21/12/2024

MREKULLIA E BESËS SHQIPTARE

0
Blerim-Latifi

Fjala ime në Ditën Ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të Holokaustit

Kanuni : “Kurrë zakon s’ka qenë ndër ne, burri n’besë robin me pre”

Nga Blerim Latifi

I

Të nderuar të pranishëm!

Të nderuar miq!

Historia e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrenjëve është e gjatë. Zanafilla e saj shtrihet thellë në histori. Gjurmët e para të saj i gjejmë në kohën e sundimit romak. Roma, sikurse dihet, kishte krijuar një perandori e cila shtrihej në tri kontinente, Europë, Azi dhe Afrikë. Brenda kësaj perandorie gjigante, që nga brigjet e Detit të Vdekur deri në Ishujt britanikë, ishte mundësuar një lëvizje e madhe e njerëzve, e mallrave dhe ideve. Ky është konteskti në të cilin lindin marrëdhëniet e para midis proto-shqiptarëve ( ilirëve) dhe hebrenjëve.

Historia e tyre fillon me një legjendë.Tregohet se diku në brigjet e Ilirisë, në një ditë me det të trazuar, ngeci një anije romake, e cila po transportonte skllevër hebrenj nga Jerusalemi në Romë. Në panik e sipër romakët e braktisën anijen, ndërsa skllevërit hebrenj, që fituan lirinë nga rastësia e dallgëve të detit, morrën arratinë dhe u fshehën në pyjet ilire aty pranë. Siç thotë legjenda, duke menduar se kishin rënë pre e bishave të malit, romakët nuk u vunë në kërkim të tyre.

Legjenda thotë gjithashtu se hebrenjtë e mbijetuar nga fundosja e anijes, u vendosën në fshatrat afër bregdetit ilir. Mendohet se fshatrat që kishin emrin Palasa dhe Orikum janë fshatra që u banuan nga hebrenjtë e asaj kohe. Duke se vetë origjina e tyre e tregon këtë: Palasa lidhet me emrin Palestinë, ndërsa Orikum është modifikim i emrit Jerico.

Pastaj vijnë shekujt e errët të mesjetës. Si pasojë e presionit nga dyndjet e fiseve sllave në Ballkan, ilirët filluan të rigrupohen në malet veriore të Shqipërisë dhe përgjatë masivit të Bjeshkëve të Nemuna. Kjo është koha kur ata, nga ilirë, nisën të quhen arbën. Gjatë mesjetës së hershme, një valë tjetër hebrenjsh gjetën strehim në territoret arbënore, pas largimit nga Greqia e trazuar prej konflikteve të përgjakshme të fronit bizantin. Kronikat e fillimeve të shekullit të 14 e përmendin në tregtar hebre që kishte një kripore të madhe në Durrës. Dhe ky nuk ishte i vetmi. Tregtarë nga Raguza dhe Venediku blinin rregullisht kripë nga hebrenjtë e Durrësit, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të 13. Në fundin e shekullit të 15, si pasojë e persekutimit spanjoll, një valë e madhe hebrenjsh u shfaq në territoret e sunduara nga Perandoria Osmane. Një pjesë e tyre zbarkoi në brigjet e Vlorës. Nga të zbarkuarit një pjesë qëndroi në Vlorë, ndërsa të tjerë lëvizën drejt Beratit dhe Elbasanit. Të gjithë ishin hebrenj sefardikë. Dokumentet flasin se në atë kohë nga 4000 banorët e Vlorës, gjysma e tyre ishin hebrenj. Këtu ata gjetën paqe dhe qetësi, deri në vitin 1685, kur si pasojë e luftës turko-veneciane, që zhvillohej në brigjet e Vlorës, ata u detyruan të migronin më në thellësi të vendit. Në fund të shekullit të 18 dhe fillimeve të shekullit të 19 shumë hebrenj u bënë viktima të luftës greke për pavarësi, ngase ortodoksët grekë i barazonin ata me muslimanët, ndërsa në anën tjetër vetë Sulltanët osmanë filluan t’i keqtrajtonin duke i akuzar për mosbesnikëri. Gjatë gjithë shekullit të 19 pati ardhje të vazhdueshme të hebrenjëve nga Greqia në Shqipëri. Kjo shpjegohet me faktin se shqiptarët nuk ushqenin ndjenja përbuzje dhe nuk ushtronin masa shtypëse ndaj tyre. Janina, Korfuzi, Delvina, Vlora, Gjirokastra, Berati, Durrësi, Prizreni, mes shumë qyteteve tjera, vlonin nga prezenca e hebrenjëve.

Lajmi se Shqipëria ishte kthyer në një strehë të sigurtë për hebrenjtë, ishte përhapur gjithandej Europës.  Kjo bëri që në fund të shekullit të 19, kur antisemitizmi po rritej në Rusinë cariste, një grup hebrenjsh nga Rusia të vinte në Shqipëri për të parë mundësitë e vendosjes së tyre aty. Thuhet se rreth 40 familje hebreje nga Rusia e bënë këtë.

Kulminacioni i mikpritjes shqiptare për hebrenjtë padyshim u arrit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Qindra familje hebreje, që po iknin nga makineria përndjekëse e Holokaustit, vërshuan në qytetet dhe fshatrat shqiptare, nga Mitrovica në Sarandë, për të gjetur strehim dhe mbrojtje.

Për ta kuptuar këtë dramë solidariteti në ato ditë tragjike për popullin hebre, mjafton të sjellim në vëmendje dy shembuj.

Njëri është shembulli i doktorit Spiro Lito, i cili shërbente në Spitalin e Prishtinës. I brumosur me etikën e mjekut dhe me traditën shqiptare të kujdesit për mikun, ai arriti që me dinakëri t’i bindte autoritetet gjermane në Prishtinë se të burgosurit hebrenj që po mbaheshin në burg, ishin të sëmurë me tifo, prandaj nuk duhej të dërgoheshin në Poloni, por në spitalet e Shqipërisë, për të mënjanuar epideminë.Plani i doktorit rezultoi me sukses.

Shembulli tjetër lidhet me ministrin e brendshëm shqiptar të atyre që quheshin “Tokat e Lirume”, i cili, në vitin 1942, lëshoi urdhërin që hebrenjtë të cilët kishin hyrë në Kosovë, duhej të dërgoheshin në Shqipërinë jugore, e cila ndodhej ende nën kontrollin Italian. Falë këtij urdhëri dhjetëra familje hebreje arritën t’i shpëtonin gjenocidit nazist.Ky urdhër ishte një shmangie e qartë nga urdhërat e Gestapos që çdo hebre i kapur duhej të nisej në drejtim të veriut, pra për në kampet e shfarosjes.

Në librin e tij Harvey Sarner konstaton : “numri i të mbijetuarve hebrenj në Kosovë ishte mbi 60 për qind, shifër kjo që e bën atë njërën prej zonave me përqindjen më të lartë të të mbijetuarve në Europën e pushtuar nga nazistët”. Ndërkaq, pjesën e Shqipërisë ndërkaq nuk pati asnjë hebre që përfundoi në kampet naziste të shfarosjes.

II

Është folur shumë për shkaqet e solidaritetit praktik që shqiptarët e treguan me hebrenjtë e persekutuar nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të gjitha shkaqet dhe arsyet konvergojnë në një pikë: në Etikën Kanunore të Besës, e cila, për shekuj me rradhë, ka qenë formula bazike  përmes të cilës shqiptarët kanë modeluar raportin e tyre me të tjerët. Maksima bazë e kësaj etike thotë se ai që të shkelë në derë, duhet të merret në besë, pra nën mbrojtje; i huaji që të shkelë në derë, nuk duhet dorëzuar me asnjë çmim. “Premja n’besë” është konsideruar si njëri nga krimet ma të randa, që një shqiptar nuk duhet kurrë t’ia lejojë vetës. “Atë që shkelë besën nuk e tretë as dheu”, thotë njëra nga legjendat më të dramatike në kulturën shqiptare, Legjenda e Konstandinit, i cili u ngrit nga varri për të mbajtur besën që ia kishte dhënë nanës së tij. Ende sot, në gjuhën tonë të përditshme, qarkullon fraza “mos e lashtë toka mrenda”. Kjo frazë shqiptohet si njëlloj mallkimi për një të vdekur, i cili, sa ishte në mesin e të gjallëve, kishte thyer ligjet e nderit dhe moralit. Tradita kanunore shqiptare e thotë qartë: Kurrë zakon s’ka qenë ndër ne, burri n’besë robin me pre.

Dy vite më parë, kur isha në Jerusalem, dhe po vizitoja Muzeun Yadvashem, në një kënd të tij që quhet “Muri i popujve”, pashë emrat e shumë shqiptarëve që gjatë Holokuasit hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre për t’i strehuar hebrenjtë e përndjekur. Ai ka qenë njëri ndër momentet më emocionuese në jetën time, sepse në atë moment jam ndjerë krenar që jam shqiptar, krenar që i takoj një populli të vogël, i cili në ditët më të errta për popullin hebre, mposhti frikën dhe dëgjoi thirrjen e lashtë të të parëve të tij : SHPIJA E SHQIPTARIT ASHT E MIKUT DHE E ZOTIT! Thirrjen e cila e barazon atë që të hyn në derë e të kërkon ndihmë, me shenjtërinë e Zotit.

Të nderuar miq!

Holokuasti mbetet njolla ma e zezë në historinë e ndërgjegjës njerëzore. Treguesi ma i qartë se deri kur mund të shkoj urrejtja e shndërruar në ideologji, politikë dhe ligje.

Sot kujtimi i Holokaustit përbën një detyrë të vazhdueshme dhe globale për t’u angazhuar që krime të tilla kurrë më të mos ndodhin në shoqërinë njerëzore. Kujtimi i Holokaustit duhet të jetë pjesë e domosdoshme e edukimit të secilit njeri që aspiron një botë të lirë, të drejtë dhe në paqe.  Sot, ne ende jemi larg përmbushjes së kësaj aspirate. Pas qetësisë relative, e cila u pa në botë pas rënies së komunizmit, sot ne shohim se gjuha, flamujt dhe thikat e urrejtjes racore, etnike e religjioze janë kthyer sërish për ta kërcënuar botën.  Në mesin e tyre sërish i shohim edhe flamujt e antisemitizmit. Prandaj, duhet të zgjohemi dhe të mos jetojmë me iluzionin se e keqja ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Piktori i njohur spanjoll Francisco Goya e ka një pikturë shumë domethënëse, e cila mbanë emrin “Gjumi i arsyes prodhon përbindësha”. Sot, ne kemi nevojë për paralajmërimin e Gojas : Nëse heqim dorë nga arsyeja, nga edukimi demokratik, nga humanizmi, përbindshat e të kaluarës do të rikthehen për ta rivendosur ferrin mbi tokë.Dhe ferri mbi tokë, mes shumë pamjeve, e ka edhe pamjen e Holokaustit.

Dihet  se nuk është në dorën tonë që ta ndryshojmë historinë, por në dorën tonë është fuqia për të mos lejuar që tragjeditë e saj të përsëriten. Duke e bërë këtë ne nderojmë kujtimin e viktimave të këtyre tragjedive dhe njëkohësisht e fitojmë të drejtën për t’u nderuar nesër nga fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Të nderuar miq!

Vitin që shkoi një hap tjetër historik u shënua në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe hebrenjëve: Njohja e shtetit të Kosovës nga Izraeli.

Na gëzon fakti se formalizimi i kësaj njohje është në përfundim e sipër. Kjo nuk përbën vetëm një lajm të mirë për dy vendet, por njëkohësisht një lajm të mirë për të gjithë njerëzimin.

E them me bindje të plotë këtë, sepse kur dy shtete të lira lidhin miqësi me njëra tjetrën, vlera e lirisë dhe paqës në botë rritet natyrshëm. Njerëzimi ka mësuar shumë nga menquria dhe fati historik i hebrenjëve. Eksodi biblik i hebrenjëve përbën paradigmën më të vjetër të çlirimit njerëzor.

Sot, ne, si Republikë e Kosovës, kemi të mësojmë shumë nga filozofia e shtetndërtimit e Izraelit, një filozofi falë të cilës sot Izraeli përbën njërin nga shembujt më të shquar në historinë e kombeve të suksesshme. Dhe ne nuk kemi rrugë tjetër, përveç rrugës që na shpie në familjen e kombeve të suksesshme.

Ju faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok