Mësimi i harruar i Homerit
Duke lexuar statistikat mortore të Luftës Ukrainë-Rusi
Nga Prof. Blerim Latifi
Stefan Cvajgu, në librin e tij të shkëlqyer “Bota e së djeshmes – Kujtimet e një europiani”, përshkruan entuziazmin që pushtoi turmat në fillim të Luftës së Parë Botërore. Njerëzit niseshin drejt frontit sikur po shkonin në një festë ose në një aventurë të shkurtër, me bindjen se lufta do të mbaronte shpejt dhe se do të ktheheshin triumfalisht në shtëpi. Por lufta zgjati mbi katër vite, duke e kthyer Europën në rrënoja.
Ky iluzion nuk ishte i ri. Ai e ka shoqëruar luftën që nga fillimet e historisë njerëzore.
Luftërat fillojnë pothuaj gjithmonë me premtimin e një fitoreje të shpejtë, por gjatë rrugës ky premtim shembet. Entuziazmi ia lë vendin zhgënjimit, ndërsa njerëzit e gjejnë veten të mbyllur brenda një ferri që nuk ka horizont fundi.
Edhe mitet më të lashta e njohin këtë mekanizëm të rrezikshëm që shkakton luftërat.
Grekët u nisën drejt Trojës me bindjen se do ta kryenin shpejt punën dhe do të ktheheshin fitimtarë. Por lufta zgjati dhjetë vjet. Ajo që dukej një ekspeditë e shkurtër krenarie u shndërrua në një katastrofë të stërzgjatur.
Prej mijëra vitesh jemi mësuar ta lexojmë “Iliadën” e Homerit si një epope heroizmi dhe aventure, por pothuajse kurrë nuk ndalemi te mësimi i saj më i madh politik: iluzioni i luftës së shpejtë.
Shembulli më i fundit në historinë tmerrësisht të gjatë të këtij iluzioni është, pa dyshim, lufta Rusi–Ukrainë. Kur Vlladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës, pothuajse të gjithë, përfshirë edhe vetë Kremlinin, besuan se lufta do të përfundonte brenda pak javësh ose muajsh. Kjo bindje reflektohej edhe në emrin që iu dha agresionit: “Operacioni Special Ushtarak”. Ishte një emërtim që nënkuptonte një aksion të shpejtë dhe vendimtar, në frymën e Blitzkrieg-ut.
Por, ashtu si Blitzkrieg-u gjerman u shndërrua në një luftë pesë vjeçare, që la pas 60 milionë viktima, edhe “Operacioni Special” i Putinit ka hyrë tashmë në vitin e pestë, duke lënë pas mbi gjysmë milioni të vrarë.
Mbase ky është një lloj ligji i natyrës së luftës: ajo fillon me iluzionin e një fundi të shpejtë, por shumë shpesh përfundon duke u bërë një ferr që merr vite, gëlltit breza të tërë njerëzish dhe shpesh edhe kombe e civilizime.
