22/12/2024

Murimi në Kështjellën e Rozafës….

0
Rozafa

Fragment studimi…

Nga Timo Mërkuri

a- Kështjella e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, me hyrjen kryesore nga verilindja. Është  e rrethuar nga ujërat e lumenjve Bunë, Drin dhe Kir si dhe  zë një sipërfaqe prej 9 hektarë tokë.

Ka nisur të ndërtohet nëmes të shek. V-IV  p.e.s, ndërtim që nisi të bëhej me gurë ciklopikë (pellazgjikë) të pa lidhur me llaç, gjurmët e të cilëve ruhen edhe sot. Në këtë kohë zona përeth banohej nga fisi ilir i Labeatëve dhe historiani romak Tit Livi e quan  …”vendi më i fortë i Labeatëve”… Në vitin 230 p.e.s. qyteti quhet Scodrinon, informacion i  siguruar nga monedhat në gjetjet arkeologjike.

Në vitin 181 p.e.s. qyteti bëhet kryeqëndër e Mbretërisë Ilire me mbret Gentin.Në këtë periudhë qyteti pati shtrirje në pjesën jugore të kodrës, i rrethuar me mure dhe portë hyrëse ndërsa mbi kodër ishte ndërtuar Akropoli Ilir. Pra qysh në këtë kohë kishte marë fizionominë e një qyteti – kështjellë.

Pikërisht në Kështjellë dhe përreth saj gjatë shek.II p.e.s u zhvilluan luftërat me  ushtrinë romake  dhe në vitin 168 p.e.s, pushtohet prej këtyre të fundit.  Në periudhën e perandorit romak me origjinë ilire Diokleciani,  qyteti mer statusin e qendrës administrative të provincës së Prevalit.

Pushtohet nga sllavët në vitin 1040 dhe bëhet kryeqëndër e shtetit të Zetës.  Pushtohet për një kohë të shkurtër nga bullgarët.Theksojmë se nga gërmimet arkeologjike, nuk janë konstatuar  gjurmë ndërtimesh të  periudhës së pushtimit sllav në kështjellë.

Në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës së Balshajve. Në vitin 1392 osmanët

jua marin Balshajve, por jua rikthejnë përsëri  si shpërblim, me qënë se Balshajt i dhanë

Sulltan Muratit II si robinjë haremi, një vajzë shumë të bukur. Balshajt hoqën dorë  nga zotërimi duke ja kaluar  Venedikut. Është koha kur qyteti mer emrin Scutari. Kjo ishte kohë e punimeve me ritme të larta në kështjellë, e cila përfundimisht mori formën në kohën e sundimit të Balshajve dhe më pas nën zotërimin venedikas. Venedikasve u përket edhe ndërtimi i Kapitenerisë, një ndërtesë me tre kate, e paisur me frëngji topash. Barbakani ndërtohet në periudhën 1407-1414 dhe u forcua me objektiv mbrojtjen e hyrjes në kështjellë. Kompleksi i hyrjes përfundoi më 1468.

Në vitin 1478 Sulltan Mehmeti II, me një ushtri prej mbi 100.000  ushtarësh, rrethon Shkodrën, e cila  mbrohej nga një garnizon prej 1600 luftëtarë shkodranë dhe venedikas.  Kështjella u dorëzua pas një   marrëveshjeje  të lidhur midis Venedikut dhe osmanëve, më 25 Prill 1479. Dëmtimet e luftës u riparuan nga turqit me synim riaftësimin e kështjellës si objekt ushtarak.

Gjatë shekullit XVII dhe XVIII  qyteti shtrihet në territorin ku ndodhet sot.  Kështjella e  Shkodrës  braktiset nga administrata e qytetit  dhe banorët në vitin 1865, duke shërbyer më pas vetëm si qendër e garnizonit osman.

E paraqitëm këtë historik të shkurtër të kësaj kështjelle, për të treguar se ajo është ndërtim shqiptar dhe sllavët nuk kanë luajtur asnjë rol në historinë e ndërtimit të saj apo të qytetit të Shkodrës. Madje  Prokopi i Çezaresë e përfshin ndër veprat e ndërtuara në kohën e perandorit Justinian.

b- Emri “Rozafa” i kështjellës përdoret në periudhën e mesjetës, gjatë kohës së pushtimeve sllavo-bizantine. E dokumentuar gjëndet për herë të parë në biografinë e Nemanjit nga Stefani i Pakurorëzuar, në vitin 1215. Te Barleti e gjejmë në vitin 1480 në trajtën Rozapha. Marin Barleti, në veprën e tij, “Rrethimi i Shkodrës” shkruan se: “Na patën rënë në dorë disa shkrime… Ishin shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet, të quajtur Fa, qenë themelueset e parë të Shkodrës e prandaj fortesa e saj quhet Rozafa”.  Pra, Barleti  nuk e përmend asgjëkundi flijimin në shënimet e tij, për këtë arsye edhe referimi te Barleti në lidhje me baladën e murimit nuk është i saktë. Referimi te Barleti mbetet vetëm një hipotezë për baladën e murimit, por ndërkohë është argument kyç për origjinën dhe hershmërinë  e emrit “Rozafa” të kështjellës, origjinë  që nuk ka asnjë lidhje me gjuhën sllave  dhe me vetë sllavët, pretenduesit  më të parë për autorësinë e baladës…

b.1- Shekuj më von, konsujt francezë  Hecquard dhe Degrand mbledhin variante të baladës së ndërtimit të kështjellës së Shkodrës, ku citohet motive i murosjes dhe ai i besës.

b.2- Kënga e kështjellës së Shkodrës, siç këndohet në popull, është regjistruar nga mbledhësi i apasionuar i folklorit shkodran Kasëm Taipi.

c-Në vitin 1814 këtë baladë e regjistron Vuk Karaxhiçi prej një rapsodi nga Kolashini, i shton mbi 60 vargje qysh në fillim, e titullon “Zidanie Skadra” (Ndërtimi i Shkodrës) dhe e pagëzon si baladë serbe. Në vitet 1814 dhe 1815 Karaxhiçi botoi dy vëllime me Këngë Folklorike Serbe të cilat tërhoqën vëmendjen e të gjithë Evropës letrare dhe Amerikës. Goethe i karakterizoi  si “të shkëlqyera dhe të denja për t’u krahasuar me Këngën e Këngëve të Solomonit”…. Në vitin 1824, Vuk Karaxhiç i dërgoi një kopje të koleksionit të tij me këngë e balada popullore Jakob Grimm, i cili u entusiazmua veçanërisht nga balada “Zidanje Skadra” (Ndërtimi i  Shkodrës).  Grimm e përktheu  në gjermanisht dhe e botoi, duke entusiazmuar menjëherë  lexuesit e shumtë. Grimm i krahasoi ato me lulet më fisnike të poezisë Homerike, ndërsa për baladën “Zidanje Skadra” ai u shpreh se është: “…një nga poezitë më prekëse të të gjitha kombeve dhe të gjitha kohërave”.   Themeluesit e Shkollës Romantike në Francë, Charles Nodier, Prosper Mérimé, Lamartine, Gerard de Nerval dhe Claude Fauriel përkthyen cikle të tjera dhe i publikuan, duke tërhequr edhe vëmëndjen e  Alexander Pushkin apo të poetit kombëtar finlandez Johan Ludvig Runeberg si dhe të shumë shkrimtarëve dhe poetëve europianë të kohës. Por pikërisht bukuria e kësaj balade, e prezantuar si krijim serb, duke tërhequr vëmëndjen e  shkrimtarëve dhe poetëve, ngjalli edhe pyetjen kureshtare  për mungesën e paraqitjes së  poezisë popullore shqiptare. Kjo pyetje është bërë nga  Prosper Merime, i cili shkruan në “Revue Contemporaine…Si është e mundur që një popull midis grekëve dhe serbëve të ketë qëndruar ngurtësisht i huaj në lëvizjen poetike të popujve fqinjë…”
        c.1- Prosper Merimeja  e pati një të drejtë në pyetjen e tij sepse, ndërsa populli ynë krijonte perla poetike, interesimi i intelektualëve shqiptarë të kohës për mbledhjen dhe propogandimin e tyre ka nisur me shumë vonesë. Shqiptarët historikisht (dhe fatkeqësisht) i kanë prezantuar me vonesë para botës pasurinë dhe bukurinë e aseteve të tyre kulturore. Për këtë baladë,  nisma ka ardhur nga Thimi Mitko  në vitet 1868-1978, me botimet e tij te  “Bleta shqiptare”. Por përsëri është shumë von. Është fakt  që prezantimin e parë të baladës së murimit në botën letrare europiane e ka bërë Vuk Karaxhiçi, sigurisht të veshur me kostum dhe të paisur me pasaportë serbe…

c.2-  Pasi u njohën me këtë fallsifikim kombësie të  baladës,   fretërit françeskanë Donat Kurti, Bernardin Palaj, Gjergj Fishta etj,  punuan me intensitet mbi krijimet popullore dhe   materialet e mbledhura e studimet mbi ‘to i botuan te  “Visareve të Kombit”.  Kësaj armate ju shtua edhe kontributi i mëpasëm i Ernest Koliqit, Dhimitër Shuteriqit etj, për tu vijuar më von nga Qemal Haxhihasani, Zihni Sako, Vili Kamsi, Jorgo Panajoti, Gjergj Zheji, Mark Tirta, duke aritur majat e studimeve shkencore me Eqerem Çabejn, Aleks Budën, Idriz Ajetin dhe deri te Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Shaban Sinani e Adrian Klosi etj.

c.3-  Legjenda e Rozafës egziston në shumë variante,  në treva të ndryshme të vendit tonë. Veç variantit të Rozafës, ajo egziston  në trevat shqiptare të mbetura jashtë kufijve shtetërorë  jugore, e njohur në variantin…”Një kala Prevezës i ndërtojmë”,  egziston  për kalanë e Elbasanit, si qëndra e vendbanimeve shqiptare.  Gjithsej…deri në vitin 1965 janë regjistruar tekste (nga të cilat 32 inçizuar; 19 për kala dhe 13 për ura) në 150 qendra të banuara…. Interesant është fakti se kjo baladë në vendin tonë egziston për kështjella, për ura por edhe për një kishë. Pavarësisht llojshmërisë të objekteve kështjellë, urë apo kishë, balada e murimit ka gati të njëjtin subjekt, me disa pak stilizime që cilësojnë vend murimin. Por ndërkohë të pandryshueshme ka  ritin pagan të murimit me shkakun e saj dhe besën e tre vëllezërve, të cilat do t’i analizojmë specifikisht.

d-Balada e murimit egziston në shumë popuj, por dendësinë më të madhe të motërzimeve e

ka në popujt e ballkanit. Pikërisht te këta popuj janë dhe pretendentët më të mëdhenj për autorësinë fillesatre të kësaj balade. Ne nuk pretendojmë t’i japim zgjidhje misterit të origjinës së baladës, por duke studiuar variantin serb të kësaj balade, duke njohur  kohën, mënyrën dhe burimin e regjistrimit  të saj, vargjet e shtuara pas regjistrimit te variant fillestar, e shohim të arsyeshme të shprehemi.

dh- Është folur  për variantin serb të Vuk Karaxhiçit por në asnjë rast nuk është publikuar ky variant te ne, qoftë në gjuhën sllave qoftë i përkthyer apo përshtatur në shqip. Jo vetëm kaq, por edhe rrethanat e regjistrimit të kësaj balade nuk janë bërë të njohura  dhe as janë analizuar dhe as janë ballafaquar me variantin shqiptar.

dh.1-Duke patur parasysh se balada e murimit të Rozafës është një këngë epike, një njohës i mirë i folklorit shtron fillimisht pyetjen: A kanë serbët këngë epike dhe traditë në këtë drejjtim. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, pas një analize të hollësishme, Veiz Sejko shkruan: “Serbia s’ka këngë popullore kreshnike. Serbia guslën e njeh përmjet rapsodëve të jashtëm endacakë të verbër ose të paverbër që sillen poshtë e lart për të fituar bukën e gojës, dhe meqë e dinë që në

Serbi nuk ka epikë i vardisen pikërisht asaj”.  Edhe vetë Vuk Karaxhiçi nuk paraqet asnjë

argument që ta kundërshtojë këtë fakt…. “Në një bashkëbisedim me A.Dozonin me 1857 Vuku shprehet : “Sot vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe në krahina malore të Serbisë Jugore ka gust për këngë heroike…” Por ama… krahina malore të Serbisë Jugore… janë malsitë e Kosovës. Pra vetëm Kosova ka traditë me këngë epike dhe jo Serbia. Gjithashtu, duke folur për baladën Zidanje Skadra të mbledhur prej Vuk Karaxhiçit, M.Ibrovacit thotë “Kjo poezi

kaq e pasur e kaq e larmishme u duk papritur më 1814”.

dh.2-  Këtu tërheqim vëmëndjen për një fakt thelbësor: Balada Zidanje Skadra (Ndërtimi i Shkodrës) jo vetëm që është kënga e vetme epike (sic) serbe, por edhe si variant serb, egziston vetëm varianti i  regjistruar nga Vuku dhe nuk ka asnjë variant tjetër apo ndonjë motërzim.

Dikush mund ta shpjegojë këtë me faktin se Vuk Karaxhiçi ishte i sëmurë nga këmbët dhe lëvizte me paterica, ndaj dhe gjithë procesin e mbledhjes së krijimtarisë folklorike e kishte mbështetur te një rrjet i dëndur  korrespondentësh në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi etj, të cilët, këngët që mblidhnin ja çonin ose ja postonin në Vjenë, ku kishte familjen e tij dhe kështu s’kishte patur mundësi të regjistronte variante apo motërzime të tjera. Kjo është e vërtetë, por duke patur parasysh se Vuk Karaxhiçi rrjetin e korespodentëve e kishte të përbërë nga barajraktarë, peshkopë, priftërinj, tregtarë, arsimtarë, gjeneralë etj, pra njerëz të arsimuar, ata me siguri që nuk do përtonin ti regjistronin dhe tja dërgonin variantet apo motërzimet e kësaj balade, në qoftë se do ta hasnin diku gjatë kërkimeve të tyre nëpër teritoret serbe. Por gjithashtu, as në kohët e mëvonëshme institucionet folklorike serbe nuk hasën dhe nuk regjistruan ndonjë variant apo motërzim të kësaj balade në Serbi. Ato nuk mundën të gjenin as këngë epike të tjera, kështu që përpunuan sllavisht Këngën e Gjergj Elez Alisë apo Këngët e Mujit dhe të Halilit (boshnjakisht) sa për ti vrarë vetminë në folkloristikën sllave (serbe) baladës së murimit, duke “krijuar” (huazuar)  në këtë mënyrë një familje këngësh epike.. Por ndërkohë  citojmë faktin  se  balada e murimit në gjuhën shqipe  është hasur  në 150 variante e motërzime, duke ruajtur në të gjitha rastet thelbin unik  të baladës. Sqarojmë se balada e murimit egziston  dëndur në Shqipërinë e Mesme, në Shqipërinë Lindore, madje  edhe në viset më jugore  të banuara nga shqiptarët, në zonën e Çamërisë. Një variant serb i vetëm është shumë i vogël para një yllësie shqiptare.

dh.3- Është interesant fakti se kjo baladë, ndërsa egziston te sllavët e jugut në variantin e Vuk Karaxhiçit, studiuesit dhe folkloristët nuk e kanë gjetur te sllavët e origjinës në Ukrainë, Rusi apo Poloni etj. Madje këto vende nuk përfshihen fare në listën e vendeve ku egziston kjo baladë, ndërkohë që në këtë listë bëjnë pjesë vende të Ballkanit, Europës Qëndrore, Anglia, madje edhe India e largët. Kjo do të thotë se serbët (sllavët) nuk e sollën me vete gjatë shpërnguljes në Ballkan, por e ndërtuan apo  krijuan (sic) këtu. Mirpo problemi është se kur erdhën sllavët në Ballkan në shek. VI dhe VII  të e.s. kjo baladë dhe kështjella e Rozafës  ishin të ngritura dhe ata, sllavët, s’kishin se ç’të  ngrinin. Madje në këto kohë sllavët as dinin të ndërtonin kështjella dhe as dinin të këndonin këngë epike. Fakti që balada flet për themelet e kështjellës, është dëshmi e pakundërshtueshme që baladën e kanë ngritur  ata njerëz që kanë punuar në themelet e kështjellës. Në këtë pike, për identifikim autorësie,  na ndihmon panorama historike e ndërtimit të kësaj kështjelle, që paraqitëm më sipër.

dh.3.1- Sllavët me siguri e kanë hasur baladën që në instruksionin ushtarak të vitit 1040 mbi kështjellën e Shkodrës, por do t’u  jetë dukur si diçka e kotë, punë përralle. Ky

indiferentizëm i tyre ndaj baladës  në këtë kohë, duket te fakti se, në regjistrimin e  Vuk Karaxhiçit në vitin 1814 nuk ka asnjë prurje sllave të viteve 1040.

dh.3.2-  Interesimi i serbëve për këtë baladë fillon me regjistrimin e Vuk Karaxhiçit dhe sidomos pas vlerësimit që ajo mori në sallonet letrare europiane. Por ndërsa serbët i thurnin lavde variantit të vetëm të Vuk Karaxhiçit, shqiptarët jetonin  variante e motërzime të tjera, gati të kudogjendëshme, jo vetëm për kështjella por edhe për ura e për

kisha.

Por do t’ja prezantonin botës me vonesë, duke paguar kosto të rrëndë.

dh.4- Po si e trajtojnë sllavët  historinë e kësaj balade? Ngjarjet e përshkruara në baladë, sipas tyre,  ndodhën në fillim të shekullit 14.

dh.4.a-Studiuesit serbë konkludojnë një lidhje reale midis baladës dhe vëllezërve Mrnjavčević të cilët, sipas tyre kishin ndikime të mëdha në zonën e Shkodrës. Por ndërkohë, të dhënat historike dëshmojnë, se vëllezërit Mrnjavceviç zotëronin teritoret që tani përfshihen në

Maqedonin e Veriut dhe s’kishin asnjë lidhje me zonën rreth Bunës, që përmënd balada.

Vetkuptohet që instruksionet e mundëshme ushtarake janë kalimtare, por në rastin e Mrnjavceviçëve edhe këto mungojnë.

dh.4.b-Sipas analistëve serbë, ushtria e serbe nën komandën e mbretit Vukashin Mrnjavčević dhe djalit të tij Marko Mrnjavčević erdhi në Shkodër në qershor 1371 “por fushata u ndërpre papritmas”… pasi  mësuan lajmin që, një ushtri e madhe osmane pregatitej për betejën në Maritsa. Kështu ata u larguan drejt lindjes për t’u organizuar për betejën, e cila realisht ndodhi po në vitin 1371, ku dhe u vra mbreti Vukashin..

dh.4.c-Sqarojmë se Vukashini dhe Uglješa Mrnjavceviç janë persona historikë. Vukashin Mrnjavcevic zgjidhet mbret në vitin 1365 pas vdekjes së perandorit Urosh, vdekje për të cilën u akuzua ai dhe vritet në betejën e Maritsa në vitin 1371. Vëllai i tij, Uglješa u bë një  despot serb ndërsa Gojko, vëllai i vogël nuk rezulton të ketë egzistuar.

dh.4.c.1- Le të analizojmë të dhënat sipas  versionit sllav: Ushtria serbe nën komandën e Vukashin Mrnjavčević dhe djalit të tij Marko Mrnjavčević erdhi në Shkodër në qershor 1371 dhe u largua menjëherë për tu pregatitur për betejën e Maritsa, e cila ndodhi në po në vitin 1371. Atëherë lind natyrshëm pyetja se kur punuan ata tre vjet (Grad gradili tri godine dana) për të ndërtuar kështjellën dhe qytetin e Shkodrës? Analistët serbë thonë shprehimisht që “fushata u ndërpre papritmas” dhe ata u kthyen  e  marshuan drejt lindjes, për t’u organizuar për betejën e Maritsa. Pyetja që lind natyrshëm është se kur e ngritën ata

baladën e murimit ndërsa:

a)-u larguan menjëherë nga Shkodra pa punuar për ndërtimin e kështjellës,

b)- nuk e njihnin ritin pagan të murimit që shqiptarët e kishin që nga ilirët e

më herët..

c)-nuk e njihnin konceptin e “besës”.

ç)- nuk e quajtën  kështjella e Vukashinit ose e Gojkos apo me çfardo emër

sllav, po qe se do ishte ndërtim i tyre (dhe krijim i tyre balada) etj?

dh.4.ç-Arsyeja është e thjeshtë.  Në vitet 1360 deri në vitet 1392 kështjellën e zotëronin

Balshajt, të cilëve ua morën  osmanët  në 1392, por dhe ua kthyen me njëherë, si shpërblim për robinjën që  i dhuruan sulltanit. Balshajt, duke hëqur dorë nga zotërimi i kështjellës, ja dorzuan  Venedikut, sigurisht kundrejt ndonjë garancie apo shpërblimi. Pra, në këtë kohë që pretendohet,

sllavët nuk kanë qënë fare në Shkodër..

dh.4.d-Pra  konkludojmë se mbreti Vukashin Mrnjavčević realisht nuk ka asnjë lidhje me  ndërtimin e kështjellës së Rozafës e ca më pak me ndërtimin e qytetit të Shkodrës, qoftë në fillimet e ndërtimit real të kështjellës, qoftë dhe në vitet që pretendojnë serbët në shekullin e

XIV.. Atëherë si hyri ai në variantin serb të baladës?

Portën e hyrjes në baladë atij ja hapi Vuk Karaxhiçi.

dh.4.dh- Vuk Karaxhiçi ishte një intelektuar serb i nivelit të lartë. Me marjen e  baladës prej rapsodit nga  Kolashinit, e vlerësoi menjëherë “thesarin” folklorik që i ra në dorë. Si nacionalist që ishte, mendoi që këtë thesar t’ja atribuonte popullit të tij, vetkuptohet duke  përfituar edhe vetë “përqindjen” si “zbulues” i thesarit. Në këtë nismë, Vuk Karaxhiçi ishte i ndërgjegjshëm se misioni që ndërmori “për dhënien e shtetësisë serbe” të baladës shqiptare nuk ishte aq i lehtë. Ai i njihte shqiptarët dhe e dinte që ata, më lehtë dorzonin një kështjellë se sa një këngë, legjendë apo baladë. Madje shpesh kështjellat e okupuara apo të shkatëruara nga armiku, vijonin të  bënin qëndresë nëpër këngë e legjenda. Shtoi kësaj faktin se ai ishte njohur me egzistencën e motërzimit të kësaj balade për “Urën e Fshajt” afër Gjakovës dhe me këtë rast kishte njohur edhe gjeografinë e këtij motërzimi, së paku në Kosovë. Ky fakt ja bëri të qartë  se ai nuk do ndeshej vetëm me një baladë të thjeshtë, por niste luftën  me një vargmal baladash.

Por  atij i duhej kjo baladë me “pasaportë” serbe patjetër.

dh.4.e- Duke qënë se balada në shqiptare, në  respekt të kodit të baladave,  nuk kishte emra

personash realë te personazhet e saj, Vuku këtu e gjeti “kalimin e fshehtë” për të hyrë në baladë

dhe për ta zotuar atë.. “Boshllëkun” e krijuar nga mungesa e emrave të personazheve  te balada shqiptare e mbushi  me emrat e dy vëllezërve Mrnjavčević, realisht persona historikë, Vukashini dhe Uglješa. Me që në baladën shqiptare ishin tre vëllezër, ai sajon dhe një personazh të tretë, Gojkon, si vëlla të tyre dhe përjashton  Marko Mrnjavčević nga historia.

dh.4.e.1-Vendosja si personazh balade i dy vëllezërve Mrnjavčević, persona realë dhe Gojko,

person i  sajuar, i jep një  kombësi serbe baladës dhe një bazë historike, mqse Mrnjavčevićët ishin persona historikë. Vërtet që inskursioni  ushtarak i vitit 1371 i Mrnjavčevićëve drejt Shkodrës nuk përmëndet në baladë, por e citojnë analistët e mëvonshëm për t’i dhënë vërtetësi historike prezencës së Mrnjavčevićëve  në baladë. Por që këtu fillon e çalon varianti serb sepse,  vërtet që u vendosën personazheve të baladës emra personash historikë serbë, por nuk  përputhet koha dhe historia e tyre me kohën dhe subjektin e baladës.

dh.4.ë-Pavarësisht nga emrat e vendosur, balada vijonte të“fliste “ shqip me kokfortësi.

Shqiptare qenë riti i murimit, besa, autoriteti i nënës dhe shpirti i vetsakrificës së nuses së re për të nderuar “besën” e bashkëshortit të saj, amaneti i saj për djalin etj, etj.  Për ta “sllavizuar” baladën, Vuk Karaxhiçi pasi i ndëroi emrin nga “Ç’i ka ra mjegulla Bujenës ” në “Ndërtimi i Shkodrës”, “Zidanje Skadra”, qysh në krye  të baladës vendosi subjektin sllav të binjakëve Stoja e Stojanën,/Të jenë vëlla e motër, gjetja e të cilëve (gjasme) do të mundësonte ngritjen e kështjellës dhe të qytetit. Dhe kjo shtesë është mbi 60 vargje. Që kjo është një shtesë jo organike e baladës, këtë e kuptoi edhe vetë Vuk Karaxhiçi, i cili në vargun 62 i rikthehet origjinalitetit të baladës, me porosinë e zanës së malit për të murosur  nusen që do tu sillte ushqimin ditën e nesërme. Realisht këtu fillon  tensioni dramatik  te variant serb i baladës, duke i nxjerrë të tepërta 60 e ca vargje ose më saktë, duke nxjerrë të tepërt shtesën serbe në baladë.

dh.4.f- Një  “lapsus” në versionin serb është edhe fakti se tre vëllezërit Mrnjavčević, ndërtojnë paralelisht kështjellën dhe qytetin e Shkodrës…. Ndërtuan qytetin e Shkodrës mbi Bunë ,/Ndërtuan qytetin për plot tri vjet,/Tre vjet me treqind muratorë/Nuk mundën as themelin ta çojnë… Nuk mundesh, mbret, themelin ( e kështjellës) ta çosh,/E jo më një qytet të ndërtosh,…

Kështjella e Rozafës qysh në fillimin e ndërtimit të saj ka shërbyer  edhe si vendbanim i  banorëve, ushtarëve dhe administratës që shërbenin në kështjellë. Shumë më von, nga fillimi i mesjetës, si pasojë e shtimit të popullates, filluan të ndërtoheshin vendbanimet e lehta jashtë mureve të kështjellës, banorët e të cilave strehoeshin në kështjellë në raste sulmi nga armiku. Kjo praktikë ishte gati e njëjtë në gjithë kështjellat europiane dhe askund nuk ndërtoheshin paralelisht kështjella dhe qyteti. Kjo dhe për faktin se kështjellat ishin prona të fisnikëve, të cilët edhe banonin në ‘to.

Gjithashtu dihet historikisht se qyteti i Shkodrës ka filluar të banohet  në vitin 1865, kur banorët dhe administrata braktisën kështjellën. Që është një “lapsus” pretendimi  se vëllezërit Mrnjavčević ndërtuan dhe Shkodrën paralelisht me kështjellën, kjo duket qartë, por a duhet ta quajmë  vetëm“lapsus”, kjo është tjetër çështje.

dh.4.f.1-Ajo që duhet të theksojmë është fakti se autori i gjithë këtyre ndryshimeve e retushimeve të baladës shqiptare për t’u “pasaportizuar” si baladë serbe, është Vuk Karaxhiçi. Kjo vërtetohet me faktin se këto ndryshime pasqyrohen qysh në publikimin e parë të variantit serb në vitin 1814, ndërsa në botimet e mëvonëshme, balada nuk ka pësuar redaktime apo retushime në përmbajtjen e saj. Pra balada është  “serbizuar” qysh në botimin e parë, por ky

botim i parë mban autorësinë e Vuk Karaxhiçit.

Le të shohim ndryshimet cilësore të  varianteve shqiptare dhe serbe:

f- Varianti shqiptar fillon me vargje dhe subjekt konçiz, ku personazhet çfaqen e veprojnë nëpër mjegullën  e “Buenës” pa profil e karakteristika individuale… I ra mjegulla Buenës /ndejt tri ditë e ndejt tri net/../e naltoi o deri në Valdanuz,/ku punojshin tre vëllazën/gjithë ditën po punojnë/gjithë natën po rrënohet…(vargjet 1-9.Heshtja që të imponojnë këto vargje i ngjan qetësisë para furtunës. Por drama nuk mund të luhet në një skenë të vogël sa gjerësia e lumit Buna, prandaj…fryni një freski e hollë,/-e naltoi o mjegullën /e naltoi o deri në Valdanuz…, duke e zgjeruar në këtë mënyrë “skenën e teatrit”. Drama gjëmëmadhe që po afrohet, jo vetëm që ka nevojë për një “skenë” shumë të madhe ku do interpretohet, por edhe për faktin se kjo “skenë”  do shërbejë edhe si një pistë nisjeje, në distancë dhe në kohë, e  baladës.

-Përballë kësajvariant serb paraqitet  me pompozitet mbretëror… Tre vëllezër ndërtuan qytetin,/Tre vëllezër, tre Mrnjavçeviça:/I pari ishte mbreti Vukasin,/I dyti ishte dukë Ugljesha,/I treti ishte Gojko Mrnjavçeviç;/Ndërtuan qytetin e Shkodrës mbi Bunë ,/Ndërtuan qytetin për plot tri vjet,/Tre vjet me treqind muratorë /Nuk mundën as themelin ta çojnë,/E jo më një qytet të ndërtojnë:/Atë çka ditën  mjeshtrit ndërtonin/Krejt atë, zanë e natës e rrënonte. (Vargjet 1-12).

f.1-  Te variant serb qysh në fillim pretendohet se

a)- Tre vëllezër ndërtuan qytetin, (e Shkodrës) dhe se këta janë… Tre vëllezër, tre Mrnjavçeviça…  të cilët, si ndërtuesit e qytetit, kanë të drejtën e pretendimit të pronësisë mbi të.

b)- na prezantohen identitetet dhe karakteristikat personale të personazheve, veprim i cili është i panatyrshëm në balada, mite e legjenda sepse,  ato, mitet, legjendat dhe baladat  janë të zhveshura nga aspektet dhe karakteristikat individuale. Duke u prezantuar si personazhe balade persona realë historikë, nuk pretendohet më për mite dhe legjenda por pretendohet për histori.

f.1.a- Prezantimi i pesonazheve në dy variantet e baladës është shumë i ndryshëm. Ndërsa te varinati shqiptar kemi… tre vëllazën/( që) gjithë ditën po punojnë/gjithë natën po rrënohet…, te variant serb tre vëllezërit janë… tre Mrnjavçeviça:/I pari ishte mbreti Vukasin,/I dyti ishte dukë Ugljesha,/I treti ishte Gojko Mrnjavçeviç. Vetkuptohet që një mbret, një dukë dhe një princ as që do kapin çekiç e mistri më dorë për të ndërtuar kështjellën apo qytetin. Këtë e lexojmë te vargu i 8-të ku thuhet se ata punuan…,/Tre vjet me treqind muratorë…

Por më e rëndësishme është fakti se ky  mbret,  dukë dhe  princ  përfaqsojnë një shkallë më

të avancuar të zhvillimit shoqëror në raport me  epokën kur punonin vetëm tre vëllezër shqiptarë.

f.1.b- Varianti shqiptar, qysh në pamje të parë cilëson një epokë të herëshme të shoqërisë

njerëzore ku nuk egziston asnjë formë e organizuar e zhvillimittë saj, e jo më  të egzistojë  ndonjë hierarki. Kjo shihet te fakti se veç tre vëllezërve që punojnë, nënës dhe grave të tyre, balada shqiptare nuk ka personazhe të tjerë. Pra jemi në një epokë të herëshme të zhvillimit

shoqëror kur nuk është bërë asn jë hap drejt një shoqërie të organizuar.

f.1.c- Në këtë mënyrë, duke e “fisnikëruar” baladën me kurora mbreti dhe stema dukësh e princash, Vuk Karaxhiçi i hoqi këtij varianti lashtësinë që i takonte sipas subjektit, duke nxjerrë pa dashje në dukje  “kopjimin” nga variant më i hershëm, që është ai shqiptar.

g-Te varianti shqiptar, qysh te vargu i dhjetë çfaqet plaku misterioz për tu treguar vëllezërve sekretin e qëndrimit të mureve të kështjellës…10-Shkon një plak o aty pari/ …/ Amanet o plak i gjallë/a din gja me na kallzue?/…/-N’daçi drejt ju me punue/në konak mos bisedoni/Nesër nadje, t’zbardhmen drita/cila vashe t’ju bjerë bukën/-at’ muronje n’mur t’kalasë.

g.1- Te shumë studiues ka lindur pyetja se: pse tre vëllezërve duhet që t’jua tregojë dikush tjetër sekretin e murimit, të cilin ata duhej ta dinin vetë, pasi ai ishte  një rit themelor shqiptar për ndërtimet e kështjellave, urave, shtëpive etj.. Pyetja duket e drejtë, por këndvështrimi i saj është i gabuar. Ne e shohim nga këndvështrimi i sotëm, kur jemi njohur me traditën popullore të flijimit të kafshëve në ndërtime. Por në rastin e baladës sonë, tre vëllezërve nuk kishte kush t’jua tregonte ritin e murimit, pasi ata nuk kishin përvojë ndërtimore të mëparëshme dhe as e kishin atin e tyre, i cili mund t’u jipte përvojën e tij ndërtimore dhe për pasojë edhe ritet  që shoqërojnë ndërtimin…

g.2- Hipoteza tjetër që shtrohet në këtë rast është se, a mos vallë balada cilëson periudhën e fillimit të ritit të sakrifikimit të njerëzve në ndërtime? Përzgjedhja për flijim e gruas me fëmijë në gji, ka të bëjë me botkuptimin sipas së cilës aftësia jetëdhënëse e gruas së re i përcillet mureve të kështjellës, duke e bërë atë të parrëzueshme dhe të pa pushtueshme.

g.3-Krejt ndryshe zhvillohet ngjarja në variantin serb. Aty vjen zana (vila) e malit dhe i kumton Vukashinit… Kur vit’ i katërt  nisi,/Atëherë nga mali zana thirri:/Mos u mundo kot, Vukashin mbreti,/Nuk mundesh, mbret, themelin ta çosh,/../Deri sa nuk gjen dy emra të njëjtë,/

Deri sa nuk gjen Stojën e Stojanën,/Të jenë vëlla e motër,..

Zana ( në baladë) nuk thotë se  pse duheshin gjetur  këta dy binjakë vëlla e motër  të quajtur

Stoja dhe Stojana, ç’do bënin këta apo çdo bëhej me ata po të gjëndeshin. Kjo enigmë shtrihet në 60 vargje që nuk të tregojnë një rrugë dalje nga labirinthi…

g.3.a-Që kjo kërkesë e zanës (vila) është jashtë konteksit të baladës duket te fakti se, jashtë çdo tradite zakonore, zana tërhiqet nga kërkesa e saj për gjetjen e Stojës dhe Stojanës. Kjo tërheqje bëhet kur pa  që nuk u realizua gjetja e binjakëve, prandaj shtron një kërkesë tjetër, identike me kërkesën e plakut që u foli tre vëllezërve shqiptarë… Dhe thërret nga mali zana:/”Dëgjo mirë, o Vukashin mbreti,/Mos u mundo e kot mos u harxho! /Ja ku jeni tre vëllezër gjaku, /Secili prej jush keni të dashurat gra/Cila prej tyre, nesër në Bunë të vijë/ Punëtorëve t’u sjellë drekën ,/ Muroseni në themelin e kullës;/ Kështu themeli do të forcohet/ Kështu qyteti do të ndërtohet.” .

Nuk ka ndodhur në asnjë mit, legjendë, baladë  apo përrallë që zoti, ëngjëlli apo zana e malit të tërhiqen nga kërkesat apo porositë që u kanë dhënë njerëzve. Ato ose ndihmojnë në realizimin e tyre ose hakmeren për moszbatimin apo mosrealizimin e tyre.

g.3.b- Varianti serb ka edhe një problem. Duke qënë  se tre vëllezërit serbë janë njëri mbret, tjetri duke dhe i treti princ, atëherë edhe gratë e tyre ishin pjesë e fisnikërisë dhe nuk ishin ato personat që duhej t’u çonin bukën puntorëve. Duke patur parasysh se kemi të bëjmë me treqint puntorë, vetkuptohet që kemi të bëjmë me një sasi të konsiderueshmë ushqimi që duhej pregatitur dhe trasportuar dhe këtë punë s’mund ta bënin gratë e mbretit, dukës dhe princit. Këtë  detyrë e kishin gratë që punonin në prapavijë ose guzhinë. Gratë e tre vëllezërve mund të ishin thjeshtë shoqëruese, por zana cilëson… “I donese majstorima ručak”, (Cila prej tyre të sjellë drekën). Ndërkohë që të variant shqiptarë kjo situatë  paqraqitet më e thjeshtë të fjalët e plakut, i cili specifikon: Nesër nadje, t’zbardhmen drita/cila vashe t’ju bjerë bukën/-at’ muronje n’mur t’kalasë…dhe në variantin tjetër specifikohet tekstualisht…-Cilla vashë t’u bjere bukë,/
At  muroni n’murë t’Kalasë.

Pra, variant shqiptar është më llogjik dhe më realist. Edhe në kohën e sotme, kur një familjar kryen ndërtime që kërkojnë kontributin e disa të afërmve, zonja e shtëpisë, në shënjë mirënjohjeje e falnderimi e gatuante vetë drekën dhe e çonte po vetë te vendi ku  drekohej, ndërsa i shoqi bën ndarjen nëpër pjata dhe dhënien e pjatës secilit pjesmarës. Në familjet aristokrate mund të dilte zonja e madhe e shtëpisë, e shoqëruar me shërbyeset e saj, që tu servirte kafen e përcjelljes të pranishmëve. Por kjo nuk ndodhte gjatë shpërndarjes së ushqimit të drekës. Ndërsa një mbretëreshë, një dukeshë dhe një princeshë serbe nuk mund të parafytyrohet duke

lozur rolin e një guzhinjereje në një grumbull me treqint muratorë.

Kështu që  konkludojmë se, fjala e plakut të variantit  shqiptar,  është vënë në gojë të zanës (vila)  te varianti serb, pa ju përshtatur llogjikisht situatës reale.

g.4-Si realizohet dhënia e besës te tre vëllezërit serbë dhe shqiptarë?

Në variantin serb, pas fjalës së zanës (vila) kemi vargun 90 që thotë…I tu Božju vjeru

Zadadoše … që ka kuptimin…Që besimi i zotit të realizohet…( asnjeri gruas të mos i tregojë). Pra duhet të vihet në jetë fjala e zotit (zanës) detyrimisht, ndryshe nuk mund të ndërtohet qyteti dhe kështjella, se do ta rrëzojë zana e malit për hakmarje. Pra faktori që vë në lëvizje dramën është zana (vila) dhe fjala e saj.

g.4.a-Kjo është tepër e dukëshme te vargu 96 ku shkruhet… Kralj Vukašin vjeru pogazio… që do të thotë…Mbreti Vukashin besimin shkeli…(vjeru-besim). Në konteksin serb vargu është në rregull, sepse vërtet mbreti shkeli besimin (fetar), duke mos zbatuar porosinë e zanës… I tu Božju vjeru zadadoše/Da nijedan ljubi ne dokaže….( Dhe fjala e zotit të realizohet/Asnjeri  gruas të mos i tregojë.) por nuk ka asgjë të përbashkët me pretendimin se mbreti Vukashin paska shkelur besën. Kjo për arsye se tre vëllezërit serbë nuk lidhën besë me njeri tjetrin, por morën urdhërin e zanës për mos t’u treguar grave të tyre ç’ka do ndodhë ditën e nesërme. Duke i treguar gruas së tij sekretin, Vukashin Mrnjavçeviçi nuk ka shkelur  “besën e  burrave”, sepse nuk ka dhënë ndonjë besë të tillë dhe as nënkuptohet dhënia e saj. Ai ka shkelur normat e besimit (fetar) në raport me zanën dhe porosinë (fjalën) e saj.

Po kështu ky “keqkuptim” përsëritet te vargu 110  ku thuhet… Mladi Gojko vjeru ne pogazi/ I on svojoj ljubi ne dokaza …( Gojko i ri, besimin mbajti/Dhe të dashurës nuk i tregoi) që në konteks nuk ka kuptim pasi besimi (fetar) është  pranimi i një dogme apo teorie dhe i riteve të një feje, njohja, pranimi dhe praktikimi i tyre me vullnet të lirë. Përse ka ndodhur kjo?

g.4.b-Kjo ka ndodhur se serbët nuk e njohin konceptin e “besës”, sepse  kjo fjalë është vetëm në gjuhën shqipe, për arsye se është fenomen vetëm shqiptar. Popujt e tjerë, hungarezët, bullgarët etj, e përdorin të huazuar nga gjuha shqipe  në formën origjinale “besë”, duke e shoqëruar me shpjegime si një fenomen shqiptar, ndërsa serbët e quajnë … ‘‘Arbanska vjeru’’. Por përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes serbe do të thotë “ Besimi shqiptar” (vjeru- besim). Shqiptarët që flasin serbisht, në kontekst të fjalisë, e kutojnë se shprehja “ arbanska vjeru” nënkupton “besën shqiptare”, por serbët kur dëgjojnë fjalën shqipe “besë” nuk e kuptojnë  që nuk flitet për besimin. Kjo ka bërë  që edhe disa rapsodë shqiptarë që e kanë dëgjuar baladën serbe, nga droja e ndonjë mangësie të tyre në baladën shqiptare që ata këndojnë, krahas  fjalës “besë” të shtojnë edhe fjalën “fe” si psh… lidhni bese e lidhni fe,/vashës vet mos i kallzoni, ose Lidhen bese e lidhen fe,/ bese e fe te trimavet…(Ljare, Shestan),  Lidhni bese e lidhni fe,/vashave mos u kallxoni…(Krajë) etj, etj..

g.4.c-Krejt ndryshe  shpjegohet ky moment te balada shqiptare. Në shumicën e motërzimeve  tre vëllezërit besatohen…dorë më dorë janë besatue,/kan lidhë besën dor më dorë, /Kurrgja grave s’po u kallxojmë, … Ani te tre vllaznit na jane besatue:/grave t’veta mos me u tregue…, (Kalis) Bese per bese trimat in lidhur,/gravet kush mos me u kallxua…(Malsi e madhe)… Tre vllaznija jon besatue,/kan lone punen ne shpi kan shkue…(Vitinë),… Lidhen bese e lidhen fe,/ bese e fe te trimavet…(Ljare, Shestan) etj, etj. Ndërsa në një pjesë të motërzimeve, edhe kur  nuk përmëndet akti i lidhjes së besës, përmëndet porosia e plakut për tu besatuar tre vëllezërit dhe subjekti vijon në zbatimin e besës…Shoqi shojt me i besue,/Lidhni bese m’u besatue ,/ Edhe un kom me u kallxue,… te diellen mos punoni;/lidhni bese e lidhni fe,/ne konak mos bisedoni … „Lidhni bese e lidhni fe,/vashave mos u kallxoni…(Krajë), Bese per bese trimat in lidhur ,/gravet kush mos me u kallxua:…(Malsi e Madhe)…etj,etj.

g.4.ç- Nga sa më sipër konkludojmë se: ndërsa balada shqiptare është balada e “besës”, për  faktin se është “besa” ajo që vë në lëvizje dramën, varianti serb është shndruar në baladën e porosisë së zanës (vila), sepse  tre vëllezërit Mrnjavçeviçë vënë në zbatim, në dy raste, vetëm porosinë e dhënë prej saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok