21/12/2024

NË KISHËN E LASHTË TË RUBIKUT

0
Visar-Zhiti

Nga Visar Zhiti

Duket që nga larg në shkëmb, misterioze si shpirt i shkëmbit mbi ujrat e luginës së  Fanit dhe autostradēs si një tjetër lumë i ri…

Është e shekulli XI, përmendet që në vitin 1166, kuvend françeskan, manastir, abaci benedikte, njihet me emrin “Kisha e t’Shëlbuemit”. Me projektin e At’ Gjergj Fishtës arkitekt u rikonstruktua, mbi muret e vjetër u ngritēn të tjerë si gjeneratat…

Dua të shkoj patjetër, i them Tonin Nikollës, ngjitemi, ma kthen ai, dhe pastaj bujtim në shtëpinë time pastaj.

Dalim nga makina, ndërsa ai tregon me dashuri dhe dhimbje për vendlindjen, ndërkaq ka studiuar dhe në Itali dhe në Spanjë për teologji, dhe është ende djalosh, ecim rrugës me kalldrëm, që na çon lart, edhe si metaforë. Janë po ata gurë, që mbajnë mend dhe hapat e At’ Gjergj Fishtës, këtu filloi ai si frat dhe shkruante ndërkohë veprën “Juda Makabe”, e di. Në kuvend rrinte edhe At’ Shtjefen Gjeçovi, këtu te këto rrënoja, që kanë qenë repart ushtarak, ka përfunduar disa nga krerët e Kanunit madhështor të Lek Dukagjinit. Edhe etnologu e dijetari At’ Bernardin Palaj këtu shërbeu, edhe piktori At’ Leon Kabashi, ai që bëri afresket e Kishës dhe të shumë kapelave në Shkodër. Po këtu ishte dhe prifti austriak, Fabian Barcata, që shkruajti romanin “Lule”, një histori dashurie dhe ditari i tij për jetën parake mirditore…

Por nuk më lë uzinen e braktisur e Rubikut, e shoh nga lart, nga livadhi i kishës, në atë uzinë vinte me kamionat varg piriti dhe bakri që nxirrnin të burgosurit nga miniera pas e Spaçit, aliazh, kishte përzierje floriri, thoshim në burg, ishte gjaku ynë… Po, e di, vazhdon Tonini, ka punuar dhe im atë në atë uzinë, i kontrollonin 3 herë si të burgosurit, kur dilnin nga puna punëtorët…

Ç’u bë gjithë ai flori? Ishte për “Bllokun”, thuhej në burg, vinte djali i diktatorit në uzinë si sipërmarrës, si pronar, thuhej…

E sigurtë është floriri, që aq sa dilte nga mushkritë e zeza të minierës, dilte dhe nga mushkëritë e të burgosurve… Ku është floriri i tyre, kush e vodhi? Të paktën demokracia shqiptarë sot, nëse është, të ruajë floririn e idealeve të tyre, të qëndresës dhe moralit. Kujtoj prifterinjte e burgosur në burg, si ikona…

Nesër jo shumë larg burgut të dikurshëm, në Katedralen e Rrëshenit do të këtë një meshë me Ipeshkvin, Imzot Gjergj Meta, mikun tonë. Por ka ardhur ta celebrojë nga Selia e Shenjtë Shkëlqesia e Tij, Monsinjor Paul Richard Gallagher, ai është Ministri i Jashtēm i Vatikanit. Më është dashur ta takoj, punë pune, e quaj fat. Dhe lindi adhurimi. E kujtoj me nderim. Emblematik. Vizitë historike kjo e tij në Rrëshen. Dhe mua më thirrën të vij shpirtrat e bashkëvuajtësve të mij në burg, të martirëve…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok