14/10/2024

Nga Frank Shkreli
Si rradhë herë, java e parë e Tetorit ishte një javë e ngjeshur me aktivitete të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, si në kryeqëndrën e saj ashtu edhe në rajon. Në Bruksel, zhvilluan këtë javë bisedime dy-ditëshe, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës Perëndimore, duke u fokusuar – sipas një njoftimi të NATO-s për medien — në adaptimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të masave ndaj veprimeve provokuese, në rritje e sipër, nga ana e Rusisë, si dhe ndaj gjëndjes jo-stabile në krahun jugor të Aleancës. Ndërkaq, gjatë këtyre aktiviteteve të NATO-s, duhet venë në dukje edhe vizita, këtë javë, në Moskë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe takimi i tij me Presidentin rus, Vladimir Putin, ku përveç Kosovës, u bisedua edhe për zgjërimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit. Presidenti i Serbisë, citohet nga Zëri i Amerikës t’i ketë premtuar Putinit se, “Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i ka thënë ai presidentit rus, i cili dihet se nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjërimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.
Megjithë deklaratën e Presidentit serb në Moskë, NATO ka njoftuar se, këtë fund jave, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg do të bëjë një vizitë treditore në Beograd ku do të takohet me udhëheqsit më të lartë të Serbisë dhe njëkohsisht do të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët, të organizuar nga NATO dhe Ministria serbe e mbrojtjes.
Ndërkaq, t’i kethehemi mbledhjes ministeriale në Bruksel, ku njoftohet se kontributi i dy përqindshit për buxhetin e NATO-s nga vendet anëtare, ishte gjithashtu një ndër pikat që u diskutua në mbledhjen ministeriale të kësaj jave. Ndërkohë që citohet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të ketë thënë se Aleanca po, “Shënon përparim” në këtë fushë, duke shtuar se,”ky është viti i katërt me radhë që është shënuar një rritje të shpenzimeve ushtarake” në radhët e vendvee anëtare të Aleancës.
Në bisedimet e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel — theksohet në njoftimin për media — shefat e mbrojtjes të vendeve aleate, nënvijuan shqetësimet e tyre mbi sjelljet e Rusisë në rajonin euaroaziatik si dhe mbi sistemin e ri të raketave të Rusisë, e të cilin Sekretari Stoltenberg e cilësoi si një masë “destabilizuese” dhe si e tillë ka thenë ai, paraqet një “rrezik serioz ndaj sigurisë tonë.” Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, në takimin e tyre në Bruksel, mësuan gjithashtu edhe për sulmin kibernetik – që u parandalua nga Holanda me ndihmën e Britanisë së Madhe — të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse kundër Organizatës së NATO-s për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë të Holandës. Sekretari Stoltenberg ka thënë se NATO, në përgjigje të këtyre sulmeve ruse, do të ndërmarrë masat e nevojshme për të përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve të tilla kibernetike, ashtu që sipas tij, organizata që ai drejton, “të jetë aq e fuqishme edhe në hapësirën kibernetike, ashtu siç është edhe në tokë, det e ajër.”
Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thuhet se Aleatët në NATO mbështesin vendimin e qeverive holandeze dhe britanike për të venë në dukje përpjekjet e pa diskutueshme të Rusisë për të minuar ligjet dhe institucionet ndërkombëtare. “Rusia,” ka thënë ai, “duhet tu jap fund këtyre sjelljeve të papërgjegjëshme dhe të rrezikshme, përfshirë përdorimin e forcës kundër fqinjve të saj, përpjekjet e saja për të ndërhyrë në proceset zgjedhore të vendeve të ndryshme, si dhe fushatat e gjithanshme për të përhapur dezinfomacion”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ndërkaq, në një takim të Ministrave të Mbrojtjes me Komisionin e përbashkët NATO-Gjorgjia, ministrat shprehën shqetësimin e tyre rreth rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin e Detit të Zi dhe ranë dakort që të bashkpunojnë në prëballimin e sfidave të sigurisë rajonale, thuhet në një njoftim të NATO-s.
Ndërkaq, në mbledhjen e Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, mori pjesë natyrisht edhe Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në portalin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë thuhet se shefja e këtij dikaestri — në mbyllje të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ka propozuar që një prej Ministerialeve të NATO-s për vitin e ardhshëm të mbahet në Tiranë: “Do kisha kënaqësinë që Ministeriali i NATO-s në 10 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë të zhvillohet në Tiranë.”, është shprehur Xhaçka. Thuhet se ky propozim ministrja Xhaçka e ka bërë gjatë darkës zyrtare në prani të Sekretarit amerikan Mattis, Sekretarit të Përgjithshëm Stoltenberg dhe ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Siç dihet, Ministerialet e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mbahen 3 herë në vit.
Ndërsa në një aktivitet tjetër, këtë javë, të Aleancës së NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, kishte të bënte me një marrëveshje rajonale për krijimin e një Programi të Veçantë Shumëkombësh të Aviacionit, (për Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s) në Zarë, të Kroacisë. Marrëveshja, sipas NATO-s, u nënshkrua të ënjten nga Ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë dhe të Sllovenisë. Qëndra e re e Aviacionit të NATO-s në Zarë, pritet të hap dyertë në fund të vitit që vjen.
Dhe më në fund, këtë javë, Aleanca e Atlantikut Verior NATO dhe Këshilli i Evropës, nepërmjet shefave të këtyre dy organizatave perëndimore — Zotërinjve Jens Stoltenberg dhe Donald Tusk — komentuan referendumin e mbajtur në fillim të javës në Maqedoni duke u shprehur se marrveshja mbi emrin, midis Athinës dhe Shkupit, ka krijuar një rast historik që të dy vendet të bëhen pjesë e komunitetit evropian dhe transatlantik, si anëtare të barabarta. Kjo do të ndryshonte — për më mirë — jetën e popullit të këtij vendi dhe të fëmijve të tij. “Një shumicë dërmuese e atyre që morën pjesë në referendum mbështetën këtë rrugë. Kjo është tani në dorë të politikanëve të Shkupit për të vendosur se si shkohet përpara. Vendimet që ata marrin në ditët dhe javët e ardhëshme do të përcaktojnë fatin e vendit dhe të popullit të vet, për shumë breza të ardhëshëm. Ne u bëjmë thirrje (politikanëve të Shkupit) që të përfitojnë nga ky rast historik”, janë shprehur në një deklaratë të përbashskët, shefi i NATO-s, Zotërinjtë Jens Stoltenberg dhe Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.
Të gjitha këto aktivitete këtë javë nga ana e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s, lënë të kuptohet se Aleanca perëndimore – duke pasur parasyshë misionin e saj për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët — është e aktivizuar dhe po punon me të gjitha mjetet e saja për t’u përballur me rreziqet dhe me provokimet e Rusisë putiniste, në rajonin euro-aziatik, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok