21/12/2024

NASER HAJRIZI- REPUBLIKË KUSHTETUTË- JA ME HATËR JA ME LUFTË

0
Naser-Hajrizi

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1962-e vranë më 2 prill 1981)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në kohën kur u lind Naser Hajrizi, më 07. 07. 1962, nga i ati Beqiri dhe e ëma Fatimja, Kosova ende ishte e robëruar. Shqiptarët, ende qëndronin dhe  rezistonin. Edhe më tutje në rend të obligimeve historike mbeti obligimi dhe qëllimi suprem i lëvizjes ilegale-çlirimi i trojeve të mbetura nën sundimin e huaj dhe bashkimi i tyre me shtetin amë.

Ndër sfidat më të mëdha ishte viti l945, dhe periudha që pason. Ishte koha kur shqiptarët, pa dëshirën e tyre, mbetën në kuadër të Serbisë e të ish-Jugosllavisë. Andaj, rezistenca ishte fati ynë historik. Periudha nga pas lufta (1945) e deri në vitin 1974 llogaritet njëra ndër periudhat më të vështira të shqiptarëve në Ish- Jugosllavi. Në këtë periudhë ilegalja shqiptare kishte filluar të bënte përgaditje për tu riaktivizuar pas burgosjeve e torturave të shumta që pati gjatë viteve 1945-1948.

Babai i Naserit, Beqir Hajrizi, ishte lindur më 1933 në Strofc të Vushtrrisë kurse nëna, Fatime Saliu-Hajrizi ishte e lindur më 1935, në Gradicë të Drenasit. Naseri u rrit dhe u edukua në një familje e cila ishte e njohur për atdhetari e bujari shqiptare. Kjo familje fillimisht ishte shpërngulur në Vrellë të Magurës,  e pastaj nga këtu ishte shpërngul për Prishtinë. Familja kur u vendos në Prishtinë, po atë vit Naseri i kishte mbushur shtatë vjet, dhe filloi mësimin në shkollën fillore. Familja e Naserit, nga ana e babait njiheshin në këto anë, si atdhetar të mëdhenj që luftonin dhe mbronin tokat shqiptare.  Zymber Hajrizi (xhaxhai i Beqirit), dhe kushërinjtë Hajrizi e Osmani ishin vrarë nga forcat serbe më 1921. Se ishin angazhuar dhe ndihmuar luftën e çetave të Azem Galicës. Po ashtu edhe familja e nënës ishin ndër të parët që u bënë digë kundër sistemit okupues komunist. Xhaxhai i nënës (daja i Naserit), Milazim Saliuka-Hyseni, më 1949, pushteti komunist e kishte dënua me shtatë vjet burg, se kishte vepruar dhe ishte anëtar i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare. Po ashtu Zenel Hajrizi, i biri i Zymber Hajrizit, kishte luftua me brigadat shqiptare për ruajtjen e kufirit etnik shqiptar, dhe kishte marr pjesë në Luftën e Drenicës të udhëhequr nga Shaban Polluzha. Veç kësaj, më 1960  Zeqir Hajriz, (axha i Naser Hajrizit), dhe daja i babait të Naserit, Banush Ademi, kishin formuar dhe ishin anëtar të Organizatës Revolucionare për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të udhëhequr nga Kadri Halimi e Ali Aliu. Më 1961, organet e UDB-es zbuluan veprimtarin e tyre, të cilët më vonë iu shqiptuan dënime marramendëse burgu. Pastaj dënohen edhe  Jahir e Ahmet Hajrizi, anëtarë të familjes së Naserit. Po ashtu duhet përmendur axhën e Naser Hajrizit, atdhetarin e njohur- Mehmet Hajrizin i cili mbi dhjetë vjet ka qenë i organizuar në Lëvizjen Kombëtare ilegale të Kosovës. Nga gjysma e vitit 1974 deri në fund të vitit 1981, kur arrestohet, ishte kryetar i njërës nga organizatat e Lëvizjes Kombëtare, fillimisht të quajtur Grupi Revolucionar i Kosovës, dhe më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, si dhe Kryeredaktor i organeve të saj klandestine, “Zëri i Kosovës”, “Pararoja” dhe “Liria”.

Më 1979 arrestohet me dyshimin për organizim ilegal, mbahet në burg hetues për dy muaj, por në mungesë të fakteve, dënohet vetëm për propagandë kundër regjimit pushtues. Më 1981, arrestohet sërish dhe dënohet me 12 vjet burg për veprimtari politike, të cilësuar kundërrevolucionare.

Sipas të dhënave që na i ofron Mehmet Hajrizi, në librin e tij ”Bir i atdheut (Dëshmor i Kombit, Naser Hajrizi)“-. Botuar më 2019, në Prishtinë, në mes tjerash thuhej se ”Naser Hajrizi që në moshë të re ( 11-12 vjeçare) bashkë me Jahir Hajrizin ishin angazhuar nga disa anëtarë të “Grupit Revolucionar të Kosovës”, kjo organizatë ishte vazhdimësi e grupeve të mëhershme ilegale patriotike në Kosovë që u formua në vitin 1972, nga patriotë të njohur në jetën ilegale, siç ishin: Kadri Osmani, Binak Ulaj, Xhafer Shatri, Jashar Alijaj, Metë Shatri e patriotë të tjerë. Naser Hajrizi u angazhua për të ruajtur dhe për ti përcjell tek anëtarët e tjerë të organizatës materiale të rëndësishme ilegale. Është befasuese, se sa shpejt piqeshin fëmijët nën okupim. Naseri ishte fëmijë kur hyri në radhët e ilegales. Që në fëmijëri tek ai vërehej kujdesi, qëndresa, besnikëria ndaj shokëve dhe veprimtarisë ilegale por në të njëjtën kohë dallohej edhe urrejtja dhe përbuzja e madhe ndaj okupuesit.

Vitet kalonin, e bashkë me to rritej e burrërohej edhe i riu Naser Hajrizi. Naseri pas përfundimit të shkollës fillore me sukses të shkëlqyeshëm, regjistrohet në shkollën e Mesme  Elektroteknike në Prishtinë. Në mësime ishte i dalluar dhe çdo kund linte përshtypjen e një djali mirë të edukuar. Në shkollën e mesme veç mësimit, ai ishte pjesë e pandarë e lëvizjes. Bashkë me punët konspirative që kryente, ky kishte marr përsipër që të angazhonte edhe shokët te të cilët kishte besim të madh. Bashkë me shokun e klasës  Asllan Pirevën nga Prishtina, Sylë Loshin nga Padalishta e Drenicës, Isuf Hajrizin nga Hajvalia, kishte formua një grup ilegal që vepronte në kuadër të – Grupit Revolucionar të Kosovës. Gjithashtu ky grup shpërndante literaturë të ndaluar dhe shtypin e ilegales. Shkruanin parulla të ndryshme që ishin kundër sistemit jugosllav. Me një mençuri të rrallë bënte hulumtimin dhe hetonte profesorët e tij se cilët ishin kundër okupuesit, dhe tek ata që kishte fitua besimin i furnizonte me materiale të ndaluara. Profesorët si: Ahmet Qeriqi , Zenun Gjoca e të tjerëve, iu dërgonte literaturë dhe shpesh bisedonte me ta për mundësin e angazhimit të tyre në radhët e ilegales.

Kosova mezi kishte ecur e hyrë në vitin 1981. Dhe, pas lajmit se në mensën e studentëve ka demonstrata, punëtorët politik të Kosovës ishin sensibilizuar dhe një grup i madh i tyre  si të KK të LK të Prishtinës, të KK të LK të Kosovës dhe të Universitetit ishin futur në radhët e studentëve me qëllim që me mjete politike, me veprime ideopolitike t’i bindnin studentët që të shpërndaheshin, të kthehen në Qendrën e studentëve dhe atje të bisedojnë konkretisht në lidhje me kërkesat për përmirësimin e kushteve  dhe të standardeve të studentëve në përgjithësi. Pas bisedave që kishin zgjatur gati një orë, studentët ishin pajtuar që të shkonin deri në mensën e tyre. Si shkak i drejtpërdrejtë i këtyre trazirave  ishte, gjoja, pakënaqësia e një grupi studentësh për shkak të ushqimit që konsumonin në restorantin e tyre, pritjes së gjatë, shërbimit jo efikas, dritës së dobët etj. Pas kësaj grupi i përmendur doli jashtë restorantit, u tubua para tij dhe u drejtua nëpër rrugën “Ramiz Sadiku” në drejtim të Fakultetit Teknik. Në atë moment në grup ishin rreth 200-400  studentë. Në raportin që  japin organet kompetente të KK të LKK-së thuhej se më vonë këtij grupi iu bashkuan edhe 100 studentë të tjerë. Studentët duke parakaluar pranë ndërtesës së KK të LK të Kosovës, thirrën parulla në një zë “Kushte”, “Kushte”, kurse para ndërtesës së KK të LKK-së lëshuan parullën “ushqim”. Sipas informatës së KK të LKK-së, edhe pas orës 22.00 grupet e shumta të studentëve  u takuan para mensës. Para demonstruesve dolën dhe folën  3 studentë, të cilët duke kërkuar disiplinë theksuan se  qëllimi i tubimit të tyre ishte të kërkonin të drejta dhe përmirësim të kushteve  të jetës dhe të punës, e jo të çrregullojnë rendin publik dhe qetësinë. Mirëpo ata njëkohësisht i ftuan demonstruesit  të qëndronin të tubuar dhe të jenë kompakt në mbrojtje të kërkesave të tyre.

Naser Hajrizi ishte aktiv e pjesëmarrës në të gjitha demonstratat që ndodhën gjatë muajit mars e prill, 1981. Më 26 mars 1981, në orën 6.00 të mëngjesit, një grup studentësh kishte bllokuar hyrjet në tri konvikte të studentëve në Prishtinë. Ata kishin kërkuar  të bisedonin me personalitete të caktuara të Universitetit dhe me disa funksionarë krahinorë, duke theksuar se- në rast të kundërt- nuk do të dalë askush jashtë konvikteve dhe të gjithë masivisht do të dalin në demonstrata.

Organet e Sigurimit  thuhej në një dokument, kishin informata se studentët në konviktet e Prishtinës po përgatiteshin për demonstratat jo më me karakter social, por tani me kërkesa politike. Në ora 12 e 40 minuta studentët shpalosin parullat me karakter politik si: ”Trepça punon për të tjerët”,  “Bashkim”, “Rroftë klasa punëtore”, “Kushte më të mira”, “Duam republikë”, , “Jemi shqiptarë e jo jugosllav”, “Kosova është e jona”, “Kosova kosovarëve”, “Bashkimi i viseve shqiptare”, “Të dënuarit politik të kthehen në Kosovë”, “I kërkojmë shokët e burgosur”, “Republikë” etj.

Më 31 mars dhe më tej situata  politike në Prishtinë ishte e nderë. Bojkotimi i mësimit në fakultete vazhdonte. Një numër i madh i studentëve dalëngadalë kishte filluar të manifestonte, gjithashtu edhe shkollat e mesme në qytet. Në mësime mungoi edhe kuadri arsimor të cilët ishin urdhëruar që nga ora 7.00 e mëngjesit e deri në ora 19 në mbrëmje, të ishin në fakultete. Duke e parë se situata po u ikte nga dora, organet kompetente të Kosovës morën vendim që në të gjitha fakultetet të organizoheshin kujdestaritë. Po atë ditë në Qendrën e Studentëve u shënuan trazira, kurse rreth orës 11.00 para dite një grup i madh i studentëve në oborrin e konvikteve  lexuan një letër dhe më vonë ia shpërndanë studentëve.

Më 1 prill 1981, në orën 12.30 minuta në Prishtinë shpërthyen demonstratat më masive deri më atëherë.   Në ditën e parë të demonstratës gjithë popullore të organizuar në Prishtinë, Naser Hajrizi bashkë me anëtarë tjerë të familjes ishte i pari në radhët e demonstruesve. Një grup nxënësish të shkollës së mesme ekonomike dhe të shkollës bujqësore, por edhe studentësh u nisën nga oborri i shkollës në drejtim të qytetit, duke thirrur parullën “Republikë”. Për ta penguar hyrjen e grupit në qytet, forcat e Sigurimit e kishin bllokuar dhe i ndanë demonstruesit në shumë grupe të vogla. Në ecje e sipër atyre iu bashkuan me mijëra studentë, qytetarë e nxënës, kështu që deri në orën 15, grupi numëronte mbi 5000 veta. Policia kishte marrë urdhër nga lart që të ndërhynte, gazi lotsjellës me një shpejtësi të paparë u hodh ndaj demonstruesve. Turma nuk shpërndahej. Ata vazhduan marshimin deri te ndërtesa e Këshillit Ekzekutiv, e pastaj u drejtuan para ndërtesës së KK të LKK-së. Rinia studentore e shkollore nuk ndalej dot. Pa ndërprerë dëgjoheshin parullat. Për herë të parë u dëgjua parulla “Rroftë Adem Demaçi” kurse para KK (tani ku ndodhej Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve), u shkrua në pllato “Rroftë Adem Demaçi”, “Duam Republikë”, “Kosova Republikë”, “Të lirohen shokët” etj.

Pas përhapjes së lajmit se në rrugët e Prishtinës kishin dalë tanket, drejt qytetit ia mësyn nga çdo anë qytetarët e Kosovës.  Rreth orës 11 një grup qytetarësh afër fshatit Devet Jugoviq, sulmuan forcat e Sigurimit. Po ashtu një grup tjetër qytetarësh ishte nisur nga Obiliqi për në Prishtinë duke u përleshur me forcat policore.                   Pas këtyre ngjarjeve që patën jehonë të madhe në vend dhe në botë, Kryesia e RSJ dhe Kryesia e Komitetit Qendror të LKJ-së, më 2 prill 1981, mbajti një mbledhje urgjente me të gjithë anëtarët e saj lidhur me gjendjen e krijuar në KSA të Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për shpalljen e situatës së krizës në territorin e KSA të Kosovës dhe për aplikimin e planit për të tejkaluar këtë situatë; vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës; dhe vendimi për aplikimin e masave të gatishmërisë. Në harmoni me këtë vendim, Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës urdhëroi aktivizimin e planeve për situatën e krizës. U dha urdhri për aktivizimin qind për qind të njerëzve, për organizimin e luftës të organeve të Punëve të Brendshme në KSA të Kosovës. Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, gjithashtu lëshoi urdhër për ndalimin e lëvizjes së personave  në numër  të madh në vende publike. Ky urdhër hyri në fuqi menjëherë. Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 1981, mori vendim që, me qëllim të eliminimit të rrethanave  të jashtëzakonshme dhe të mbrojtjes së rendit publik, të kufizohet ose të ndalohet lëvizja e njerëzve  në vendet e caktuara publike dhe në ato vende në të cilat, me veprimin e individëve  apo të grupeve,  mund të cenohej rendi publik dhe qetësia ose të rrezikohej rendi publik. Me vendim u urdhërua kufizimi i qëndrimit në vende të caktuar për ata persona, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimin e tyre do të mund ta rrezikonin rendin publik. Po atë ditë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të komunës së Prishtinës urdhëroi që të ndërpritet mësimi në shkollat fillore, të mesme, të larta dhe në fakultete, të mbyllen konviktet e studentëve  dhe internatet e rinisë së shkollave të mesme në Prishtinë.  Më vonë këto masa u aplikuan edhe në organet krahinore dhe në komunat e tjera të krahinës.

Me kërkesën e udhëheqjes së krahinës iu dërguan përforcime organeve të Punëve të Brendshme të KSA të Kosovës nga efektivët e Federatës dhe të të gjitha republikave  socialiste të KSA të Vojvodinës, të cilat veprojnë në bazë të urdhrave të Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës.

Më 2 prill 1981, megjithëse ishin marr masa të rrepta kundër studentëve e nxënësve, Naser Hajrizi bashkë me Asllan Pirevën ishin organizatorët kryesor të demonstratave të nxënësve në shkollën Elektroteknike. Megjithëse, pas urdhrit që kishin marr nga organet e Komitetit Krahinor të LKK-së, dyert e shkollës i kishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me kordonin policor, Naseri plagoset, por masa demonstruese marshon drejt qytetit (shkolla ndodhej afër parkut Gërmia, në periferi të Prishtinës). Ai shkon në familjen e Adem Kurteshit, lidh plagën dhe pasi i zë kolegët, vihet në ballë të demonstratës në qendër të qytetit. Pas ndërhyrjes së forcave serbe, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis Bankës Popullore (sot Kryeministria) Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit i prinin Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Dy të rinjtë, rreth orës nëntë paradite, ranë dëshmorë me flamurin lart dhe me moralin e pathyer të luftëtarëve të lirisë. Mbi ta shtinë me armë zjarri oficerë ushtarakë të vendosur në objektin e Bankës Popullore të Kosovës.

Sipas kujtimeve të axhës së Naser Hajrizit, Mehmet Hajrizit, ai thotë se : ”Më 2 prill rreth orës tetë para dreke, ndodhesha bashkë me vëllain tim, Zeqir Hajrizi, midis demonstruesve para teatrit të Prishtinës. Para se të grumbulloheshim aty, na kishin kërcënuar me tyta armësh oficerë ushtarakë rreth ndërtesës së Kuvendit, por demonstruesit i injoronin duke vazhduar marshimin. Edhe objekti i sotëm i Qeverisë, atëherë i Bankës Popullore, ishte i mbushur përplot ushtarë, të cilët kishin mbërritur gjatë natës. Unë kisha qenë rreth këtij objekti në orën gjashtë të mëngjesit dhe kisha parë ushtarakë të zdërvajur në sallën e madhe të objektit, rrethuar me xhama. Pas gjysmë ore thirrjesh e brohoritjesh të demonstruesve, filluan krismat ngjashëm me mbrëmjen e kaluar, kur na kishin shpërndarë me tym ngulfatës dhe krisma nga të gjitha anët. Por tashti përdornin edhe plumbat, sepse dalloheshin krismat. Një pjesë e demonstruesve u tërhoqëm përgjatë lumit, Vellushës, nga lindja dhe te teatri i sotëm „Dodona“, me alarme dhe në shpejtësi kaluan dy makina, jo të policisë siç menduam në fillim, po të ndihmës së shpejtë. Shkonin në drejtim të spitalit. Pak minuta më vonë thanë se i kishin vrarë dy të rinj në ballë të demonstratës, në sheshin midis Shtëpisë së re të mallrave, Postës së vjetër dhe Bankës Popullore. Kishin shtënë nga objekti i Bankës. Edhe sot duken shenjat e plumbave në shtëpinë dykatëshe kundruall këtij pallati. Më vonë morëm vesh se ishte vrarë Naser Hajrizi dhe bashkëveprimtari i tij, Asllan Pireva”.

Lidhur me ceremoninë e varrimit të dëshmorit Naser Hajrizi, Mehmeti shkruan: „Me shumë peripeci arritëm që më 3 prill të nxirrnim kufomën e Naserit nga Morgu i Spitalit të Prishtinës, kurse më 4 prill bëmë homazhet dhe ceremoninë e varrimit, duke u betuar të gjithë të pranishmit para trupit të tij lapidar. Betimin po e udhëhiqja unë, pasi kisha thënë disa fjalë për dëshmorin. Vetëm njëri nga të pranishmit, derisa bëhej betimi, thërriste me shqetësim, „amani lëreni këto se po rrezikohemi“. Ato ditë nuk lejonin të shkohet në grup prej tre vetash, kurse në varrim lejonin vetëm katër përcjellës të kufomës. Ne kishim siguruar një kamion të mbuluar, me të cilin shkuam te varrezat e qytetit mbi njëzet vetë. Të tjerët individualisht shkuan drejt varrezave…“

Pas demonstratave të vitit 1981, në vendin ku u vranë heroikisht dy dëshmorët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, regjimi komunist për ti fyer sa më shumë heronjtë, në atë vend kishte ngritur një nevojtore publike me dy hyrje. Me kohë, vendi u pastrua, por tek në vitin 2008, me 2 prill u vendos një pllakë përkujtimore, si kujtim i vendrënjes së tyre.

Duhet përmendur edhe këtë se vetëm gjatë vitit 1981 në Prishtinë e gjithandej ku jetonin shqiptarët në Ish-Jugosllavi, ranë dëshmorë: 1. Naser Hajrizi (20), Prishtinë 2.Asllan Pireva, (20), Prapashticë, (Podujevë), 3. Ruzhdi Hyseni, (27), Kollë, (Vushtrri), 4. Riza Matoshi, (26), Nekodim, (Ferizaj), 5. Ibrahim Krasniqi, (27), Sllatinë, (Lypjan), 6. Xhelal Maliqi, ( 1957 ), Prishtinë, 7. Sherif Franku, (l9), Ferizaj, 8. Salih Zeka – Mulaku, (72), Vushtrri, 9. Salih Abazi, (28), Vushtrri, 10. Nesim Dana, (27), Gjakovë, (u mbyt nga eprorët  e APJ-së), 11. Tahir Meha (1943- e likuiduan me 13 maj 1981), Prekaz i Poshtëm, (Skënderaj), 12. Nebih Meha, (1910- u likuidua më 13 maj 1981 ), Prekaz i Poshtëm, (Skënderaj), 13. Sinan Bajrami, (18), Dedi, (Mitrovicë), 14. Asllan Ukë Gashi,(1961), Suharekë, 15. Besim Xhemë Bajraktari, ( 1958), Junik, 16. Shaban Sadik Prushi, ( 1961 ), Prush i Gjakovës, 17. Islam Bajram Morina, ( 65 vjeç ), Loxhë, 18. Qerim Abdyrrahman Aliu, ( 1961 ), Kumanovë, (kazerma në Viroviticë ), 19. Rizah Vehbi Matoshi, ( 25 vjeçar), Ferizaj.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të Kombit që ranë në mbrojtje të ATDHEUT!

Literatura:

Mehmet Hajrizi, Biri Atdheut, Prishtinë, 2019

Mehmet Hajrizi, Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë 2008

Bajram Kurti, Gjaku i lirisë V/VI, Prizren, 2003, f. 151

Sabile Keçmezi- Basha, Organizatat dhe grupet ilegale  në Kosovë 1981-1989, Prishtinë, 2003

Sabile Keçmezi- Basha,

https://pashtriku.org/mehmet-hajrizi-bir-i-atdheut-deshmor-i-kombit-naser-hajrizi-ii/

https://klankosova.tv/ne-36-vjetorin-e-renies-perkujtohen-deshmoret-naser-hajrizi-dhe-asllan-pireva/

https://gazetainfokus.com/perkujtohen-deshmoret-naser-hajrizi-dhe-asllan-pireva/

https://www.fokusi.info/asllan-pireva-e-naser-hajrizi-dy-jete-te-martirizuara-ne-lulen-e-rinise-per-lirine-e-kosoves/

https://gazetalevizja.com/mehmet-hajrizi-naser-hajrizi-dhe-asllan-pireva-dy-lulet-e-pranveres-shqiptare-81/

https://www.gazetadirekt.com/lajme/nderohen-deshmoret-e-81-es-naser-hajrizi-dhe-asllan-pireva/

https://gazetalevizja.com/mehmet-hajrizi-heroi-i-pranveres-shqiptare-81-naser-hajrizi/

https://www.forum-al.com/threads/demonstratat-studentore-%E2%80%9981-kthes%C3%AB-e-madhe-n%C3%AB-historin%C3%AB-m%C3%AB-t%C3%AB-re-t%C3%AB-kosov%C3%ABs.34226/page-2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok