22/12/2024

Ndërroi jetë  profesori i shquar universitar dhe kritiku  letrar,  Prof. Dr. Hyni Hoxha

0
Hysni-Hoxha

Nga Gjekë Gjonaj

Këto ditë vdiq profesori  i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe  nga   Ladorishta, fshati ilir  në rrethinën e Strugës, Prof. Dr. Hysni Hoxha, i cili  pa u përkulur kurrë, tërë jetën e tij,   edukoi dhe arsimoi gjenerata e gjenerata  mësues të Gjuhës Shqipe në Kosovë e Maqedoni.

Adhurues i Ulqinit

Vdekja e tij më kthen kujtesën  në fillimet e njohjes dhe ditët e kaluara së bashku  gjatë sezonit turistik në Ulqin, ku ai  shpesh kalonte pushimet e verës vetëm  apo me bashkëshorten e tij.  Po ashtu kujtoj  shëtitjet  tona të përbashkëta rrugicave  Kalasë së Ulqinit, freskimin  nëpër  Pyllin e Pishave në Pinjesh ,  ecjet buzëmbrëmjeve  përgjatë Plazhit të Madh  dhe vizitat   Kepit të Gjeranës dhe qytetit antik të Shasit . Këto kujtime  nuk janë të plota  pa çastet që i kaluam me profesorin në banesën time në Ulqin,   pa ato  bisedat  e gjata e të  ngrohta vëllazërore, për përpjekjet  e tij dhe pedagogëve  të tjerë shqiptarë, të cilët u keqtrajtuan dhe  u larguan nga puna   nga pushteti i kohës  serbë e  maqedonase, për mbylljen e shkollave dhe universiteteve shqiptare në Kosovë e Maqedoni, ku ka punuar  dhjetëra e dhjetëra dekada e tema të tjera  nga fusha e kulturës e  arsimit , duke mos anashkaluar as temat aktuale  politike që kanë të bëjnë me fatin e popullit shqiptar në  përgjithësi.

Misionar i arsimit kombëtar

Bëhet fjalë , jo thjesht  për një mik timin të  vërtetë ,  por për një intelektual të përmasave kombëtare, një njeri mendjelartë, dijetar, krijues, kritik letrar, studiues i mirëfilltë  i cili i qëndroi besnik formimit të tij kulturor , duke i përkthyer  mendimet dhe bindjet e tij  nga dije në besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar. Falë përkushtimit  dhe sakrificës së tij  dhe pedagogëve  të tjerë si ky, të cilët janë arsyeja  kryesore  që shqiptarët në Maqedoni e Kosovë  ia dolën të themelojnë dhe  të çojnë përpara institucione  të arsimit  të lartë në gjuhën  shqipe.

Prof.Dr. Hysni Hoxha i takonte plejadës së artë të intelektualëve  shqiptarë, të cilët  me punën  dhe profesionalizmin  e tyre , siç janë: Prof. Dr. Fadil Sulejmani,   Prof. Dr. Lutfi Istrefi, Prof. Dr. Agni Dika, Prof. Dr. Vullnet Ahmeti, Prof. Dr. Bajram Pollozhani, Prof.Dr. Abdulla Ali,   të cilët  ishin edhe pjesë e Universitetit të Tetovës, lanë gjurmë të pashlyeshme në   arsim, kulturë , letërsi e shkencë.  Këta dhe jo pak mësimdhënës të tjerë universitarë  shqiptarë nga Struga dhe viset e tjera shqiptare, ishin ata që hodhën edhe gurët e parë në themelimin dhe zhvillimin e  Universitetit të Tetovës, i cili tashmë është  shndërruar në qendër të mirëfilltë edukimi e arsimimi , jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. Gjatë rrugëtimit kohor të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Hysni Hoxha dhe kolegët e tij,  u ballafaquan me  vështirësitë  nga pala që donte të vazhdojë errësirën qindravjeçare, për të penguar  zhvillimin e arsimit ,  edukimin , kulturën, artin dhe shkencën shqiptare. Me guximin e tij intelektual  bashkë me kolegët e tij pa asnjë hezitim  u bënë shtylla më vitale  e çerdhes së arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni  në periudhën më të vështirë   lindjes dhe ngritjes së Universitetit të Tetovës , më 1998- 2002, në detyrën e Prorektorit për Arsim.

Puna e palodhshme  dhe sakrificat  që  dha  ky misionar i arsimit bashkë me  pedagogët e tjerë shqiptarë  në kohërat shumë të vështira, të ndjeshme dhe vendimtare  të arsimit të lartë të lartë  në Maqedoni nuk duhet të harrohet kurrë.

Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë Prof. Dr. Hysni Hoxha, të cilët ideal kishin përparimin e kombit,   punoi pa reshtur deri në frymën e fundit për përparimin e arsimit shqiptar, i cili ka rolin kryesor në zhvillimin e kombeve,  vlerave kulturore dhe historike .

Studiues serioz edhe i simboleve kombëtare

Ky personalitet i jashtëzakonshëm   ka  botuar  disa vepra  dinjitoze me vlera kombëtare nga fusha e  letërsisë shqiptare dhe botërore   si dhe  studime dhe  ese edhe në gjuhën maqedonase, serbokroate, sllovene, italiane, rumune dhe hungareze. Ndër to është edhe libri i tij   “ Simbolet kombëtare”. Autori Hoxha  me këtë vepër me peshë  në studimet albanologjike dhe jo vetëm, u rreshtua në mesin e atyre intelektualëve shqiptarë që kontribuuan  me rastin e  shënimit të  100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Studiuesi Hoxha pohon se shqiptarët shqiponjën e konsideronin shpend të shenjtë, bamirës dhe shton se  të tillë e konsideronin edhe në krijimtarinë tonë poetike, në tekstet e konkursit për himnin  kombëtar më 1937  ( fq. 51).  Ai, duke  e analizuar poezinë  tonë gojore dhe të shkruar , respektivisht himnet e poetëve tanë, vjen në përfundim  se  fati i kombit shqiptar identifikohet me  flamurin tonë kombëtar, simbolin  e shenjtëruar  nga gjaku i trimave atdhetarë, që u flijuan për  çlirimin e trojeve tona etnike. ( fq. 65)

Profesor Hoxha nuk pajtohet  me flamurin e imponuar  shtetëror aktual të Kosovës  pa karakteristika  etnike  të shqiptarëve shumicë ( me  pëlhurë të kaltër me gjashtë yje, me ngjyrë të argjendtë të një pjese të pëlhurës që përfaqësojnë gjashtë etnitë prej të cilave shqiptarët përbëjnë 90 për qind të të gjithë banorëve, dhe pesë etnitetet e tjera së bashku 10 për qind)  ,  dhe as me himnin gjysmak   të  shtetit të Kosovës, “ Evropa” vetëm me një melodi , pa tekst poetik, të kompozitorit kosovar Mehdi Menxhiqit.

Sipas Xoxhës  simbolet kombëtare në Kosovë duhet të përcaktohen me kritere artistike  dhe jo politike. ( fq. 148), kurse   Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësinë historike  të mos pranojë himnin e cunguar pa tekst i cili do të fyejë Kosovën, popullin e saj dhe qenien tonë kombëtare që jeton jashtë Kosovës. ( fq. 155).

I përhershëm qoftë   kujtimi ynë  për profesor Hysni Hoxhën !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok