21/12/2024

Miti dhe historia në veprën e Naim Frashërit

0
Naim_Frasheri

Nga Dorian Koçi

Fati dhe përgjëgjësia individuale ndaj lexuesve të poetëve dhe shkrimtarëve në Evropën Juglindore në fillimet e nacionalizmit në shekullin e XIX janë të lidhur pashmangërisht me rolin e tyre si veprimtarëve të çështjes kombëtare dhe përndritjes të komuniteteve të lexuesve të tyre. Në këtë kontekst historik të Evropës Juglindore e cila shtrihej nën pushtetin perandorak të tri perandorive, Austro-Hungarisë, Otomane dhe asaj Ruse do të gjallonte rryma letrare e romantizmit që në vetvete përmbante si një nga principet e tij, konceptin e lirisë individuale por edhe të lirisë politike. Romantizmi ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerzore,vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit.  Poeti ynë kombëtar Naim Frashëri është nga themeluesit  rrymës së Romantizmit në letërsinë shqipe, një nga iniciatorët e themelimit ë kultit të lirisë individuale, kultit të së shkuarës së lavdishme dhe ripërtëritjes së saj si dhe lirisë politike të kombit të vet. Si mbartës i një aktiviteti të tillë misionar në kulturën e kombit, ai përfaqëson të dy rolet, atë të levruesit të letërsisë kombëtare por edhe të mësuesit të kombit.

Krijimtaria letrare e Naim Frashërit është bërë prej shumë kohësh objekt i njohur studimi. Si një nga krijuesit dhe figurat qendrore të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare për të janë shkruar monografi dhe studime të veçanta letrare ku janë nxjerrë në pah fillesat e krijimtarisë, talenti i tij, vështirësitë e të vjershëruarit në shqip ( në një gjuhë që arti poetik ishte lëvruar pak ose  aspak),por nuk kanë munguar edhe kritikat që në disa raste kanë shkaktuar reagim në botën shqiptare si është p.sh artikulli i njohur i Konicës në gazetën  “Dielli”,  më 28 korrik 1937. Poezia dhe arti poetik i Naim Frashërit, ç’është e vërteta nuk ishte hera e parë që viheshin në peshoren e kritikës, parë dhe shqyrtuar nëpërmjet doktrinës së kritikës së artit për art e të rreshtuara si lumë akuzash cinike në penën e Konicës, ato morën një ngjyrim negativ.Është afërmendsh që letërsia shqipe e kohës së Rilindjes kishte një tipar propagandistik që synonte me një gjuhë të thjeshtë të realizonte zgjimin kombëtar, e prej këndej kemi edhe forma të dobëta stilistikore, por ky tipar nuk mund të zbehë vlerat e vërteta të veprës së Naim Frashërit. Një nga studiuesit e parë të krijimtarisë poetike të Naim Frashërit, profesor Kostaq Cipo  shkruante në vitet 30’ se vargu i Naimit është i qartë, i lehtë , i papunuar, përkulet e jipet por hiqet edhe zvarrë. Melankolia që pështjell një pjesë të vjershës së Naimit ka fuqi të hapë një plagë në zemër, por ka dhe melhelmin me vete që të na përthajë plagën e hapur. Një gjë vetëm i mungon dekalogut estetik të Naimit, ajo që thirret lucidius orfo-renditje logjike. Kjo mungesë e renditjes logjike u vërejt më së tepërmi në veprat poetike që trajtuan historinë dhe mitet e vjetra e shqiptarëve, por të para nën prizmin e krijimtarisë letrare ato mund shikohen edhe si një marëdhënie krijimitari letrare-verifikim i faktit historik.

Ligjërimi historik i trajtimit  të së shkuarës së antikitetit të Ballkanit u kthye në një ligjërim historik-letrar që u pasqyrua edhe zhvillimet historike kulturore të marëdhenieve të popullsisë ballkanike me të shkuarën, por edhe identifikimi i prototipeve letrare, që kanë pasur një ndikim të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirëfilltë. Edhe ata, që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për të shkruar.  Ky proces, që në Europë fillon me romanet e Ëilliam Scotit, nuk mund të mos  influenconte shkrimtarët e Ballkanit, kur ata përfshihen në proceset shtetformuese të shteteteve tyre kombëtarë. Poetët kombëtarë dhe aktivistët e çështjeve kombëtarë të Ballkanit në mënyrë të pavetëdijshme, duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës të vendeve të tyre në romane, poema historike, kanë krijuar një epope historike, që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani e poema historike shërbeu si model narrativ për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës. Prof. Shuteriqi me të drejtë ka vërejtur se me Naimin filloi në Shqipëri një periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij është si një gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq gjini, vepër që pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e poetëve dhe shkrimtarëve që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu edhe në bazën e gjuhës letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër madhore.  Është pikërisht ky kontribut i paçmuar që e rendit Naim Frashërin, si poetin kombëtar të shqiptarëve, pasi vepra e tij jo vetëm që u shtri në disa gjini letrare, por duke qenë prej shumë kohësh një prej veprave bazë të leximit në shqip, u kthye në një vepër që ushqeu fidanishtet e para të shqiptarizmës.

Një aspekt pak i njohur, por dhe shumë i paragjykuar më vonë nga breznitë e mëvonshme të studiuesve është pasqyrimi në letërsinë e poezinë e tij të mitit pellazgjik dhe prejardhjes së shqiptarëve prej tyre. Nuk ka munguar në shtypin e zakonshëm shqiptarë, autorë dhe historianë post Konicianë që veprat  e tij si “Parajsa” apo parathënien e përkthimit të Këngës I së “Iliadës” të Homerit, t’i paragjykojnë dhe ashtu si Konica në 1937 t’i quajnë “shtëpi të marrësh”, por përpara se të gjykojmë poezinë, pra fiction për histori, studiuesit duhet të shikojnë mënyrën sesi është përfshirë në tezën pellazgjike Naimi dhe ç’përfaqësonte në atë kohë kjo tezë për mendimin europian dhe shqiptar të kohës. Në rizbulimin që shumë figura të elitës europiane i bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga fillimi i shekullit XIX dhe në vazhdim, konstruktuan nëpërmjet gjurmimeve të tyre albanologjike imazh më të qartë të tyre sesa ai që ekzistonte nga njohjet e përcipta. Në vitin 1854, konsulli i Austrisë në Janinë, Hahn botoi “Studimet Shqiptare” në të cilin ai pohonte autoktoninë e shqiptarëve, përforconte karakterin antik të kombit shqiptar, meqenëse shqiptarët e vjetër nuk ishin më ilirët por pellazgët, përfshinte maqedonasit në grupin pellazgo-shqiptar dhe paraqiste periudhën maqedonase si kohën e artë të kombit. Ai zbuloi po ashtu një prejardhje të përbashkët, dhe kësisoj një afri, midis shqiptarëve, grekëve dhe romakëve. Po kështu, më 1857, historiani gjerman, Jakob Philipp Fallmerayer, botoi librin ‘Elementi shqiptar në Greqi”, ku sërish i bëri jehonë autoktonisë dhe origjinës pellazgjike të shqiptarëve. Sigurisht që në këto përsiatje filologjike-historike, në një analizë të mëvonshme konstruktive kuptohet që ka pasur një shqetësim gjeostrategjik në momentin kur ajo është artikuluar, pasi teoria e historisë parahistorike ishte një përpjekje për të penguar pansllavizmin dhe pangjermanizmin dhe në mesin e shekullit  XIX, nëpërmjet krijimit ë një boshti latino-helen-shqiptar në Evropën Juglindore. Sipas autores së njohur dhe personalitetit kulturologjik Dora D’Istrias, çështja pellazgjike konsiderohej si një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e tjera, ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e krahasuar, në shqyrtimin e karaktereve morale dhe fizike, në arkeologjinë primitive, në traditat kombëtare etj.  Pra si shikohet në mesin e shekullit XIX, origjina pellazgjike ishte një realitet pothuajse i prekshëm shkencor ndaj të cilit nuk mund të ishin indiferentë përfaqësues të rëndësishëm të elitës shqiptare, përfshirë këtu dhe Naim Frashërin. Në parathënien e përkthimit të Këngës së Parë të Iliadës nga Homeri, Naimi përmend Falmajerin dhe kur përshkruan konfliktet midis Europës dhe Azisë, nënvizon se tri her’e kanë shpëtuar nga Azia Evropënë shqipëtarëtë: Aqillehti mundi troasitë, Aleksandri i Math persanëtë, Skënderbeu tyrqitë.  Po kështu në të njëjtën parathënie Naimi nënvizon sërish se Irodhoti thotë se besënë grekërit’ e vjetër e muarrë nga pellasgëtë, të cilët janë, si thamë shqiptarët e vjetërërë dhe fjalëte besësë e të perëndivet i kanë rrënjëtë në gjuhëtë shqip, si Theta, deti, Afrodhit, Afërdita, se Afërdita ish Yll’ i mëngjesit; Djana, Hanë në gegënisht. Pikëpamje të tilla kishte shprehur prej kohësh edhe De Rada që në vitin 1864 kur kishte botuar “Antichita della nacione albanese”. De Rada rrimerte idenë se gjuha dhe kombi shqiptar ishin më të vjetër se sa gjuha dhe kombi grek. Politeizmin grek ai e merrte thjesht si sistematizim të fesë së pellazgëve. Për ta bërë këtë, ashtu si kishte bërë dhe Krispi, ai e rilexonte Homerin duke kërkuar etimologji në gjuhën shqipe për emrat e hyjnive pellazge të marra nga grekët. Kështu për shembull Athina vinte nga shqipja e thënë, fjalë për fjalë “ajo që është thënë”, Ira vinte nga Hera dhe Dilios nga diell. Përpjekjet linguistike dhe historike të elitës kombëtare të shqiptarëve për të evidentuar origjinën e vet pellazgjike nuk duhen parë si lajthitje shkencore aq më tepër që pas vitit 1860 filluan edhe nga elita greke në një sërë shkrimesh t’i mëshohet origjinës së përbashkët pellazgjike. Në Lamia të Greqisë në 1861 doli gazeta “Pellazgiotis” dhe nëntitullin shqip “Shqiptari dhe Greku” e Anastas Bykut nga Lekli. Që nga ky vit dhe në vazhdim sa herë në qiellin e Ballkanit do të shihej një konflikt i afërt greko-osman, autorë të shumtë grekë do i mëshonin tezës pellazgjike, duke synuar që nëpërmjet theksimit të origjinës së përbashkët, të kishin më të lehtë dhe afrimin midis dy popujve. Sigurisht që kjo tentativë shkonte ndesh me përpjekjet e elitës shqiptare që krahinën e Toskërisë e shikonin në një zgjatim natyral të asaj që në Mesjetë quhej Shqipëria e Poshtme. Në këtë drejtim duhet parë edhe përkthimi i Këngës së Parë të Iliadës, i theksimit të origjinës së lashtë të shqiptarëve. Ky përkthim u realizua në prag të konfliktit greko-osman të vitit 1897, dhe Naimi dëshiron që në këtë përplasje shqiptarët të jenë të vetmit mëtonjës të origjinës dhe autoktonisë në Ballkan. Për më tepër në përkthimin e veprës ai refuzon një traditë më të hershme të shkrimit për një poemë epike në heksametër, varg 16 rrokësh dhe e përkthen në tetë rrokësh. Përse ndërron vargun origjinal të poemës Naimi? Aq më tepër që “Bagëti dhe Bujqësi” dhe “Dëshira e vërtetë të shqiptarëve” e ka në 16 rrokësh. Jemi të mendimit sesi një lexues i rregullt i De Radës, pavarësisht që më parë për të ishte shprehur se nuk e kuptonte mirë gjuhën shqipe të veprës tij, duke mëtuar origjinën pellazgjike, “Iliadën” e Homerit e përkthen në vargun e bardhë, trokaik të “Rapsodisë së Poemit Shqiptar” të De Radës. Ai beson se origjina e këngëve të mëtuara shpeshherë nga De Rada se i ka mbledhur nga kolonitë shqiptare në Kalabri, janë gjurmë të hershme të një poezie të lashtë të pellazgëve dhe si shkrimtar romantik që kërkon kthimin në vlerat e së kaluarës, braktis talentin e vet për të vjershëruar dhe na jep një variant të Iliadës në funksion të idesë dhe qëllimit të tij.Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë; madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe origjinës së njëmendë popullore së tyre. Pa rimë pa strofa thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore  tradicionale italo-shqiptare-siç  është zakon  edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë , por përherë me vargje tetë rrokësh të lirë , të përzier me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh; që të gjithë të marrë së bashku krijojnë një harmoni të këndshme , por monotone.

Një vepër shumë e rëndësishme e rrëfimit historik-letrar  në letërsinë shqipe është poema “Istori e Skënderbeut” e Naim Frashërit, (1898), e botuar dy vjet para se të vdiste Poeti Kombëtar. Nuk mund të mungonte Frashëlliu i madh pa i kushtuar edhe poemë Heroit tonë Kombëtar. Në këtë mënyrë ajo (historia) e ruan të kaluarën dhe ua kujton breznive të ardhshme që ta njohin dhe të marrin mësim prej saj. Megjithatë, ajo është vetëm dëshmitare. Kohët dhe njerëzit që mbesin në fletët e saj janë përjetë të ngurëzuara. Poetët besojnë me të drejtë se periudhat dhe shëmbëlltyrat historike mund të shihen më thellësisht vetëm me anën e artit, prandaj, faktet historike i fisnikërojnë me imagjinatën krijuese. Ku mund ta ketë gjendur Naim Frashëri burimin historik të veprës së vet? “Historia e Skënderbeut”, në fakt është një poemë,  e cila mund të jetë mbështetur në leximet e ndryshme të Naim Frashërit për Skënderbeun, qoftë të Barletit të përkthyer në frëngjisht, në gjuhën që ai  lexonte shumë mirë apo dhe burime të tjera në gjuhët europiane. Poema “Istori e Skënderbeut”, është një lloj testamenti politik, me të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit otoman .Në poemë nuk përmendet asnjë institucion fetar apo lidhjet e Skënderbeut me Papët e Romës e aq më tepër cilësimin  prej tyre si “Kampion i Krishterimit”, por ka një pamje idilike, ku si karakteristika të kohës jepen paqa, kama, nderi, shpresa, drejtësia, dashuria, miqësia dhe besa-besa. Nuk është e vështirë të kuptohet se duke mos përmendur asnjë fe konkretisht, por duke dhënë në të njëjtën kohë pothuajse të gjitha karakteristikat e besimeve monoteiste, Naimi Frashëri dëshiron të “krijojë” një besim të përbashkët të gjithë shqiptarëve, të cilin ai e gjen të konkretizuar në epokën e Skënderbeut. Kjo “fe” e re që Naimi kërkon të krijojë nuk është gjë tjetër veçse bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe atdhedashuria.

Ajo u lexua dhe u mësua përmendësh nga breza të tërë shqiptarësh, duke u kthyer në një tekst të preferuar edhe për faktin se ishte shkruar në tetërrokëshin e njohur popullor. Poema të tjera të bashkëkohësve të Naimit nuk patën të njëjtin fat dhe adhurim mes popullsisë shqiptare. Kjo për arsyen e thjeshtë se poema e Naimit në rradhë të parë ishte në gjuhën shqipe dhe tingëllonte në gjuhën e nënës. Në rradhë të dytë ndiqte një rrëfim të drejtpërdrejtë në vargje të historisë së Skënderbeut, të asaj se çfarë kishte ndodhur dhe brenda saj kishte dhe kumte për të shkuarën e Shqipërisë,  por sigurisht edhe për të ardhmen e saj. Naimi në vetvete i largohet qëllimisht  ndonjëherë faktit historik e krijon edhe personazhe, të cilët nuk janë personazhe historikë si është rasti i peronazhit të Kamanit. Personazhi Kaman ka mbetur ende i padefshifruar se kujt i përket nga ana historike , ndonëse shpesh herë është menduar e gjykuar se në vetvete ai përfaqëson  vetë poetin. Kamani në poemë duket se luan rolin e korit antik, njëlloj si tragjeditë e vjetra greke, ku roli i tij është të kumtojë  të vërtetat që mendon Naimi dhe duhet të dinë lexuesit.

Mesazhi i Naim Frashërit është i qartë në poemën “Istori e Skënderbeut”. Lufta e armatosur e drejtpërdrejtë ndaj osmanëve çka përkon dhe me aksionin e Skënderbeut, që kishte mbetur gjallë në memorien e kolektive të shqiptarëve e që vazhdon të jetë edhe sot pjesë e memories sonë kolektive. Për të shmangur kontradiktat fetare midis shqiptarëve, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kishin përqafuar Islamin dhe që ndoshta akoma e shihnin Turqinë si pjesë përbërëse të atdheut të vetë, antagonizmi turko-shqiptar në poemë përshkruhet më shumë si “përplasje qytetërimesh” midis Evropës dhe Azisë sesa dhe kundërvënie fetare siç shihet në letërsinë apo programet politike të kombeve të tjerë ballkanikë. Këtij qëndrimi që ravijëzohet dalëngadalë në mendimin politik shqiptar do t’i qëndrojnë besnik jo vetëm Naim Frashëri që i përkiste vetë besimit mysliman por dhe shkrimtarë dhe ideologë të tjerë të krishterë të Rilindjes Kombëtare. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se kjo zgjedhje e rilindasve ka qenë më tepër e detyruar sesa ka në të një përçmim apo kundërvënie ndaj Azisë-Lindjes. Vetë Naim Frashëri ishte një orientalist i shkëlqyer, i cili madje kish botuar dhe një përmbledhje poetike në persisht. Natyrisht ishte e natyrshme që intelektualët shqiptarë të kishin filluar të kishin një tërheqje ndaj zhvillimit kulturor dhe ekonomik të Evropës, fenomen që nuk ndodhte vetëm ndër shqiptarë që ishin afër Evropës gjeografikisht, por dhe që në momente të ndryshme kishin marrë pjesë aktivë në disa nga proceset evropiane, por dhe vetë ndërmjet elitës turke. Shekulli i XIX ishte një shekull i shndërrimeve të mëdha dhe modernizmi ishte prirja e ditës.

Teoria pellazgjike dhe pasqyrimi historik i konfliktit shqiptaro-osman  nuk mund të quhen  çështje të mbyllura në mendimin shqiptar, pasi në shkencë asnjëherë nuk ka debate të mbyllura përgjithmonë, ndaj rivlerësimi i çdo të dhëne historike dhe arkeologjike që zbulohet nuk bën asgjë tjetër veçse i jep një shtysë më tepër afrisë drejt së vërtetës. Kur themi se Naim Frashëri përfaqëson një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar kemi parasysh edhe këto dimensione të tij kulturore çka i minimizon çdo debat rreth artit të tij poetik, pasi vlera e tij për kulturën shqiptare është e patjetërsueshme dhe madhështore.

Bibliografi:

1- Ahmet  Kondo. Dora D’istria për çështjen kombëtare shqiptare.Tiranë: 2002, Flesh.

2- A.M. Thiesse. Krijimi i identiteve kombëtarë.Evropa e shekujve XVIII-XIX,Prishtinë: 2004, Dukagjini.

3- Dhimitër.S.Shuteriqi. Naim Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980.

4- Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera.

5- Kostaq Cipo. Biblioteka e punëtorit shqiptar. Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, mbledhur e përgatitur nga Nasho Jorgaqi, Tiranë:1979, Shtëpia Botuese Naim Frashëri.

6- Naim Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980.

7- Naim Frashëri. Istori e Skënderbeut, Vepra IV, Botimet Toena, Tiranë, 2007.

8- Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja, Tiranë,2009.

9- Rexhep Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok