24/12/2024

Misioni i vështirë i ne demokratëve në stinën e re politike

0
Lediana-Fratari

Nga Lediana Fratari

Nesër hapet legjislatura e re parlamentare. Unë garova, por nuk ia dola të isha pjesë e këtij parlamenti, pjesë e grupit parlamentar të PD-së, që fatkeqsisht, do të duhet të vazhdojë të bëjë opozitën.

Megjithatë unë do të vazhdoj të jem një demokrate aktive. Sepse unë jam një politikane e re, që politikën e shikoj si mision dhe jo si vend pune. Sepse unë jam një qytetare që mendon se qeveria e socialistëve nuk është thjeshtë e korruptuar, por ajo është një e keqe e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për këtë arsye unë do të vazhdoj të jem një opozitare aktive.

Ne demokratëve, nuk na duhet të bëjë vetëm opozitën e fortë dhe të pakompromis. Por do na duhet të punojmë po aq fort për tu bërë një alternativë e besueshme, me një projekt ekonomik dhe politik më të mirë. Sepse nuk mjafton që “ata” janë të këqinj, që “ne” të jemi të mirë.

Sot PD nuk është në gjendjen më të mirë që ka patur ndonjëherë. Zgjedhjet për forumet drejtuese dhe riorganizimi, mesaduket nuk prodhuan një parti më demokratike e më solide, por i dhanë krahë kontestimeve dhe kritikave. Ndërkohë që Ambasada e SHBA, kërkon me këmbëngulje që një prej figurave emblematike të saj, Sali Berisha, të mos shkojë në parlament.

Zgjidhjet nuk janë të lehta. Por unë mendoj se lidershipi e ka pjekurinë e duhur politike për të marrë vendime apo për ta orientuar partinë drejt zgjidhjeve të duhura.

Unë mendoj se PD-së nuk i nevojitet një kurs përplasjeje me diplomacinë amerikane. Sepse partneriteti politik dhe moral me këtë aleat të madh e të rëndësishëm duhet të jetë i pandryshueshëm.

Unë vij nga shtresa e ish të përndjekurve politikë. Ashtu si në fushatë elektorale, unë premtoj se do të jem në çdo kohë me ta dhe për ta, në mbështetje të të drejtave dhe interesave të tyre. Por unë jam e keqardhur që kjo shtresë është kaq modestisht e përfaqësur në PD, edhe pse është një nga mbështetjet më solide dhe më konservatore e saj.

Brenda dhe jashtë parlamentit, të gjithë ne demokratët kemi tashmë një mision: Të bëjmë një opozitë të fortë dhe reale, të denoncojmë qeverinë në aferat e saj që po sigurojnë vjedhjen e buxhetit edhe për dekadat e ardhëshme, si dhe të përgatisim Partinë Demokratike për zgjedhjet e radhës.

Duhet ta dimë të gjithë se fakti që qeveria e socialistëve është e korruptuar nuk mjafton që populli të na besojë neve drejtimin e vendit. Do të na duhet të ndreqim shumë gjera edhe brenda vetes deri atëherë.

Historia nuk do të na e falë nëse do të presim zgjedhjet me mendimin se “më në fund na ka ardhur radha të vijmë në pushtet”.

https://www.facebook.com/fratarilediana/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok