07/10/2024

NDËRGJEGJSHMËRI E PËRGJUMUR KOMBËTARE

0

Paradokset tona

Nga Bedri TAHIRI

(Azem e Shotë Galica- ende të ndarë e pa shtatore!)

(Zemërthyerja e Heroinës me tri varre)

(100- Vjetori i Epopesë së Arbërisë së Vogël po troket në ndërgjegjen e përgjumur kombëtare!)

(Historia filloi me ne!-sikur gërgasin rrahagjoksit!)

* * *

Korriku- muaj i Galicës:

Në korrik të vitit 1907, në betejën e Deviçit, në luftë kundër turqve, ra heroikisht Bejtë Galica (babai i Azem Galicës);

Në korrik të vitit 1921 Shotë Galica vret naçallnikun në Mitrovicë;

Më 15 korrik të vitit 1924 u zhvillua Epopeja e Arbërisë së Vogël;

Më 25 korrik të vitit 1924 dha shpirt Azem Galica;

Në korrik (ka disa data), të vitit 1927, në mjerim të plotë vdiq Shotë Galica dhe

Më 17 korrik të vitit 1998, në Rrasë të Zogut ra dëshmori i UÇK-së Adem R. Ademi!

* * *

Azem e Shotë Galica- unikat në histori!

Dymbëdhjetë vjet luftë çlirimtare dh e sakrifica vetëmohuese!

Gjashtëdhjetë beteja fitimtare!

Varri i Kryetrimit Azem Galica- Varri më i thellë në botë (73 metra)!

Dhe, nga gurmazi i tij enigmatik, pas dyzet e shtatë vitesh, eshtrat e Tij “fluturuan” në Galicë!

Vdekja e “Nuses së Maleve”- Heroinës Shotë Galica, një nga më të rëndat në historinë tonë; vdiq në mjerim të plotë, e braktisur fare nga pushteti i kohës, madje edhe e kërcënuar nga mbreti e nga uria katandisëse!

Ne të afërmit e kryetrimit si dhe komisioni nismëtar, sikur kemi mbetur zë i humbur në shkretëtirën e paanë. Që nga viti 2004 nuk kemi lënë derë pa trokitur, në Kosovë e në Shqipëri. Dosja me kërkesa e shkresa të ndryshme është fryrë aq sa nuk peshohet dot. Dhe, përpos fjalëve të mira, të buta e të ëmbla, askush asgjë konkrete! Thuajse jemi lodhur, andaj kërkojmë ndihmë. Kërkojmë ndihmë nga ata që e kuptojnë drejt problemin e shtruar. Le të gjykojnë paanshëm mendjet e ndritura të kombit dhe le ta japin ndihmesën e tyre të mundshme.

O tempora, o mores!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston asnjë lapidar a pllakë përkujtimore për luftëtarët e Çetës së tyre kreshnike!!!

Lëri, lëri të gjitha këto. Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!!

Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet!

Besoj se ka ardhur koha që mos të bëhemi krejt të shurdhër e të verbër!

T’i thërrasim ndërgjegjes sonë kombëtare e ta zgjojmë nga përgjumja!

Vallë, a nuk është një satisfaksion moral e kombëtar që këta dy bashkëluftëtarë e bashkëshortë, të cilët për dymbëdhjetë vjet nuk i ndanë as luftërat, as betejat, që sot t’i bashkojmë!

Azem dhe Shotë Galica tashmë janë shpallur HERONJ TË KOMBIT nga të dy qeveritë dhe i përkasin gjithë SHQIPTARISË! Andaj, Ata meritojnë të jenë ashtu siç ishin në jetë: TË PANDARË!

Azem e Shotë Galica edhe janë dekoruar nga të dy shtetet tona, por, për çudi, asnjë dekoratë nuk ka mbërri aty ku duhet, në duart e familjarëve të Tyre!

Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe paraprakisht nënkupton BASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!

Dhe, mjerisht, edhe sot e kësaj dite, loja vazhdon në këtë dramë kombëtare!

Kërkesa për rivarrosjen e eshtrave të saj në Galicë, pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica, le që po injorohet tash e sa vite, nga shoqëria e nga të dy qeveritë, por, së fundmi, doli në shesh edhe një hile e paparë dhe e padëgjuar: Krahas dy varreve të ditura, mbiu si nga dheu edhe varri i tretë, për të cilin thuajse nuk di askush të të jap përgjigje!!!

Shihni deri ku ka vajtur misterioziteti i një enigme djallëzore!

Hajde, mendjekrisur, hajde!!!

Jemi mësuar të kemi personalitete pa varre: Heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun; të madhin Pjetër Bogdanin, paskëtaj poeti kombëtar, Gjergj Fishta…

Edhe për Ali Pashë Tepelenën dimë se trupin e ka në Janinë e kokën në Stamboll, por me tri varre jo!!!

Çudi e çudive!

Heroina Shotë Galica ka tri varre!

  1. Varri dhe lapidari në Fushë- Krujë, ngritur në vitin 1962,
  2. Varri në Galicë, i rregulluar në vitin 2004 dhe
  3. Varri në Krujë, i “zbuluar” para një viti, i rregulluar në kohën e komunizmit!

Një skandal e shkuar skandalit!!!

Kjo lojë me eshtrat e Heroinës Shotë Galica duhet të marrë fund!

Turpi bie mbi institucionet vendimmarrëse shtetërore!

Ky turp, le të rëndojë si gur mallkimi edhe në ndërgjegjen e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre pengojnë realizimin e këtij amaneti!

ATA-nuk i ndau LUFTA!

ATA-i ndau POLITIKA!

ATA- t’i bashkoi LIRIA!

Po 100-Vjetori çdo të na sjellë vallë?!

Sipas të gjitha gjasave, asnjë risi!

Dita e mirë shihet në mëngjes.

Kulla dhe kompleksi “Azem e Shotë Galica”, ashtu qysh se është ndërtuar!

Asnjë gram më shumë: Kulla jofunksionale, pa rregullim të brendshëm (mbase veç më keq, ca xhama të thyer e oxhaku i dëmtuar). Rrethoja prej “muri”, një lojë fëmijësh me rrasa guri që i bie në sy çdo vizitori.

Mendja sikur ma  thotë një gjë: Ky përvjetor i madh (Një shekull) do të kapërcej, si zakonisht, sa për të thënë, me ndonjë Konferencë apo Simpozium, me ndonjë kumtesë 10 minutash, pa kurrfarë  prurjesh të reja shkencore dhe me ndonjë krekosje pompoze politikanësh, sa për ndonjë foto e për ndonjë pikë…

-Ore, historia filloi me ne!- sikur po thonë rrahagjoksit dhe po vazhdojnë me avazin e tyre mohues.

Megjithatë, mbetet të shohim çdo të ndërmarrin institucionet tona lokale e qendrore kombëtare!

Do të ndjehem shumë i kënaqur, po të më  dalin shterpe parashikimet e mia!

Të shohim!

Azem Galica dhe çeta e tij

Nga e majta në këmbë: Rrukë Qubreli, Emin Lati, Mursel Ahmeti, Azem Galica, Sadik Myftari, Shaban Perkiqi dhe Beqir Azemi.

Ulur: Sadik Perkiqi, Ajet Kushtova, Adem Miftari dhe Sinan Citaku. – FM Images Albania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok