06/10/2024

30 vjet nga masakra e Peshkëpisë

0

Kastriot Dervishi:

Komunikata e Ministrisë së Rendit Publik, nr.101, datë 11 prill 1994, për këtë ngjarje:

“Më 10.4.1994, ora 2.30, 6 – 7 persona të paidentifikuar, të veshur me uniformë ushtarake greke, të maskuar me maska, kanë hyrë nga toka greke, nëpërmjet grykës së Bogazit në tokën shqiptare, në postën kufitare të Pëshkëpisë. Aty në mënyrë të befasishme kanë goditur me armë automatiku tip “Shotgun” rojën e jashtme të postës ushtar Arsen Llazar Gjini, vjeç 20, nga fshati Seman Fier, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Më pas kanë kapur rojen e derës së hyrjes së postës, i cili së bashku me rojen e jashtme e kryenin shërbimin pa municion, e janë futur në ambientet e postës. Dy prej tyre kanë hyrë në dhomën ku flinin nënoficerët e postës Qemal Stroka dhe Siat Selfo, të cilët i kanë nxjerrë të lidhur. Një person tjetër prej tyre ka hyrë në dhomën e komandantit të postës, Fatmir Sali Shehu, vjeç 34, lindur në Qesarat të Tepelenës, banues në Gjirokastër, duke e nxjerrë në korridor e aty e kanë goditur me automatik duke i shkaktuar plagë në gjoks e në krahun e majtë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas këtyre veprimeve kanë hyrë në fjetoren e ushtarëve duke goditur me automatik muret e tavanit të saj. Kanë sjellë aty trupin e ushtarit të vrarë me automatik dhe kanë goditur e plagosur 3 ushtarë të tjerë, që janë jashtë rrezikut, duke u thënë se po të lëviznin, do ta pësonin dhe se këtë e bënin për “Vorioepirin” të cilin nuk e kanë harruar. Kanë kërkuar të dinë se ku është depoja e armatimit, por ushtarët nuk e kanë treguar. Gjatë kësaj kohe kanë kontrolluar dhe kanë marrë 16 automatikë dhe 2 pistoleta në kasafortën e fjetinës, duke i këputur drynat pasi kanë lidhur në pranga të markës “Tajvan” nënoficerin Qemal Stroka, e kanë marrë me vete duke u thënë ushtarëve se ky është i vdekur, prandaj ju mos lëvizni. Pasi e kanë marrë me vete, janë larguar në drejtim të kufirit nga gryka e Bugazit. Afër kufirit rreth 200 m larg piramidës 24, e kanë lënë nënoficerin Qemal Stroka të lidhur me pranga, duke i thënë të kthehet në postë dhe për çdo minoritar do ta paguani 10 nga ju dhe kanë ikur në tokën greke.

Veprimet e tjera hetimore u bënë nga një grup hetuesish të policisë hetimore. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën gëzhojat e automatikut “Shotgun” me të cilat kishin qëlluar. Në rrugën e kthimit për në tokën greke u gjetën disa pajime ushtarake si çanta shpine, shirita dore të prodhimit amerikan. Nga veprimet e para hetimore u provua se disa persona të identifikuar nga ata që flisnin vetëm greqishte të pastër, njëri fliste shqipe të çalë me theks minoritar dhe tjetri shqipe të pastër me dialekt të jugut. Nga policia hetimore u ndaluan për shpërdorim detyre, për mosmarrjen e masave për kryerjen e rregullt të shërbimit, e organizimin e punës për ndjekjen e moskapjen e këtij grupi terrorist, nënoficerët e postës kufitare të Peshkëpisë, si më poshtë: Qemal Sulo Stroka, vjeç 30, banues në Peshkëpi, nënoficer në këtë postë, instruktor qeni me kombësi e shtetësi shqiptare; Siat Felek Selfo, vjeç 42, banues në Peshkëpi, nënoficer magazinier; oficer Arian Reiz Guma, vjeç 39, banues në Gjirokastër, komandant i qendrës së stërvitjes për arsye se ka urdhëruar të kryhet shërbimi pa municion në postë. Ndalimet i bëri inspektori i policisë hetimore Ilirian Delilaj dhe Denarl Alikaj. Materialet prokurorisë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok