27/12/2024

NË 60-VJETORIN E MATURËS NË NORMALEN E PRISHTINËS

0
Shkolla-Normale-Prishtine2

Shkruan: Adil FETAHU

Pararendëset e Normales së Prishtinës

Ideja, interesimi dhe kërkesa e parë për hapjen e shkollës normale, për të përgatitur mësues të kualifikuar për arsimin shqip, ka rrjedhur nga rilindasit tanë të hershëm: Pjetër Mazreku, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi,   Jeronim de Rada, Sami Frashëri, etj. Shtigjeve të kësaj ideje,  Shkolla e parë Normale Shqipe-Vëllëhe është hapur në Bukuresht, në vitin 1892, me drejtor Nikolla Naçon, nga Korça,  veprimtar i dalluar i Rilindjes Kombëtare, i cili ishte edhe kryetar i Shoqërisë “Drita”. Shoqëria “Drita” e Bukureshtit kishte siguruar mjetet dhe konviktin për nxënësit e paktë të asaj Shkolle. Shkolla ka funksionuar afro dy dekada, nga e cila kanë dalur  më se 100 mësues,  intelektualë  e iluministë të njohur, si: Dervish Hima, Mihal Grameno, Kristo Luarasi, Lasgush Poadeci, Shahin Kolonja, Jashar Erebara,  Asdreni, Dimitër Male e shumë të tjerë.

Nëse për Normalen e Bukureshtit dihet fare pak, për Normalen e Elbasanit, e hapur në vitin 1909, dijnë pothuajse të gjithë mësuesit shqiptarë dhe jo vetëm ata, prandaj unë këtu nuk do ta elaboroj rolin, rëndësinë dhe funksionimin e saj në përgatitjen e mësuesve për shkollën shqipe. E dini edhe ju, qe keni lexuar e dëgjuar aq shumë dhe që në vitin 2009, në 100-vjetorin e  hapjes së asaj shkolle, vizituam Muzeun e Normales, kur nga dokumentacioni dhe fotografitë e shumta dhe nga shpjegimet e kustosit të Muzeut, Genci Trandafili, “Mësues i merituar”,  u njohëm më hollësisht mbi ecurinë e zhvillimit dhe punës së shkollës më emërmadhe shqiptare deri më sot.

Pas Normales së Elbasanit, u hapën edhe disa shkolla normale në qytetet e tjera: Shkolla Normale e Beratit (1913), kur drejtor i arsimit në Berat ishte Sali Gjuka nga Peja; Shkolla Normale e Shkodrës që u hap  në kohën e Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917, kur Shkodra ishte nën pushtimin e Austrohungarisë, ndërsa ministër i arsimit ishte Luigj Gurakuqi. Si Shkollë Normale punoi deri në vitin shkollor 1922/23, kur u shndërrua në shkollë të përbashkët e cila quhej Gjimnazi (apo Liceu) i Shkodrës, me dy drejtime: drejtimi i gjimnazit (liceut) të përgjithshëm, klasik,  dhe drejtimi i Normales për përgatitjën e mësuesve aq të nevojshëm për shkollën shqipe. Në vitin 1931, në Tiranë ishte hapur Shkolla Normale  Femërore (“Naim Frashëri”, më vonë u quajt  Shkolla Normale “Nëna Mbretëreshë”).

Në Prishtinë për herë të parë ështe hapur shkollë e mesme  në gjuhën shqipe Shkolla Normale “Sami Frashëri”, e themeluar me  vendim të ministrit të arsimit, Ernest Koliqi, dt. 12 nëntor 1941, ndërsa punën e filloi  më 17 dhjetor 1941, në kohën kur vendi ishe nën pushtimin e Italisë. Përveç Normales në Prishtinë, me të njëjtin Dekret të ministrit  Koliqi u hapën edhe   13 shkolla tjera të mesme  profesionale nëpër qytetet e viseve të “Çliruara” shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi (prej Ulqini deri në Dibër e Gostivar).  Shkolla Nomale e Prishtinës, ishte e përbashkët me gjimnazin, drejtimi liceal. Drejtor i parë i Shkollës ishte  Dr Rexhep Krasniqi, ndërsa në vitin shkollor 1943/44, që ishte edhe viti i fundit të funksionimit të asaj shkolle, drejtor ishte Ahmet Gashi. Asokohe Shkolla kishte kuadrin më të kualifikuar profesional, disa doktorë shkencash  dhe shumica me titull profesor, nga shkollat e larta dhe universitetet e kryera jashtë vendit. Në vitin e fundit shkollor (1943/44, kishte këta profesorë: Ahmet Gashi (drejtor), Rauf Zajmi, Ibrahim Kelmendi, Zeqir Bajrami, Rashit Kashari, Ymer Berisha, Luigj Franjo, Idriz Ajeti, Zef Shpani, Kolë Parubi, Farudin Beli, Xhevdet Harbuli, Pjeter Elezi,  Vasil Toli, Eftim Deri, Xhavit Saraçi, Feti Dizdari, Liko Tode, Xhemil Et-hemi, Adem Gllavica, Luan Gashi dhe Zef Kakariqi. Shkolla Normale “Sami Frashëri” e Prishtinës, si dhe  shkollat e tjera në gjuhën shqipe u mbyllën në nëntor të vitit 1944, për shkak të shpërthimit të luftës  së shtuquajtur “Nacional-çlirimtare”.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gjithçka mungonte, ndersa një prej mungesave ma të mëdha ishte mungesa e mësuesve për shkollën shqipe. Këshilli Popullor i Provincës Autonome të Kosovë-Metohisë, në seancën e legjislaturës së parë, të mbajtur në Prizren më 16-17 qershor 1946 (asokohe Prizreni ishte kryeqyteti i Kosovës), mori vendim për hapjën e  Shkollës Normale në Gjakovë.   Shkolla e emërtuar Shkolla Normale “Gjon Nikollë Kazazi” filloi punën më 26 nëntor 1946, me 50 nxënës. Drejtor i Shkollës ishte emëruar Beqir Kastrati, i cili mbante edhe orë mësimi, ndërsa mësimdhënësit e parë të tjerë ishin:  Hasan Vokshi, Nevruz Nura, Dhimitër Fullani, Apostol Tanefi. Më vonë, në atë shkollë  kishin ardhur  Lirije Tanefi, Margarita Gjurashkoviq (ruse nga Moska),  Tajar  e Muzafere  Hatipi,  Dhimitër Markaj, Et-hem Stublla, Rexhep Shpendi, Nikolla Dragiçeviq, Jusuf Nimani, Shaip Ademi, Vaso Bullatoviq. Disa prej tyre ishin me honorar. Mësimi zhvillohej nga 19 lëndë mësimore: Gjuhë shqipe, gjuhë serbokroate, gjuhë ruse, histori, gjeografi, bujqësi, psikologji, pedagogji, ligjikë, metodikë, matematikë, fizikë, kimi, bujqësi, njohuni natyre, muzikë, punëdore dhe gjimnastikë. Shkolla ishte katërvjeçare, por punoi  me program të shkurtuar, dyjveçar, ashtu që maturantët e parë dolën në vitin 1948. Nga 35 kandidatë që hyjnë në provimin e maturës, 26 kaluan me sukses.

Në vitin e fundit shkollor, 1952/53, Normalja e Gjakovës kishte 278 nxënës në të katër klasët, me të cilët mbanin mësim 12 mësimdhënës: Bqir Kastrati (drejtor), Abdullah Zajmi, Ibrahim Zherka, Halil Dobroshi, Ismet Canamusa, Xhavit Limani, Durmish Rizvanolli, Esat Kryeziu, Naim Polloshka, Mustafa Hima, Mihajllo Stoshiq dhe  Bllagoje Stojanoviq. Atë vit shkollor në Normalen e Gjakovës punoi edhe Kursi Pedagogjik, të cilin e ndoqën 35 kursistë.

Shkolla Normale Shqipe e Prishtinës

Pas shtatë vjet pune në Gjakovë, me vendim të  Këshillit Krahinor për Arsim, Shkolla Normale u transferua prej Gjakove në Prishtinë. Arsyet që përmendën në vendimin mbi transferimin janë të shumta: se Prishtina është kryeqendër administrative, politike e kulturore, ku janë të koncentruara institucione të shumta kulturore: teatër, kinema, muze, bibliotkë etj;,  se është në qendër të Kosovës ku mund të gravitojnë më shumë nxënës; se ka më shumë kuadra profesionale të përgatitura për mësimdhënës; se ka objekt të  ri e të përshtatshëm për zhvillimin e mësimit dhe për konvikt, etj. Natyrisht, mes këtyre shkaqeve, ka pasur edhe shkaqe tjera (politike), për t’iu shmangur ndikimit të frymës politike që mund të depërtonte nga Shqipëria në shkollën që ishte afër kufirit.

Ishte shpallur konkursi për regjistrimin e 120 nxënësve në klasën e parë në Normalen e Prishtinës,  për vitin shkollor 1953/54, kushtet e konkursit dhe sigurimi i bursave për të gjithë kandidatët e pranuar, si dhe mundësia e vendosjës në konvikt. Megjithë kushtet e favorshme, në afatin e konkursit ishin paraqitur gjithsejt 47 kandidatë, prandaj është dashur një angazhim i strukturave politiko-shoqërore për ta përmbushur numrin e kërkuar me konkurs.  Kishin ardhur kandidatë nga të gjitha trevat e Kosovës si dhe 15 kandidatë nga trevat shqiptare jashtë Kosovës. Për të vazhduar mësimet në klasët e II, III dhe IV-ta, kishin ardhur nxënësit e Normales së Gjakovës. Përpos nxënësve të rregullt, në këtë Shkollë ishte hapur edhe kursi i lartë për kualifikimin e mësuesve, me 52 kandidatë, të ndarë në dy paralele.

 

Ndërtesa e Shkollës Normale të Prishtinës

Normalja e Prishtinës e filloi punën më 10 shtator 1953. Drejtor ishte emëruar Kemal Deva, nga Mitrovica, një personalitet autoritativ, i rreptë por shumë i përkushtuar për mbarëvajtjën e punës në Shkollë dhe  në Konvikt.

Shkolla filloi punën me këta mësimdhënës: Kemal Deva (drejtor), Abadullah Zajmi (gjuhë shqipe), Jak Mita (gjuhë shqipe), Zekeria Rexha (gjuhë frenge), Zhivojin Llazareviq (gjuhë serbokroate), Ibrahim Zherka (histori), Halil Dobroshi (gjeografi),  Shyqëri Jakpi (pedagogji), Zija Këpuska (fizikë-kimi), Ahmet Mumxhiu (matematikë), Feti Zhubi (vizatim),  Shefqet Veliu (biologji), Tajar Hatipi (metodikë),  Engjëll Berisha (muzikë), Xhavit Spahiu (fiskulturë), Jusuf Shushka (filozofi dhe pedagogji), Spasoje Bogdanoviq (parasushtarak).

Me qenë se asokohe ishte në fuqi “centralizmi demokratik”, edhe sistemi shkollor dhe planet mësimore ishin të njëjta (unike) në tërë Jugosllavinë. Kështu ishte edhe për shkollat normale.   por në Normalen e Prishtinës në njëfar mënyre u ruajt fryma dhe tradita e Normales së Elbasanit, falë disa mësimdhënësve të cilët kanë qenë nxënës të asaj Shkolle.

Në Normalen e Prishtinës mbretëronte rend e rregull, disiplinë e pastërti. Poashtu edhe në Konviktin e Shkollës. Normalja  ishte  institucioni më i rëndësishëm arsimor, ishte shkollë elitare, ishte shkollë kombëtare për shqiptarët në Jugosllavi dhe  ishte pasqyrë e shkollave tjera  të mesme në Kosovë. Në ndërkohë u bë shkollë e madhe përkah numri i nxënësve dhe numri i mësimdhënësve më të përgatitur profesionalisht dhe autoritaivë. Për  misionin dhe rëndësinë që kishte, për përgatitjen e mësuesve, edukatorëve, intelektualëve  për shkollën shqipe, Normalja shikohej, vlerësohej  dhe trajtohej më ndryshe prej shkollave tjera të mesme, si prej atyre (organeve) që e kishin themeluar,  poashtu edhe prej popullit, prej mësimdhënësve dhe prej nxënësve të saj. Sepse, ishte fidanishte e madhe, në të cilën mbilleshin dhe rriteshin fidane të shëndosha për arsimin,  edukimin dhe kulturën shqiptare. Jo pa të keq, propaganda e politikës shoviniste serbe Normalen e quante “Universiteti shqiptar”. Ishte nderë të ishe normalist, sa që  edhe sot e kësaj dite ish-normalistët këtë emër e mbajnë për nderë. Këtu vinte në shprehje ajo  thënia, të cilën iluministi ynë Sami Frashëri e përdorte shpesh: “Nëse do të korrësh për një vit, mbill misër e grurë, po nëse do të korrësh për 100  vjet, mbill arsim e kulturë”. Shumë nga ish-nxënësit e Normales së Prishtinës u bënë emra të njohur të arsimit, shkencës dhe kulturës: profesorë universiteti, shkencëtarë institutesh, poetë, shkrimtarë, mjekë, juristë, ekonomistë, sportistë dhe pofile tjera.

Gjenerata jonë (1956 – 1961)

Me gjeneratën tonë filluan dhe vazhduan disa reforma në Normalen e Prishtinës. Për herë të parë, gjenerata jonë u pranua në Normale me provim pranues. Prej Gjeneratës sonë Normalja u bë me kohëzgjatje 5-vjeçare. Në vitin e dytë të Gjeneratës sonë (1957/58), Normales që deri atëherë ishte vetëm shqipe, iu shtuan edhe dy paralele me mësim në gjuhën serbokroate. Gjatë shkollimit të Gjeneratës sonë erdhën një numër i konsideruar i mësimdhënësve, të cilët kishin kryer fakultete. Gjatë 20 vjetëve të punës së Normales në Prishtinë, në periudha të ndryshme kanë qenë 190 mësimdhënës, ndërsa në periudhën e shkollimit të gjeneratës sonë kanë qenë këta  mësimdhënës: Kemal Deva (drejtor),  Abdylhamit Adili (kimi,fizikë)). Abdullah Zajmi (gjuhë shqipe),  Ahmet Mumxhiu (matematikë), Abdullah Gërguri (vizatim), Arsim Fehmiu (ed.fizike),  Ali Hadri (histori), Beqir Kastrati (lëndë pedagogjike), Brkiq Liljana (gjuhë frenge), Bogdanoviq Spasoje (paraushtarak), Burhan Begolli (ed.muzikore),  Çurçiq Mara (filozofi, psikologji), Demush Shala (gjuhë shqipe),  Dervish Rozhaja (biologji), Drita Dobroshi (histori), Engjëll Berisha (art figurativ),  Enver Gjerqeku (gjuhë shqipe), Fehmi Agani (sociologji), Gjorgjeviq Rada (punë dore),  Halil Dobroshi (gjeografi), Halil Jupa (biologji), Hasan Mekuli (letërsi botërore dhe jugosllave), Hazir Shala (gjuhë shqipe), Ismail Hoxha (muzikë), Jak Mita (gjuhë shqipe), Jashar Rexhepagiq (pedagogji),  Jusuf Shushka (pedagogji, metodikë), Jozefina Bala (ed.muzikore), Janjiq Jellena (gjuhë serbokroate), Kojçinoviq Rada (gjuhë serbokroate), Kostiq Svetozar (bujqësi), Llazoviq Liljana (gjuhë serbokroate), Manitasheviq Vera (muzikë instrumentale), Markoviq Marko (muzikë instrumentale), Murteza Luzha (filozofi),  Mubera Rexhepagiq (kimi), Ollga Sharku  (ed.fizike), Pajazit Nushi (psikologji), Pejçinoviq Jovan (biologji), Radmilla Shiroka (gjuhë serbokroate), Radanoviq Ivo (ed.fizike), Rexhep Hoxha (gjuhë shqipe), Rusinoviq Milleva (gjuhë serbokroate),  Sali Nushi (drejtor; lëndë pedagogjike), Salih Qylergjiu (gjuhë shqipe), Sejfullah Rrmoku (vizatim), Sekulloviq Vojisllav (gjeografi),  Skender Oroshi (ed.muzkore), Shefqet Veliu (biologji), Shefqet Pllana (muzikë instrumentale), Tajar Hatipi (lëndë pedagogjike), Vahide Hoxha (histori), Zekije Pallaska (gjuhë shqipe),  Zeqir Bajrami (gjeografi), Xhavit Spahiu (ed.fizike), Zhivojin Llazareviq (gjuhë serbokroate). Shumica e arsimarëve serbë kanë ardhur pasi janë hapur paralelet për mësim në gjuhën serbe, për të mbajtur mësimin në ato paralale, por disa kanë qenë më heret dhe kanë mbajtur mësim në paralelet shqiptare, që ligjëronin dhe pyetnin në gjuhën serbokroate, gjëqë ishte pengesë e madhe për shumicën e nxënësve të cilët nuk e njihnin atë gjuhë.

Me vendim të Këshillit Krahinor për Arsim, viti i pestë i gjeneratës sonë u shkurtua për një semestër, ashtu që pas mbarimit të gjysëmvjetorit të parë dhe provimit të maturës, 120 nxënës të kësaj Gjenerate dolën në detyrën e mësuesit, në vendet në të cilat i caktonte organi kompetent i arsimit.

Filimet e kësaj Gjenerate

Pas seleksionimit të rreptë nga një numër i konsiderueshëm i kandidatëve të paraqitur sipas konkursit,  provimin pranues e kaluan dhe në gjeneratën tonë, të vitit shkollor 1956/57, u regjistruan 60 nxënës,  të cilët si adoleshentë vinin nga të gjitha trojet shqiptare të Jugosllavisë madje edhe nga Shqipëria. Në vitin e parë shkollor ishim dy paralele. Për shkak të ngeljes së disa nxënësve nga viti i mëparshëm, dhe ardhjes së disa nxënësve nga shkollat e tjera të Kosovës, kësaj Gjenerate  iu shtua numri, ashtu që në vitin e dytë kishte 94 nxënës të ndarë në tri paralele; vitin e tretë poashtu tri paralele me 85 nxënës; vitin e katërt me 126 nxënës dhe vitin e pestë 4 paralele me 120 nxënës, prej tyre 25 ishin vajza, që ishte numri më i madh i vajzave të një gjenerate në shkollim të mesëm deri atëherë, madje edhe për disa vjet më vonë.

Një numër i konsideerueshëm i nxënësve dhe disa mësimdhënës banonin dhe ushqeheshin në Konviktin e Shkollës, që ishte shtëpia e përbashkët e tyre. Ata ishin në pozitë shumë ma të favorshme se të tjerët që banonin në kushte të papërshtatëshme në banesa private në qytet, apo ata që udhëtonin çdo ditë për të ndjekur mësimet. Në konvikt kultivohej shoqërimi dhe afrimi mes vete, disiplina, shprehitë për rregull e pastërti. Në sallën e Konviktit mbahej studimi i obligueshëm mësimor, zhvilloheshin aktivitete kulturore jashtëmësimore, në fushat e sportit zhvilloheshin aktivitete sportive: futboll, hendbol, volejboll.

2

Në vitin e pestë dhe në provimet e maturës, që u mbajtën prej 25 janar deri më 5 shkurt 1961, arritën këta nxënës të gjeneratës sonë: klasa V/1: Abit Maxhuni, Alush Ferati, Bajram Uka, Çerkin Mustafa, Qerim Hysenaj, Isa Bajçinca, Kadri Qehaja, Mehdi Kryeziu,  Musa Shala, Musa Zabëxha, Murteza Duraku, Osman Rama, Perihane Kelmendi, Rexhep Gashi, Sadije Murturi, Rrustem Rama, Sali Maxheraj, Sinavere Roka, Sami Haxhimusa, Selvije Halili, Saim Qyqalla,  Shaip Ismajli, Shaip Fazliu, Shrfif Bojniku, Halil Sadiku, Salih Maqedonci, Metë Gashi, Zejnepe Hyseni, Resmije Musa, Kimete Canhasi, Hasan Hasanramaj; klasa V/2: Azem Shkreli, Dizare Dedaj, Emire Salihu, Esat Berisha, Eshref Ymeri, Fadil Berisha, Xhyke Shala, Hidajet Lutfiu, Hafiz Maliqi,  Hysen Krapi (Shala), Ismail Gashi, Idriz Ahmeti (as.Mehmeti), Kadrije Ramadani, Mediha Doda, Muharrem Sopi, Muharrem Berisha, Mustafa Haxha, Nexhmedin Galica, Nexhmedin Canhasi, Rabije Bajrami, Rasim Hoxha, Ramadan Paçarada, Sefer Seferaj, Shyhrete Çika, Shaip Konjusha, Shefqet Preteni, Tafil Vidishiqi, Vezire Sheqiri, Xhafer Kelmendi, Exhlale Bërlaolli; klasa V/3 : Ali Mehmeti, Adem Ibrahimi, Bahrije Murati, Sabrije Zeqiri, Faik Sylejmani, Gani Haxhiu,  Hysen Latifi, Halil Alidemaj, Ismet Gusija, Liman Ahmeti, Myrvete Fetahu, Nazmi Bytyqi, Ramush Ajvazi, Rasim Babatinca, Ramadan Dauti, Selatin Ahmeti, Safet Preka, Sadik Dragusha, Sadik Rrecaj, Selvete Abrashi, Shaip Selimi, Shefqet Ajvazi, Shefki Grabovci, Shukrije Rudi, Teki Ukmata, Tasim Brovina, Zijadin Munish, Xhafer Hetemi, Jonuz Kolgeci; klasa V/4 : Ali Rrahmani,  Ahmet Sadku, Bajram Jashari, Buhan Prishtina, Basri Reçica, Drita Koka, Dalip Marku, Afërdita Rugova, Hilmi Dërmaku, Hajredin Hajredini, Isak Zuka, Ibrahim Mlinaku, Ibrahim Bajgora,Ismail Halipi, Jetullah Krasniqi, Kadrush Sylejmani,  Mehmet Gjocaj, Mehmet Sahiti,  Neki Juniku, Qazim Rexha, Rukije Malisheva, Skender Nushi, Sahit Birinxhiku, Shemsi Gashi,Tafil Murati, Vehbi Kikaj, Xheva Bruqi, Xhelil Ramda, Xhylfidane Mumxhiu dhe Xhemajl Prokorxha.

Nga kjo gjeneratë, sikur edhe prej gjeneratave tjera të Normales së Prishtinës, dolën punonjës të arsimit dhe edukimit për shkollat fillore, të mesme , të larta dhe fakultete, por këta lan gjurmë të pashlyeshme edhe në profesione e veprimtari tjera shkencore e kulturore, në art, letërsi, mjekësi, drejtësi, ekonomi, sport et. Secili prej tyre meriton t’i shkruhet monografi e veçantë për jetën dhe punën në periudha të kthesave të  mëdha historike që kanë nodhur në Kosovë prej pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot.

Por Gjenerata jonë ishte dhe mbeti e veçantë për kultivimin e shoqërisë, kujdesit dhe respektit reciprok, duke i mbajtur të pashkëputura  lidhjet,  takimet e shoqërimin deri në ditët e sotme. Dhe jo vetëm me shokët dhe shoqet e gjeneratës, por edhe me profesorët tanë. Është gjenerata më e organizuar, që  tradicionalisht ka mbajtur dhe mbanë takimet e gjeneratës për çdo vit (të shtunën e fundit të muajit maj), ndërsa në grupe më të vogla edhe shumë herë gjatë vitit, sidomos për data të shënuara siç janë 28 Nëntori, 7 Marsi, etj. Secili e kemi regjistrin me numrat e telefonit të shokëve dhe shoqeve të gjeneratës, ashtu që kontaktojmë me telefona dhe interesohemi për shoqi-shoin. Është kjo e vetmja gjeneratë që pas 48 vjetëve pas maturës,   organizuam  një ekskursion të përbashkët njëjavor nëpër disa qytete të Shqipërisë, me ç’rast e vizituam edhe Normalen e Elbasanit (shtator 2009). Në grupe më të vogla shokë të gjeneratës kemi vizituar qytete të ndryshme të Shqipërisë edhe herë tjera. Është e para gjeneratë që  më 2011 ka botuar Monografinë “Kujtimi për një gjenertë”, në të cilën janë përfshirë biografitë dhe fotoportretet e 56 shokëve e shoqeve; regjistrat e nxënësve sipas klasëve dhe paraleleve; fotografi kolektive nga takimet vjetore, dhe shënime të tjera. Ndërsa në vitin 2019, kemi bërë librin-album me afro 400 fotoportrete dhe fotografi kolektive nga takime e vizita e të ndryshme. Me këto publikime i kemi bërë përjetësisht të paharruar  shokët dhe shoqet e gjeneratës dhe profesorët tanë të respektuar, shumica prej të cilëve tashmë nuk janë në këtë jetë, por janë në publikimet dhe në kujtimet tona dhe në veprat e tyre të vyera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok