22/12/2024

MISIONI HISTORIK MBI TË VËRTETAT TONA

0
Fahri-Dahri

Nga Fahri Dahri

Personalisht në misionin tim për njohjen e historisë së rajonit të Thesproti/Çamërisë nga lashtësia deri në ditët tona, si dhe qartësimin e asaj që njihet si “Çështja Çame”. Kam synuar në zbulimin e të vërtetave, duke hulumtuar dhe shfrytëzuar të dhënat historike që nga lashtësia e deri sot. Të bëj të njohura të vërtetat e fisit thesprot/çam, dallimet e tij me fiset fqinje, gjuhën, gjakun, territorin me traditat, zakonet, veshjen, ushqimet, marëdhëniet mes tyre, zejet, blegtorinë, bujqësinë, shkëmbimet tregtare, etj.

Ndërsa nga viti 1913 e në vazhdim, gjithnjë brenda aftësive dhe mundësive të mia, kam trajtuar rëndesat e paimagjinueshme, tragjeditë ndaj tyre të shkaktuara nga një shoqëri me mbeturina dhe mentalitet shpellarësh, të instruktuara nga kisha dhe shteti grek, në zbatim të “Megalloidesë”, strategji antinjerzore.

Realizova porosinë e babait tim, i cili nuk mundi t’i kryente vetë, mbasi jeta e tij dhe e brezit, kaluan në censura tepër ç’njerëzore, të egra nga pushtetet e të dy krahëve të kufirit Greqi- Shqipëri.

U përpoqa që me librat dhe shkrimet e shumta të pasqyroj  të vërtetat e atij brezi, duke nxjerrë në pah lashtësinë e zonës, mitet, legjendat, pasuritë, veprat antike, thesaret, fisnikërinë, karakteret e rralla dhe më të mirat njerëzore; të përgënjeshtroj dhe të hedh poshtë me fakte e me dokumente të gjitha akuzat, mashtrimet, shpifjet, baltërat e sajuara nga monarko-fashistët grekë dhe të disa personaliteteve byroistë dhe jo vetëm këndej kufirit.

Kam sqaruar, në këndvështrimim tim, se zgjidhja e problemit të territoreve etnike shqiptare, përfshi  Çamërinë dhe gjenocidin grek të kryer ndaj çamëve, varet nga ndërgjegja dhe korrektësia e qëndrimeve në zbatimin e ligjeve, dhe konventave ndërkombëtare të miratuara prej institucioneve më të larta ndërkombëtare.

Gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe rajonit të tyre është problem Ndërkombëtar, përgjegjësi kushtetuese e shtetit shqiptar. Shoqatat, partitë politike, grupe individësh dhe individë të caktuar, pjesë të komunitetit të viktimizuar kanë rol të rëndësishëm si për sensibilizim dhe për kërkesat e  vazhdueshme ndaj dy shteteve të mësipërmë për ti vendosur sa më parë në agjendat për zgjidhje.

Në çdo moshë njeriu duhet të japë diçka edhe për të tjerët, për vendin dhe shoqërinë. Përvojat dhe dituria janë produkt që sigurohet duke ngjitur nëpër shkallët e moshës. Ndaj duhen shfrytëzuar këto mundësi që të përfitojnë edhe të tjerët nga përvojat dhe aftësitë që na japin vitet e jetës. E rëndësishme, tepër dobidhënëse në jetë është gjetja e cakut ku shterron rendimenti mendor prodhues, që duhet shoqëruar me vetë tërheqjen dhe jo të arrihet kur ta kërkojnë të tjerët. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pleqëria, proçes biologjik, është “sëmundje” që bën  përsëritje të panevojshme, tjetërsim si efekt i harresës dhe mos kontroll në mendime e veprime.

Ndaj vjen momenti kur çdo njeri të kuptojmë dhe të respektojë fazat biologjike dhe sipas mundësive e aftësive të mbyllë misionet përkatëse. Misionet  janë vërtet fisnike, por janë edhe vepra që i transmetohen brezave në vijim.

Janë 25 vite që u krijuan kushtet, mu dha mundësua, të përmbush Amanetin e prindërve të brezit tim. Hasa shumë vështirësi mbasi, veç njohurive të kufizuara personale nga viti 1944 e deri në vitin 1991; mungonin shkrimet në gjuhën shqipe, censurimet, heshtja, përndjekja dy shtetërore, etj. Arritjet shkencore, mes tyre krijimi i rrjeteve sociale, na hapën dyert e magazinave historike, të cilat, duke mos  munguar vullneti e aftësia, arritëm të shfletonim mijëra e mijëra faqe deri sa u realizua boshllëku historik i mijëra vjeçarëve.

Mbas vitit 1992, filluan shkrimet e para për ndriçimin e të vërtetave të hidhura për shqiptarët e Çamërisë; të tjetërsuara; të fshehura: të heshtura; të censuruara; të përndjekura, nga antikombëtarët, armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Në fillimet e viteve 90-të, siç thashë, filluan të botoheshin me ndrojtje shkrimet e para.

Vitet e fundit shkruhen e lexohen artikuj të shumtë, që vazhdojnë të plotësojnë boshllëqet historike të atij komuniteti (përfshi edhe përsëritjet) i goditur shumë rëndë dhe padrejtësisht nga egoja etno-fetare.

Nuk mund të kalohet në heshtje të përdorurit me finokllëk   (dinakëri), trajtimi i problemit kombëtar të Çamërisë, ku një të intervistuari (për fat të keq bir labërie) iu drejtua pyetja se çkuptonte me termin “Çamëria”.  Ai nxori në pah një qendrim tjetër qesharak, të pa dëgjuar më parë.

Në intervistën e dhënë, me datë 05/Nëntor/2024 në YouTube, pyetjes se ç’farë kuptonte me termin “Çamëria”, ai u përgjigj me sarkazëm se, sipas tij “Na qenka vetëm një territor që ndodhet në lumin Thiamis, në Thesproti ku banojnë njerës të besimit ortodoks dhe pak myslimanë”.

E me habi të shtirur përfundon; “Ç’farë ka këtu për të kuptuar!…

Më “gudulisi” qendrimi i tij. Ai tregoi mungesa të theksuara ndjenjash njerëzore ndaj masakrave, rrëmbimit të pronave, dëbimit të dhunshëm  në tërësi të banorëve autoktonë, që shteti i tij, dikur veproi me egërsi etno-fetare, gjatë viteve 1913 dhe që kulmoi në vitin 1944-mars 1945. Egërsi antidemokratike që në mënyra të ndryshme ende vazhdon. Ndërsa për termin e  “Vorio-Epirit”, megjithëse ishte sajesë në vitin 1914, dmth 30 vite më përpara gjenocidit grek ndaj çamëve, përmendet me zell. Hipokrizi e shëmtuar! Antishqiptarëve (të jashtëm e të brendshëm) u pëlqejnë sajesat e shekullit XX, ndërsa të vërtetat historike mijëravjeçare, për ata nuk kanë vlerë!  Nuk zgjatem më tepër pasi kuptohet se është qendrim i qartë antikombëtar dhe, aspak human.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok