21/11/2024

NË 10-VJETORIN E SHKUARJES NË AMSHIM TË ARBËN XHAFERIT

0

Kujtime nga takimi i vitit 2005

Nga Frank Shkreli

10 vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi. Në jetën e përditshme, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë, personalitete të njohura dhe jo aq të njohura. Pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja dhe mbresat e paharrueshme që mbeten nga takimet sa do të shkurtra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit, se çfarë e dallon atë nga të tjerët. Për disa, falënderojmë Zotin që na jepet mundësia t’i takojmë. Për disa të tjerë…?

Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pas fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja gjatë viteve, ka qenë dhe mbetet Arbën Xhaferi, i njohur, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me krerët e politikës shqiptare dhe me përfaqësuesit diplomatikë amerikanë në rajon për raportuar mbi gjendjen në trojet shqiptare — me të kthyer në Washington – organizatës që përfaqësoja, KKSHA-në, si dhe zyrave dhe personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, që merreshin dhe ishin të interesuar me çeshtjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i vizitës në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe Tetovë ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon, përfshir takimet me protagonistët kryesorë të politikës shqiptare në trojet iliro-arbënore.

Pjesë e këtij turneu ishin takimet me udhëheqësit politikë shqiptarë në detyrë, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqësit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.

Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam me një takim në Ambasadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e tyre politik për gjendjen në rajon. Pastaj takimin e parë me përfaqësuesit politikë shqiptarë në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me z. Arbën Xhaferi, të cilin nuk e kisha takuar asnjëherë më parë. Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret e që zgjati gati një orë — në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë – ndonëse ishte e qartë se sëmundja kishte filluar ta rëndonte. Megjithëse dukej i lodhur fizikisht, i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, Xhaferi ishte i kthjelltë dhe i thellë. Pas përshëndetjeve fillestare të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.

Pyetjes time mbi gjendjen aktuale politike, z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase në vend. Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia të mëparshme,  pothuaj me të gjithë përfaqësuesit e tjerë të politikës shqiptare të asaj kohe, anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës — të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq as me zemrim kundër partive të tjera ose liderëve të tyre — gjatë këtij takimi, as Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikëpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare.  Jo vetëm ndaj shqiptarëve në Maqedoni, por asnjërit prej tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare, siç isha mësuar të dëgjoja në takimet me përfaqësues të tjerë politikë shqiptarë, sidomos, atyre në Tiranë dhe në Prishtinë.

Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, një udhëheqës shqiptar ndryshe, thashë me veten, e që është aq e nevojshme, sidomos sot, për një dialog të qytetëruar politik në radhët e udhëheqësve partiakë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare. Ndonëse nuk u shpreh, specifikisht, mbi mosmarrëveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua m’u duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë. Ai në të vërtetë, i dalluar nga të tjerët, shprehej gjithmonë për një politikë ndryshe në diskursin politik, ndër-shqiptar.

Respekti për të dhe reputacioni për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyes dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijtë ndër-shqiptarë. Si i tillë, ai ka lënë përshtypje të thella, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër të huaj, me të cilët është takuar gjatë karrierës së tij, si udhëheqës politik dhe si ndër intelektualët më të shquar shqiptarë. Mbi të gjitha, Arbën Xhaferi dallohej për diplomacinë respektin dhe karakterin e tij, edhe në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj me përvojë dhe të njohur në fushën e politikës ndërkombëtare. Njëri prej këtyre udhëheqësve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota – atëherë dhe sot — se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.”   Një atribut ky shumë me vend — për të gjithë ata që e kanë njohur atë, prej një udhëheqësi të huaj ndaj reputacionit dhe kujtesës së Arbën Xhaferit, edhe në këtë 10-vjetor të vdekjes.

Në vazhdim e sipër të bisedës me të në Tetovë në vitin 2005, z. Xhaferi qe ankuar se kontrata midis dy popujve, e ashtuquajtura “Marrëveshja e Ohrit”, midis shqiptarëve dhe maqedonasve në atë vend, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila siç dukej, shtoi ai, nuk i kishte marrë seriozisht punët dhe as nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra me nënshkrimin e asaj marrëveshjeje. Si përfundim, tha ai, ajo marrëveshje midis dy palëve nuk po zbatohej sipas planit nga autoritetet maqedonase – marrëveshje të cilën ata e kishin nënshkruar duke marrë përsipër zbatimin e saj, në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare. Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjendjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbaj mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë në lidhje me procesin. Xhaferi shpjegoi se si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij, kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.

E mbyllëm bisedën me Arbën Xhaferin duke dëgjuar mendimet e tija përtej Maqedonisë, mbi gjendjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjendjen në Kosovë dhe të shqiptarëve në përgjithësi. E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan — Shtetet e Bashkuara, në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por ndërkohë, vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë të Amerikës, para se Washiungtoni të bënte publik njoftimin zyrtar të Amerikës në favor të pavarësisë së Kosovës. Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë — e priti me një buzqeshje të sinqert — duke thënë se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi ai, se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor — asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne shqioptarët, në këto trojet tona, u shpreh ai.

U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin që u njoha dhe dhe që mu dha rasti ta takoja dhe të bisedoja me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të Kombit Shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi të gjitha kohërave — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave të ardhëshëm të shqiptarëve.

Në këtë 10-vjetor të kalimit të tij në amshim, kujtojmë njërin prej burrave më të shquar të Kombit Shqiptar, me qëllim që ashtu si shumë të tjerë para tij – emri i tij të mos bjerë kurrë në harresë nga brezat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok