14/12/2024

Në Lezhë, aty ku pesë shekuj histori katandisen në nevojtore publike

0
Vataj-Lezha

DENONCIM

Nga Albert Vataj

Këto fragmente muresh i përkasin Katedrales së Shën Nikollës, e cila ka privilegjin të gëzojë rëndësinë e veçantë të kujtesës sonë historike, jo vetëm për Kuvendin e Lezhës që zhvilloi punimet në këto gurë e mure, duke arritur të vetmen besëlidhje të arbërve në histori, më 2 mars 1444,  por edhe si vendvarrim i Gjergj Kastriot – Skenderbeut. Kjo katedrale me themele të hedhura në shekullit XIV, në shekullin XVII u shndërruar në xhami, dhe… në shekullin XXI u katandis në nevojtore publike, fragmentet e hershmërisë së saj, aty, aty pasgurëve e pasmureve, ku fshehim të pasmet prej ndërgjegjes që na bën me turp dhe fajtor të gjithëve.

Në vizitën e kësajhershme në Lezhë, zgjodha ta vizitoj varrin monumental të Skënderbeut, duke hyrë nga pjesa jugore e këtij kampusi me vlera të jashtëzakonshme historike. Preferova të eci nëpër ato gurë; ku kanë rendur njerëzit dhe koha, të preki ato mure, ku është strehuar e shkuara dhe kujtesa e së tashmes. U magjepsa dhe u trishtova! U patakta ndërsa po rrekesha të përjetoja në një çast përvëlie gushti, pesë shekuj histori të këtyre gurëve dhe mureve, të cilat ia kishin dalë të mbijetojnë, për të na treguar udhën kah erdhëm, por pa mund të na udhërrëfejnë shtegun kah të dalim nga një përgjegjësi e pamjaftueshme për ta trajtuar dhe mbrojtur memuarin e këtyre mureve, themelet e asaj kujtese, që i thërret gjeneratat në kushtrim dhe vetëdije.

Nuk më shqetësoi dhe aq mungesa e mirëmbajtjes së atyre mureve, të cilat kombet e qytetëruara i veshin me xham dhe lavdi, i mbrojnë me përkujdesje dhe respekt, i promovojnë si thesare dhe krenari kombëtare, për të treguar se meritojmë të jemi pasardhës legjendarësh, se sa lënia e tyre në mëshirë të keqtrajtuesve. Nëse bota u alarmua se barbarët fundamentalistë shkatërruan vlera antikiteti në disa vende të Lindjes së Mesme, në përpjekjen dëshpëruese për tu hakmarrë ndaj kulturës dhe kujtesës, çfarë mund të themi ne këtu, në zemër të Evropës, kur këto asete të jashtëzakonshme shpërdorohen deri aty sa kthehen në nevojtore publike. Po, po, në nevojtore.

Vendi ku kujtesa historike flet me zë të lartë dhe krenari sublime, aty njerëzit e qytetërimit modern kryejnë nevojat personale, ndoshta në një rrethanë jo fajësuese për ta, por përgjegjëse për secilin nesh që ka aspirata dhe konsiderim civilizuese, përtej nacionalizmave fars të rrjeteve sociale dhe butaforisë së vetëmburrjes narcizite.

Nëse dikush do të kishte guximin të më thoshte këtë të vërtetë të hidhur, se si pasmureve mesjetare të një gurëthemeli të rëndë historik i shërbejnë komoditetit të një intimiteti nevoje personale, mosbesimin do ta mbroja me grushta dhe fanatizëm konservator, por kur këtë spektakël turpi dhe poshtërimi e pash me sy, nuk më mbeti vetëm se të revoltohem dhe të ulem për ti dhënë zë kësaj ububushmërie, kësaj zemërate, këtij rebelimi.

Ngushëllova ato gurë dhe mure, të cilët u mbetet të mbajnë ngarkuar, jo vetëm kujtesën historike por edhe papërgjegjshmërinë e një shpure mercenarësh politik, që mbajnë jo vetëm të uzurpuar institucionet, por lejojnë që t’i bëhen urë një përdhosjeje që i bën ato fajtor.

Respekti ndaj të shkuarës nuk është thjeshtë një detyrim, por edhe një mundësi për ta shndërruar atë në kapacitetet të jashtëzakonshme të zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe manifestimit të këtyre vlerave të rralla, para brezit të ri, njëjt edhe para vizitorëve të huaj, atyre që kanë mirësinë të shprehin interesim për historinë tonë, ndoshta më shumë se vetë institucioneve që i kanë këto mure dhe këto gurë në evidencat e përgjegjësive materiale.

Nuk mund ta imagjinoj se si, vlera të tilla që sfidojnë epoka, qindravjeçarë, ndryshesa dhe kapërcyelle, me të njëjtin zjarr pasioni dhe përkushtimi, si çdo zakonshmëri që përfiton vëmendje dhe interesim, para dhe jargavitje propagandistike, të katandiset në një gjendje të tillë denigruese. Qindra vite kujtesë dhe histori të mbrujtura me një zell transformues të kohës, ndoshta nuk ishin përgatitur të zhvleftësohen në thjeshtë gurë, duke u lënë në mëshirë të shpërdorimit publik.

Zotërinj të pushtetit, të historisë dhe monumenteve, kujtesa jonë nuk ka nevojë për mëshirë, por për aftësi menaxhuese dhe vizion administrimi të atyre thesareve, të cilët ashtu siç ia kanë arritur të mbijetojnë kohës, do të mund t’ia dalin të sfidojnë edhe të tashmen.

Nuk është asnjëherë vonë për të ndryshuar gjendjen, për të bërë gjënë e duhur, me kosto dhe përpjekje modeste, por me përkushtim dhe dashuri që tejkalon detyrën, sespe ato gurë dhe ato mure janë monumente të kujtesës, janë artefakte të historisë, është ai thesar, me të cilin u shpërblyem  dhe duhet ti meritojmë, është ajo çfarë koha na la bekim, në duart e lutjeve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok