Mohuesit e pavarësisë mashtrojnë me ditën e flamurit dhe festojnë ditën e çlirimit!
Nga Enver Bytyçi
Ta zëmë se gjermani i fundit iku më 29 nëntor, dy ditë mbasi ai kishte ikur prej Malit të Zi në drejtim të Kroacisë! A duhet festuar 29 nëntori? Po sikur gjermani i fundit të ishte larguar më 28 nëntor, pra dtën e pavarësisë së Shqipërisë dhe të ishte festuar në këtë ditë që prej vitit 1945? A duhej festuar edhe në këtë rast? Deri më sot është zhvilluar debat i ashpër, nëse data e çlirimit është data 28 apo 29 nëntor. Debat koti, se dita e çlirimit nuk ekziston. Përkundrazi ajo ishte dita e skllavërimit!
Data e 29 nëntorit është lidhur dhe interpretuar si vendim i imponuar nga Tito për shkak se në këtë datë të vitit 1943 u mblodh Konferenca e AVNOJ-it, në të cilën u themelua Jugosllavia socialiste e pas Luftës së Dytë Botërore. Opozita konservatore e ka kundërshtuar ditën e çlirimit gjatë këtyre më shumë se 30 viteve me argumentin që sapo thashë. Madje ajo i ka nderuar dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore me datën 28, ditën e pavarësisë. Këtë vit, për fat, ka reflektuar më mirë. E ka mohuar si ditë çlirimi!
Po a duhet festuar një ditë çlirimi për Shqipërinë. Unë besoj se thjesht duhen përkujtuar dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore, por asnjë festë, asnjë aktivitet tjetër nuk duhet bërë. As shpikja e “Natës së Bardhë” nga Erion Veliaj! Se nata e 29 nëntorit ishte natë e zezë! Sterrë e zezë! Ishta nata kur nisi në masë lufta civile kundër nacionalistëve shqiptarë!
Për mua nuk ka rëndësi data se kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria. Në fund të fundit si me 28 ashtu dhe me 29 nëntor të vitit 1941 apo 1944 liderët shqiptarë të luftës aleatë të komunistëve jugosllavë qenë. Miq dhe vëllezër me serbët ishin ata. Prandaj dhe kjo aleancë jugosllavo (serbe) – shqiptare nuk mund të përkujtohet, aq më pak të festohet. Dhe për ta arsyetuar këtë mendim timin ka mijëra argumente. A nuk iu zhdukën emri, eshtrat dhe varri Patër Gjergj Fishtës me urdhër të serbëve? A nuk u izolua Shqipëria, me qëllim që diktatori dhe diktatura të mbijetonin? Por me pasojën e tmerrshme të shkatërrimit të atdheut dhe kombit! A nuk u bënë miqtë – armiq dhe armiqtë – miq?! A nuk u varfëruan shqiptarët si kurrë ndonjëherë në jetë?! A nuk u përçamë dhe ndamë me kufij me tela me gjemba?! U pushkatuan 5548 shqiptarë patriotë, thjesht pse mendonin ndryshe: U burgosën dhjetra mjijë të tjerë. Vdiqën në burgje rreth mëmijë gjithashtu! Se ata donin atdheun më shumë se pushtetin!
Ata që erdhën në pushtet pas 29 nëntorit 1944 ndryshuan historinë dhe duke e ndryshuar historinë përdhosën pavarësinë dhe vetë ditën e flamurit. E përdhosën më së pari simbolin e kombit, kur i vunë yllin, drapërin dhe çekanin sovjetik. Burgosën dhe persekutuan shumicën dërmuese të familjeve të atyre që shpallën pavarësinë. Edhe djalin e Ismail Qemalit! Edhe vëllain e Nënë Terezës! Madje vetë bamirësen më të madhe e më të njohur të njerëzimit! Këta që na thonë se duhet festuar 29 nëntori, si ditë e çlirimit, e burgosën gjithë popullin shqiptar dhe i përnmdoqën gjithë proklamuesit e pavarësisë. Sepse duhej sikur ishin ata që kishin ngritur flamurin në Vlorë.
E çfarë mohuan tjetër? Po radhis vetëm disa fakte: – Ushtria ishte krijuar më 5 dhjetor 1912, ndërsa në tekstet e historisë na thonin se ishte krijuar më 10 korrik 1943! Çfarë absurdi? Kështu ndodhi me policinë, xhandarmërinë dhe me çdo ngjarje të vërtetë historike. Madje na thanë se Republika ishte krijuar më 11 janar 1946 e në fakt para saj ishin formuar dy republika, ajo parlamentare në Kongresin e Lushnjës (janar 1920) dhe ajo presidenciale me president Ahmet Zogun (janar 1925). Çfarë nuk zhdukën nga historia e kombit tonë! Shkollën e parë shqipe e sollën në vitin 1887, ndërkohë që ajo kishte ekzistuar shekuj më parë. Madje na thanë se edhe Naim Frashëri ishte atesit, në mos komunist! Se Ahmet Zogu ishte “satrap” e terroristi Avni Rustemi na ishte hero! E shpallën të paqenë gjithçka që solli pavarësia, aq sa dukej se diktatori ishte njëkohësisht proklamusi i saj!
Ndaj dhe e ashtuquajtura ditë e çlirimit ishte në fakt ditë e skllavërimit! Skllevër të të huajve antishqiptarë dhe skllevër të politikave të dhunës për pushtet! Deri në absurdin e festës së datave historike jugosllavo-serbe e ditëlindjes së Titos dhe Stalinit! Se 29 nëntori u caktua ditë e çlirimit të Shqipërisë për hatër të miqësisë me Jugosllavinë e Titos dhe Serbinë e Rankoviçit, kjo është vetëm një prej argumenteve pse nuk duhet festuar 29 nëntori. E vërteta është se ajo datë është për tu urryer dhe jo për ta festuar. Jo urrejje hakmarrëse, por reflektimi. Dhe ditën që do ta urrejmë të ashtuqujturën festë të çlirimit, atë ditë do të nisim të përpjetën tonë! Ndryshe do të vazhdojmë të jemi skllevër të ambicjeve për pushtet të pasuesve të ish-partizanëve që nuk jetojnë më, por që kanë lënë bijtë e nipat e tyre si mëkëmbës të luftës dhe si simbole të ditës së skllavërimit!