21/12/2024
u6_Blerim-Latifi

Blerim Latifi:

Në vitin 1913 Vladan Gjorgjeviq, ish kryeministër i Serbisë, boton librin “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”. Libri u adresohej publikut intelektual dhe kancelarive europiane. Qëllimi ishte që ato të bindeshin se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre kombëtar. “Faktet” që sillte për këtë ishin thjesht një katalog i racizmit të pastër antishqiptar. Aty ne quheshim njerëz barbarë, pa histori, me mendësi orientale, të paftë për zhvillim, civilizim e vetëqeverisje. Dhe, duke mos u ngopur me këto cilësime raciste, Gjorgjeviq u shkruan europianëve se “shqiptarët edhe biologjikisht janë të prapambetur, sepse shumë prej tyre janë njerëz me bisht”.

Për gati 100 vjet ne e kemi paguar shtrenjtë këtë racizëm të serbëve për ne. Me gjakun tonë. Me mijëra e mijëra fëmijë  të mbetur jetimë e gra të përdhunuara. Me vuajtjet dhe dhimbjet e tona të panumërta.

Prandaj, kur dëgjoj se si sot shqiptarë të Kosovës bëjnë veprime e sjellje raciste ndaj romëve, siç ndodhi dy ditë më parë në Gjakovë duke i përzënë nga lokali vetëm pse ishin romë, ndihem moralisht i thyer. I thyer, sepse nuk e shmangi dot frikën se mos kemi përvetësuar diçka të errët nga përsektuesit tanë të djeshëm. Dhe sa herë dëgjoj për raste të tilla, si ky i fundit në Gjakovë, më kujtohet poezia “Testament” e poetit të ndjerë rom, Kujtim Paçakut, njëri ndër poetët më të mirë të Kosovës, por që injorohet e nuk përfshihet kurrë në tekstet tona shkollore, për të vetmen arsye se është rom. Ja poezia:

Testament

Kur të vie ajo ditë

E fundit, në tepihun e jetës sime

Ju lus:

Së paku atje të qëndroj

VERTIKALISHT

Meqë gjithë jetën

S`më lanë se s`më lanë të ngrihem në këmbë!

__________

Sa herë vjen 22 nëntori ne kujtojmë Kongresin e Manastirit, në të cilin pas shumë e shumë përpjekjeve rilindasit shqiptarë vendosën që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin latin. Ishte ky një akt i madh historik, përmes të cilit shqiptarët jo vetëm që dëshmonin idenitetin e tyre europian, por edhe projektonin të ardhmen si komb europian. Kujtojmë po ashtu edhe personalitetet që morën pjesë në këtë kongres, por gjithmonë e harrojmë një fakt themelor: prapa gjithë organizimit që mundësoi Kongresin e Alfabetit, qëndron puna e madhe e një austriaku, August Ritter von Kral, konsulli austro-hungarez në Shkodër. Pa angazhimin e tij politik e organizativ shqiptarët do të vazhdonin të humbisnin kohën duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët se në cilin alfabet duhej shkruar shqipja. Ashtu siç kishin bërë dekada me rradhë. Ky komb e ka pasur një fat të madh : në momentet kritike të historisë dhe në mjegullnajën e kthesave të saj të mëdha, shpesh janë gjendur shumë miq të tij, që i kanë treguar rrugën se nga duhej të ecte.

__________

Një rrëfim nga historia e filozofisë politike, shkëputur nga leksionet e mia në fakultet

Platoni e kishte mik Dionisin e Sirakuzës, i cili në Sicili kishte ngritur një mbretëri të fuqishme. Madje ia kishte dalë që të fuste në kontroll edhe disa territore në brigjet e Adriatikut. Ilirët i kishte aleatë dhe një ditë bashkë me ta u nis të sulmonte e plaçkiste Tempullin e Delfit në Greqi, por nuk ia doli dot.  Sa më shumë që rritej pushteti i tij, aq më mizor bëhej ai.

Gjatë udhëtimeve të tij nëpër brigjet e mesdheut, një ditë Platoni ndaloi në Sirakuzë për t’i bërë vizitë mikut të tij. Dionisi e priti me nderime të larta, por më pas gjërat rrodhën krejt ndryshe prej asaj që priste nikoqiri. Platoni kishte dy alternativa para vetes : t’i servilosej tiranit, duke e ngritur në qiell mënyrën e tij të sundimit, dhe si shpërblim të kthehej në Athinë me dhurata të shumta, ose të thoshte të vërtetën objektive të këtij sundimi dhe të rrezikonte gjithçka. Platoni zgjodhi alternativën e dytë. Ai i tha në sy Dionisit se qeverisja e tij ishte e keqe, e bazuar mbi injorancën dhe e padrejtë ( për Platonin injoranca dhe padrejtësia shkojnë bashkë). Me pak fjalë : sundimtari i mirë ishte e kundërta e krejt asaj që po bënte Dionisi. Ky u tërbua fare. E përzuri Platonin nga dhoma mbretërore dhe urdhëroi ushtarët ta burgosin.  Sa më shumë që thellohej në kritikat e Platonit, aq më shumë i shtohej tërbimi. Të nesërmen vendosi ta dënonte me vdekje mikun e tij të deridjeshëm. Falë ndërhyrjes së djalit të tij, Dionisi hoqi dorë nga dënimi me vdekje dhe në vend të tij zgjodhi një dënim tjetër: urdhëroi ushtarët ta nxirrnin Platonin në tregun e skllevërve dhe ta shisnin si skllav. Për fatin e mirë të Platonit në tregun e skllevërve atë ditë u ndodh një mik i tij nga Athina, i cili e bleu Platonin dhe më pas siguroi edhe kthimin e tij në Athinë. Kështu mori fund miqësia midis filozofit Platon dhe tiranit Dionis. Platoni e përjetoi në lëkurën e tij atë që përbën një nga treguesit më të rëndësishëm të një diktature : intolerancën ndaj kritikës. Politikanët që se durojnë kritikën, që duan të dëgjojnë vetëm lajka e lavdërime servilësh, i kanë ndarë rrugët me qeverisjen e mirë. Ata janë dehur nga pushteti dhe janë në gjëndje të bëjnë gjithçka për të. Njësoj si Dionisi i cili nga viti në vit bëhej bëhej edhe më tiran, derisa në kulmin e mizorive të tij u vra prej vetë djalit të tij. Pikërisht prej djalit që ndërhyri për t’ia falur jetën Platonit.  Ndërkaq, Platoni iu rikthye punës së tij të madhe për themelimin e filozofisë politike, e cila që nga koha e tij ka pasur një qëllim fundamental : t’i kritikojë pushtetet në emër të drejtësisë dhe moralit. Dhe ta mbajë të gjallë idenë se një rend politik më i mirë gjithmonë është i mundur.

__________

Historiografia i ruan vetëm emrat e prijësve, të gjeneralëve, të atyre që i drejtojnë popujt në betejat e saj. Ndërkaq, emrat e ushtarëve të thjeshtë me kohë harrohen dhe ekzistenca e tyre kujtohet vetëm në statistikat e bilanceve të historisë.

Kjo fotografi e luftëtarëve shqiptarë në Shkupin e vitit 1912 është dëshmi e fortë këtij karakteri selektiv të historiografisë. Të vetmin personazh të fotografisë që e njohim sot është Hasan Prishtina, i cili qëndron në këmbë në mesin e luftëtarëve.Të tjerët janë anonimë dhe askush sot nuk e di se kush ishin dhe cili ishte fati i tyre.

__________

Ideja e Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve historikisht ka vuajtur nga dy plagë të mëdha. Njëra është plaga e shkaktuar nga fqinjët tanë, që e demonizonin këtë ide, duke e paraqitur si shoviniste dhe kërcënim për paqën në Ballkan. Fatkeqësisht ne kurrë nuk kemi qenë në gjendje ta rrëzojmë këtë imazh.

Plagën tjetër ia kanë shkaktuar vetë shqiptarët, duke e përdorur idenë e Bashkimit Kombëtar për të mbledhur vota për pushtetet e tyre.

Edhe sot vazhdon vazhdon e njëjta gjë: fqinjët e përdorin këtë ide për të penguar fuqizimin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e ne si mjet propagandistik për t’ia rrëmbyer pushtetin njëri-tjetrit në mahallat tona politike. A ka shërim për këto dy plagë?

Me elitat politike e kulturore që kemi, vështirë të thuhet po.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok