05/12/2025

Miq, nga mot Gëzuar Fitër Bajramin!

0
Albert-Vataj

Nga Albert Vataj

Sot, duart e nevojës janë ngritur drejt qiellit për të pranuar shpërblimin e devocionit dhe besimit. Me përulësinë e shërbesës dhe lartësinë e adhurimit, shpreheni me zemër e me shpirt, afrojeni me vullnet dhe gatishmëri, atë që Zoti i mëshirshëm dhe begatues në ju ka hedh si farë tolerance, mirësie dhe dashurie.

Të lumtur qofshi gjithmonë me gazmim dhe harmoni në familje dhe mes shojishojt. Mirësinë e kësaj kremteje marrshi në krejt ditët e rrugëtimit të përditshëm drejt vullnesës së sakrificës dhe devotshmërisë. Ju uroj të jetojë përjetë me ju përkushtimi dhe devotshmëria, bujaria dhe zemërbardhësia, harmonia dhe mirëkuptimi. Përherë e ushqefshi shpirtin dhe zemrën me dhuratën më të shenjtë, atë të bujarisë. Dorën që jep dhe vullnesën e solidaritetit që i bashkon me të skamurit, një plotpushtet e shpërbleftë me çfarë zemra e secilit nga ju zgjodhi të mylmejë dëshirën e gazmimit të atyre syve që shndrisin prej bujarinë që i lumturon.

E pranoftë All-llahu veprën tuaj të sakrificës dhe bujarisë. Me mirësi dhe begati, paqe dhe devocion e shtroftë udhën tuaj të besimit. Fitër Bajrami qoftë një fillim i këndshëm për një jetës më të pastër dhe më me devocion. Secili nga ju ka hapur zemrën dhe shtruar vullnesën e mirë për të ofruar nga vetja gjithçka që e shenjtëron.

Gëzuar qoftë Fitër Bajrami për të gjithë myslimanët kudo që janë, për të gjithë ata që me shembullin e tyre shembin mure ndarës, përtërijnë shpresë dhe llamburitin drita gazmimi në sytë dhe zemrat që ndjehen të mbushur me rrezet e hyjnisë besimit.

Sot është festa e atyre që gjatë një muaji agjërim, triumfuan ndaj dëshirave përmes sprovës së sakrificës dhe përkushtimit, detyresës dhe motivimit.

Mbushni ketë ditë me zemrat e gëzuara, bujarinë e bashkëjetimit, shpërblesën e mirënjohjes dhe secili nga ju do të jetë dëshmitarë i mrekullisë që vjen nga besimi, nga nevoja që ka kjo botë për paqen, bujarinë, mirëkuptimin dhe tolerancën.

Përzemërsisht, Albert Vataj

Comments (0)

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok