit në Evropë, nuk fillon as me Ilirët, as me  Skënderbeun, as me Pavarësinë Kombëtare, as me vitin 1944 dhe as me vitin 1990. Historia e kombit tonë nis me Pellazgët, vazhdon me ilirët, arbërit dhe shqiptarët. Vetëm kur të përshkruhen të gjitha epokat hisorike që nga neoliti e deri më sot, pa ndikime politike, pa ideoologji dhe pa urrejtje klasore, atëherë do të kemi një histori Reale të Shqipërisë që do ta ketë zili bota e kulturuar .

Në librin tim studimor “Krahina Autoktoone e Shqipërisë Jugore, Enigma e Shekujve”, kam ngulnuar që Akademia e Shkencave të Shqipërisë të bëjë ballafaqimin e Historisë së Shqipërisë që nga prehistoria, me Historinë Antike të Greqisë dhe të Serbisë. Meqë kam trokitur në portë të shurdhët, ne shqiptarëve na duhet të ballafaqojmë një histori reale të përgatitur nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” me tekstin neokomunist  të historisë që po përgatit Akademia e Shkencave.

ps:Vivra: Vilhelme Vrana

Vlorë më, 31.maj,2021

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok