26/12/2024

Monografia e sinqertë “Aleksandra Zëra, nëna me zemër të madhe”

0
Violeta-Duri-Aleksandra

Nga Albert Z. Zholi, shkrimtar-publicist

Thuhet shumë për nënat: Zemërmi i nënës është si bora e pranverës. Bie shumë, por shkrin shpejt. Nëna është ajo që mund të zërë vendin e kujtdo, por vendin e saj nuk mund ta zërë askush. Çdo mbretëreshë ka madhështinë e saj, por madhështia e nënës është mbi të gjitha mbretëreshat e botës. Një nënë tipike shqiptare është dhe Aleksandra Zëra. E dashur, e ëmbël, e sinqertë, nikoqire, njerëzore. Portreti i saj tashmë është kthyer në një figurë publike. Televizionet shqiptare janë bërë pjesë e jetës së saj për vetë punën që ajo bën në ndihmën që u jep fëmijëve jetimë. Ka disa vite që shumë fëmijë të Shtëpisë së Fëmijëve Jetimë në Tiranë, mblidhen rreth saj si të jetë ajo nëna e munguar. Ajo jeton e vetme në shtëpi, pasi tre vajzat e saj tashmë kanë shtegtuar jashtë dhe kanë ndërtuar familje, ndërsa ajo, jeton në Tiranë dhe pse fëmijët këmbëngulin që të shkojë të jetojë pranë tyre. E rritur mes vuajtjesh dhe sakrificash, lumturia më e madhe e saj është, kur shikon vajzat të jenë të lumtura ndërsa vetmia nuk e trishton. Tashmë ajo ka shumë fëmijë shpirtërorë. Jetimët. Dhe ata nuk janë të pakët apo të ndarë në kohë. Janë të përditshëm edhe në ambientet e Shkollës së tyre ku ajo shkon pothuajse çdo  ditë, por edhe në shtëpinë e saj, ku dikush prej tyre do të vijë ta takojë apo ta marrë në telefon deri në orët e vona të natës. Nënë Aleksandra e thërrasin jetimët. Sepse ajo është bërë Nëna e tyre e zemrës. I ledhaton, i këshillon, i mëson të qepin, u gatuan, i mbath, i merr për festa, pyet për shëndetin… Ajo është në çdo moment pranë tyre, mes shqetësimeve të tyre. U jep me gjithë shpirt atë që atyre u mungon, atë që ata e dëshirojnë me gjithë shpirt. Kur gatuan diçka të mirë, ajo kurrë nuk mund të hajë vetëm, por bashkë me vajzat e saj të vogla. Shumë vogëlushe jetime për gjyshe Aleksandrën janë kthyer në familjen e saj të re…

Vendlindja dhe rrugët e panjohura

Nënë Sandra ka lindur në Zagori, vend ku ka jetuar deri në moshën 13- vjeçare. Babai i saj Xhoxhi Zera ka qenë një nga patriotët më të shquar të Zagorisë, të cilin kronikat e kohës e quanin “Trimi i trimave”. Ne fillimin e lëvizjes për liri ai qe i pari që mori pjesë dhe organizoi njësitin gueril në Topovë dhe Zagori. Ndërsa familja e saj transferohet në Tiranë kur ajo po mbushte të 14-tat. Pikërisht në Tiranë, martohet dhe lind tri vajza. Thonë se fati i femrës është i çuditshëm. Imazhi i asaj vajze të brishtë e plot ëndrra për familjen e përsosur u thye shpejt dhe Aleksandrës në një moshë të re i bie të divorcohet nga bashkëshorti i saj. Mbetet e vetme me tri vajza, të cilave u përkushtohet me shumë dashuri. Të jetoje në Shqipërinë e diktaturës me tre vajza dhe me statusin e divorcuar nuk ishte diçka e lehtë, për më tepër kur historia e zhgënjimit përsëritet dy herë. Por Aleksandra u bë e fortë nga hallet. Nuk e gjunjëzuan problemet dhe pse shpesh qante me orë të tëra në shtëpi e i gërvishtej zëri nga ngashërimat e pikëllimi.

Tre vajzat

Ndërsa pengesat i dilnin hap pas hapi ajo ishte e bindur për një gjë: duhet të rriste me dinjitet tre vajzat e saja. Por në të njëjtën kohë duhet të tregohej e fortë para të tjerëve dhe të mos demonstronte dobësi dhe vuajtjet e saj të mëdha. As të tjerët dhe as fëmijët nuk duhet të shihnin lotët e hidhura të nënës. Lotët që duhet ti fshihte në hojet e shpirtit të saj. Punoi shumë pa parë askënd në sy, përveçse punës dhe edukimit të vajzave. Dhe në fakt zoti ia shpërbleu. Vajzat u rritën me nder e faqebardhë dhe ndërsa flet është e lumtur që ato kanë krijuar familjet e tyre dhe janë të lumtura. Tashmë të tre bijat e saja ndodhen në emigracion, njëra në Francë dhe vajza e madhe dhe e vogël në Greqi. Duke qenë një nënë e përkushtuar ajo ka ndenjur 12 vjet në Greqi dhe një vit e gjysmë në Francë pranë pasardhësve të gjakut të saj duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen dhe edukimin e tyre. Pikërisht kur ato u rritën dhe u bënë të zotët e vetes kthehet në Shqipëri. Aleksandra është nga ato gra të emancipuara që mendon se gjithësecili ka nevojë të jetojë jetën e tij, pa ndërhyrjen e askujt. Jeta ia ka mësuar shumë mirë këtë mësim të madh. Ndaj dhe duke menduar se i ka sikletosur disi vajzat me praninë e saj ka menduar të kthehet në Shqipëri dhe të bëjë jetën e saj. Si të gjitha nënat shqiptare të lidhura kokë e këmbë me fëmijët dhe ajo do dëshironte t’i kishte pranë për ndonjë hall, por mendon se guri i rëndë duhet të rrijë në vend të vet. Ndaj dhe merr këtë vendim disi drastik në vetvete.

Vetmia dhe “familja e re”

Por ndërsa është mësuar tërë jetën me rritjen e fëmijëve të saj dhe atë të nipërve dhe mbesave, në vendin e saj shumë shpejt do të ndjejë vetminë. 32 vite pranë fëmijëve, pranë jetës që gëlonte e bën të ndjehej ligsht dhe vetëm. Nis përsëri vuajtja për të. Një vuajtje e madhe shpirtërore që shpesh e bën të qajë dhe të ankohej se nuk bënte më asgjë. Dhe kështu ndërsa e mendon mirë e mirë mendon të zgjidhë gjendjen e saj dhe të bëhet me një familje të re. Mendon të lidhet me jetimët. Ka qenë pikërisht para festave të fundvitit të vitit 2003 kur ajo do të shkojë të takojë drejtoreshën e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” nga e cila merr tre fëmijë jetimë për të kaluar festën e vitit të ri së bashku me ta. Thotë se fëmijët e saj emigrantë i kishin sjellë shumë dhurata që i kish vënë poshtë bredhit të Vitit të Ri. I mbajti fëmijët jetimë atë ditë, duke festuar e gëzuar së bashku dhe të nesërmen ndërsa shkoi për t’i dorëzuar sheh në institucion një vajzë që po zihej me edukatoren. Thotë se fakti që vajza po i kthente përgjigje të ashpra edukatores, i bëri shumë përshtypje dhe në një farë mënyre i solli në mendje të kaluarën. Edhe vetë ajo ishte një nënë e rreptë dhe i dënonte vajzat e saj, kur bënin gabime me qëndrim për një orë në tualet, ose nuk i lejonte të dilnin. Sipas saj, nëna e ka për detyrë ta mësojë vajzën dhe mbi të gjitha t’i tregojë se kur ajo e ka gabim në mënyrë që vajzat të korrigjohen. Takon drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës dhe i thotë se një ditë do merrte me vete atë vajzë dhe do e shëtiste gjithë mbasdreken. E ndërsa merr vesh se cila ishte historia e asaj vajze i merr leje drejtoreshës që ajo të kujdesej për një grup vajzash jetime. Drejtoresha e pranon me shumë dëshirë nismën e saj dhe që nga ajo ditë nënë Aleksandra nis t’i mësoj vajzave qëndisjen, të qepin, të presin, i merr në shtëpi ku i jep leksione gatimi ashtu siç bën një nënë e mirë me vajzat e saja. Një lidhje dhe përkushtim që pa dyshim e kanë bërë të japin e të marrin dashuri dhe respekt me njëra -tjetrën. Sot nëna Aleksandra është shumë e lidhur me ato vajza, të cilat janë kthyer në pjesë të jetës së saj. Thotë se aq shumë janë lidhur sa sot vajzat e saja natyrale i sjellin valixhet plot me rroba për vajzat e jetimores.

Dita më e bukur e jetës

Tregon se dita më e bukur e jetës së saj ka qenë kur është bërë nënë. Ka qenë gjithnjë një vajzë që i ka dashur fëmijët dhe që gjithnjë ka ëndërruar të jetë nënë. Por ndërsa fati është sjellë ashpër me të, jeta e saj si nënë ka qenë e mrekullueshme. Jeta bashkëshortore e saj dhe martesat kanë qenë të palumtura, ndaj dhe këshilla dhe kujdesi i saj më i madh për vajzat e kohës së sotme është që t’i hapin sytë mirë dhe ta zgjedhin siç duhet njeriun e jetës. Sepse vuajtja dhe dhimbjet e jetës së saj, që tashmë janë shkruar në këtë monografi, duhet t’i shërbejnë si mësim shumë vajzave që të mos bëhen viktimë e fatit dhe e opinionit. Ndaj dhe vlerat e këtij libri janë një mësim për ccdo brez fëmijësh jetim apo ccdo nëne të re që nis një faqe ndryshe jete për të lindur, rritur dhe edukuar fëmijët që do lindin. Dhe kur flasim për nëna si Aleksandra Zëra duhet të kujtojmë fjalën e urtë: Dora që përkund djepin, është ajo që rrotullon fatin e njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën drejt horizonteve të ndritura ose të errta…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok