MONOGRAFI KOMPLETE PËR JETËN DHE VEPRËN E AKADEMIK GAZMEND ZAJMIT
Nga Adil FETAHU
Akademik Gazmend Zajmi (1936 – 1995), ishte më i shquari nga plejada e intelektualve shqiptarë, jo vetëm në Dardani (Kosovë), por edhe më gjërë. Ai ishte jurist-konstitucionalist, politolog, mësimdhënës-pedagog i veçantë; ka qenë profesor i rregullt dhe dekan i Fakultetit Juridik; prorektor e rektor i Universitetit të Prishtinës; anëtar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë; anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve me seli në Salzburg (Austri); ideator e autor i ‘’Apelit 215’’, i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut dhe i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990) dhe i shumë nismave e aktiviteteve tjera për bërjen e shtetit të Kosovës. Shquhej për kulturën e gjërë dhe mendimin e thellë shkencor-juridik e politik dhe me angazhimin maksimal për çështjen kombëtare.
Unë e kam njohur përsëafërmi Akademik Gazmend Zajmin, derisa kam punuar10 vjet në Fakultetin Juridik-ekonomik dhe atë Ekonomik, por për figurën e tij kam mësuar akoma më shumë nga Monografia e gazetari dhe publicistit të njohur Nuhi Bytyqi, i cili me një angazhim dhe punë të gjatë hulumtuese, ka vjelë, mbledhë të dhëna e botuar monografinë voluminoze (503 faqe tekst e fotografi), me titull: ‘’GAZMEND ZAJMI – Një jetë për Kosovën’’.
Materialet e radhitura në mënyrë kronologjike, i ka shtjelluar në 23 kapituj, të cilave u paraprinë Parathënia e autorit, shqip dhe anglisht (fq.13 – 19); Fjala e redaktorit, Akademik Arsim Bajrami (fq.21 – 23); recensionet e Akademik Gjylijeta Mushkolaj dhe prof.dr.Agim Zogaj (fq.25 – 28); dhe Vlerësimi i Akademik Felix Unger, kryetar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg (Austri) për akademikun Gazmend Zajmi, i cili ka qenë anëtar i parë dhe i rregullt i asaj Akademie nga Kosova. Po e japim këtu të shkurtuar vlerësimin e kryetarit të asaj Akademie, akademikut Unger:
‘’Nga kontaktet dhe diskutimet që kishte në takimet e Senatit dhe të Asamblesë së Përgjithshme të Akademisë, Zajmi shquhej me një oratori dhe elokuencë të lartë. Ishte një njohës i shkëlqyeshëm i shkencave juridike dhe politike. Ai në tëgjitha diskutimet e tij në Akademi potenconte diskriminimin kushtetues të shqiptarëve të Kosovës dhe kërkonte nga akademikët tanë ta dënojnë dhunën sistematike të Serbisë në Kosovë dhe të angazhohen për ndërhyrjen e shteteve evropiane në ndaljen e këtij diskriminimi. Ai kishte polemika të shumta me akademikët serbë, duke kërkuar që ata ta ngritin zërin e tyre intelektual kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës.
Figura e Akademik Zajmit i ka bërë nderë jo vetëm shtetit të Kosovës, por edhe Akademisë Evropiane dhe ne jemi të nderuar që e kishim një anëtar kaq të respektuar. Emri dhe figura e Akademik Gazmend Zajmit do të kujtohen përherë nga Akademia jonë’’, përfundon vlerësimin e tij kryetari i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, Felix Unger.
Në dy kapitujt e parë të monografisë jepen shënime për biografinë personale dhe familjare të Akademik Gazmend Zajmit; nga ajo epizodë vlen të veçohet koha kur Gazmend Zajmi ishte student i dalluar në Universitetin e Beogradit, që pas kryerjes me sukses të shkëlqyeshëm të Fakultetit Juridik, dy vjet punoi në detyrën e gjyqtarit dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit të Prizrenit, që ishte gjykatësi dhe kryetari më i ri i një gjykate në ish-Jugosllavi. Në vitin 1961 erdhi në detyrën e asistentit për lëndën Sistemi politik dhe kushtetues, në Fakultetin Juridik, që atëherë ishte në kuadër të Universitetit të Beogradit. Por, për shkak të mungesës së kuadrove me përgatitje profesionale, një periudhë (1963-1967) kreu detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës.
Gazmend Zajmi do të gjendet kudo që e kërkonte nevoja për dijen profesionale e shkencore në avancimin e pozitës politike dhe kushtetuese-juridike të Kosovës: në kohën e amendamenteve (1968-1972) dhe në kohën e miratimit të Kushtetutës të vitit 1974. Ai me argumente artikulonte kërkesat për republikën e Kosovës në Federatën jugosllave. Ishte këmbëngulës në mbrojtjen e pozitës kushtetuese në periudhën 1988-89, dhe në argumentimin e të drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë (1990 – 1999). Me vizionet e tij Akademik Gazmend Zajmi gjithnjë ishte një hap më përpara të tjerëve. Pa dyshim, se Akademik Gazmend Zajmi, me Akademik Fehmi Aganin dhe me Ukshin Hotin, ishin truri i mendimit politik të Kosovës.
Por, kontributin më të madh Akademik Gazmend Zajmi e ka dhënë në procesin e themelimit, punës dhe zhvillimit të Universitetit të Kosovës, prej vitit 1970 deri më 1981, periudhë kur ky Universitet e pati zhvillimin më të hovshëm, rritën, afirmimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me Universitetin e Tiranës e me universitete tjera të Europës. Dy mandate ishte prorektor (1975 – 1979), ndërsa një mandat (1979 -1981) rektor i këtij Universiteti. Në atë periudhë, ndërroi struktura nacionale e studentëve dhe e mësimdhënësve në fakultetet e Universitetit, në favor të nacionalitetit shqiptar, në proporcion me strukturën nacionale të popullsisë së Kosovës. U intensifikua bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës dhe furnizimi me tekste mësimore nga Tirana, me shkëmbimin e kuadrove, harmonizimin e programeve mësimore, dërgimin e kuadrove mësimore për arritje të përvojave dhe nivele akademike (magjistra e doktorë shkencash). U hapen fakultete të reja dhe degë të reja në fakultetet ekzistuese. Gazmend Zajmi, nga pozita e rektorit, nuk lejoi që Universitetit t’i vehej emri ‘Josip Broz Tito’, siç kishte kërkuar Dushko Ristiqi nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në periudhën kur Gazmend Zajmi ishte prorektor dhe rektor, Universiteti i Kosovës kishte fituar aq simpati në popull, sa e ilustron deklarata e një plaku që ia kishte thënë rektorit Feriz Krasniqi: ‘’Tash kur po falemi në xhami, nuk po kthehemi më kah kibla, por kah Universiteti’’!
Hovin e zhvillimit të Universitetit, e ndërpreu politika nacional-shoviniste e Beogradit, e ndihmuar edhe nga budallenjtë politik të Kosovës, të cilët, duke bërë presion e detyruan Gazmend Zajmin të jepte dorëheqje nga pozita e rektorit (9 qershor 1981)), madje edhe e mbyllën përkohësisht Universitetin, për shkak se rektori jo që nuk i gjykonte protestat e studentëve, por i përkrahte kërkesat e tyre si të drejta legjitime. Bashkë me rektorin, dha dorëheqje edhe prorektori Halil Turku. Më vonë, në fushatën e diferencimeve ideopolitike (1984) Akademik Gazmendin pasi e përjashtuan prej LKJ, e larguan edhe nga procesi mësimor në Fakultetin Juridik, ku mbahet mend si pedagogu më i mirë në gjithë kohën e këtij Fakulteti. Për ta mbajtur më afër Fakultetit, dekani i atëhershëm (Habib Hashani) e caktoi Gazmend Zajmin këshilltar shkencor në Institutin për Kërkime Juridike të Fakultetit, por pas pushtimit të masave të dhunshme, dekani i dhunshëm (Mirko Perunoviq) e largoi Zajmin edhe nga Instituti. Kështu, Akademik Gazmend Zajmi u bë viktimë intelektuale e zhbërjes së Jugosllavisë dhe e bërjes së Kosovës shtet.
Pas gjithë atyre presioneve dhe ngjarjeve tronditëse, Akademik Gazmend Zajmit iu keqësua gjendja shëndetësore dhe ndërroi jetë në një spital të Zagrebit, më 10 mars 1995, me diagnozën ‘’Neuralgia trigeminale’’. U soll trupi i tij dhe u vorros me nderime të mëdha, çfarë i meritoi.
Për personalitetin dhe veprën e Akademik Gazmend Zajmit, autori i monografisë ka mbledhë të dhëna, dokumente, deklarata e dëshmi të familjarëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, të studentëve e të qytetarëve të Kosovës dhe jashtë saj, të cilat mund t’i lexoni në këtë monografi. Autori ka bërë edhe një dokumentar për jetën dhe veprën e Akademk Gazmend Zajmit, dhe monografisë ia ka bashkangjitur disketën, të cilën mund ta shikoni në kompjuterin tuaj.
Ato që thuhen në monografi për figurën dhe veprën e Akademik Gazmend Zajmit, janë ilustruar me fotografi të shumta individuale e grupore, me dokumente dhe faksimile të ndryshme. Në monografi do gjeni emra të shumtë të atyre që dëshmojnë për jetën dhe veprën e Akad.Gazmend Zajmit, dhe kjo ka bërë që në këtë monografi ka shumë përsëritje të emrave dhe të deklaratave të personave të njëtë, që ia prishë shijen e leximit, por ato janë në kontekste të ndryshme të jetës dhe të veprimtarisë profesionale, politike, shkencore, arsimore, kulturore, muzikore të Akademik Gazmend Zajmit.
Është një monografi më komplete që është shkruar e botuar për një personalitet të shquar të Kosovës, dhe do të shërbejë si një monument kulturor për ta ruajtur kujtimin e atyre që e njohën Akademik Gazmend Zajmin, dhe për ta njohur gjeneratat e reja.