MUSTAFË KOKA – DORA E DJATHTË E HASAN REMNIKUT
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
(1931-u likuiduan më 10 tetor 1951)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Mësuesi e patrioti i madh Mustafë Koka u lind më 1931 në fshatin Kokaj, komuna e Gjilanit. Ishte djali i Rushit Kokës dhe nënës Habibe. Shkollën fillore e kishte mbarua në vendlindje. Mustafa, si djalë i ri, fillimisht nuk tregoi ndonjë interesim të veçantë për politik, por kah fundi i luftës, iu bashkëngjit brigadës partizane të Shqipërisë dhe bashkë me ta shkoi në Shqipëri, ku qëndroi deri më 1947. Gjatë kohës sa qëndroi atje, ai ndoqi mësimet në Shkollën Normale, e në të njëjtën kohë kreu edhe kursin ushtarak- informativ. Pas kthimit në atdhe, ai u propozua nga komuna, për të vazhduar shkollimin në kursin pedagogjik në Prizren. Ka punua si mësues në Uglar, Lubishtë dhe Remnik. Sa ishte mësues u martua me Rabijen, e cila mbetet shtatzëne, dhe si e tillë mbytet gjatë kohës kur likuidohet grupi i Hasan Alisë. Babai i Mustafës- Rushit Koka, ishte një fshatar i pasur që asnjëherë nuk ishte pajtuar me copëtimin e tokave shqiptare. Nga urrejtja e madhe që kishte ndaj pushtuesit, ai menjëherë pas mbarimit të LDB-së, kishte formua një grup që luftonin kundër sistemit të sapo instaluar në vend. Më 1947, ai arrestohej dhe dënohej me 20 vjet burg. Në burg, së bashku me babain ishin të dënuar edhe vëllezërit e tij, që u cilësuan si armiq të popullit dhe të shtetit.
Edhe pse komuna e kishte dërgua në Prizren për të kryer kursin pedagogjik, organet e sigurimit, vazhduan që ta përcillnin hap pas hapi. Për Hasan Remnikun, mësuesi i devotshëm kishte dëgjua shumë fjalë dhe për veprimtarin e tij patriotike kishte marr informata edhe gjatë qëndrimit sa ishte në Shqipëri. Dëshirë e kahershme e tij ishte që të takohej me të. Njoftimin në mes këtyre dyve e bëri Sylë Arifi, që në atë kohë kryente detyrën e sekretarit të Këshillit të Vendit. Me detyrën që kryente Sylë Arifi, kishte mundësin që mësuesit të ri ti siguronte një vend të ri pune, që mundësisht të ishte sa më afër Hasan Remnikut, që për qëllim kishte, të bëhej lidhja dhe kontakti sa më i shpejt me KQ të NDSH-së në Shkup.
Pas një kohe të shkurtër, Mustafë Rushiti- Koka, kaloi me detyrë në shkollën e fshatit- Remnik. Po në këtë kohë filluan edhe takimet e shpeshta e më të shpeshta me Hasan Remnikun. Me kalimin e tij në fshatin Remnik, mësuesi kërkoi të takohej edhe me Agush Hetemin nga Bresalci, që me te njihej që më herët.
Duke përcjellë rrjedhën e ngjarjeve, dhe më vonë, pas zbulimit të ONDSH-së në Gjilan, më 1949, sipas të dhënave, në muajin tetor, të vitit 1949, në fshatin Remnik formohet dega e NDSH-së, me anëtarët: Mustafë Kokën nga fshati Kokaj të Gjilanit dhe Arif Sylën nga fshati Remnik, të cilët kishin për qëllim që në kuadër të saj të përfshinin të gjitha fshatrat e Anamoravës së Epërme. Arif Syla ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Hasan Remnikut dhe me të, vazhdimisht mbante lidhje, sa që në fund aq shumë kishte fitua besimin e këtij të parit, sa e caktoi që të jetë edhe korrier i tij. Arif Syla, edhe më herët kishte rënë në kontakt me anëtarët e NDSH-es. Qysh nga viti 1945, mbante lidhje me ta, e cila gjë vazhdoi edhe në vitet e më vonshme. Pas vitit 1949, me formimin e degës së NDSH-së, në Remnik, ai i mbante lidhjet në mes të KQ të NDSH-së në Shkup, me Gajur Beun dhe Hasan Remnikut.
Pas zbulimit dhe arrestimit të anëtarëve të degës së NDSH-së që vepronte në Gjilan, të cilët në procesin gjyqësor, me 12-16 nëntor 1949, u dënuan me vite të mëdha burgu. Nga kjo datë, dega e NDSH-së, e Remnikut filloi të veproj në mënyrë të pavarur, dhe barrën kryesore e morën: Hasan Remniku, Mustafë Koka dhe Arif Syla. Pas një takimi që patën në fund të nëntorit, Hasan Remniku u zgjodh udhëheqës kryesor ushtarak, Mustafë Koka u emërua si udhëheqës ideologjik dhe njëherë kryente punët e sekretarit të organizatës. Ndërsa Arif Syla u caktua arkëtar i saj.
Organizata e NDSH-es, në fshatin Remnik, me kalimin e muajve, filloi të shtoi edhe veprimtarin e saj. Numri i anëtarëve shtohej për ditë e më tepër, ndërsa i simpatizantëve ishte edhe më i madh në tërë rajonin e Anamoravës së Epërme. Anëtarët rregullisht paguanin anëtarësinë dhe gjatë veprimtarisë së tyre ishin shumë konspirativ.
Me ndihmën e Sylë Arifit, Mustafë Koka, Hasan Remniku dhe Agush Hetemi u takuan në vendin e quajtur “Gumnisht”. Biseda në mes tyre nuk kishte zgjatë shumë por, në atë takim paraqitën planin konkret për veprimtari të mëtejshme. Aty u vendos që në mënyrë sa më urgjente të fillohet me likuidimin e aktivistëve të njohur të pushtetit në këtë anë. Si raste primare ishin të gjithë aktivistet dhe oficerët e UDB-es që punonin në këtë anë. Qëndrimi u mor që në rend të parë duhej me u likuidua sekretari i këshillit popullor i vendit në Malishevë. U propozua po ashtu që të fillohet me prerjen e menjëhershme të telave të telefonit dhe shtyllave të tyre në rrugën që lidhte Gjilanin-Bujanocin dhe Kamenicën.
Menjëherë pas këtij takimi, plani i propozuar i grupit filloi të realizohej. Në rrugën Gjilan –Bujanoc u prenë telat e telefonit, ndërsa 13 ditë më vonë u vra sekretari i Këshillit Popullor të Vendit në Malishevë, Petar Markoviqi. Pas aksionit, Agush Hetemi tentoi të arratisej dhe ti bashkohej Hasan Remnikut në mal, por, forcat e UDB-es, e arrestuan.
Në procesin gjyqësor, të grupit të jatakëve, në bazë të aktgjykimit nr. K-23/51, thuhej se ai “kishte pranua se diku rreth Shëngjergjit të vitit 1951, ishte takua me Hasan Remnikun, ku me këtë rast ai e kishte porositur që ta ftonte mësuesin e fshatit Mustafë Reshitin, për tu takua në vendin e quajtur “Zheden”, aty diku mbi fshat. Pas kryerjes së porosisë, Arifi bashk me mësuesin takohen me Hasanin dhe marrin pjesë që të dy në takim, takimi zgjat mbi dy orë. Me këtë rast bëhet edhe kontakti i parë i mësuesit me të arratisurit. Pas vrasjes së dy oficerëve të UDB-es, të cilën e kryen mësuesi, ai iu bashkohet atyre në mal. Me të akuzuarit, Hasan Remniku shumë herë ishte takuar në vendet e ndryshme të fshatrave për rreth. Sipas një deklarate të dhënë në UDB-en të Vitisë, me 31 tetor 1951, aty thuhej se ata ishin takuar edhe në vendet e quajtur “Qeremica” dhe “Tërshevina”.
Në procesin gjyqësor, sipas aktgjykimit K- 23/51, Gjykata e Qarkut në Gjilan i shqipton dënimin prej 4 viteve burg të rëndë.
Popullata e Karadakut, duke i ditur qëllimet e atdhetarit Hasan Remnikut, filluan në mënyrë të fshehët ti ofrohen atij dhe ta përkrahin në realizimin e idealeve të larta. Dihej se pas “mbarimit” të luftës, shumë shqiptar pushteti i ri i kishte burgosur, dhe i kishte dërgua për të vuajtur dënimin në kazamatet serbe. Në mesin e tyre ndodheshin edhe familjarët e mësuesit të njohur – Mustafë Kokës. Duke e ditur biografin e familjes së mësuesit, organet e UDB-es, kishin marr përsipër që disi ta survejonin mësuesin dhe ti bënin grackën për ta arrestuar. Ai, me kohë e kishte hetuar përcjelljen e tyre, kështu që me ndihmën e korrierit të Hasan Remnikut, kërkon që të takohej me të. Pas takimit që pati me Hasanin në varrezat e kolonëve të Remnikut, në vendin e quajtur Zheden. Mësuesi hallemadhe pasi se i tregoi arsyet e tij për të hyrë në grupin e tij, Hasan Remniku i dëshiron mirëseardhje në radhët e qetës, që më vonë e vërejmë se bëhen shokë të pandashëm, sa edhe vdekja në fund nuk mundi ti ndaj.
Në një dosje të UDB-es, e gjejmë se Mustafë Koka më 6 qershor 1951, në banesën e tij kishte vrarë dy policët e pushtetit Vojon dhe Xhaferin, gjë që kjo ndikoi të përshpejtohej dalja e tij në mal dhe ti bashkëngjitet qetës së Hasan Remnikut.
Me të marr vesh organet e ndjekjes se edhe mësuesi iu kishte bashkangjitur Hasan Remnikut, forcat e rendit dhe ushtria jugosllave intensifikojnë edhe më tepër ndjekjet ndaj tyre. Kurse organet e UDB-es, marrin masa të duhura, duke liruar shumë shqiptar nga burgu, duke i kushtëzuar që në një mënyrë të zbulonin dhe të hedhin në prit ballistin e fundit të Anamoravës.
Grupit të Hasan Alis, ndërkohë i bashkëngjitet edhe anëtari i NDSH-së, Agush Hetem Muharremi. Agush Hetemi ishte një atdhetar i devotshëm, i cili ishte angazhuar në radhët e LNDSH-së, por pasi arrestohet, Gjykata e Qarkut në Gjilan atij i shqiptoi dënimin me vdekje- pushkatim. Pasi se nga lart ishte marr urdhri që Hasan Alia të zihet i gjallë o i vdekur, me një shpejtësi marramendëse, bëhen planet për të keqpërdorur miqësinë që kishte Agushi me Hasan Remnikun. Agush Hetemit, gjykata më vonë, sipas kërkesës së UDB-es, i fal dënimin, prej vdekjes- pushkatim, i caktojnë dënimin prej 20 vjetësh burg. Duke menduar se në këtë mënyrë, atë, do ta bindin që të bashkëpunojnë me ta. Më vonë, sipas disa të dhënave, Agush Mehmeti arratisej nga burgu duke iu bashkua grupit të Hasan Alis-Remnikut. Pas arratisjes së tij, UDB-eja edhe për këtë shpall një shpërblim të lart në të holla për të gjithë ata që din dhe e nxënë Agush Mehmetin.
Sipas dosjeve të shumta të jatakëve që dalin para gjyqit dhe dënohen me vite të shumta burgu, numri i tyre për strehimin e Hasan Remnikut në tërë territorin e Anamoravës ishte tejet i madh. Ai pa frikë strehohej si në Remnik, Lubishtë, Smirë, Livoq i Epër e i Ultë, Ponesh e fshatra të tjera për rreth.
Më me ëndje Hasan Remniku e vizitonte fshatin Livoç, ngase aty ndodhej miku i tij i idealit, Daut Kepa. Me të marr vesh se Hasani kishte vendos për arratisje nga Kosova për në Shqipëri, Dauti i siguron një person për ta përcjell jashtë vendi. Personi i besueshëm ishte Sylë Vraniqi, nga fshati Vraniq i Therandës (Suharekë), që mori për sipër rrugëtimin prej Vraniqi deri në kufi.
Hasan Alia, duke e par se rrethi i lëvizjes sa vije po ngushtohej, dhe se shumë miq e dashamirë të patriotit po vinin familjet dhe jetën e tyre në rrezik, sbashku me grupin vendos që të arratiseshin për Shqipëri.
Rrugëtimin për të kaluar kufirin, Hasan Remniku e nisë me 6 tetor 1951, për ta përfunduar në mes të natës së 9/10 tetorit në “Pritën në Bistricë”. Në grup merrnin pjesë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me gruan Rabijen e cila ishte shtatzënë, dhe Agush Mehmeti me gruan Qibrie Misin Alidemen. Ata ishin të përgatitur mirë, ngase më herët kishin qepur rroba të policisë për burrat, ndërsa për gratë kishin sigurua pantolla, për hir që të lëviznin më lehtë gjatë rrugëtimit. Ushqimin e kishin sigurua me bollëk, andaj çdo gjë ishte e gatshme për nisje. Sipas Jovan Bullaiqit, për Arif Sylën kjo ishte dita më e dhembshme në jetën e tij. Kur kërkoi nga Hasan Remniku që të përshëndetën, Hasani reagoi ashpër duke i thënë se ai vetëm po i përcillte shokët, se ai do të kthehej përsëri në Kosovë. Kjo nuk ishte e vërtetë, por ishte një taktik për të humbur gjurmë dhe për të krijuar huti tek personat që e kishin marr përsipër që ta përcillnin. Rruga ishte e mundimshme dhe me plotë rreziqe, grupi i nisur për rrugë, natën ecte ndërsa ditën u fshihte në male për të vazhduar rrugën në natën tjetër. Organet e ndjekjes Hasanin e cilësonin se ishte shumë dinak dhe shumë i kujdesshëm “ai kujdesej për çdo gjë”. Sbashku me lëvizjet e grupit, në anën tjetër sipas dosjeve të UDB-es, lëviznin dhe bënin përgatitjet e fundit edhe organet e ndjekjes. Grupi vazhdimisht shoqërohej nga përcjellësi i tyre që e kishte marr përsipër që ta “hidhte përtej kufirit”. Pas dy dite rrugëtimi, ata kishin arritur në malet e Kabashit dhe pritnin lidhjen tjetër që do i përcjell, që Hasanit ia prezantuan si njeri nga Zhuri me emrin Ragip, dhe që ishte njohës i mirë i këtij terreni. Hasani çdo gjë e merrte me dyshim dhe për ti bindur personat e panjohur, iu thoshte se edhe ai e njehte shumë mirë këtë terren. Për çdo rast sigurie, Hasani, përcjellësit e vet i kishte vu para dhe nën kërcënimin e automatikut ecnin në drejtim të kufirit dhe pa dijen e tyre, ecnin në drejtim të “Pritës në Bistricë”, që i kishin organizua ushtarët dhe policët e shumtë që ishin shpërndarë në formë harku pran lumit. Afërsia në kufi krijonte një ndjenjë shqetësimi dhe gëzimi tek grupi i Hasan Remnikut, ndërsa tek ushtarët ishte ankth i vërtet prania e Hasan Remnikut. Pas kalimit të lumit të ftohët nga grupi, në fushë u ndizen dritat e shumta të kamionëve të ushtrisë, kërcitën rafalët e shumta, përcjellësit e tyre u zhdukën në strehimoret e përgatitura më herët, ndërsa të shtrirë pran njëri tjetrit ngelën Hasan Remniku me shokët.
Pas kësaj ngjarjeje kobzezë, ushtarët e policët festuan gjatë dhe me mburrje organizuan në Prizren, Ferizaj e Gjilan një ekspozitë të tmerrit, duke i detyruar fshatarët që ti vizitonin të vrarët, që i kishin shtrirë në llucën e rrugëve, për t’iu futur tmerrin qytetarëve shqiptar. Ashtu në heshtje, kokë ulur fshatarët i përcollën duke iu bërë nderimet e fundit bijve më të dashur të kombit vet. Qytetarët e Anamoravës mban zi për trimat e tyre. Ata i shtynë edhe vadet për martës. Asnjë dasmë nuk u bë. Më 14 tetor 1951, kufomat e martirëve i morën dhe i dërguan në oborrin e garnizonit të JNA-së, në Gjilan. Qindra qytetar serb u mblodhën duke kënduar rrethe gropës ku e kishin hapur. Pasi i hodhën të pestit s’bashku në gropë, iu hodhën benzinë dhe i dogjën.