23/12/2024

NAIM FRASHËRI NË AUSTRI, POEZI  DHE SHKRIME TJERA

0
Naim_Frasheri

“Apostull i Shqiptarizmës”.  Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes…

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Vjenë, 20 shkurt 2023. Poeti mendimtar iluminist dhe veprimtar i arsimit e kulturës kombëtare, Naim Frashëri, është i njohur dhe vlerësuar nga çarqet evropiane të kohës. Figura e tij e gjithanshme, vuri themelet e Rilindjes Kombëtare dhe ai për së gjalli u pagëzua: “Apostull i Shqiptarizmës”.  Naim Frashëri evokoi të kaluarën historike të shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes.

Naim Frashëri nga viti 1874 deri në vitin 1876 punoi në Sarandë, drejtues i doganës; por në fund sëmurët nga mushkëritë, ai vuante nga tuberkulozi i hershëm dhe tani nga reumatizma e shoqëruar me  dhembje në gjunjë dhe nyje. Në këtë gjendje Naimi detyrohet të udhëton për shërim në banjën e njohur të Badenit, jo larg Vjenës, ku do qëndron gjashtë muaj. Sipas disa burimeve, duhet të ishte fillimi i vitit 1877. Përkujdesi dhe uji i banjës së  Badenit i bëjnë mjaftë mirë për shëndetin e tij të rënduar.

Ardhja në Austri, atij i dha mundësinë të viziton  muzeun e njohur të Vjenës, Belvedere, aty ku aso kohe, ruheshin shpata dhe përkrenarja e Kryeheroit tonë,  Gjergj Kastriotit  Skënderbeut (1405-1468).  Shpirti i tij atdhetar u magjeps nga armët e Kryetrimit, i frymëzuar shkroi vargjet e njohura të tij:

Lum ti, moj Shqipëri!” thashë,

Armët e ti’ kur i pashë
Ndë Belvedere në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.

Kështu Naim Frashëri në Vjenë, lidhet akoma më shumë me madhështinë e veprës  së  Gjergj  Kastriotit Skënderbeut. Një dekadë më vonë, në vitin 1898,  nxjerr në dritë veprën e tij “Istori e Skënderbeut”. “Mbi të gjitha këto, Historia e Skënderbeut shënon kulmin e përpjekjeve të vetëdijes patriotike të Naim Frashërit, në kohën kur të gjithë popujt e pushtuar   nga otomanët kishin fituar pavarësinë. Prandaj, këtu më vendosmërisht se sa përpara shtrohet imperativi i luftës, i bashkimit, i lirisë”.

Në kohën kur Naim Frashëri erdhi në Vjenë dhe Baden për shërim, kishte pak shqiptarë, të paktën nuk kemi shënime për aktivitet e tyre. Para katër shekujsh ishte i njohur gjenerali  në Dinastinë e Habsburgëve, Gjergj Basta (Georg Basta), shqiptari nga fshati Bastja, rrethina e Sarandës. Basta në fund të jetës së tij ishte Guvernator i Vjenës ku dhe vdes në gusht të vitit 1907, varroset në Kishën e Kryqit të Shenjtë në Vjenë, kurse pesë vite më vonë eshtrat e tij varrosen në Kishën Françeskane të Vjenës. Kjo tregon se historia e pranisë së shqiptarëve në Austri është e vjetër dhe e pa hulumtuar.

Shqiptarët kudo që u gjenden jashtë territoreve etnike; në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim shekullin e njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të rilindësve në bërjen e alfabetit dhe shtetit shqiptar. Sundimi i gjatë turk e kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Idetë e Rilindësve u përvetësuan shpirtërisht si program veprimi natyrshëm duke ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare.

Katër vjet pasi Naim Frashëri mbylli sytë, Dr. Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, themeluan shoqërinë “Dija”.  Kryetar i shoqërisë “Dija” u zgjodh Dr. Gjergj Pekmezi kurse  Hilë Mosi sekretar i saj në Vjenë. Anëtarë kryesie dhe bashkëthemelues  Nikollë Ivanaj i degës në Raguzë. Dy vjet pas themelimit të “Dijes” intelektualët e njohur rreth saj nxjerrin “Kalendarin Kombëtar” një revistë ngjarjesh brenda një viti kalendarik i shtypur në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”. Aty krahas shkrimeve tjera botohen tregime, anekdota, vjersha nga autor të ndryshëm. Në te do veçojmë poezinë kushtuar Naim Frshërit me titull: “Naim Beut”. Autori i saj nuk është shkruar.

Naim Beut

Njashtu si shqipja nalt tue fluturue,

Ku përmbi re qohet me krahët e veta;

Njashtu ti Naim gjuhën tonë lartë ke que

Sa me u ndalë, filloi e me dal jeta.

Vjershat tuaja janë gjithaq mirë rreshtue

Sa shpesh herë prej gëzimit i habitur mbeta,

Kur unë ishe me gëzim tue i kendue

Se ti në mjaltën ke mbledhë, porsi bleta.

Ti vdiqe, prej kësaj bote je largua

Që e vështirshme, e rrejshme është e shkreta…

Por ti prapë mundesh me u këndue

Se vjershat tuaja janë aq të nxehta

Sa prej shqiptarëve nuk kanë m’u harrua

Emri yt, deri sa të soset jeta.

Kalendari Kombëtar, 1906, Vjenë

Siç shihet vjersha i kushtohet Naim Frashëri pas vdekjes së tij i cili u bë frymëzim i shumë personaliteteve të kohës.  Naimi vdiq, por vetëm fizikisht, kurse shpirtërisht ai jeton i freskët në të gjitha gjeneratat. Autori i kësaj vjershe të fuqishme, sigurisht është nga radhët e shoqërisë “Dija” e cila nxori Kalendarin Kombëtar i botuar në Austri në vitin 1906. Kështu vepronin edhe kombet tjera, me botimin e kalendarëve kombëtar.

Në Austri  shënohet 25 vjetori i vdekjes së Naim Frashërit, viti 1925

Safet Butka  nxori Fletushkën NAIM FRASHËRI, e botuar në Graz në vitin 1925 në shënim të njëzet e pesë vjetorit të vdekjes së Naimit.

Njëri nga ata që shkroi me pasion rreth potit tonë të madh Naim Frashërit në Austri ishte Safet Butka, i cili studioi për filozofi në Grac. Ai  hulumtimin e tij e përmblodhi në fletushkën me titull:

Shoqëria studentore shqiptare në Grac të Austrisë nën drejtimin e patriotit të madhe Safet Butka shënon 25 vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit me titull: NAIM FRASHËRI

NJË SHEMBËLL PËR DJALËRINË SHQIPTARE.

Nxjerrë nga libra NAIM Be FRASHËRI prej një grupi studentësh të Austrisë (Graz), 1925.

Që në faqen e parë shkruan: “ Naimi  s’është vetëm një shembull si gjithë shembujt e mirë të historisë e literaturës kombëtare që tërheqë vërejtjen e fiton simpatinë e veç disave, po edhe një fytyrë e shkëlqyer e një personaliteti të rrallë që ka një vlerë aktuale, një vlerë që do shtohet dita – ditës duke pushtuar zemrat e gjithë atyre që do kenë fatin të njihen mirë me jetëshkrimin e veprat e tij. Kjo vlerë e karakterizon vetveten duke u pasuruar me zemra e shpirtra njerëzish “Unë jam në shpirtin taj…” ky burim lumtësije qiellore s’ e ka mëmën vetëm në ndjenjat poetike e patriotike.

Në faqen e dytë shkëpusim disa fjali. “Nga libri “Naim be Frashëri prej Mali Kokojka (Lumo Skëndo), pseudonime të Mithat Frashërit, i shtypur në Sofije në vitin 1901, edhe nga “Kalendari Kombëtar”, 1926, prej një artikulli “Naim be Frashëri”, studim dhe kujtime: “Duke hyrë në Frashër, ndenë xhami të Sulejman be llinjet, në funt të një luadhi, duket një pyrg gurësh e një tufë drurësh që rrëfejnë qenjen e një shtëpie n’atë vent, rrëzuarë 20 (tani 40 e ca vjet më parë).  Të kishim fuqinë të shihnim një djalë të vogël, themi ish ay që do na zbukuronte e do na ngjallte gjuhën t’ënë me vjersha të ëmbëla e të shpirtshme e do të fitonte dashurinë e të gjithë neve e t’a quamë VJERSHËTORI. NAIM BE FRASHËRI”.

Më tutje në fletushkë shkruan rreth biografisë së Naimit, rrethet, krijimtaria e tij. Në faqen 5 vijnë vargjet e fuqishme nga “Bagëti e Bujqësi”:

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!

Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!,

Shënimi i 25 vjetorit të vdekjes së tij në Graz, Vjenë dhe qytet tjera ku kishte studentë shqiptarë në Austri, i dha shtrirje të fuqishme mendimit filozofik të Naim Frashërit.  Austria gradualisht do bëhet qendër e studimeve albanologjike nga do dalin figurat madhor kombëtare të brumosura me ide iluministe të Rilindësve tanë.
Emri dhe idetë e Naim Frashërit tek shqiptarët në Austri do jenë të shënuara gjithandej në shoqatat studentore dhe shoqatave sportive e kulturore.  Shtimi i mërgatës shqiptare u shënua me afirmimin e gjuhës shqipe në Austri, kur edhe themelohet Shoqata e Mësuesve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në vitin 1994. Emri i Apostullit të Shqiptarizmës  u bë pjesë shpirtërore identifikuese kombëtare në Austri dhe kudo ku flitet e lexohet shqip.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 2008.

Burime:

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalor enciklopedik shqiptar l, Tiranë, 2008,

Vepra, Naim Frashëri, Prishtinë, 1987.

Rexhep Qosja, Naim Frashëri, Prishtinë, 1978.

Uran Asllani, Studentët shqiptar të Austrisë dhe veprimtaria e tyre, Tiranë, 2000.

Kalendari Kombëtar, Vjenë, 1906.

Safet Butka, Naim Frashëri, Graz, 1925.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok