MITI I SHPELLËS SË PLATONIT DHE PËRFYTYRIMET TONA MBI TË VËRTETËN
Nga Agron Tufa
Në Librin VII të “Republikës”, Platoni paraqet një nga alegoritë më të famshme dhe më të thella në filozofinë perëndimore: “Miti i Shpellës”.
Kjo histori nuk është vetëm një përrallë magjepsëse, por edhe një mjet i fuqishëm për të kuptuar teorinë e dijes dhe perceptimin e realitetit, konceptet qendrore të mendimit platonik.
Imagjinoni një shpellë të errët ku një grup të burgosurish janë lidhur me zinxhirë që nga lindja. Këta të burgosur janë të shtrënguar në atë mënyrë që të mund të shikojnë vetëm drejt murit që kanë përballë.
Pas të burgosurve ka një zjarr, dhe midis zjarrit dhe të burgosurve ka shteg kalimi. Përgjatë këtij shtegu, njerëzit kalojnë duke mbajtur objekte dhe figura të formave të ndryshme dhe lëshojnë hije mbi murin ku shohin të burgosurit.
Për këta të burgosur, këto hije janë i vetmi realitet që ata njohin. Hijet në shpellë simbolizojnë padijen dhe perceptimin e kufizuar të atyre që nuk kanë arritur njohurinë e vërtetë.
Ato përfaqësojnë një realitet të shtrembëruar dhe sipërfaqësor, një metaforë sesi dukjet dhe perceptimet mund të mashtrojnë të kuptuarit tonë për natyrën e vërtetë të gjërave.
Miti merr një kthesë të rëndësishme kur një nga të burgosurit lirohet.
Në fillim, ky i burgosur ndjen dhimbje të mprehtë dhe trullosje të fortë kur përballet me dritën e zjarrit dhe, përfundimisht, terratiset krejt kur ndesh me sy diellin e vërtetë përjashta. Drita është verbuese dhe i burgosuri përpëlitet për të kuptuar këtë realitet të ri.
Pak e fije, herëdokur, sytë e tij mësohen me të dhe ai fillon ta shohë botën ashtu siç është: ngjyrat, format, pafundësinë e qiellit dhe shkëlqimin e diellit.
Ky proces simbolizon rrugën drejt dijes dhe ndriçimit intelektual, një rrugëtim i mundimshëm dhe i dhimbshëm, por thellësisht shndërrues.
I burgosuri i liruar kupton se hijet në shpellë nuk kanë qenë realitet, por thjesht një iluzion.
Me dëshirën e tij për ta ndarë këtë zbulim, ai kthehet në shpellë për të liruar të tjerët.
Megjithatë, përpjekja e tij ndesh në qëndresë fanatike, nuk pranohet dhe keqkuptohet nga ata që janë ende në zinxhirë.
Për ta, hijet mbeten realiteti i vetëm i vlefshëm dhe sugjerimi i një realiteti tjetër është i papërfytyrueshëm dhe kërcënues.
Ky rikthim nxjerr në pah vështirësinë e përcjelljes dhe pranimit të së vërtetës në një botë të mësuar me iluzione, një pasqyrim i rezistencës njerëzore ndaj ndryshimit dhe pranimit të të vërtetave të reja.
Prandaj “Miti i Shpellës” ilustron jo vetëm teorinë epistemologjike të Platonit, por edhe vizionin e tij për edukimin dhe rolin e filozofit në shoqëri.
Filozofi, ashtu si i burgosuri i liruar, ka përgjegjësinë t’i drejtojë të tjerët drejt dritës së dijes, edhe nëse kjo përpjekje do të detyron të përballesh me moskuptimin dhe qëndresën kokëngjeshur.
Në fund të fundit, kjo alegori na grish të vëmë në dyshim perceptimin tonë të realitetit dhe të njohim rëndësinë e kërkimit të dijes përtej paraqitjes.
Na bën thirrje të thyejmë zinxhirët tanë dhe të dalim nga shpellat tona personale në kërkim të një kuptimi më të thellë dhe më të vërtetë të botës.