17/11/2024

MIQTË E MUSA RAMADANIT

0

Nga Timo Mërkuri

Një poezi e shkurtër me katër vargje që shpalos një botë të tërë është poezia “Miqtë e mi memecë” e Musa Ramadanit, te e cila vihet  re një hulumtim  psikologjik mbi vetminë, ku poeti personifikon heshtjen dhe objektet si “miq memecë”. Këta “miq”, që shfaqen me madhësi dhe ngjyra të ndryshme, është vetmia e poetit, janë mendimet, kujtimet apo gjendjet emocionale  të tij që i mbushin boshësinë shpirtërore. Ata janë miq të mirë të poetit, miq të ngushtë të tij, me të cilët ai  “dërdëllit” gjatë gjithë natës. Të quash vetminë mik apo t’i quash mendimet, kujtimet dhe gjendjet emocionale “miq” përbën një personifikim, një figurë artistike ku cilësi njerëzore i jepen ideve, ndjenjave apo objekteve të pajeta.

Kjo është një figurë artistike e një niveli të lartë estetik, sepse nuk është thjesht një personifikim mekanik, por është një veprim simbolik që reflekton një gjendje psikologjike dhe emocionale. Këto “miq memecë” përfaqësojnë një lidhje të ngushtë të subjektit me botën e tij të brendshme, duke krijuar një efekt të fuqishëm poetik që tejkalon përshkrimin e thjeshtë të ndjenjave. Vetmia dhe mendimet bëhen shokë, duke pasqyruar përballjen intime të individit me vetveten.

Në aspektin artistik, ky personifikim ndërthuret me simbolikën dhe metaforat, duke krijuar një atmosferë eksistenciale ku vetmia, mendimet dhe ndjenjat marrin një formë të re, të thellë dhe më njerëzore, prandaj cilësohet si figurë e nivelit të lartë. Kjo shtresë kuptimore e bën këtë personifikim të fuqishme në përçimin e emocioneve dhe të gjendjes shpirtërore.

Nga këndvështrimi psikologjik, poezia paraqet një portret të një personi që përballet me  një vetmi të thellë. Unë do dëshsiroja që të mos ishte një situatë reale shpirtërore e poetit, duke hamendësuar se këta miqtë memecë përfaqësojnë vetëm mendime të pashprehura, emocione të shtypura ose frikë e izolimit të ndonjë situate momentale, ndërsa komunikimi me ta të pasqyrojë nevojën për një lidhje, në mungesë të përkohëshme të ndërveprimit njerëzor. Unë nuk jam njohur me poetin Ramadani dhe do dëshiroja që frymëzimi i kësaj poezie të ishte fryt i talentit të tij dhe jo ndonjë reflektim realiteti, i cili do më trishtonte së tepërmi.

Artistikisht, poezia krijon kontrast midis heshtjes e dialogut, duke përdorur personifikimin për ti dhënë jetë asaj që është e pajetë. Përshkrimi i miqve në forma dhe ngjyra të ndryshme shton një element vizual që e bën botën e shpirtërore të poetit të dukshme, duke krijuar atmosferë melankolike, ku heshtja e vetmia janë shoqërues të përhershëm.

II-Kjo poezi i qaset rrymës moderniste të ekzistencializmit, pasi në ‘të, ndjehet një shqetësim i thellë mbi vetminë, ku personazhi lirik përpiqet të gjejë lidhje në një botë që është e distancuar dhe pa përgjigje për atë. Të këtë kontekst figura e miqve “memecë” zgjerohet, pasi mund të përfaqësojnë heshtjen e gjithësisë, mungesën e një komunikimi të vërtetë, ose ndjenjën e izolimit që është karakteristike për ekzistencializmin.

Elemente si dialogu me vetveten dhe objektet, mungesa e  shpjegimit racional të realitetit, dhe përdorimi i simbolikës së heshtjes dhe ngjyrave, janë tipike për ekzistencializmin, i cili eksploron shqetësimet individuale, përballjen me absurditetin, dhe kërkimin për kuptim në një botë të huaj dhe indiferente ndaj ekzistencës njerëzore.

III-Si e tillë, edhe figurat artistike janë krijuar ti “shërbejnë” ekzistencializmit duke theksuar izolimin dhe absurditetin e përpjekjes për komunikim në këtë botë të heshtur dhe indiferente. Ja se si disa prej figurave artistike e përforcojnë këtë rrymë:

  1. Personifikimi: “Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë”, ku poetit i duket se objektet e pajeta “frymojnë”, duke u dhënë atyre jetë dhe cilësi njerëzore, pra personifikimi nënvizon përpjekjen e individit për të krijuar kuptim dhe lidhje në vetminë e tij. Miqtë memecë janë të vetmit me të cilët ai komunikon, duke shprehur pamundësinë për t’i shpëtuar vetmisë dhe izolimit. Në ekzistencializëm, kjo është një metaforë për përballjen me absurdin e jetës.
  2. Kontrasti i ngjyrave dhe formave te vargjet:“Të vegjël, të mëdhenj, të hollë, të trashë / Të bardhë, të zezë, të kuq, të verdhë” përfaqëson diversitetin e përjetimeve dhe mendimeve të njeriut në përballje me botën. Pavarësisht këtij diversiteti të dukshëm, të gjitha këto forma janë “memecë”, duke nënkuptuar që bota e jashtme, me gjithë ngjyrat dhe larmitë e saj, nuk ofron asnjë komunikim të vërtetë. Kjo mbështetet me filozofinë ekzistencialiste që përqendrohet te absurditeti dhe kotësia e përpjekjeve të njeriut për t’i dhënë kuptim një universi të heshtur.

3.Dialogu me vetveten shprehur te vargu: “Dërdëllis me ta netëve si me vetminë” shfaq një situatë të njohur në ekzistencializëm, ku individi përballet me vetminë e tij. Dërdëllitja,( sa trishtim që sjell fjo fjalë) një formë e të folurit e pakuptimtë me vetveten, përçon ndjesinë e përpjekjes për t’i dhënë zë mendimeve dhe ndjenjave të thella, por pa arritur  dot ta realizojë. Në këtë mënyrë, figura artistike e monologut të brendshëm përforcon idenë ekzistenciale të vetmisë dhe të pamundësisë për t’i dhënë kuptim jetës.

IV-Kjo poezi e shkurtër e Musa Ramadanit është një shembull i shkëlqyer që dëshmon se vlerat artistike të një poezie nuk varen nga gjatësia e saj. Pavarësisht numrit të kufizuar të vargjeve, poezia është jashtëzakonisht e fuqishme në përçimin e emocioneve të vetmisë, izolimit dhe përballjes me absurditetin e ekzistencës, madje të përcjell një ndjenjë dhimbjeje dhe trishtimi. Poezia ka një koçizitet të diamanttë dhe është pikërisht ky koncizitet  që i lejon lexuesit të përqendrohet në thelbin e ndjenjave dhe mendimeve të poetit, duke hequr çdo element të tepërt. Secili varg bart një peshë të madhe figuracioni artistic dhe domethënieje, që përmbledh ndjesinë e komunikimit të zbrazët me një botë memecë. Kjo poezi e shkurtër, me personifikime dhe imazhe të forta, është një shembull modern i artit që përdor minimalizmin e fjalëve për të krijuar një ndikim maksimal, duke dëshmuar se vlerat estetike dhe filozofike mund të përçohen fuqishëm edhe përmes një formati të shkurtër.

V-Te kjo poezi e Musa Ramadanit, simbolet dhe imazhet, janë ato që flasin, janë thelbësore për të përçuar ndjesitë e vetmisë. Le ti shohim konkretisht:

  1. Simboli “Miqtë memecë” është simboli qendror i poezisë. Këta miq që nuk flasin përfaqësojnë vetminë, izolimin dhe mungesën e komunikimit të ndjerë. Siç thamë më sipër ata mund të përfaqsojnë mendime të shtypura, ndjenja të pashprehura ose objekte të cilave njeriu përpiqet t’u japë jetë për të mbushur boshllëkun e tij emocional dhe simbolizojnë përpjekjen e njeriut për të gjetur një formë shoqërie edhe kur ajo është e pamundur.
  2. Te vargjet:“Të vegjël, të mëdhenj, të hollë, të trashë / Të bardhë, të zezë, të kuq, të verdhë”, ngjyrat dhe format krijojnë një seri imazhesh të ndryshme që simbolizojnë larminë e mendimeve, emocioneve dhe përjetimeve shpirtërore të poetit. Ngjyrat përfaqësojnë diversitetin e ndjenjave (e bardha për pafajësinë apo zbrazëtinë, e zeza për trishtimin, e kuqja për pasionin ose zemërimin, e verdha për pavendosmërinë ose sëmundjen). Këto forma dhe ngjyra krijojnë një atmosferë surrealiste, duke u shndërruar në pasqyrim të gjendjes shpirtërore të poetit.
  3. Imazhi I komunikimit të zbrazët që shprehet te vargu:“Dërdëllis me ta netëve si me vetminë” është një metaforë për përpjekjet e njeriut për të gjetur ngushëllim në vetmi. Dërdëllitja përfaqëson një lloj monologu të pambarim, një bisedë që nuk pret përgjigje, duke krijuar një ndjenjë të thellë të izolimit.

4.Edhe pse“dhoma”nuk përmendet drejtpërdrejt si simbol, ajo vepron si hapësirë e mbyllur dhe e kufizuar, një mikrobotë e vetmisë së poetit. Kjo dhomë mund të shihet si simbol i mendjes së tij, ku poeti është i izoluar nga bota e jashtme dhe i mbërthyer në vetveten.Pra, simbolet dhe imazhet e kësaj poezie përforcojnë temën ekzistenciale të përballjes me vetminë, duke krijuar një atmosferë të thellë shpirtërore dhe estetike si rrallë në tjetër poezi.

Poezia e “vogël” “Miqtë e mi memecë” është një dëshmi e talentit të lartë poetik të Musa Ramadanit, i cili përmes një forme të përmbledhur dhe gjuhës së thjeshtë arrin të përçojë ndjenja të thella dhe komplekse. Aftësia e tij për të personifikuar vetminë dhe për të shndërruar mendimet dhe ndjenjat në “miq” të heshtur, tregon ndjeshmërinë e tij të jashtëzakonshme ndaj botës së brendshme të individit. Ai shfaq  aftësinë e tij të krijojë një atmosferë të ngjeshur emocionale e filozofike, duke shfrytëzuar mjeshtërisht figurat artistike për të pasqyruar gjendjen shpirtërore të vetmisë dhe vetëreflektimit. Minimalizimi I tij i fuqishëm, mbështetur në simbolikën e thellë, dëshmon talentin e tij për të shndërruar një situatë të zakonshme të jetës së brendshme në një përvojë universale, gjë që e  vendos atë si një zë të veçantë dhe të rëndësishëm në poezinë moderne shqiptare.

Sarandë, më shtator 2024

 

Musa Ramadani

 

MIQTË E MI MEMECË

 

Ja, ndodhen në dhomën time frymojnë

Të vegjël, të mëdhenj, të hollë, të trashë

Të bardhë, të zezë, të kuq, të verdhë

Dërdëllis me ta netëve si me vetminë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok