20/04/2024

MËSIMET E NXJERRA PAS 6 MUAJ LUFTIMESH RUSI-UKRAINË

0

Nga Kolonel Dritan Demiraj

Ndërkohë që dje u mbushën 6 muaj nga pushtimi i paprecedentë dhe i paligjshëm i Ukranës nga Federata Ruse, luftimet kanë hyrë në një rrugë pazgjidhje. Le të analizojmë me radhë faktet dhe rezultatet e konfliktit deri më sot.

Mësimi 1. Federata Ruse nuk po e fiton luftën aq shpejt sa mendonte. Ndërkohë që shumë ekspertë perëndimorë mendonin se pushtimi i objektivave ushtarake të Rusisë do të përfundonte shpejt, sot pas 6 muaj lufte intensive në të tri frontet Rusia ka pushtuar vetëm 20 për qind të territorit.

Në rast se analizojmë objektivat e arritura nga ushtria e dytë më e fuqishme në botë, rezultatet nuk janë aspak të kënaqshme. Kemi parë mijëra mjete të blinduara, dhjetra avionë dhe helikopterë, qindra topa dhe raketa kundërajrore, dronë, etj të shkaterruara te ushtrisë ruse. Sigurisht që këto shkatërrime kanë ardhur si pasojë e mbështetjes së madhe te asistencës ushtarake nga vendet perëndimore dhe SHBA-të, të cilat kanë dhënë efektin e duhur në fushëbetejë.

Si përfundim, mund të themi se superioriteti i fuqisë luftarake ruse nuk është parë akoma në veprim.

Mësimi 2. Kërcënimet nukleare janë më të larta se asnjëherë tjetër. Ndërkohë që janë marrë nën kontroll tri rajone nga Rusia, Donbasi, Krimeja dhe po luftohet në Zhaporizhia, luftimet në këtë të fundit kanë përfshirë edhe centralin bërthamor më të madh të Europës. Shumë institucione ndërkombëtare përfshirë këtu OKB-në, BE-në dhe Agjensinë Ndërkombëtare Atomike të Energjisë (IAEA), kanë bërë thirrje që të ndalohen urgjentisht luftimet në këtë territor, por duket që asnjë nga palët nuk ka ndërmend të tërhiqet. Nga njëra anë në brendësi të saj janë dislokuar 500 ushtarë rus dhe prej atje ekzekutojnë sulme në frontin Ukrainas, në të njëjtën mënyrë edhe forcat e Ukrainës po sulmojnë me predha dhe mortaja të kalibrit të madh në afërsi të centralit. Në rast se ky central shpërthen, atëherë shpërthimi do të shkaktojë një katastrofë humanitare të paprecedentë ku të dy palët do të jenë përgjegjëse për këtë krim.

Mësimi 3. Numri i personave civilë dhe ushtarakë të vrarë është shumë i lartë dhe po vazhdon të rritet dita ditës. Asnjë agjensi nuk ka dijeni me saktësi se sa është numri i ushtarëve të vrarë, por mendohet se janë vrarë më shumë se 10.000 ushtarë ukrainas, ndërkohë që nga ana e Rusisë janë vrarë 16.000-20.000 ushtarë, shtoi këtij numri dyfishin e të plagosurave dhe të humburve nga të dyja krahët. Sipas OKB-së janë vrarë më shumë se 5500 civilë, por në gjykimin tim duke marrë në konsideratë armët e përdorura dhe intensitetin e përdorimit të tyre, numri duhet të jetë më i madh. Ndërkohë si pasoje e luftës është shkaktuar një krizë e madhe humanitare duke shpërngulur më shumë se 6 milionë qytetarë nga shtëpitë e tyre në Ukrainë.

Mësimi 4. Planet dhe objektivat e Bashkimit Europian dëhtuan krejtësisht. Pas fillimit të pushtimit të gjithë vendet Europiane ndaluan menjëherë marëdhëniet diplomatike, ekonomike dhe sanksionuan kompanitë Ruse. Sot BE-ja ndodhet në krizën më të madhe energjetike të dekadave të fundit. Që nga fillimi i konfliktit, Europa po vuan nga rritja e madhe e çmimeve ushqimore, ndërkohë që inflacioni në drejtim të energjisë është në nivelin 41.9 %, inflacioni i ekonomisë së BE-së në muajin korrik u rrit 10.4 %, GDP-a e 27 vendeve të BE-së po ulet për shkak të krizës ekonomike dhe një nga krizat më të mëdha me të cilat pritet të përballet Europa është afrimi i dimrit. Ndalimin e eksportit të gazit në vendet e BE-së me 60 % nga ana e Rusisë, vendosja e kushtit që në rast se vendet jomiqësore me Rusinë duan të vazhdojnë ta blejnë gazin dhe naftën ruse, duhet të paguanin me rubla duke krijuar implikime të rëndësishme.

Meqënëse Rusia ndaloi 60 % të eksportit të gazit në tregun Europian, menjëherë çmimet e gazit u rritën për shkak të kërkesës së lartë. Sipas EuroStat-it inflacioni në BE është rritur me 9.6 % në muajin qershor 2022, çmimet e prodhimeve industriale janë rritur me 36 %, çmimet e ushqimeve janë rritur me 7.5 % dhe energjia me 144 %, duke arritur shifrat më të larta të 20 viteve të fundit.

Mësimi 5. Dështimi i unfikimit të komunitetit ndërkombëtar nga SHBA-të. Në këtë këndvështrim, shumë shtete nuk iu bashkuan sanksioneve ekonomike kundër Federatës Ruse në momentin kur iu bë thirrje nga presidenti Biden, duke dështuar kretësisht të izolojnë Rusinë.

Mësimi 6. Ky konflikt tregoi edhe një herë Real-Politikën. Dhjetëra vende nga Afrika, Amerika e Jugut, Lindja e Mesme dhe Azia kanë refuzuar prerë që t’i bashkohen luftës në Europë, duke i marrë vendimet e tyre politike vetëm bazuar në interesin e tyre kombëtar. Ata kanë refuzuar presionin diplomatik nga SHBA-të. Këtu mund të përmendim Indinë, Kinën, etj vende të cilat kanë shtuar disa herë sasinë e blerjes së enegjisë nga Rusia, sigurisht me çmime preferenciale.

Mësimi 7. Luftimet në vazhdimësi jo vetëm që nuk duket se do të ndalojnë, por kanë hyrë në një fazë të re shumë më intensive, komplekse dhe të rrezikshme. Në rast se analizojmë strateginë e luftës së Ukrainës deri dje ajo ishte mbrojtëse.

Në vazhdim, Presidenti Zelenski ka urdhëruar forcat e tij të armatosura të kalojnë në kundërmësymje strategjike. Kjo zhvendosje e menjëhershme strategjike, filloi në momentin e ekzekutimit të dy sulmeve të fundit kundër bazave ushtarake ruse në Gadishullin e Krimesë. Sulmi i parë konsistonte në shkatërrimin e gjysmës së avionëve gjuajtës bombardues në bazën ajrore në Krime, ndërsa sulmi i dytë shkaktoi hedhjen në erë të një depo të rëndësishme me materiale logjistike. Rusia nuk pranoi se ato ishin shkatërruar nga sulmet e Ukrainës, por se ato ishin aksidente nga pakujdesia. Ndërkohë, Ukrainë nuk ka bërë asnjë deklaratë përgjegjësie për këto sulme.

Por sipas Ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, konflikti ka hyrë në një fazë të re, ku strategjia kryesore në vazhdim do të jetë shkatërrimi i depove kryesore, shtabeve ruse të komandim-kontrollit dhe shkëputja e linjave të komunikimit, furnizimit dhe transportit armik. Sipas tij “Përgjigja jonë do të jetë më e ashpër në vijim”. Kjo nënkupton ekzekutimin e operacioneve të fshehta, klandestine, të luftës së gjeneratës së IV-rt për të dobësuar forcat ruse në të gjithë frontet.

Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se para tri ditësh Presidenti Zelenski deklaroi se: “Ne jemi të vendosur të marrim kontrollin e çdo cm territor që është nën kontrollin e rusëve, përfshirë këtu dhe Krimenë. Ne do të marrin kontrollin e 36 rajoneve, përfshirë këtu Donbasin, Krimenë dhe çdo qytet tjetër se ato janë vetë Ukranina”. Në vijim, ai ka filluar një fushatë më aktive diplomatike, për të siguruan mbështetjen e duhur për fillimin e një fushate ushtarake për marrjen e Gadishullit të Krimesë.

Dje Kievi zyrtar mirëpriti një konferencë, qëllimi i së cilës ishte çlirimi i Krimesë. Në të morën pjesë 60 vende dhe organizata ndërkombëtare, me prezencën e 40 presidentëve dhe kryeministrave përfshirë drejtuesit e G-7. Objektivi i ri strategjik: Marrja e kontrollit të Krimesë.

Ndërkohë nga ana tjetër, Rusia vazhdon të implementojë strategjinë e marrjes së kontrollit të sa më shumë territoreve dhe mbajtjen e kontrollit të tyre. Objektivat kryesore të Moskës janë: Donetsku, Khersoni, Luhansku dheZaporizhia. Objektivi i tyre është marrja nën kontroll të plotë dhe integrimi i tyre në Federatën Ruse.

Pse këto katër territore? Sepse Rusia mendon se kontrolli i këtyre katër rajoneve është i domosdoshëm për të përfunduar luftën. Në muajin qershor 2022, Vladimir Putin deklaroi se: “Ne po përgatitemi për fillimin e një ofensive të madhe ushtarake. Ne jemi këtu për të treguar gadishmërinë dhe vendosmërinë tonë. Perëndimi do të na mposhtë, skam se çtë them tjetër le të vijnë ta provojnë. E kuptojmë se perëndimi ka vendosur që të luftojë kundër nesh deri në ukrainasin e fundit. Kjo është një tragjedi për popullin e Ukrainës, por me sa duket lufta po shkon në këtë drejtim. Duhet që çdo kush ta kuptojë se ne akoma nuk kemi filluar, por në të njëjtën kohë nuk refuzojmë bisedimet e paqes. Ata që i refuzojnë ato tani, duhet ta dinë se sa më shumë që zgjat lufta, aq më e vështirë do të jetë për ta të arrijnë një marëveshje paqe me ne”.

Mësimi 8. Pavarësisht fuqisë dhe teknologjisë ushtarake për të cilat askush nuk ka dyshim që Rusia i ka në dispozicion, përfshirja në një konflikt ushtarak në një territor të madh, në disa fronte kundër një ushtrie të madhe, e cila aplikon luftë ballore me teknologji të fundit ushtarake të koordinuar me taktika guerrile, aq më shumë kur në këtë luftë janë përfshirë shumë aktorëtë fuqishëm nga ana ushtarake dhe financiare, kjo luftë është e pamundur të fitohet.

Si përfundim, deklaratat e fundit të presidentit Putin shfaqin qartë dëshirën e tij për ta përfunduar sa më shpejtë këtë konflikt dhe arritur një marëveshje paqe, sigurisht sipas interesit të tij. Pavarësisht faktit se Ukranina është shkatërruar pothuajse krejtësisht, faktet tregojnë se gjakosja e ushtrisë së Putinit është maksimale dhe do të kërkojë të paktën një dekadë reforma të thella ushtarake dhe mësimesh të nxjerra nga ky konklkt për t’u rigjeneruar përsëri.

Dritan Demiraj, Ph.D.

https://www.facebook.com/profile.php?id=100044589662161

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok