22/12/2024

NË GURËZ TË KURBINIT

0
Zhiti-Gurez

– meshë dhe festë –

Nga Visar Zhiti

Edhe mesha, edhe festimet në mbrëmje ishin kaq të bukura në fshatin Gurëz, me njerëz plot, që shkëlqenin nga mirësia dhe veshjet folklorike dhe po mendoja se ku ka një kishë, një tempull të besimit, ka dhe qytetari më shumë dhe mikpritje.

Isha ftuar në Gurëz në atë festë nga Motër Elena Lulashi, superiore e Motrave Basiliane, e përunjur si një Nënë Tereze,  dinjitoze si ajo.

Në Kishën madhështore “Zoja e Këshillit të Mirë”, Arqipeshkvi Imzot Arjan Dodaj i dha detyrën e famullitarit të ri meshtarit dehonian, Atë Gianni Dimiccoli.

Dhe aty motrat Basiliane përkujtuan 25-vjetorin e Kushteve Rregulltare të motër Rosaria Ulaj dhe Kushteve të Përjetshme të motër Françeska Margjoni. E njohim, e kemi takuar dhe në Itali, vajzë e re, “murgesha që i bie pianos”, me buzëqeshjen e ëmbël. Ku është Eda, më pyeti.

I përqafova dhe unë motrat si vëlla i tyre.

Pranë meje në meshë m’u afrua një burrë me kostum dhe kravatë. Uou, e njohëm njeri-tjetrin, Pjeter Luli, bashkëvuajtësi im në burgjet e Spaçit dhe të Qafë Barit, është nga këtej, por jeton në Itali.

Pas meshe, kur shkuam në festën jashtë, po kujtonim. Më tregoi shenjat e kërcirit të kēmbës qē e kishte thyer në burg. Nuk zhduken kurrë thyerjet, sidomos ato në shpirt. Po edhe kisha këtu ka vuajtur, kishë martire. E ngriti Dom Shtjefen Kurti, gati një shekull më parë, por fitimtarët në Shqipëri të pas Luftës II Botërore e prishën dhe atë, e bënë vatër kulture, por fshati nuk vinte për shfaqjet, por se ato mure ishin të kishës dhe komunistët e shndërruan në magazinë. Dom Shtjefen Kurtin, pas burgut të parë, e arrestuan sërish dhe e dënuan me pushkatim me akuzën pagëzime të fshehta fëmijësh. Nuk dihet ku janë eshtrat e tij, por ai tashmë është shpallur martir, i lumturuar nga Selia e Shenjtë, i njohur në botën e madhe katolike dhe tani e gjithë Shqipëria duket si e pagëzuar.

Të shohim festën. Ja, po vallëzojnë bashkë të gjithë, jo vetëm të rinjtë e gëzuar, po edhe priftërinjtë, edhe motrat. Motër Elena, ashtu e bardhë me dritë qiriri, merr mikrofonin dhe prezanton se do të luante me lahutë një grua nga Malësia, e vetmja grua lahutare që kemi…

Ajo erdhi si zanë, sikur doli nga legjendat, zëri epik rridhte si ujvarë bjeshkësh, stërkala yjesh, emocione, duartrokitje… dhe po thoshim:

Po, po, ka një Shqipëri të përjetëshme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok