22/12/2024

MILIARDERË,  E ‘’ZIBIDI’’ !

0
500miliard-dinare

Foto-faksimili i bankënotës

Nga Adil FETAHU

Fillimisht duhet ta sqarojmë kuptimin e fjalës  (mbiemrit cilësor) ‘’zibidi’’, sepse shumica e lexuesve të këtij eseu nuk e dijnë, dhe as nuk mund ta gjejnë në asnjë fjalor të gjuhës shqipe të botuar deri më tash, edhepse në të folmen popullore (sidomos në Kosovë) kjo fjalë është përdorur gjerësisht, prandaj është dashur të gjendej në fjalorin e fjalëve të hueja. Nuk di nga e ka prejardhjen, ndonëse mund të supozoj se  ka mbetur nga turqishtja.  Nuk do ta gjeni as në google. ‘’Zibidi’’ (pa thojza) është një figuracion, që ka kuptimin e varfërisë së skajshme të ndonjë individi, apo të ndonjë familje, po kjo mund të vlejë edhe për shtetin, si në rastin për të cilin e kemi fjalën. Shkaqet e gjendjes së tillë janë të shumta, të cilat këtu nuk do t’i elaboroj.

Kjo gjendje ‘’zibidi’’ për të cilën e kemi fjalën këtu,  ishte krijuar nga hipërinflacioni, sidomos  në vitin 1993,  në të ashtuquajturën RFJ (Serbi e Mali Zi, që për fat të keq edhe Kosova ishte dhunshëm brenda saj). Ishte krijuar në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, në vlugun e luftës agresive, të përgjakshme dhe shkatërrimtare të ushtrisë jugosllave kundër Bosnje-Hercegovinës e Kroacisë, dhe okupimit të egër policor dhe ushtarak të Kosovës.

Për shkak të luftës agresive që po zhvillonte ushtria jugosllave, gjoja për ruajtjen e Jugosllavisë, e në të vërtetë ishte për krijimin e Serbisë së Madhe, gjithçka ishte orientuar kah  frontet e luftës. Shpenzimet e luftës ishin të mëdha, tregu i përbashkët i Jugosllavisë prej  22 milion banorë nuk ekzistonte më, OKB i vuri sanksione ekonomike RFJ-së, fabrikat nuk kishin lëndë të parë as mjete rezervë, prandaj shumica ishin mbyllur, punëtorët ishin lëshua në pushim pa pagesë; edhe ata që shkonin në punë nuk kishin me çka të punonin. E vetmja ‘’fabrikë’’ që punonte pa ndërprerë, në tri ndërrime,  ishte Banka Popullore e RFJ, e cila shtypte para dhe ushqente e trashte inflacionin, gjithnjë duke shtuar zero (të pavlera) në bankënotat e shtypura. Pagat e punëtorëve dhe pensionet nuk kishin asnjë vlerë reale. Nuk paguheshin kontributet për sigurimin shëndetësor, pensional dhe invalidor. Sindikatat me aksione të ndryshme mblidhnin e u ndanin ndihma familjeve të punëtorëve me ndonjë metër kub dru, ndonjë thes me patate a lakra e më rrallë ndonjë thes miell.

‘’Viti i zerove të mëdha’’

Banka Popullore e të ashtuquajturës RFJ punonte pandërprerë, duke shtypur banknota e monedha pa kurrëfar vlere reale. Më tepër kushtonte çmimi i letrës në të cilën shtypeshin banknotat, se sa ishte vlera e saj reale. Zerot shtoheshin në secilën shtypje dhe emetim.  Hiperinflacioni zgjati dy vjet (1992-1993), por në tremujorin e fundit të vitit 1993, e deri më 24 janar 1994, kishte arritur rekordin botëror!

Për ta ilustruar atë gjendje, shihni tabelën e shtypjes dhe emetimit të apoenave të dinarëve në periudhën 1 tetor deri më 23 dhjetor 1993*).

Data e emetimit   Vlera nominale    Vlera në DM                      Rënia e vlerës deri në

emetimin tjetër

1.X.1993                10.000 dinarë                3,85 DM               1,33 DM

12.XI.1993            5.000.000 d.                            5,5     ‘’                  0,66   ‘’

23.XI.1993           50.000.000 d.                6,6      ‘’                 0,91    ‘’

2.XII.1993            500.000 000 d.             9,09  ‘’                 0,08    ‘’

11.XII.1993           5.000 000 000 d.                    8,33     ‘’                1,25    ‘’

15.XII.1993           50.000 000 000 d.                  12,50   ‘’                0,38    ‘’

23.XII.1993                    500.000 000 000 d.     3,85      ‘’                  –

*) Burimi: Banka Popullore e RFJ-së.

Gjatë dy vjetëve të hiperinflacionit, Banka Popullore e ‘’Jugosllavisë’’ ka emetur e lëshuar në qarkullim 33 tipa të bankënotave dhe të monedhave; mesatarisht nga 4 lloje parash në muaj, ndërsa banknota me vlerë më të madhe  nominale në dinarë ka qenë ajo me 500.000 000 000 (pesëqintmiliard) dinarë, e emetuar më 23 dhjetor 1993.  Prandaj, viti 1993 mori emrin ‘’Viti i zerove të mëdha’’!

Siç shihet nga tabela e mësipërme, vlera e bankënotës prej 50 miliardë dinarëve, e shtypur dhe lëshuar në qarkullim për pagesa të brendshme më 15 dhjetor 1993, ditën e lëshuarjes në qarkullim, sipas kursit zyrtar,  ishte e barabartë me 12,50 DM, por pas një jave (më 23.XII.1993) i kishte rënë vlera në 0,38 DM ! Mund ta merrni me mend, se për të konvertuar 100 marka në dinarë, mbushej një thes me dinarë të pa vlerë, bëheshe  multimiliarderë (me zero)!  Por, askush nuk i konvertonte 100 marka përnjëherë, veçse maksimalisht 10 marka, sepse vlera e dinarit binte disa herë në ditë!  U arrit  absurdi: sa më shumë dinarë, varfëria më e madhe!

Kursimet devizore që kishin qytetarët nëpër banka, ishin ngrirë, nuk mund t’i merrnin, përveç ndonjë rasti me lidhje të forta korruptive. Ata që kishin deviza në shtëpi, i shpenzonin ato për të mbijetuar krizën e inflacionit. Kështu shteti plaçkiste popullin e grumbullonte deviza për të financuar shpenzimet e luftës. Në skenë dolën bankat piramidale: Dafiment banka dhe Skandik banka, të lidhura me pushtetin, të cilat blenin e mblidhnin deviza (kryesisht DM), me çmime më të larta se ato të rrugës. Për të grumbulluar sa më shumë deviza, u hap procesi i shitjes së banesave shoqërore, me çmime  ‘’bagatellë’’, përmes shit-blerjes zhirale të devizave: qytetarët ia shitnin bankës devizat, banka ua konvertonte në dinarë me të cilët paguanin blerjen e banesave. Me 500 DM mund ta blejë banesën dydhomëshe në qendër të qytetit, ndërsa një garsonjerë mund ta blejë me më pak se 100 DM!

Dinari ‘e hante vetveten’!

Duke u përpjekur, më kot, për ta stabilizuar valutën dhe ndalë inflacionin, prej korrikut 1992 deri në janar 1994, tri  herë është bërë denominimi i valutës së dinarëve, duke e këthyer 1 milion, madje edhe 1 miliard = në 1 dinarë ! Por kot. Me atë denominim nuk arrihej asgjë, dhe inflacioni fugonte rrugës së vet.

Në janar 1994 çmimet u rritën 313 563 558 % , ndërsa kursi i dinarit ndaj markës gjermane u rrit 40.540.440 %! Këto shifra marramendëse mund t’i kuptojnë  e shpjegojnë vetëm ekonomistët më të përgatitur të makroekonomisë.

Hipërinflacioni i këtillë shkaktoi varfërimin e skajshëm, ‘’zibidinë’’ e popullatës në Serbi e Mal të Zi, por edhe shteti ishte në prag të falimentimit. Në Kosovë është ndier  më pak ajo varfëri, falë ndihmave dhe remitencave të puntorëve tanë në botën e jashtme, të cilët u dërgonin  familjeve të tyre  valuta: marka germane, franka zvicërane, funta angleze. Pagat  që merrnin (në marka gjermane) punonjësit e arsimit apo ata të shëndetësisë, nga sistemi i financimit në Kosovë gjatë vitit 1992 e 1993, ishin dhjetëfish ose më tepër, se pagat e kolegëve të tyre në Serbi. Kryetarja e Sindikatës së Arsimit të asaj kohe në Serbi (Jellena Hristodullo), tregon se arsimtarët e Gjimnazit 12 të Beogradit, në fillim të janarit 1994 kishin marrë rrogën në vlerë 1,5 (një markë e gjysëm)!.

Ndihej mungesë e madhe e artikujve të nevojshëm, duke filluar prej nafte e benzine deri te mielli, buka e qumështi, e të mos flasim për kafe, sheqer, cigare, detergjente.  Shumë artikuj shiteshin në sasinë e caktuar me triska, poqese mund t’i gjeje në shitore,  sepse raftet e shitoreve ishin fshirë me fshisë. Kush kishte pasur mundësi, kishte krijuar rezerva deri sa gjendeshin artikujt.  Tregtia në tregjet e qyteteve  zhvillohej  kryesisht me këmbimin  e mallit me mall (trampi).

Deri sa të  qëndroje në radhë, prej orës 4 të mëngjesit,  për të blerë bukën ose qumështin,  çmimi i tyre ndërrohej dy-tri herë!  Në nëntor 1993, rroga mesatare në atë ‘’Jugosllavi’’ ishte 130 milionë dinarë, ndërsa pensioni mesatar 50 milion dinarë.Në janar të vitit 1994 ato u ngritën në miliarda, por pa asnjë vlerë. Me pensionin më të lartë që merrje, pas dy dite mund të bleje 2 qese supë, një laps të thjesht kimik, ose një sapun, nëse mund t’i gjeje në shitore. Ja dhe çmimet e disa artikujve tjerë:

1 bukë (600 gramësh) kushtonte 3,5 milion dinarë

1 litër qumësht, 4,5 milion dinarë

1 kg suxhuk, 500 milion dinarë

1 kg  patate, 25 milion dinarë

1 kg molla, 20 milion dinarë

1 ve, 10 milion dinarë, etj.!!!

Më 18 janar 1994, ishte përcaktuar me dekretligj, se shuma maksimale e një çeku për pagesën me çek, mund të ishte 10 milion dinarë, dhe po atë ditë për të blerë 1 kilogram mish, duhej plotësuar 27 çeqe, ngase 1 kg. mish kushtonte 270 milion dinarë.

Deri sa Serbia, me ushtrinë e ish-Jugosllavisë, në të cilën dominonte kuadri komandues serb, me luftë agresive shkatërronte ish-republikën e Kroacisë dhe të Bosnje-Hercegovinës për të realizuar idenë e Serbisë së Madhe,  në anën tjetër, duke shtypur para pa vlerë reale, shkatërronte ekonominë e vet dhe standardin e popullsisë.

Ndërprerja e hipërinflacionit

Hiperinflacionin e ndali si me shkop magjik Dragosllav Avramoviqi, me ‘’Programin e rikonstruimit monetar dhe shërimit të ekonomisë’’, me ç’rast e fiksoi dhe barazoi vlerën e dinarit me markën gjermane: 1 dinar = 1 DM. Ky raport nisi zbatimin prej më 24 janar 1994. Dinarin e bëri të konvertueshëm. Dinarët e vjetër i mblidhte  dhe hiqte nga qarkullimi, duke i konvertuar me dinarin e ri: 130.000 000 dinarë të vjetër, për 1 dinarë të ri. Deri në korrik u mblodhën dhe u tërhoqën nga qarkullimi të gjithë dinarët e vjetër. Dinarin e ri populli e quante ‘’Avram’, kurse vet Avramoviqin e qunte ‘’Deda Avram’’, duke asocuar në ‘’Deda mraz’’, pak nga dashuria, pak nga humori.

Avramoviqi (1919 -2001) ishte një ekspert financiar, që kishte punuar kohë të gjatë në FMN dhe në Bankën Botërore dhe kishte përvojë në punët financiare dhe në krizat e inflacionit në shtete të ndryshme.  Më 2 mars 1994 u emërua guvernator i Bankës Popullore të ashtuquajturës RFJ, dhe pas pak  kohe edhe anëtar me korespondencë i AShAS. Por, me qenë se si guvernator nuk lejonte shtypje të parave sa i nevojiteshin regjimit, më 15 maj të vitit 1996,   Kuvendi i të ashtuquajturës Jugosllavia Federale e shkarkoi nga detyra e guvernatorit dhe praktikisht e përzunë nga ‘’Jugosllavia’’.

Kjo ishte politika e udhëheqjes  së atëhershme të Serbisë e Malit të Zi. Politika, partitë dhe njerëzit që ishin në pushtet atëherë, edhe tash janë në pushtet në Serbi, qoftë me emra të njëjtë apo të ndryshuar. Pionerët e zellshëm të asaj udhëheqje: Vuçiqi, Daçiqi, Vullini e  shumë të tjerë, edhe sot e vazhdojnë politikën e njëjtë, për Serbinë e Madhe,  vetëmse në kushte e  rrethana  tjera më të volitshme dhe pa hiperinflacion.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok