08/10/2024

Myzerimi u vra duke ëndërruar një jetë normale

0

Nga Blendi Fevziu – opinion.al

Myzerim Zeneli duhet të ketë qenë i gëzuar dje, në ditën e tij të parë të punës. Punës që i siguronte jetesën për vete dhe një ndihmë për nënën në gjendje tejet të vështirë. E gëzuar duhet të ketë qenë edhe nëna e tij, që e rriti jetim dhe që besoi se tashmë djali do t’i dilte krah. Asnjë nga të dy s’mund ta dinte që kjo do të ishte jo vetëm dita e fundit e punës, por edhe e jetës së tij. Jetës kaq të re dhe fare të pafajshme. Ai nuk çoi dot as rrogën e parë në shtëpi, ndërsa në xhep ju gjetën vetëm 30 lekë.

Nuk ndihmoi dot as nënën që sot po kërkon nëpër të afërm dhe komshinj lekët e arkivolit me të cilin do të çojë të birin në varr. Do ta çojë me pishmanin e çdo prindi që nuk i siguroi dot djalit thuajse asgjë në jetë.

Myzerim Zenelin se thërriste askush në emër, thoshte sot një lajm. I thërrisnin “Jetimi”, sipas një mendësie neveritëse të shoqërisë shqiptare. Por sot, me siguri, kushdo që e ka lexuar emrin e tij, do ta ketë shumë të vështire ta harrojë.

Myzerimi ishte nje nga mijëra e mijëra te rinjtë e Shqipërisë që aspironte një jetë normale. Ishte nj prej atyre që punojnë nga mëngjesi në darkë, që sakrifikojnë, që japin gjithçka dhe paguhen aq pak. Ishte një prej të rinjve që me punën e tyre mbajnë mbi supe këtë vend. Që vuajnë padrejtësi dhe qe s’dinë ku t’i denoncojnë ato.

Myzerimi pati vetëm një “mëkat” në jetë.  Besoi, se do çante ne jetë me punë të ndershme dhe me përkushtim. Nuk u bë trafikant; nuk futi një revole në brez të bëhej vrasës me pagesë; as kërcënoi njeri, as grabiti kënd. Thjesht punoi. Ose tentoi te punojë sepse jetën ja morën që ditën e parë të punës së tij.

Ai ra viktimë e mendësisë së ngulitur në këtë vend sot e 30 vjet, qe prona merret me dhunë, që territori zihet me forcë, që gjithçka grabitet, ndërtohet pa leje, kthehet në pasuri dhe ne fund, legalizohet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Që gjithçka bëhet fakt i kryer dhe përpara faktit të kryer, ligji dhe shteti nuk funksionojnë. Madje për arsye elektorale, shteti është kthyer në një makinë legalizimi, që ndëshkon qytetarin e Ndershëm, qytetarin model, qytetarin që respekton lagjin dhe shpërblen atë që ka vjedhur, ka thyer ligjin, ka ndërtuar pa leje, ose siç thuhet në jetën e përditshme, “Ka forcë ”. Dhe në këtë botë të forcës ligjin e bëjnë armët, ato armë që i morën jetën një 20 vjeçari, që askush s’e thërriste me emër, por qe sot, familja po e zbret poshtë në varr. Kanë vrarë një të ri, kanë vrarë një qytetar të këtij vendi, kane vrarë një njeri që respektonte ligjin. E kanë vrarë kot. E kanë vrarë sepse nuk zgjidhnin dot kush do vinte 4 shezllone më shumë në plazh, po aq vend sa do marrin sot në varreza të katërt bashkë.

Myzerim Zenelin se njihte askush. Por ai mund të ishte secili nga ne. Mund të ishte secili qe ulet në një kafe plazhi a qyteti me dëshirën të shijojë thjesht një ekspres. Myzerimi është akuza e gjallë ndaj kujtdo qe mund ta ndalte këtë vrasje dhe s’e ndali dot. Është pasqyrë e asaj që mund të ndodhë edhe nesër, në një vend, ku grabitësi quhet i zoti dhe ai që respekton ligjin dhe punon, “i paafte”. Zoti qoftë me ty Myzerim. Ti ishe padyshim më i zoti nga te gjithë ne, edhe pse plumbat ta prenë jetën dhe ëndrrën në mes…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok